/Arlind Qori/
Pasi provoi t’i ndajë studentët me parti dhe pikëpamje politike, qeveria po përgatit terrenin e përçarjes së tyre në raport me masat që pritet të marrë. Ka ditë që Edi Rama thotë se nga ulja e tarifave do të përfitojnë vetëm studentët e ciklit të parë të studimeve (bachelor). Të vetmëve studentë cikli të dytë (master) që do t’u ulen tarifat janë ata me mesatare mbi 9 dhe personat që vijnë nga kategoritë në nevojë ekstreme. Për studentët e ciklit të tretë (dokturaturat) nuk bëzahet, a thua se janë të njerkës dhe nuk paguajnë 300’000 lekë (të reja), pjesa më e madhe e të cilave shkojnë për honorarin e profesorit udhëheqës (nganjëherë rekordmen me 20 doktorantë nën udhëheqje shkencore).
Që ta bëjë minimalisht të gëlltitshme diferencimin e studentëve të niveleve të ndryshme, Rama pretendon se studimet master nuk janë vazhdim logjik, në një fazë të re, i studimeve bachelor, por një lloj shkolle ekstra, për njerëz të privilegjuar e të ngeshëm. Të krijohet përshtypja se studentët e masterit janë lordë që, në pamundësi për të gjetur forma më interesante të kalimit të kohës, i futen studimit të thelluar të poemave të Ovidit.
Askund në botë – thotë Rama – qeveria nuk subvencionon studimet master. Po si dreqin ia bëjnë plot 17 vende evropiane ku arsimi sigurohet falas në të gjitha nivelet universitare?! Përveç këtyre, vetëm Irlanda dhe Malta bëjnë dallim në trajtimin financiar të studentëve duke siguruar falas nivelin bachelor dhe tarifuar atë master.
Në trajtën si janë konceptuar nivelet e studimit në Shqipëri, të ndjekësh masterin nënkupton thellim profesional dhe teorik në fushat ku ke marrë njohuritë e para, ose një mënyrë për të shtrirë dhe kombinuar njohuritë në pafundësinë e pikëprerjeve të shkencës dhe mendimit kritik. Për analogji, t’i dallosh ato në trajtim financiar është si të zbatosh parimin e arsimit publik falas për shkollën 9-vjeçare dhe të aplikosh tarifa për shkollën e mesme.
Edhe më konkretisht, në Shqipëri studimet master konsiderohen si përgatitje dhe kredencial i domosdoshëm për të punuar profesionalisht. Aq e vërtetë është kjo, saqë edhe ata pak studentë që arrijnë të gjejnë punë në profesion me diplomë bachelor-i e shohin si të nevojshëm shkollimin master gjatë punës. Po ashtu, në kushtet ku struktura e mbrapshtë ekonomike e Shqipërisë prodhon pak kërkesë për punë të kualifikuar, rendja pas mbarimit të sa më shumë niveleve të shkollimit shihet si kamerdare shpëtimi në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve për ato pak të uruara vende pune.
Aq shumë spikat kjo rendje pas studimeve master, saqë numri i kuotave të tyre disa herë është më i lartë se i atyre të bachelor-it. Për shembull, në Fakultetin e Shkencave Sociale në vit të parë të bachelorit pranohen 600 studentë, kurse në programet master shkencor dhe profesional ka 1096 kuota, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e tyre mbeten të paplotësuara.
Rrënjët e këtij problemi gjenden në vitin e largët 2008, kur një vendim i qeverisë së asokohshme shpalli hapjen e programeve master (sipas të ashtuquajturit sistem i Bolonjës), por njëkohësisht e konsideroi këtë nivel studimesh një luks për të cilin shteti nuk duhej të investonte asnjë lek. Fakulteteve iu çua kërkesa që të llogarisnin koston e hapjes së studimeve master dhe tarifat t’i vendosnin pa llogaritur asnjë kacidhe subvencionim nga shteti. Në master rrogat e pedagogëve dhe të gjitha lehtësitë e tjera studimore duhej të përballoheshin tërësisht nga tarifat e studentëve.
Kjo shpjegon se pse, që në hapje e deri më tash, tarifat e studimit master janë mjaft më të larta se ato të bachelor-it. Nëse në universitetet publike studimet e nivelit të parë shkojnë nga 20,000 deri në 45,000 lekë (të reja) në vit, ato të masterit shkojnë nga 60,000 deri në të paktën 115,000 lekë (të reja) në vit.
Ligji i ri i arsimit të lartë i 2015 nuk i dha asnjë zgjidhje kësaj padrejtësie. E vetmja gjë që shtoi ishte përmendja e disa degëve me prioritet kombëtar ku qeveria mund të hedhë ndonjë lek subvencionues në studimet master, por deri tani subvencionimet nuk kanë filluar.
