/George Souvlis/
Manolis Glezos ishte vetëm 19 vjeç kur ndezi rezistencën antinaziste në Greqi duke hequr kryqin e thyer nga Akropoli. Ky ishte vetëm fillimi i një jete kushtuar kauzës së të shtypurve – në të cilën, siç thoshte vetë ai, “Asnjë luftë për atë që beson nuk është kurrë e kotë”.
Shoku i përhershëm i Manolis Glezos-it, Chronis Missios-i, reflektoi melankolinë e shumë majtistëve, duke e titulluar autobiografinë e tij “Mirë që vdiqe i ri”. Titulli i referohej “fatit” të shokëve komunistë që kishin humbur jetën të rinj duke mos parë i shpresat e tyre për një të ardhme paskapitaliste të thyera brutalisht. Manolis Glezos-i nuk ishte nga ata që vdiq i ri. Në nëntëdhjetë e shtatë vitet e tij, ai pa zhgënjimin e shumë ëndrrave, nga dërrmimi i së majtës greke në fund të viteve ‘40 te “kapitullimi” i Syriza-s në verën e vitit 2015. Por këto humbje kurrë nuk e bënë Glezos-in që të hiqte dorë. Ai besonte fuqimisht se “Asnjë luftë për atë që beson nuk është kurrë e kotë” – një maksimë që e udhëhoqi deri në ditët e tij të fundit.
Glezos-i lindi në vitin 1922, ndërkohë që ende vazhdonte beteja në kufijtë e Greqisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Një djalë me prejardhje nga një fshat i vogël i quajtur Apiranthos në ishullin e Naksosit, që në adoleshencë familja e tij u shpërngul në Athinë. Në kryeqytetin grek përfshirja e tij politike filloi gjatë viteve të shkollës së mesme, përmes pjesëmarrjes në organizatat rinore antifashiste. Ky ishte një aktivizëm që ai e vazhdoi, me vetëdije politike në rritje, pas fillimit të okupimit nazist të Greqisë në prill të vitit 1941.
Më 30 maj 1941 Glezos-i, vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç, dhe shoku i tij Apostolos Santas ndërmorën veprimin që vendosi emrat e tyre në librat e historisë duke grisur flamurin me kryqin e thyer në Akropol. Ky veprim sinjalizoi në mënyrë simbolike fillimin e rezistencës greke kundër fuqive të Boshtit, si dhe frymëzoi njerëzit anembanë kontinentit që të fillonin luftën kundër nazistëve. Udhëheqësi francez Charles de Gaulle do ta karakterizonte Glezos-im si “partizanin e parë të Evropës”. Megjithatë, siç insistonte komunisti grek, ky nuk ishte thjesht një rast, por shprehje e një lufte që udhëhoqi tërë ekzistencën e tij.
Mbajtja gjallë e kujtesës
Nga ky moment e tutje, jeta e Glezos-it do të ndiqte trajektoren dhe kontradiktat e shumta të së majtës greke dhe asaj ndërkombëtare. Kishte natyrisht gabime, llogaritje të gabuara strategjike, lëshime. Kishte gjithçka që përfshin një jetë në luftë, e cila përballet si me pengesat strukturore, ashtu edhe me kufizimet personale që çdo qenie njerëzore duhet të ketë. Por Glezos-i e vazhdoi përfshirjen e tij aktive politike, duke e bërë mënyrë jetese luftën për të shtypurit.
Aktivizmi politik i Glezos-it shoqërohej edhe me mendimin e tij reflektues mbi historinë, përfshirë këtu edhe rolin e tij si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë komuniste. Edhe më vonë në jetë drejtoi pyetjen retorike:
“Pse po vazhdoj? Pse po e bëj këtë kur jam 92 vjeç e dy muaj? Fare mirë mund të qëndroja i ulur në një divan, i veshur me pantofla e me këmbët lart. Atëherë, pse ta bëj këtë? Ju [ndoshta] mendoni se njeriu i ulur përballë jush është Manolis-i, por e keni gabim. Unë nuk jam ai. Dhe unë nuk jam ai sepse nuk kam harruar se sa herë që dikush bëhej gati për t’u ekzekutuar [gjatë Luftës së Dytë Botërore], thoshte: ‘Mos më harroni! Kur thoni mirëmëngjes, mendoni për mua! Kur ngrini gotën, thoni emrin tim!’ Ja çfarë bëj kur flas me ju ose kur bëj ato që bëj. Burri që shihni para jush janë të gjithë ata njerëz. Dhe e gjithë kjo është që të mos i harrojmë ata.”
