Kundër luftës

Si sot 100 vjet më parë dorëzimi i Gjermanisë shënoi fundin e Luftës së Parë Botërore. Vdekja e rreth 20 milionë vetëve, 8 milionë prej të cilëve ishin civilë, e ngjiti atë në majën e kasaphanave të historisë së deriatëhershme të njerëzimit. E nisur me entuziazëm nacionalist anekënd Evropës, Lufta e humbi shumë shpejt legjitimitetin e vet. Miliona ushtarë u zvarritën për katër vjet në transhetë e fronteve të ndryshme, duke parë se si gazi vdekjeprurës, shrapnelat, mitralozat dhe bajonetat zhdukën lulen e rinisë evropiane. Dhe për çfarë? Për interesat e kapitalit gjerman, britanik, francez e të tjera fuqive të mëdha që rivalizonin në ndarjen e botës dhe për mustaqet e carit, kajzerit e sa e sa figurave politike obskurantiste.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore ishte dramatik edhe për shkak të shkrirjes si dëbora në diell e Internacionales së Dytë dhe dimensionit antimilitarist të partive socialdemokrate evropiane. Të topitura nga dekadat e kapitalizmit paqësor, të gënjyera me karamelet e reformizmit iluziv dhe të kapura në befasi nga hegjemonia e ideve shoviniste në fillim të luftës, një e nga një thuajse të gjitha partitë socialiste dhe socialdemokrate të Evropës hëngrën fjalën që i kishin dhënë njëra-tjetrës për t’iu kundërvënë në mënyrë të koordinuar luftës dhe u rreshtuan në krah të klasave sunduese vendase. Të paktë ishin ata që e shpëtuan nderin e lëvizjes punëtore. Vlen të përmenden këtu krahu bolshevik i socialdemokratëve rusë, socialdemokratët serbë të Dimitrije Tuçoviçit, që pak vite më parë kishte denoncuar krimet e borgjezisë dhe shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftërat ballkanike, dhe një grusht socialdemokratësh gjermanë të cilët, të çmeritur nga kapitullimi i partisë së tyre, iu kundërvunë luftës. Midis këtyre të fundit u shqua Karl Liebknecht-i.

Liebknecht-i njihet më shumë për fatin e tij tragjik gjatë ditëve të rrëmbyera të 1918-1919, ku së bashku me Roza Luxemburg-un u vu në krye të dallgës së parë revolucionare gjermane të atyre viteve. Të rrëmbyer nga shpejtësia e ngjarjeve, pa një organizatë të mirëstrukturuar që do t’u jepte drejtim pakënaqësive radikale të një pjese të punëtorisë gjermane, të detyruar ta ndajnë ndikimin te punëtorët me socialdemokratët antirevolucionarë, Liebknecht-i dhe Luxemburg-u u masakruan me urdhër të ish-shokëve të tyre socialdemokratë. Socialdemokratët, në krye të qeverisë së pasluftës, ndërsyen kundër punëtorëve revolucionarë pararendësit e nazistëve: detashmentet e Freikorps-ave. Ditë më parë gazeta zyrtare e socialdemokratëve “Vorwärts” u bënte thirrje të hapur punëtorëve që të vrisnin Karlin dhe Rozën. Vrasja e tyre shënoi fundin e dallgës së parë revolucionare, e cila do të pasohej nga disa të tjera deri më 1923. Mposhtja përfundimtare e revolucionit gjerman u hapi rrugë si degradimit politik të Revolucionit Rus – për shkak të izolimit të tij – ashtu edhe ngritjes së nazizmit dhe, në instancë të fundit, plojës edhe më gjigande të Luftës së Dytë Botërore.

