Maj ‘68, C’est la revolution! (ii)

/Jonah Birch/

Vijim

[…] Si kundërpërgjigje, kryeministri Pompidou shfaqi simpati për kërkesat e protestuesve dhe premtoi përshpejtim të vënies në zbatim të reformave. Por pas këtyre veprimeve në dukje miqësore, gjendej kërcënimi i thellimit të shtypjes, një perspektivë të cilën Pompidou-ja e ceku “kalimthi” duke cilësuar ekzistencën e “një vije që nuk duhet kaluar, një pikë në të cilën qeveria nuk mundet të pranojë më kërkesa, të cilat, edhe pse të sinqerta dhe legjitime, e pamundësonin sigurinë dhe paqen për të gjithë Francën”.

Ndërkohë De Gaulle-i gjendej në një vizitë shtetërore në Rumani nga 14 deri më 19 maj, larg prej fillesave së grevës. Ai e kishte dorëzuar përgjegjësinë për zgjidhjen e konfliktit te kryeministri Pompidou dhe tanimë me përkeqësimin e situatës, strategjia e qeverisë u zhvendos nga politika e paqëtimit në atë të përballjes.  Më 19 maj De Gaulle-i u kthye nga udhëtimi dhe e shtyu qeverinë të ndiqte një linjë më të ashpër. Më datë 21 hebreut të lindur në Gjermani, Cohn-Bendit, iu ndalua qëndrimi në Francë, çka ngjalli revoltën e mijëra vetëve, të cilët demonstruan në përkrahje të tij. 

Të tilla gabime taktike nga ana e qeverisë vetëm sa e thelluan krizën. Më 24 maj u shfaq në televizionet publike për të adresuar situatën dhe kombin. Duke e shpallur Francën në “vigjilje të paralizës”, De Gaulle-i hodhi dritë mbi perspektivën e një lufte civile në rast se situata nuk përmirësohej. Me këtë arsyetim, ai shpalli mbajtjen e një referendumi në qershor, nëpërmjet së cilit populli do të mund të shprehte vullnetin e tij. De Gaulle-i u kërkoi votuesve besnikë të tregonin mbështetjen e tyre nëpërmjet një vote masive pro tij, duke premtuar gjithashtu dhënien e dorëheqjes në rast se vota e referendumit do të fliste kundër tij. 

Megjithatë triku i De Gaulle-it nuk shkoi siç duhej. Në vend se të qetësonte gjakrat, fjalimi i tij ngjalli reagim të menjëhershëm nga protestuesit. Vetëm në Paris më shumë se demonstruan 50’000, ndërkohë që studentët revolucionarë zaptuan bursat (duke provuar pa sukses t’u vendosnin flakën godinave). Atë mbrëmje u regjistruan përplasjet më të dhunshme të të gjithë Majit, me 456 të lënduar dhe thuajse 800 të arrestuar vetëm në kryeqytet. Në radhët e së djathtës, përkrahësit e qeverisë filluan themelimin e Komiteteve për Mbrojtjen e Republikës, duke kundërshtuar atë që e cilësonin si një “minoritet të dhunshëm”.

Bisedimet e Grenellës

Në një përpjekje për t’i dhënë fund grevave, qeveria thërriti një konferencë të përbashkët midis sindikatave dhe pronarëve. Marrëveshjet e Grenellës, të arritura më 27 Maj, i jepnin punës një larmi të drejtash në vendin e punës, duke përfshirë të drejtën për t’u organizuar gjatë punës, shkëmbimin e literaturës dhe mbledhjen e kontributeve brenda dyerve të fabrikës. Brenda marrëveshjeve përfshihej edhe rritja me rreth 35% e pagës minimale dhe me 10% për punëtorët më të kualifikuar. Për më tepër, orët e punës do të shkurtoheshin me një ose dy orë në javë, por gjithnjë të paguara. 

