Leksik gramshian II

/Umberto Cerroni/

Vijim

Partia

“Është që në zanafillë një strukturë shtetërore” (Fletoret, f.232), domethënë “një shtet potencial”, një embrion që zhvillohet nën guaskën e interesave shoqërore të një klase të caktuar nga e cila më pas progresivisht fillon të dallojë, madje të ndahet në masën në të cilën partia synon të marrë rolin e qendrës së përgjithshme drejtuese të shoqërisë. Kësisoj, “nëse është e vërtetë që partitë nuk janë nomenklatura të klasave, është po ashtu e vërtetë që partitë nuk janë vetëm shprehje mekanike dhe pasive e vetë klasave, por ato reagojnë fuqimisht mbi klasat për t’i zhvilluar, forcuar, universalizuar.” (Fletoret, f. 387) Kjo pjesë e Gramsci-t nuk është analizuar mjaftueshëm dhe në përgjithësi lexuesit janë kufizuar në theksimin e përkufizimit të partive si “nomenklatura të klasave”. Në të vërtetë Gramsci ngre një problematikë më të artikuluar dhe të rafinuar. Ndërkaq duhet vënë në dukje që për Gramsci-n edhe klasat zhvillohen, forcohen, universalizohen dhe kjo duhet parë si në dimensionin historik ashtu dhe në atë teorik, pra si në variantet diakronike ashtu dhe në zhvillimin kulturor. Kësaj duhet t’i përgjigjet më pas një analizë e nivelit që ka arritur partia politike e cila, nëse në fillim bën “një jetë brendamitrore” brenda interesave imediate ekonomiko-shoqërore të klasës, më pas e kapërcen fazën korporative duke hyrë në një “jetë jashtëmitrore”, në të cilën përpunohen format e drejtimit të përgjithshëm që e forcojnë dhe e universalizojnë partinë. Gjëtë këtij procesi partia politike kalon nga funksionet e saj prej shtojce dhe ato thjesht praktike në funksione gjithnjë e më autonome, të ngritura e të rafinuara, duke vepruar kësisoj si “furrë e unifikimit të teorisë dhe praktikës, unifikim i kuptuar si proces historik real” (Fletoret, f. 1387)

Partia revolucionare

Një teori e përgjithshme e partisë revolucionare moderne duhet të arrijë të ndërmjetësojë mes dy instancave themelore. E para është formuluar prej Marksit si vijon: “Në luftën kundër pushtetit të unifikuar të klasave të pronarëve, proletariati mund të veprojë si klasë vetëm duke u organizuar në parti politike autonome që u kundërvihet të gjitha partive të tjera të themeluara nga klasat e pronarëve”. Në këtë kuptim partia është shprehje e klasës, parti klasore në kuptimin e ngushtë të termit, kështu që mund të thuhet me fjalët e Leninit që “në një shoqëri të themeluar mbi ndarjen në klasa lufta e klasave shndërrohet pashmangshmërisht, në një fazë të caktuar të zhvillimit, në luftë politike”. Kështu, “shprehja më koherente, e plotë dhe e arrirë e luftës politike mes klasave është lufta mes partive”.

Instanca e dytë është formuluar kryesisht nga Gramsci i cili teorizon mbi hegjemoninë e klasës punëtore dhe partisë së saj mbi tërë shoqërinë. Shkruan Gramsci: “Në botën moderne një parti është e tillë, në mënyrë tërësore dhe jo, siç ndodh, si fraksion i një partie më të madhe, kur konceptohet, organizohet dhe drejtohet në mënyra dhe forma të tilla që të zhvillohet në një shtet (tërësor dhe jo në një qeveri teknike) dhe në një konceptim mbi botën”. (Fletoret, f. 1947).

Sipas kësaj skice partia klasore arrin, me ndërmjetësimin e hegjemonisë së saj kulturore, “rifitimin” e shoqërisë nga e cila është ndarë. Kësisoj, nga njëra anë partia shndërrohet nga shprehje politike e klasës në vektor politik të shoqërisë, e nga ana tjetër lufta e saj autonomiste dhe separatiste shndërrohet, mbi baza të reja, në luftë unifikuese, madje ribashkuese.