Çfarë e prodhon kontradiktën midis kuotave të larta dhe regjistrimeve të pakta në master? Arsyeja duhet kërkuar te karakteri perversisht tregtar i konceptimit të studimeve master jo vetëm nga qeveritë, por edhe nga burokracia universitare. Në njërën anë qeveria heq dorë nga përgjegjësia financiare e mbajtjes në këmbë të këtyre studimeve, duke sjellë tarifa të larta për to. Nga ana tjetër burokracia universitare u është qepur majave të masterave për të prodhuar sa më shumë studentë-klientë. Tarifat e tyre të majme kontribuojnë jo vetëm në mbulimin e një pjese të rrogave të pedagogëve (p.sh. 3 rroga mujore të pedagogëve mbulohen nga tarifat studentore master), për të paguar pedagogët e jashtëm dhe siguruar çfarëdo investimi infrastrukturor, por edhe për të shpërndarë lëndë në mënyrë abuzive. Fakultetet dhe departamentet i hyjnë garës me njëra-tjetrën se kush hap më shumë programe masteri e me emërtime sa më joshëse. Kësisoj tërheqin “myshteri” që paguan sa frëngu pulën. E mbaj mend si sot se si përpara disa vitesh dy përgjegjës departamenti ziheshin përpara një studenteje me dokumente në dorë për ta bindur që të regjistrohej në njërin master dhe jo në tjetrin.
Këtë frymë tregtare të masterave, ligji i arsimit të lartë synon ta shtrijë në çdo nivel studimi. Duke mos garantuar rrogat e pedagogëve, ligji, në emër të autonomisë, u jep rrugë të lirë atyre që rrogat e munguara dhe të ardhurat shtesë t’i kërkojnë te tarifat e studentëve. Kjo bën që në shumë fakultete të kërkohet rritje e paarsyetuar e numrit të programeve dhe të studentëve. Çdo student më shumë, sidomos në nivelin master, nënkupton para më shumë për fakultetin. Rrjedhimisht edhe pagesa më të larta për pedagogët.
Për të shuar frikën e pedagogëve për mosmarrjen e rrogave të plota dhe zgjuar etjen e tyre për pagesa mbi rrogën mujore, këtë vit Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nxjerrë një udhëzim të rillogaritjes së normës mësimore të pedagogëve. Për lektorët ka 165 orë të detyrueshme në vit. Lejohet, gjithsesi, që pedagogët të kryejnë deri në 300 orë të pagueshme mbi normën në vit. Për pedagogët grykës që s’e kanë për gjë të japin 5-6 lëndë në vit, edhe pa lidhje me njëra-tjetrën, diçka e tillë nënkupton se çdo muaj mund të marrin rreth treçerek rroge më shumë. Kujtoj se rreth 10 vjet më parë, kur logjika tregtare nuk i kishte pushtuar akoma universitetet, numri i orëve të pagueshme nuk e kapërcente 30% e normës vjetore. Sot ato për pak kapin 200%.
Kush paguan për to? Studentët, sidomos ata të masterit.
Braktisja financiare e qeverisë dhe grykësia e burokracisë universitare dhe pedagogëve të papërgjegjshëm ka prodhuar një situatë ku programet master po mbyllen një e nga një për mosplotësim të numrit minimal të studentëve. Të gjendur në panikun e humbjes së orëve shtesë (të pagueshme në fund të vitit) përflitet se pedagogë të ndryshëm e lëshojnë notën, duke u përpjekur të mos duken të rreptë në vlerësim nga frika se “klientët” do të ndërrojnë tezgë. Aq e rrënjosur është kjo logjikë klienteliste saqë, ndryshe nga studimet bachelor ku ekziston pragu minimal i notës 6 (ose 7 për degët e mësuesisë) për të ndjekur studimet, në master mjafton të kesh një diplomë bachelor-i, edhe sikur në të të shndërrisë mesatarja 5.
Nga sa më sipër, kuptohet kollaj se kujt po i ngjajnë gjithnjë e më shumë universitetet publike në programet e tyre master: famëkëqijave diplomore private. E njëjta logjikë dije=mall, e njëjta konkurrencë ekonomike për studentë-klientë, e njëjta mungesë etike në vlerësimin e studentëve sipas përgatitjes, të njëjtat tarifa të kripura etj. Po me vetëm një dallim: Nëse në privat pronari është 1 dhe fiton gjithçka, në universitetet publike ka një zinxhir feudal pronarësh që nis me rektorin dhe mbaron pedagogun abuzues.
Për të gjitha këto arsye, ulja e tarifave të masterit është edhe më e rëndësishme se e atyre të bachelor-it.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).