Sindikatat, ashtu si zyrtarët e qeverisë, shpresonin se marrëveshjet do të mundësonin fundin e grevave dhe zaptimeve. Megjithatë, përpara se marrëveshjet të mund të implementoheshin, duhej të ratifikoheshin nga një klasë punëtore, zelli revolucionar i së cilës kishte ardhur në rritje gjatë zaptimeve të fabrikave. Shumësia e punëtorëve ishin të zhgënjyer me përfitimet relative të arritura nga marrëveshja. Shumë prej tyre kundërshtonin veçanërisht një klauzolë e cila e lejonte administratën të kompensonte orët e humbura të punës në greva nëpërmjet orëve shtesë të punës. 

Sindikatat franceze, të dobësuara nga një dekadë armiqësie shtetërore dhe politikat e De Gaulle-it, nuk kishin mjaftueshëm influencë për ta sheshuar kundërshtinë e punëtorisë. Ndaj zyrtarët e sindikatave u detyruan të përqafonin dëshirën e klasës punëtore për ta refuzuar marrëveshjen. Më 27 maj, një takim masiv i kryesuar nga udhëheqësit e federatave kryesore, votoi unanimisht kundër marrëveshjes. 

Dështimi i bisedimeve të Grenellës për t’i dhënë fund grevave e zbehu më tej legjitimitetin e qeverisë së De Gaulle-it. Më 27 maj mijëra njerëz u bashkuan me marshimin e të majtës revolucionare studentore në Paris, në të cilën ishte pjesëmarrës edhe Mendes-France-i, i cili përpiqej të përforconte pozitat e tij si alternativa kryesore kundrejt Partisë Komuniste Franceze (PCF). Ai thoshte se ishte gati të shërbente si kryeministër i një koalicioni, për aq kohë sa e gjithë e majta do të ishte pjesë e tij, përfshirë këtu PCF-në. Nga ana tjetër, PCF-ja nuk ishte entuziaste për një koalicion të tillë, ndaj prirej më shumë drejt aleancës me Mitterrand-in dhe liderin e moderuar socialist Guy Mollet. Megjithatë Mendes-France-i tanimë shihej nga pjesa më e madhe e së majtës, madje dhe nga disa golistë si e vetmja figurë që mund të merrte në dorëzim qeverinë. 

Më 28 maj Mitterand-i mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën deklaroi se “shteti nuk ekzistonte më dhe ajo që cilësohej si i tillë nuk i përngjasonte aspak pushtetit legjitim”. Duke kërkuar dorëheqjen e De Gaulle-it, ai propozoi formimin e një qeverie provizore të udhëhequr nga ai vetë ose Mendes-France-i, e cila do t’i dedikohej “themelimit të demokracisë socialiste, për t’i hapur udhë rinisë, në rrugën drejt aleancës së re midis lirisë dhe socializmit.”

Pushimet gjermane

Ditët e fundit të majit, e ardhmja e De Gaulle-it dukej e zymtë. Qeveria kishte ndaluar së funksionuari. Një zyrtar tregonte më vonë se “praktikisht kryeministri Pompidou ishte i vetëm, vetë qeveria.” Më 28, De Gaulle-i i rrëfente aleatëve se nuk kishte më qeveri. Një ministër thuhet të ketë vrarë mendjen nëse duhej të përgatiteshin për mësymjen e revolucionarëve në ministri, dhe nëse po, a do duhej të armatoseshin. 

Më datë 29, si manifestim force, Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) organizoi një marshim me më shumë se 500’000 protestues të cilët brohorisnin “Adieu, De Gaulle” dhe pro qeverisë popullore. Për De Gaulle-in, shtohej dita-ditës frika se demonstrata do të shndërrohej në kryengritje, edhe pse vetë komunistët nuk e kishin për qëllim. Dobësimi i autoritetit politik e shtyu De Gaulle-in të forconte pozitat në ushtri, duke u dërguar emisarë gjeneralëve për t’u kërkuar mendime mbi situatën. 

