/Luca Pardi/
Çështja e ambientit ka qenë në mënyrë konstante në qendër të vëmendjes gjatë verës që sapo kaloi. Përmbytjet, zjarret, temperaturat rekord, ngjarje të tjera shqetësuese dhe, në fund, raporti i OKB-së mbi ndryshimet klimatike.
Raporti në fjalë bëri jehonë, mbase, për dy ditë. Mirëpo, përpos tendencës së pashërueshme të mediave për të qenë sipërfaqësore, tendencë e cila në pak ditë bën që të zhduken tema që do të duhej të qëndronin në debatin publik më shumë se lajmet e “shitshme”, nuk kam vënë re mes ambientalistëve ndonjë ndryshim marshi përveç qarjeve të zakonshme, shpresave, “zgjidhjeve”.
Kriza ambientale aktuale është e përcaktuar, në gjykimin tim, nga arritja e kufijve fizikë dhe konjitivë të ekspansionin njerëzor. Kufijtë fizikë paraqiten si rritje progresive e densitetit në fluksin e burimeve që nga ekosfera kalojnë drejt antroposferës dhe si ngopje progresive (dhe e dukshme) e ekosistemit tokësor dhe atij ujor me mbetjet e veprimtarisë tonë ekonomike dhe shoqërore. Mbi këtë temë kam shkruar edhe më parë. Ndërsa kufijtë konjitivë kanë të bëjnë kryesisht me paaftësinë kolektive që ka shumica dërrmuese e popullsisë botërore dhe e udhëheqësve të saj për të vënë re kufijtë fizikë. Ndërthurja mes mashtrimit të qëllimshëm dhe vetëmashtrimit luan një rol thelbësor në këtë kontekst sepse janë pjesë, më shumë mundësi, e bagazhit tonë etologjik.
Mohimi i faktit të Ndryshimeve Klimatike dhe komponentëve të tjerë të krizës ekologjike (aspekte të tjera të lidhura me turbullimin e ciklit të karbonit dhe cikleve të tjera bio-gjeo-kimike, humbje e biodiversitetit, ndotje e çdo lloj materiali, të lëngshëm dhe gaz sintetik), që me ç’duket është marrë përsipër nga të djathtat konservatore në nivel global, veçanërisht në Perëndim, është i njëjtë me konformizmin progresist që thjesht shet tentativa për përmirësimin ambiental të prodhimit dhe konsumit, si hapa vendimtarë për qëndrueshmërinë dhe të ashtuquajturën ekonomi qarkulluese (ja mashtrimi!). Mashtrimi është më i keq se gënjeshtra.
Disa ambientalistë humbasin një pjesë të kohës së tyre duke hedhur poshtë qëndrimet e negacionistëve të cilat përforcohen nga gazetat e djathta, por armiku i vërtetë i kalimit drejt qëndrueshmërisë është konsensusi i përgjithshëm mbi ekonominë e udhëhequr nga konsumi (që mund të quhet thjeshtë konsumizëm), iluzioni që është e mundur të mbahet një nivel konsumi rritës në kohë, si për ne dhe gjeneratat e ardhshme, thjesht duke bërë të njëjtat gjëra në mënyrë më të pastër dhe eficiente falë progresit teknologjik.
Komuniteti shkencor (pjesë e të cilit jam edhe unë) ka përgjegjësinë e tij pasi ka braktisur përfundimisht çdo sens kritik për të përqafuar me entuziazëm rolin e ushtarit të thjeshtë të sistemit të tregut dhe rolin e mbështetësit të ideologjisë së tij. Ideologji kjo që konkretizohet në shfaqjen publicitare të rezultateve shpesh mediokre të kërkimit bazik të dekadave të fundit dhe të zhvillimit teknologjik të padiferencuar.
Asnjë shkencëtar, që flet nëpërmjet mjeteve të komunikimit, nuk ka sot guximin të thotë që me shumë mundësi është shumë më e rëndësishme ajo që tashmë kemi zbuluar mbi mënyrën se si funksionon bota sesa e gjithçka që ende mund të zbulojmë dhe, mbi të gjitha, që zhvillimi teknologjik nuk është zgjidhja kryesore ndaj problemit ekologjik të species tonë.
Asnjë shkencëtar nuk ka guximin ta thotë sepse kjo do të thoshte të pranoje se sistemi kërkimor është i orientuar në tërësi dhe të sulmoje një prej shtyllave si të konservatorizmit, ashtu edhe të progresizmit shkatërrimtar të ambientit: ideologjia e tregut të lirë të mbështetur nga zhvillimi teknologjik.