Kthehemi më 1914. Në 2 dhjetor të atij viti, disa muaj pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, parlamenti gjerman u mblodh të votonte miratimin e kredive të luftës. Të gjitha partitë parlamentare gjermane ishin pro vazhdimit të luftës. Edhe socialdemokratët kishin rënë pre e shovinizmit të kohës. Mirëpo midis tyre, një deputet doli nga vatha: Karl Liebknecht-i. Ai ishte i vetmi deputet i parlamentit gjerman që guxoi të votonte kundër kredive të luftës. Kishte përgatitur edhe një fjalim, të cilin nuk e lejuan ta mbante. Madje censura e ndaloi të botohej në shtypin gjerman. U botua vetëm në Zvicrën neutrale. Këtë fjalim po sjellim sot në kushtet ku shovinizmi po ngre krye sërish dhe rreziku i një lufte të re botërore nuk është zhdukur përfundimisht.

***

/Karl Liebknecht/

Vota ime kundër ligjit të kredive të luftës që na është paraqitur sot mbështetet në këto ide: Kjo luftë, e padëshiruar nga secili prej popujve të përfshirë, nuk ka plasur në emër të mirëqenies së popullit gjerman apo të ndonjë populli tjetër. Ajo është një luftë imperialiste, një luftë për territore që do t’u shërbejnë për shfrytëzim kapitalistëve dhe financierëve. Nga pikëpamja e rivalitetit në armatime, ajo u provokua nga partitë pro luftës në Gjermani dhe Austri, në errësirën e gjysmëfeudalizmit dhe diplomacisë sekrete, për të fituar avantazh ndaj kundërshtarëve të tyre. Njëkohësisht lufta është një përpjekje bonapartiste për të ndalur dhe ndarë lëvizjen në rritje të klasës punëtore.

Thirrja gjermane “Poshtë carizmi!” është shpikur enkas për këtë rast – siç janë shpikur parullat britanike dhe franceze – që të shfrytëzojë prirjet më fisnike dhe idealet e traditat revolucionare të një populli duke e shtyrë të urrejë popujt e tjerë.

Gjermania, bashkëpunëtorja e carizmit, modeli i reaksionit sot e gjithë ditën, nuk mund të quhet çlirimtare popujsh. Çlirimi i popujve rusë dhe gjermanë duhet të vijë nga vetë këta popuj.

Kjo luftë nuk është luftë për mbrojtjen e Gjermanisë. Baza e saj historike dhe kursi që ka ndjekur prej nisjes e rrëzojnë pretendimin e qeverisë kapitaliste se qëllimi i kërkesës për kredi është mbrojtja e atdheut.

Kërkesa jonë duhet të jetë: Paqe e shpejtë dhe pa aneksime! Duhet të mbështesim çdo përpjekje në këtë drejtim. Kjo masakër mund të marrë fund vetëm duke fuqizuar së bashku e në mënyrë të vazhdueshme rrymat që duan paqen në të gjitha vendet ndërluftuese. E vetmja paqe jetëgjatë është ajo që bazohet në solidaritetit ndërkombëtar të klasës punëtore dhe në lirinë e të gjithë popujve. Prandaj është detyrë e proletarëve të të gjitha vendeve që gjatë luftës të vazhdojmë punën tonë të përbashkët socialiste në drejtim të paqes.

Kreditë për ndihmat i mbështes me këtë rezervë: Votoj pa hezitim pro gjithçkaje që do të lehtësonte fatin e keq të vëllezërve tanë në fushëbetejë, si dhe të të plagosurve e të sëmurëve, për të cilët ndjej keqardhjen më të madhe. Po, në shenjë proteste kundër luftës, kundër përgjegjësve dhe shkaktarëve të saj, kundër drejtuesve të saj, kundër qëllimeve kapitaliste për të cilat përdoret, kundër planeve të aneksimit, kundër dhunimit të neutralitetit të Belgjikës dhe Luksemburgut, kundër sundimit të pacak të ligjit ushtarak, kundër harrimit tërësor të detyrave shoqërore dhe politike nga qeveria dhe klasat sunduese – unë votoj kundër kredive të luftës.

Përgatiti: Arlind Qori

Imazhi: TVO

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.