Më vonë po të njëjtën ditë, pak orë përpara një daljeje të planifikuar mediatike, De Gaulle-i u largua nga kryeqyteti. Zhdukja e tij e mistershme u hapi rrugë spekulimeve të shumta. Në të vërtetë De Gaulle-i kishte shkuar në Gjermani, ku ushtria franceze ishte vendosur në Baden-Baden. Aty u takua me armikun e vjetër, gjeneralin Massu, i cili tani drejtonte të gjitha forcat franceze në Gjermani. Askush nuk i di me siguri qëllimet e vërteta të udhëtimit të tij, por më vonë Massu-ja do të thoshte se presidenti ishte aq i tronditur, sa vetëm lutjet e tij e bindën të kthehej në Paris.

Pas gjashtë orësh, De Gaulle-i u kthye në Francë, duke e kaluar zhdukjen e tij si shkarje të momentit. Atë paradite, ai deklaroi në televizion se nuk do jepte dorëheqjen ose të zëvendësonte kryeministrin. Duke pretenduar se demonstratat po udhëhiqeshin nga komunistët totalitarë, të cilët i akuzonte se po përpiqeshin të merrnin pushtetin nëpërmjet ndërthurjes së “frikësimit, intoksikimit dhe tiranisë”. Ai i tha publikut se kishte vendosur t’i shtynte planet për referendum dhe në vend të tij do të shpërbënte parlamentin, për të kaluar në zgjedhje të reja. 

Duke premtuar se do të përdorte mjete kushtetuese për t’i dhënë fund krizës, ai tha se mjetet ekstreme do të ishin kundërpërgjigje ndaj kërcënimit të kryengritjes, gjë që ngrinte hijen e diktaturës sovjetike. Përballë një rreziku të tillë, ai premtoi të merrte masa drastike, edhe jokushtetuese, për ta mbrojtur kombin nga subversioni.”Nëse situata e ushtrimit të forcës vazhdon, do të jem i detyruar të përdor mjete të ndryshme nga vota popullore për të mbrojtur Republikën.”

Nuk mund të dihet me siguri nëse do t’i përdorte vërtetë mjete të tilla nën presionin e kohës. Por PCF-ja, si kundërpërgjigje, e akuzoi regjimin se po përgatiste një grusht ushtarak, duke pretenduar se “sulmi kundrejt Partisë Komuniste është paramenduar për të fshehur dëshirën e gjeneralit De Gaulle për të vendosur diktaturën personale.” Ndërkohë konfederatat kryesore dhanë një deklaratë të përbashkët, ku dënonin reaksionin e pronarëve: “Ne dënojmë thirrjen e kreut të shtetit për luftë civile. Vetëm përmbushja e kërkesave tona do t’u japë fund grevave.”

Kundërsulmi De Gaulle-it

Momentumi filloi të fliste në favor të regjimit. Si reagim ndaj deklaratës së De Gaulle-it, 400’000 mbështetës të qeverisë marshuan drejt Champs-Elysée-së, duke valëvitur flamuj të Francës dhe brohoritur thirrje të së djathtës ekstreme. Rikthimi  i së djathtës në sferën publike nuk ishte rastësor. Për të forcuar pozitat e qeverisë, ministri i Brendshëm deklaroi se anëtarët e burgosur të organizatës terroriste OAS do të liheshin të lirë. 

Me erën në velat e qeverisë, punëtorët filluan të tërhiqeshin ngadalë në javët e para të qershorit. Zbehja e lëvizjes përkoi me një pushim zyrtar religjioz, gjë që nënkuptonte një fundjavë të gjatë ndërprerjeje midis 2 dhe 4 qershorit. Dita shtesë e pushimit, për më tepër në vazhdimësi të fjalimit së De Gaulle-it, e ndryshoi rrjedhën e lëvizjes. Në sektorin publik, qeveria mundësoi përmirësime të ndjeshme të pagave dhe të tjera çështje, si dhe u dha fund njëra pas tjetrës grevave të punëtorëve brenda dy javësh. 

CGT-ja e udhëhequr nga komunistët luajti rol të rëndësishëm në këto përpjekje të qeverisë. Në shumicën e rasteve, zyrtarët e sindikatave u bënin thirrje punëtorëve të pranonin marrëveshjet, duke vënë në dukje koncesionet e shumta që po ofronin pronarët. Më  5 qershor CGT-ja dha një deklaratë në të cilën shpallte fitoren e punëtorëve grevistë dhe argumentonte se “aty ku kërkesat thelbësore janë pranuar, është interesi i punëtorëve të kthehen masivisht në vendin e punës të bashkuar”. 

