Lavd për qenin e rrugës

/Klodi Leka/

I.

Unë nuk jam ndonjë dashamirës i kafshëve, madje ekzistenca e tyre e heshtur, e mjegullt, misterioze më shtie frike dhe ankth. Por pamjet nga torturimi i qenve të rrugës në qytetin e Pogradecit, lënia në uri e të ftohtë për të ngordhur është revoltuese, çnjerëzore. Kjo dukuri e dhunshme, e cila kur kryhet nga ndonjë impotent që duke i tërhequr zvarrë pas veturës ndez tërë rrjetin social, në fakt, më së shpeshti, është ekskluzivitet i pushtetit. Janë jo të pakta dëshmitë e ekzekutimit masiv të qenve nga pushteti lokal. Vetë e kam një kujtim të tillë, kur mbas tërbimit të një lukunie qensh, komuna pagoi gjahtarë që të shtypnin rebelimin. Atë darkë, si në Far West, kërcitën pushkët deri në sabah, ndërsa qyteti kotej krejt indiferent ndaj kujave pothuajse njerëzore të tyre.

II.

Jam po ashtu i vetëdijshëm se ky farë shteti nuk ka mëshirë as për njeriun, këtë krijesë të çuditshme mes bishës dhe hyjit, e lëre më për qentë. Kjo ankesë e imja mund t’i duket ndokujt si rrahje uji në hava, në kushtet e qenërimit të njeriut, zhveshjes së tij prej asaj që e bën njeri, të drejtave themelore, respektit, shenjtërisë së jetës. Jo rrallë edhe unë jam më se dakord me këtë pohim, sidomos kur këqyr ca kafshë ideologjike, të cilët në pozita cinike dhe dehumanizuese thonë se sa më shumë i zbulojnë njerëzit, aq më shumë i duan kafshët. Mirëpo qeni në vetvete përbën një përjashtim.

III.

Në fjalorin e gjuhës shqipe dhe në zhargonin popullor, epiteti qen shënjon një sharje ose devijimin e aksh individi nga ligjet e përgjithshme të jetuarit në bashkësi. Qen bir qeni, gjellë qensh, vajti për dhjamë qeni, qeni leh atje ku ha, jeton si qen etj. Është interesant fakti se si qeni, i cili në kulturën tonë orale rrëfen rrëshqitjen e njeriut në gjysmënjeri, në kanunet zakonore mesjetare shënohet në qitapin e shtëpisë, mbrohet si gjysmënjeri – tashmë pozitivisht – dhe mbytja e tij shpaguhet me gjysmë gjaku njeriu, me gjobë ose plagosje. Qeni ka ligjin e tij në këto kodekse. Madje “natën, ai është i barabartë me njeriun”.

IV.

Për shkak të relatës së njeriut me qenin, historinë mbi 15,000 vjeçare të lidhjes midis tyre, qeni nuk mund të jetë kurrë i barabartë me tërë kafshët e tjera, përjashto gjedhët, lopët, kuajt, gomarët dhe macet, të cilat kanë dhënë vlerë të jashtëzakonshme për mbijetesën e bashkësive njerëzore. Por edhe në këtë rrafsh, qeni është më inteligjenti e i humanizuari. Aq sa, nganjëherë, historia e evoluimit të njeriut është edhe histori e evoluimit të qenit dhe kjo dëshmohet ashiqare në artin primitiv shkëmbor, në gravura, piktura, këngë, mite, adete dhe jetën urbane, ku të dy shfaqen bashkë. Zbutja e ujkut në qen është edhe zbutje e njeriut, i cili nga gjuetar i kreshtave të egra bëhet bujk i tokave të ngrohta e pjellore.

V.

Qentë e rrugës, ndërkohë, janë përjashtim përbrenda përjashtimit, si dhe dëshmi e situatës sociale të njeriut. Qeni i rrugës – dhe kjo është arsyeja përse më ngjall kureshtje – i përngjan tmerrësisht njeriut bashkëkohor, që ashtu si ai përditë e me tepër nuk ka një strehë të sigurt, shuan urinë me ushqim të keq, jeton me krenarinë e thyer të ujkut, ha shqelma dhe fyerje, është i sëmurë e i dhënë i tëri mbas instinkteve, si dhe konsiderohet i panevojshëm prej sistemit që, i teknologjizuar, nuk ka më nevojë as për argatë e as për rojtarë. Qeni dhe proletari i ri tashmë janë ca mbetje të pakëndshme për sistemin që i ka përzënë prej qitapit e gjuhës së tij, i shtyn në periferi, i tredh, i burgos e hera herës u jep edhe një plumb pas kokës.

VI.

Ashtu si qeni i rrugës shpreh situatën e njeriut të rrugës, qeni i pallatit pasqyron njeriun dominues të kohës tonë. Lufta klasore është ndezur edhe te katërkëmbëshat.  Përkundër qenve të rrugës që simbolizojnë krijesat e shtypura prej sistemit, qeni i pallatit zakonisht është alegori e njeriut shtypës të sistemit: tekanjoz, agresiv, fyes, me një mut më të madh se vetja dhe estetikisht i shartuar në një çiuaua pa asnjë gjurmë ujku a njeriu në natyrën e tij të re. Këto gjallesa zëvendësojnë njeriun te njerëzit e kamur, idenë e fëmijës, ndjeshmërinë për dykëmbëshat e tjerë, ritualet e familjaritetit. Ashtu si të zotët, ata janë natyra të humbura dhe, të jem i drejtë, nuk e duroj asnjërin prej të dyve.

VII.

Mirëpo, për mua, jeta e qenit të rrugës është edhe shprehje e lirisë. Ai është një krijesë e çideologjizuar. Ai nuk ka një moral të cilit duhet t’i tutet a t’i mbetet besnik, nuk ka turp prej varfërisë, është stoik në fatin e tij, ha ç’të gjendet dhe fle ku ta zërë nata, bën dashuri shkujdesshëm, nuk i refuzon ledhat e të huajve, nuk ka përse të punojë si qen bir qeni sa për të mbetur gjallë dhe as të bjerë në borxh sa për t’u çiftëzuar, çka i sjell shumë palumturi e rraskapitje krijesës sipërane – njeriut. Është ky shkarkim prej barrës së normalitetit, kjo hare dhe moskokëçarje, e cila e bën qenin e rrugës një simbol më të dashur dhe liridashës se ta zëmë luani ose shqiponja, këto toteme arkaike e pa lidhje me jetën moderne.

VIII.

Qentë e rrugës janë një shqetësim real për qytetet tona, sidomos kur ata molepsen prej sëmundjes dhe urisë, por nuk mund të jetë asfare alternativë ekzekutimi masiv i tyre me pushkë ose të lidhur pas një huri në mëshire të motit. Ata kanë nevojë për përkujdesje. Është pikërisht butësia gjesti që ujkun, këtë kafshë krenare dhe antinjeri, ta bëjë mikun tonë. E mbase, në këtë vend ku edhe kafshët e pyllit janë të traumatizuara nga dhuna e njeriut, ku ariu dhe luani rrihen si mujsharë në restorantet buzë autostradës, butësia ndaj kafshëve do të na zbusë edhe ne, kafshët racionale. Fundja fundit, nuk jemi fort të ndryshëm, së paku jo në një vend kaq mizerabël sa ky i yni, ku pushteti i hurit nuk e ka për gjë të asgjësojë si qentë, ashtu edhe njerëzit dhe ku një qen rruge është padyshim më i njerëzishëm se krejt skota e kryebashkiakëve.

Imazhi: Joseph Stevens

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.