Deri diku mund të themi se Glezos-i personifikoi paralajmërimin e Walter Benjamin-it mbi nevojën për të mbajtur gjallë kujtimin e atyre që ranë në luftë. Ai e bëri këtë jo vetëm përmes shkrimeve, siç këshillonte kritiku gjerman, por edhe përmes qëndrimit që mbajti gjatë gjithë jetës së tij. Ky qëndrim ishte thellësisht personal, të paktën për faktin se njëri nga ata që vdiqën duke luftuar për një botë më të mirë ishte vëllai i tij, gjithashtu partizan. Mbajtja gjallë e kujtimit të vëllait të tij dhe ëndrrës politike ishte një arsye më tepër për angazhimin e tij të guximshëm.
Këtë e kishte shpjeguar në një intervistë që partizani grek i kishte dhënë Jerome Roos-it. Roos-i përshkroi se si, gjatë takimit të tyre, Glezos i kishte treguar një copë rrobe nga pjesa e brendshme e helmetës së vëllait të tij, mbi të cilën ai me shpejtësi kishte shkruar disa fjalë të fundit për t’i dhënë lamtumirën nënës së tyre. Me sa duket vëllai la një adresë në copën e kësaj rrobe dhe e hodhi atë nga kamioni i ushtrisë, me të cilin u transportua në vendin e ekzekutimit. Dikush e gjeti dhe e dërgoi te familja Glezos; Manolis-i e mbajti me vete tërë jetën. Kjo ishte, kur e kuptova, një nga arsyet pse ai e mbajti gjallë luftën e tij të gjatë dhe të palodhur deri në të nëntëdhjetat, që të nderonte trashëgiminë e vëllait të tij të vogël.
Përfshirja partiake
Politikisht aktiv gjatë Rezistencës, pas përfundimit të luftës Glezos-i u aktivizua në radhët e së Majtës së Bashkuar Demokratike (EDA). Kjo parti ishte krijuar për të zëvendësuar Partinë Komuniste të Greqisë (KKE) e cila ishte e ndaluar, megjithëse, me kalimin e viteve, ajo ndoqi një platformë më të gjerë duke integruar një sërë kërkesash politike. Glezos-i u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek për EDA në vitin 1951, edhe pse u burgos në vijim të masave të rrepta kundër së majtës.
Kjo nuk ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për Glezos-in. Në të vërtetë, periudha e burgut do të ishte pjesë integrale e jetës së tij, siç ishte edhe për shumicën e së majtës greke periudha midis vendosjes së regjimit të Ioannis Metaxas-së në vitin 1936 dhe rivendosjes së demokracisë parlamentare në vitin 1974. Glezos-i kaloi gjithsej njëmbëdhjetë vjet në burg dhe më shumë se katër vjet në mërgim, si dhe u dënua dy herë me vdekje. Duke vijuar dekadat e veprimtarisë së ligjshme dhe të paligjshme nën regjimet joliberale të pasluftës në Greqi, vetëm në vitin 1971 ai u lirua nga burgu për herë të fundit.
Pas rrëzimit të juntës ushtarake, Glezos-i u zgjodh dy herë në parlament me partinë socialiste PASOK, më 1981 dhe 1985. Kjo ishte periudha në të cilën PASOK-u pozicionohej në të majtën e shumicës së partive socialdemokrate evropiane, duke këmbëngulur mbi nevojën për një demokratizim të shkallës së gjerë dhe rishpërndarjen e pasurisë. Por në vitin 1986 ai e la parlamentin për t’u kthyer në fshatin e lindjes, Apiranthos. Përfshirja e tij politike atje ishte gati e pazakontë pasi e përdori rolin e tij si kryetar i këshillit lokal për të filluar një eksperiment të gjerë në demokracinë e drejtpërdrejtë.