Kjo qasje provokoi ndasi akoma më të mëdha ndërmjet komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre të së majtës radikale, ku të dyja palët e akuzonin njëra-tjetrën për mungesë ndershmërie. Më 6 qershor Etienne Fajon-i, anëtar i byrosë politike të PCF-së dhe redaktor i “L’Humanité’, shkroi një artikull në mbështetje të linjës së CGT-së, sipas së cilës greva duhej të mbaronte sa më shpejt  të ishte e mundur. Fajon-i thoshte se kritikat ndaj këtij pozicioni shtyheshin përpara nga “grupime pseudorevolucionare’, të cilat, “pasi sabotuan lëvizjen me pretekstin se kërkesat nuk ishin mjaftueshëm madhore dhe relevante”, tanimë “po përpiqen të bllokojnë rifillimin e punës”. Pas këtyre “ultramajtistëve”, gjendej dora e De Gaulle-it dhe regjimit të tij, dhe paralajmëronte se disfata e atyre të cilëve u shërbejnë këta “ultramajtistë” , do të ishte njëkohësisht dhe vetë disfata e tyre. 

Me të majtën të përçarë dhe rrjedhën e ngjarjeve që ecte në drejtimin e gabuar, administrata gjeti momentin e duhur për të intensifikuar fushatën e represionit ndaj punëtorëve që refuzonin të ktheheshin në vendin e punës. Pompidou-ja tanimë thoshte se motoja “Të punojmë!” tanimë duhet të ishte slogan zyrtar i Francës, ndërsa qeveria tregonte se ishte gati ta mishëronte edhe dhunshëm këtë slogan po ta lypte nevoja. Për të testuar këtë linjë të ashpër, shteti ndërmori sulmin e parë kundrejt punëtorëve të industrisë së makinave. Më 6 qershor 1000 policë të stërvitur rrethuan fabrikën e zaptuar të Renault-së, pasi administrata i akuzoi aktivistët se po sabotonin procesin e votimit. Po atë natë policia mësyu fabrikën. 

Qeveria e pasoi sulmin me të tjerë të ngjashëm. Në këtë rast viktimat e sulmeve ishin punëtorë të njërës prej fabrikave më të mëdha të Francës, gjigandja Peugeot-Sochaux, me më shumë se 25’000 punëtorë. Më 10 qershor, tre javë pas ndaljes së punës dhe dështimit të negociatave me punëtorët zaptues, administrata së bashku me qeverinë vendosën ta hapin godinën me dhunë. Atë natë 6000 policë rrethuan 1000 punëtorë dhe mbështetës, të cilët ngritën barrikada jashtë fabrikës duke u armatosur me çfarëdo që mund të gjenin përqark. Përleshja që pasoi ishte e tejmbushur me gaz lotsjellës, shkopinj gome, madje edhe armë. Në fund të natës ishin plagosur 150 punëtorë dhe kishin humbur jetën dy vetë. 

Si kundërpërgjigje, unioni studentor UNEF bëri thirrje për një protestë në datën 12 qershor. Kjo do të ishte e fundit prej demonstrimeve publike të organizuara përgjatë lëvizjes së majit-qershorit ‘68. Protesta u shpërnda përpara se të mund të fillonte, me policët që mbushën rrugët përqark vendtakimit duke arrestuar pjesëmarrësit rrugës. Të nesërmen qeveria shpalli ndalimin pa afat të të gjitha demonstratave publike dhe shpërndarjen e një numri organizatash të së majtës radikale, duke lajmëruar që të huajt e arrestuar në protesta do të dëboheshin. 