Duhet theksuar se zhvillimin e përshkruar më lart partia revolucionare punëtore e arrin veçanërisht në kalimin nga “lufta e manovrës” në “luftën e pozicioneve”, domethënë në tranzicionin socialist të ndërmjetësuar nga demokracia politike. Në këtë rast partia klasore në rrafshin sociologjik merr trajta të llojit ekspansiv (nga ku vjen dhe akuza për revizionizëm ndërklasor) që janë shenjë e aftësisë për të përpunuar dhe transformuar politikisht dhe kulturalisht personelin e shtresave të ndryshme shoqërore të bashkuara përreth klasës punëtore. Është e vërtetë kësisoj që në njëfarë kuptimi partia shndërrohet nga “agjent konflikti” në një “agjent të integrimit shoqëror e politik”, siç pohojnë sociologët bashkëkohorë, por vetëm nëse dhe për sa kohë është e aftë të propozojë një integrim shoqëror të lidhur me një program të transformimit të shoqërisë dhe shtetit të përgjithshëm dhe radikal, pra të bazuar mbi një interpretim, thënë kështu, klasor ose konfliktual të shoqërisë borgjeze. Pikërisht si parti-klasë, partia revolucionare bën që klasa të veprojë si “themeluese shtetesh”, si agjent emancipues universal. Në këtë kuptim mund të thuhet që partia shndërrohet në intelektualin kolektiv të klasës. Vetëm në këtë shkallë të zhvillimit mund të themi që faza ekonomiko-korporative e luftës së klasës është tejkaluar vërtet. Tani skeleti i shtetit të ri, i cili në tranzicionin kryengritës drejt socializmit duhej të ndërtohej pas dhe jo përpara, është gati. Por në këtë pikë është pikërisht zhdukja e çdo ndarjeje të qartë mes një përpara dhe një pas. Shteti kryengritës është zëvendësuar në fakt në aftësinë e tij drejtuese të përgjithshme dhe është reduktuar në një parti, ndërsa partia “themeluese shtetesh” për sa i përket aftësisë drejtuese të përgjithshme është shndërruar në shtet. Nga shteti i mungon tashmë vetëm momenti i forcës shtrënguese. Megjithatë është mjaft e vështirë të tregohet që kalimi nga zotërimi i konsensusit te zotërimi i forcës është shumë më i ndërlikuar se kalimi nga zotërimi i forcës te zotërimi i konsensusit.

E gjithë kjo dëshmon që partia gramshiane nuk është shformim i partisë klasore në parti catch-all, por transformimi i saj nga protagoniste-negative në protagoniste pozitive të jetës politike modern.

Princi modern

“Princi modern […] mund të jetë vetëm një organizëm” (Fletoret, f. 1588), mirëpo kjo nuk do të thotë që një organizëm çfarëdo mund të jetë princi modern. Ai, në fakt, “duhet dhe nuk mund të mos jetë shpallësi dhe organizatori i një reforme intelektuale dhe morale” (Fletoret, f. 1560) përveçse politike, sepse reforma politike që duhet të kryejë duhet të shkojë në thellësi të gjërave. Vetëm atëherë “Princi zë, në vetëdijet, vendin e perëndisë dhe të imperativit kategorik, bëhet themel i një laicizmi modern dhe i një laicizimi tërësor i të gjithë jetës dhe i të gjitha marrëdhënieve zakonore” (Fletoret, f. 1561). Për të laicizuar, pra, të gjithë jetën duhet laicizuar princi modern. Përndryshe ekziston rreziku që princi të mbetet i rrethuar nga shpirti teologjik dhe eticizmi abstrakt dhe të jetë në gjendje vetëm të frenojë procesin e lacizimit të botës. Nuk duhet harruar që duke studiuar Machiavelli-n Gramsci vëren se “në gjuhën moderne ‘princi’ mund të përkthehet me termin ‘parti politike’ “. Rreziku është që edhe partitë politike të rishndërrohen në princër feudalë: prej atyre që nuk qenë në gjendje të udhëhiqnin historinë.

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Georges de Canino

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.