/Klodi Leka/
Medea e Euripidit është një nga dramat më të teatralizuara të antikitetit grek. Ajo rrëfen hakmarrjen e egër të një gruaje të re kundrejt të shoqit, Jasonit, i cili për pasuri dhe pushtet, si dhe në emër të së ardhmes më të mirë për fëmijët, zgjedh të martohet me të bijën e mbretit të Korintit. Për këtë arsye, gruaja e tij e parë, e ndjerë e tradhtuar, vendos të vrasë fëmijët për ta ndëshkuar të shoqin. Në mbyllje të dramës ajo largohet nga skena me një karro të sjellë nga i ati i saj hyjnor, duke e lënë Jasonin në gjendje të mjeruar me trupat e fëmijëve në duar dhe mbretin me të bijën, domethënë pasurinë dhe pushtetin, të vdekur te këmbët.
Kur e kam lexuar për së pari herë, jam tmerruar dhe mahnitur njëkohësisht nga ajo grua që nuk e gëlltiti me lotët e heshtur të pranimit lojën e ndyrë pas shpinës, siç jemi mësuar rëndom këtejpari. Jo vetëm nga Medea, por edhe nga shumica e grave të famshme të dramaturgjisë antike greke, të cilat na paraqiten si forca ktonike, të errëta dhe të egra, që replikimi i normave shoqërore dhe pasioni për shpagim ua shprish nurin e bukurisë së brishtë, virtuozitetin, rolin e glorifikuar të mëmës dhe amvisës. Përse, pra, gjithë ky gjak dhe zemërim në një shoqëri të proklamuar si të logosit, të agorasë demokratike?
Përgjigjja është e thjeshtë: ngaqë gratë – ashtu si shërbëtorët dhe fëmijët, refugjatët dhe fqinjët barbarë – ishin të pazëshme dhe të papjesa në këtë agora të racionalizmit. Në vend të fjalës, votës, sqimës – ekskluzivitete të burrit, të burrit mbi të gjitha të pasur dhe me pozita – atyre u mbetej vetëm britma, çrregullimi, dredhitë e përgjakshme. Kështu, të përjashtuara nga çdo hapësirë ku mund të artikulonin paqësisht vetveten kundër rendit social dhe për rrjedhojë t’i impononin atij ndryshimet e nevojshme në shoqëri, të ngujuara në sakralitetin e gruas besnike dhe të nënës që pjell burra të sertë, grave të antikitetit, apo të periferisë së pazhvilluar të botës bashkëkohore, s’u ngelet veçse tragjikja.
Ishte pikërisht ky mendim që m’u shpif në tru kur lexova para pak muajsh për vrasjen e një kryefamiljari nga e gjithë familja dhe groposjen e tij në ahurin e kafshëve për shkak të një fejese me detyrim. Po ky mendim m’u shfaq kur lexova, i tronditur, për ngjarjen e para dy ditëve në Shkodër ku një nënë e re, e traumatizuar nga tradhtia bashkëshortore dhe me gjasë dhuna verbale ose fizike, vret tri fëmijët dhe me pas veten në ujërat e kthjellëta të lumit Bunë. Si zakonisht, opinioni publik u llogorizua pro dhe kundër: kreut ose familjes, gruas ose burrit, viktimës ose xhelatit, duke refuzuar të shohin pamjen e plotë të dramës, fabula e së cilës sërish është e thjeshtë: përjashtimi nga agoraja.
Të ngujuar në jetë familjare dhe farefisnore shpesh të kontaminuar nga varfëria, moskuptimi, disniveli kulturor dhe hierarkitë frustruese patriarkale, pa hapësira publike dhe ligjore që i mbrojnë dhe u japin shanse për të shprehur veten ose dhuntitë, gratë dhe fëmijët, ruralët e të varfrit në përgjithësi, nuk kanë asnjë shteg për të vënë në pah, normalisht, protestën e tyre. Kësisoj, e paligjshmja, shfazimi mendor dhe anulimi i empatisë, kurdisja e komplotit, arratisja e dhunshme individuale drejt dritës së publikes e cila, për fat të keq, në Ballkanin antik ose modern vijon të mbetet burgu ose vdekja, janë rrugëdaljet e shkurtra. Sepse jashtë gardhit të mëhallës dhe familjes, jashtë institucionit të martesës, jashtë rolit të shtëpiakes, për këta njerëz nuk ka asgjë më shumë se shkretëtirë.
Paramendo – dhe të jemi realistë – çfarë mund ta presë një grua e divorcuar me tre fëmijë në një komunitet ku divorci konsiderohet turp dhe gruaja nuk ka një atdhe për t’u kthyer përveç derës së burrit; në një qytet me normat më të larta të papunësisë në republikë, pa kualifikim arsimor ose profesional, me gjasat tepër të vogla për të gjetur një punë që shlyen shpenzimet e pikës zero të jetës së re e të pavarur, në këtë republikë bananesh ku ligji social nuk jep më tepër se njëqind dollarë për nënën vetushqyese?! Rrugën, vetminë dhe përçmimin. Prandaj për këto gra sedërlie, të martuara në pranverën e jetës dhe të mbrujtura me ndjesitë e trasha të ideologjisë familjariste, vdekja konfigurohet si atdheu i tyre i vetëm.
Po përse vrau edhe fëmijët dhe jo veç veten e saj? – mund të pyesë ndonjë moralist me ndjeshmërinë selektive që vuan vetëm për fëmijët dhe kurrsesi për gruan. Pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie selektive është përgjigja, kësaj ndjeshmërie ku forma më e keqe e religjionit dhe e adetit pleksen në gjykimin e ashpër të njeriut të vetëvrare e për më tepër, nëse njeriu është grua, çështja bëhet sekrete, koritëse, e dënueshme, e pafolshme, ngushtësisht familjare. Kësisoj, Medea e Shkodrës u hakmor ndaj burrit si figurë dominuese e shoqërisë, por edhe ndaj kësaj të fundit në përgjithësi, ndoshta edhe duke mos qenë plotësisht e vetëdijshme për burgun, kazermën dhe varrezën që ajo është, por më se e sigurt për fuqinë e britmës në zgripin e saj.
Gjëma e përgjakshme e marrëzisë është rruga tjetër e çlirimit individual aty ku hapësirat për emancipim të shëndetshëm kolektiv nuk ekzistojnë dhe ku rrëkeja e gjakut, vitet e fundit, është fryrë në përmasën e një lumi të dalë nga shtrati. Duke mos dashur të jem një profet i errët i apokalipsit, për hir të së vërtetës, ky lum sa do të vijë të trashet për sa kohë margjinat e shoqërisë ziejnë nga mosdurimi i status quo-së, kurse shoqëria jonë udhëhiqet nga një shtet që ka për subjekt burrin e fortë karizmatik, kufizon të drejtat sociale, lëshon ligjshmërinë dhe kultivon një kapitalizëm radikal pa fytyrë njerëzore. Marrëzia është, siç thotë Mishel Fukoja, një histori e mundësive të historisë, pra është e gjithë rezistenca, shpresat dhe potenciali për botë tjera të mundshme të shtypura në emër të arsyes, domethënë të atij universi të kodifikuar mendor që bazohet te zhvillimi pa progres, pabarazia gjinore dhe paraja si kimerë e çdo filozofie mbi njeriun.
Imazhi: Medea Sarcophagus, Altes Museum Berlin (marrë nga The Metropolitan Opera)
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.