Në javët pasuese efikasiteti i kësaj qasjeje më të ashpër dha rezultate. Të thyer e të lodhur pas thuajse një muaji në grevë dhe të përballur me izolimin potencial, punëtorët që ende patën rezistuar filluan të kthehen në punë. Ndërkohë qeveria kishte nisur planin të “pushtonte” simbolikisht vendin më të rëndësishëm të zaptimit: më 14 qershor, Odeon-i u rimor nga forcat policore; Sorbonne gjithashtu; më datë 27 i erdhi fundi edhe zaptimit të Shkollës së Arteve të Bukura. 

Aftësia e qeverisë për t’i dhënë fund lëvizjes, e vendosi atë në pozita ideale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për klasat e mesme, paqëndrueshmëria që prodhoi lëvizja ishte tregues i rreziqeve të së majtës totalitare. Pavarësisht denoncimeve të PCF-së për aventurizmat e të majtës radikale dhe përpjekjes së partisë për t’i dhënë grevës, në mendjet e shumë prej votuesve Francezë, PCF-ja ishte përgjegjëse për turbullirat. Duke i mëshuar perspektivës së diktaturës sovjetike, golistët ishin në gjendje t’i portretizonin kundërshtarët si të kontrolluar nga Moska, kurse veten si mbrojtës të rendit dhe lirisë. 

Ndërkohë e majta hyri në zgjedhje e përçarë. Partia Komuniste e gjeti veten gjithnjë e më të izoluar nga pjesa tjetër e së majtës. Kur maji i linte vendin qershorit, marrëdhëniet e PCF-së me studentët radikalë, në rastin më të mirë gjithnjë të tensionuara, ishin shndërruar në armiqësore. Ndërkohë që votuesit u drejtoheshin kutive të votimit, publikisht PCF-ja dhe socialistët, përfshirë këtu dhe Mitterrand-in, me të cilët më herët kishin shpresuar të krijonin koalicion, shkëmbenin goditje publikisht mes vetes. Në mbrëmjen e 30 qershorit, kur raundi i dytë i votimit ishte mbyllur, ishte e qartë se e majta kishte humbur: PCF-ja humbi thuajse 40 ulëse në kuvend (nga 73 në 34), ndërsa Federata e së Majtës Socialiste e Demokratike të Mitterrand-it ra nga 118 në 57 deputetë. 

Po edhe pse De Gaulle-i doli me sukses nga zgjedhjet, triumfi ishte jetëshkurtër. Ngjarjet e Majit kishin nxjerrë në pah dobësitë themeltare të qeverisë – prestigj i humbur që nuk do mund të rifitohej më. Vetë De Gaulle-i shfaqej gjithnjë e më shumë si figurë anakronike, botëkuptimi i të cilit nuk përputhej me kërkesat e shoqërisë moderne. Veprimtaria e pavarur e Pompidou-së gjatë krizës sollën shkarkimin e tij më 10 korrik 1968. Pas më pak se një viti, De Gaulle-i u detyrua të tërhiqej nga posti pas disfatës në referendumin e prillit të 1969-s. Largimi i tij i hapi udhë triumfit të Pompidou-së në zgjedhjet presidenciale të asaj vere. 

Disfata elektorale e së majtës në 1968 dhe 1969 pati pasoja të rëndësishme për të ardhmen e saj. Mendes-France-i, gjithnjë e më shumë i pakënaqur me PSU-në, u largua nga partia dhe politika më pas. Të majtët e tjerë jashtë PCF-së, megjithatë, u bindën se duheshin përdorur mjete të tjera për të konkurruar PCF-në dhe pushtetin shtetëror. Kësisoj Mitterrand-i vendosi që në 1971 të bashkohej me të sapoformuarën Parti Socialiste, duke u shndërruar menjëherë në figurën e saj kryesore. Duke premtuar një “krisje” me kapitalizmin, ai u fut në negociata me PCF-në, gjë që rezultoi në “Programin e Përbashkët” të vitit 1972. Megjithatë marrëdhënia e Mitterrand-it me komunistët do të përshkohej nga ulje-ngritje të vazhdueshme, të cilat gjithsesi ndikuan në zgjedhjet e vitit 1981. 

Çfarë solli Maji?

