/Lindsey German/
1. Globazilmi dhe neoliberalizmi kanë pasur një ndikim të thellë në jetët e miliona grave. Vetë kapitalizmi ka krijuar forma dhe manifestime të reja të shtypjes së gruas.
2. Shtypja e gruas është fryt i shoqërisë së klasave që ka ekzistuar për mijëra vjet. Vetëm me zhvillimin e kapitalizmit një numër i madh grash u ndërgjegjësuan rreth pozitës së tyre dhe aftësisë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të lidhura me pozicionin e tyre shoqëror.
3. Me miliona gra janë tërhequr brenda forcës punëtore, por puna në fabrika, zyra dhe dyqane nuk ka çuar drejt përmirësimit të jetës së grave dhe aq më pak drejt çlirimit. Gratë vuajnë shfrytëzimin në punë, dhe njëkohësisht mbajnë mbi supe edhe barrën e dyfishtë të familjes dhe të kujdesit ndaj fëmijëve krahas punës me pagë.
4. Roli tradicional i grave si bashkëshorte dhe nëna nuk është zhdukur, por është rishpikur për t’iu përshtatur nevojave të shfrytëzimit. Ato nuk mund të manovrojnë me të gjitha aspektet e jetës së tyre, dhe fajësohen individualisht për çdo dështim në familje ose në punë.
5. Diskutimi mbi dallimin në tavanin e rrogave dhe për bonuset padrejtësisht të ulëta nëpër banka nuk e kapin kuptimin e çlirimit, pasi çlirimi duhet të jetë për të gjitha gratë punëtore, dhe jo thjesht për një numër të vogël dhe të privilegjuar grash.
6. Megjithëse të gjitha gratë vuajnë shtypjen dhe përballen me diskriminimin, përvojat e tyre jetësore janë rrënjësisht të ndryshme. Gratë nuk janë të bashkuara si seks, por janë të ndara në baza klasore. Gratë e klasës së mesme dhe të lartë përfitojnë nga fitimet që burojnë prej sistemit shfrytëzues në të cilin jetojmë, dhe këto fitime i përdorin për të lehtësuar shtypjen e tyre. Gratë e klasës punëtore janë zakonisht ato që gatuajnë, pastrojnë dhe sigurojnë shërbime për këto gra, duke u paguar keq, dhe shpesh duke i lënë pas dore familjet e tyre për t’i bërë këto punë.
7. Sot më shumë se kurrë gratë shikohen si objekte të përkufizuara nga seksualiteti i tyre. Komercializimi i seksualitetit me kulturën lad dhe ladette[1], klubet me vajza të zhveshura që kërcejnë mbi shtyllat e hekurit dhe garat postmoderne të “Miss Botës” i mbajnë gratë të vlerësuara si objekte seksuale, sikur asgjë të mos kishte ndryshuar prej vitit 1950.
8. Objektifikimi, bashkë me rolin e gruas të supozuar si pronë e burrit, çon në dhunë familjare, përdhunim dhe abuzim seksual. Ky abuzim njihet dhe raportohet më pak nga ç’ndodh në të vërtetë. Këto çështje filluan të shihen si politike vetëm në vitet 1960 dhe 1970.
9. Për të pasur në kontroll jetët e tyre, gratë duhen të vendosin kontrollin mbi trupin dhe seksualitetin e tyre.
10. Ideologjia kapitaliste ka për prioritet familjen dhe rolin e nënshtruar të grave dhe fëmijëve brenda saj, ndërsa njëkohësisht i detyron anëtarët e familjes individualisht që të sakrifikojnë ‘jetën familjare’ për shkak të presionit të punës dhe të emigrimit.
11. Prioritetet e sistemit të fitimit dhe ekzistenca e familjes së privatizuar do të thotë që shtypja e gruas në kapitalizëm është e strukturuar. Çdo çlirim i sinqertë duhet të lidhet me një lëvizje të gjerë për emancipim njerëzor dhe për kontrollin e pasurisë nga njerëzit që e prodhojnë atë. Prandaj burrat dhe gratë duhet të luftojnë për çlirim. Socializmi dhe çlirimi i gruas janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme.
12. Ne nuk do të fitojmë pa luftuar. Çdo lëvizje e madhe shoqërore ngre çështjen e gruas. Në shekullin XIX, lëvizja për emancipimin e gruas e mori emrin e saj prej lëvizjes për ndalimin e skllavërisë. Në shekullin XX, çlirimi i gruas e mori emrin prej lëvizjeve kundër kolonializmit në botë. Në shekullin XXI, çlirimi i gruas duhet të luftojë për ndryshimin e botës dhe fundin e shoqërisë klasore që në krye të herës ka krijuar shtypjen dhe shfrytëzimin.
Përkthyer nga: Tinka Kurti
[1] Vështirësisht të dhënshme në shqip, kultura lad (çun) dhe ladette (çune) shënjon praktika dhe simbole maçiste, që i thurin lavde fuqisë dhe ashpërsisë mashkullore, çka reflektohet edhe në nxitjen e femrave për t’u sjellë si çune për të pasur sukses. (Shën. red.)