Ky preokupim për pushtetin nga poshtë-lart ishte një “rishikim” i postulateve të së majtës greke dhe tregues i rikonceptimit të politikës komuniste në të cilën Glezos-i u angazhua gjatë viteve ‘80. Ai pohoi se çdo projekt i vërtetë komunist duhet të përfshijë pjesëmarrjen thelbësore të masës së popullit, jo thjesht të vendoset nga lart me dekret. Nëse Glezos-i ishte një komunist i përjetshëm dhe i përkushtuar, ky episod demonstronte vullnetin e tij për të mësuar dhe për të shmangur ngurtësitë doktrinore. Dhe pse një eksperiment i tillë ishte i kufizuar në nivel fshati, ai pati fatin ta shohë këtë lloj politike të marrë formë masive me lëvizjen e pushtimit të shesheve të vitit 2011, së cilës iu kushtua edhe vetë ai.
Nga fundi i shekullit Glezos-i ishte përfshirë në partinë e majtë radikale Synaspismos dhe, përmes kësaj, në koalicionin Syriza, i bazuar në formacionin e tij politik Qytetarë Aktivë. Me Greqinë e goditur nga masat shtrënguese pas krizës financiare, militanti veteran Glezos u zgjodh përsëri anëtar i Parlamentit Grek në vitin 2012, para se të zgjidhej në Parlamentin Evropian në vitin 2014, në moshën e thyer nëntëdhjetë e një vjeçare.
Gjatë gjithë kësaj përpjekjeje ai u mundua ta përdorte veprimtarinë e tij parlamentare për t’u dhënë zë lëvizjeve kundër masave shtrënguese. Për shkak se shpresoi në rezistencën e Syriza-s ndaj diktateve evropiane, u zhgënjye thellë nga pranimi i një memorandumi të ri me masa shtrënguese nga Alexis Tsipras-i në korrik të vitit 2015. Për pasojë dha dorëheqjen po atë muaj nga posti i tij në Parlamentin Evropian.
Glezos-i nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekja e fuqishme për marrjen nga Greqia të dëmshpërblimeve gjermane, si kompensim për mizoritë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, kjo kërkesë nuk kishte karakter nacionalist. Pikërisht në këtë dritë duhet të lexojmë edhe veprimin e kryer prej tij në vitin 2017, kur mori për dore ambasadorin gjerman për ta çuar në memorialin e atyre që ishin masakruar nga nazistët dhe për të vendosur një kurorë, pavarësisht përpjekjeve për ta bllokuar një veprim të tillë. Në të vërtetë, gjatë gjithë jetës së tij Glezos-i tregoi solidaritet me të gjithë ata që ngrihen kundër shtypjes kombëtare dhe kolonializmit, veçanërisht me luftërat e palestinezëve dhe kurdëve për vetëvendosje dhe dinjitet.
Asnjë betejë nuk është e kotë
Më 30 mars Manolis Glezos-i mori frymën e tij të fundit. Lufta e tij gati shekullore përfundoi nga pushimi i zemrës. Ai na la në një moment të vështirë jo vetëm për të majtën, por edhe për mbarë njerëzimin, në një kohë shqetësimi kur kemi më shumë se kurrë nevojë për të. Jeta e tij nuk do të nderohet, siç do të kishte ndodhur sigurisht në një funeral ku bashkëluftëtarët dhe admiruesit e tij të panumërt mund të kishin ardhur për t’i bërë homazhe.
Megjithatë jeta e Glezos-it ishte në vetvete e plotë. Shumë nga shpresat e tij ishin thyer dhe kishte shumë kohë të errëta, si edhe momente të rezistencës krenare. Por lufta e tij ishte e vazhdueshme dhe e pakompromentuar. Siç thoshte shoku i tij i vjetër Missios, “një jetë e karakterizuar nga liria, me bindje, në harmoni me veten, nuk mbaron vetëm me vdekjen e një njeriu, por vazhdon me transmetimin e së njëjtës frymë te mijëra të tjerë”.
Në këtë kuptim, duhet të ndihemi me fat që po qëndrojmë në shpatullat e gjigandëve si Manolis Glezos. Kur ngremë një gotë për të, kur themi emrin e tij, kur përpiqemi të ndjekim gjurmët e tij, gjëja më e rëndësishme është të luftojmë me vendosmëri për atë që besojmë se është e drejtë. Sepse, siç e ka thënë vetë ky burrë i madh, “asnjë luftë nuk është e kotë”.
E përktheu Alsena Kokalari
Imazhi: Greek City Times