Për të majtën radikale, Maji 68’ shënoi zenitin e një periudhe protestash radikale të cilat do të vazhdonin në vitet 70’. Ndërkohë që në Francë nuk do të kishte më kurrë mobilizime të ngjashme, në Evropë kishte lëvizje që arritën shkallë përhapjeje të përafërt, të tilla si zaptimi i fabrikave në Itali gjatë ”Vjeshtës së Nxehtë”. Megjithatë askund tjetër nuk ndodhi i njëjti përqendrim i shpërthimit të protestave studentore dhe zaptimeve të vendit të punës. 

Sot shumë vëzhgues vendosin pikëpyetje mbi idenë se Maji ‘68 u motivua nga qëllime radikale politike, madje pyesin a ishte vërtet rrezik për rendin ekzistues në Francë. Në rrethe liberale, një interpretim i tillë kundërshtohet sepse për ta Maji 68 ishte reflektim i dëshirës për të ndryshuar normat shoqërore dhe kulturore të një shoqërie konservatore. Historiani Tony Judt shkruante se “eventet e Majit në Francë kishin impakt psikologjik jashtë çdo proporcioni me domethënien e tyre reale,” duke argumentuar që protestat reflektonin një “gjendje thelbësisht apolitike” dhe shprehnin “irritim dhe frustrim, por fare pak inat.” Shumicën e kohës, Judt-i del në përfundimin se shteti golist jo vetëm mbijetoi, por madje “institucionet kurrë nuk u vunë në dyshim”.

Megjithatë, nëse kjo është e vërtetë, nuk ishte mjaftueshëm e qartë për De Gaulle-in dhe Pompidou-në. Për ta, ditët e fundit të Majit ishin të mbushura plot me frikën e kolapsit total të qeverisë. Në Maj të ‘68. “as klasa politike, as Partia Komuniste nuk e kuptonin sa i dobët dhe i lëkundur ishte shteti”, shkruan Michel Jobert-i, i cili drejtonte zyrën e Pompidou-së. Menjëherë pas ikjes së De Gaulle-it në Gjermani më 29 maj, De Gaulle-i mendohet t’i ketë thënë dhëndrit të tij, gjeneralit Boissieu: ”Nuk dua t’iu jap shansin të sulmojnë Elysee-në. Kam vendosur të largohem, askush nuk e sulmon një vend të boshatisur”. Ndërkohë, në Baden-Baden presidenti supozohet t’i ketë thënë Massu-së: “Gjithçka ka mbaruar. Komunistët kanë krijuar një paralizë të përgjithshme të vendit. Unë nuk drejtoj më asgjë.”

Interpretimi i ofruar nga të ngjashëm me Judt-in, i cili e vendos theksin mbi mungesën e një ideologjie të përbashkët politike apo një agjende revolucionare, përkojnë me qëndrimet e atyre që kanë hequr dorë nga ambiciet e tyre radikale të së shkuarës. Daniel Cohn-Bendit-i, tanimë një parlamentar i gjelbër, ka shkruar një libër të titulluar “Harrojeni ‘68-n!”. Cohn-Bendit-i nuk është e vetmja figurë që ka ndryshuar qëndrim mbi ngjarjet e Majit ‘68 për një botëkuptim më të respektueshëm liberal. Të tjerë që ndoqën të njëjtën rrugë, kanë arritur deri aty sa të dënojnë ashpër radikalizmin e tyre në ato kohë të shkuara. Që në mes të viteve 1970, bashkimi i ish-majtistëve të njohur si “filozofët e rinj” e denonconin lëvizjen për ringjalljen e ideologjisë marksiste, të cilët e shihnin si burim të totalitarizmit sovjetik. 

Sot Bernard-Henri Lévy-ja dhe të tjerë liberalë nxjerrin në pah aspekte të lëvizjes që sipas tyre duhen përgëzuar, veçanërisht roli i saj në sfidimin e vlerave shtypëse që mbizotëronin në Francën e vitit ‘60. Për shumicën e së djathtës franceze, nga ana tjetër, të njëjtat aspekte shihen si shkatërrimtare. Në vitin 2007 presidenti Sarkozy denoncoi trashëgimtarët e Majit ‘68 për degradimin moral dhe kulturor të Francës, duke këmbëngulur se kjo trashëgimi duhet likuiduar përfundimisht. 

Pra çfarë arriti realisht Maji ‘68? Në terma afatshkurtër, lëvizja solli rritje të mëdha page për punëtorët francezë, thuajse 11% brenda vitit. Shpenzimet publike të prezantuara nga qeveria për të kënaqur kërkesat e punëtorëve arritën rreth 1.2 miliardë franga. Në tërësi ekonomia franceze u rrit me më shumë se 3%, pavarësisht humbjes në prodhim për shkak të grevave. 

Më pas u bë e qartë se humbja e së majtës në zgjedhje nuk do të përkthehej në zhvendosje të boshtit politik në favor të së djathtës ekstreme. Përkundrazi klima politike e viteve ‘70 karakterizohej nga  reformat progresive. Grupe të shumta sociale u organizuan për të fituar të drejta që deri para një dekade dukeshin të pamendueshme; si arritja e lejimit me ligj të abortit për gratë. Vitet pas 1968-s ishin të mbushura me reformat të vazhdueshme të kapitalit francez, si përcaktimi me ligj i disa shërbimeve dhe të mirave sociale, vendosja e pagës minimale dhe mbrojtja e sindikalistëve në vendin e punës. 

Megjithatë arritjet e lëvizjes qartazi ishin ende larg aspiratave të militantëve punëtorë dhe studentë. Për shumë të majtë, fajtori kryesor për këtë zhgënjim ishte PCF-ja, sektarizmi konservator dhe këmbëngulja për t’u dhënë fund grevave i të cilës mendohej gjerësisht se kishte sjellë shkatërrimin e të gjithë lëvizjes. Është e vërtetë që Partia Komuniste ishte armiqësore kundrejt të majtës studentore – shpesh në mënyra shkatërrimtare – dhe bëri gjithçka ishte e mundur për të arritur një marrëveshje me qeverinë për t’i kthyer punëtorët në vendin e punës sa më shpejt të ishte e mundur. Pjesërisht veprime të tilla kishin për motiv frikën se mos punëtorët izoloheshin dhe regjimi golist do të armatosej me justifikim e nevojshëm për të shtuar represionin ushtarak. “Nëse sot nuk gjendemi nën diktaturë, kjo vjen sepse nuk e lejuam veten të na shpartallonte padurimi ynë,” argumentonte një zyrtar i PCF-së. Nga ana tjetër, PCF-ja u kujdes gjatë gjithë kohës të ruante kontrollin mbi lëvizjen punëtore që e dominonte prej kohësh. Mbi të gjitha, komunistët kishin shpresa te krijimi i një koalicioni me udhëheqës socialistë si Mitterrand-i, me qëllim formimin e një Fronti Popullor si ai i viteve ‘30. Një strategji e tillë rezultoi e dështuar. 

Por të gjitha këto nuk do të thonë medoemos se revolucioni ishte pranë në vitin 1968. Siç shkruan veterani Alain Krivine “Grevistët kërkonin masivisht zgjidhjen e një problemi social, shkundjen e pluhurit të një regjimi autoritar. Revolucioni ishte ende hapa të tërë larg.” Përsëri kjo nuk do të thotë se një skenar alternativ më i mirë ishte krejtësisht i pamundur. Se si do të ishte ndërtuar përmbajtësisht ky skenar alternative ngjall ende debat sot e kësaj dite: qartazi më shumë arritje mund të ishin fituar krahasuar me marrëveshjet e Grenellës; e majta socialiste mund të kishte dalë më e fortë nga lëvizja e Majit, me momentum dhe unitet më të madh; dhe ndoshta regjimi i De Gaulle-it do të ishte rrëzuar menjëherë gjatë lëvizjes.

Si përfundim, nëse nostalgjia për premtimet e humbura të një periudhe radikale të historisë duhet shmangur, po ashtu dhe po aq fuqishëm duhet shmangur edhe fatalizmi i pretendimit se nuk ishte i mundshëm asnjë rezultat tjetër.  

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Wikimedia Commons

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.