Sot kërkuesit shkencor i kërkohet në thelb që atë që ka mësuar ta fusë në narrativën në fuqi, në mënyrë që të përfitojë fonde për kërkimin shkencor. Nuk është e rëndësishme të kërkosh diçka vërtet të dobishme, por vetëm të bindësh dikë që ajo që bën është e dobishme për qëllimin. Kështu shohim tema kërkimore tërësisht të shkëputura nga realiteti, të cilat paraqiten si të ishin kontribute domethënëse ndaj qëllimit përfundimtar të qëndrueshmërisë ambientale.
Sipas drejtuesve të institucioneve shkencore, duhet të përpiqemi të sjellim ujë (domethënë fonde) në mullirin e tyre, duke përdorur gjerësisht retorikën dhe teknikat publicitare. Kush nuk bëhet pjesë e këtij modeli është femohues, njeri që pështyn në pjatën ku ha. Mjerë ai që vë në pikëpyetje idenë sipas së cilës progresi shkencor është i pandalshëm!
Feja publike e ekonomisë së rritjes kërkon pranimin e mitit të progresit tekniko-shkencor pa fund. Kjo përbën një alibi për të mos bërë asgjë konkrete politikisht, as në nivel lokal e as në nivel global. Në nivel lokal alibia e mosveprimit në Perëndim mbështetet në pohimin dogmatik sipas të cilit vendet e industrializuara herët e kanë reduktuar impaktin e tyre ekologjik falë eficiencës, digjitializimit dhe terciarizimit. Gënjeshtër! Perëndimi thjesht e ka zhvendosur prodhimin që shkakton ndotje të madhe, por vazhdon të konsumojë në mënyrë paqëndrueshme të gjitha burimet kryesore natyrore – si ato të rinovueshme, ashtu edhe të parinovueshme. Të gjitha masat e intensitetit të impaktit ambiental të shoqërive perëndimore tregojnë për një situatë të paqëndrueshme të rëndë dhe të qartë.
Në nivel global vendimet do të duhej të niseshin nga njohja e përgjegjësisë së vendeve të industrializuara herët (praktikisht Perëndimi) të cilat kanë pasur një rritje ekonomike të bazuar në konsumin e burimeve fosile të energjisë prej disa shekujsh, që kanë pasur një efekt të njohur mbi ekosferën. Përgjegjësi e tyre është dhe fakti që në rrugën e tij joekologjike Perëndimi ka marrë me vete të gjithë pjesën tjetër të botës, gjatë epokës së gjatë koloniale dhe paskoloniale. Përveçse ka ndikuar në shtimin e popullsisë njerëzore nëpërmjet rritjes së kërkesës për punë me kosto të lirë.
Gjashtë miliardë njerëz synojnë të arrijnë standardin e konsumit të vendeve euro-amerikane dhe, duke vazhduar në plotësimin e kësaj dëshire të pamundur, do ta çojnë botën drejt një katastrofe të pashembullt. Nëse Azia dhe Afrika nuk do ta kuptojnë që kjo dëshirë është e pamundur, nuk do të ketë shpëtim për askënd. Nevojat e të varfërve kanë një përmbajtje materiale të domosdoshme: ushqim, ujë, energji, banesë, veshmbathje. Nëse rritja e mundshme që na ka mbetur nuk do të shkojë për zhdukjen e varfërisë, por do t’i besohet ideologjisë së mbrapshtë neoliberale të Trickel Down-it, atëherë secili prej objektivëve të qëndrueshmërisë, e në veçanti i pari, zhdukja e varfërisë, do të mbetet një ëndërr e parealizueshme.
Nëse Evropa dhe Amerika e Veriut nuk do ta kuptojnë se duhet të japin një shembull të mirë duke ulur konsumet absolute në mënyrë drastike dhe të menjëhershme, Azia dhe Afrika nuk do ta pranojnë kurrë këtë kalim të nevojshëm nga epoka e rritjes së pafundme dhe të konsumit të pafre. Por e gjithë kjo për momentin është pothuajse e pamundur.
Kriza ambientale është kriza e modelit ekonomik në fuqi.
Dalja nga kjo rrugë pa krye do të ketë nevojë për shumë kreativitet politik, nga çdo pjesë e botës. Fatkeqësisht nuk ka një recetë të gatshme dhe, përkundër asaj që mendojnë “shkencëtarët e historisë”, nuk ka pasur kurrë një të tillë, përveçse në mendjet e atyre që e kanë ndërtuar historinë pasi ajo ka ndodhur duke shpikur determinizma inekzistentë.
Do të jetë e nevojshme dalja nga konsumizmi, por edhe kjo sot është e pamendueshme. Të gjitha sipërmarrjet kapitaliste të mëdha e të vogla kanë për objektiv të prodhojnë e të shesin më shumë nga viti në vit. Objektivi është rritja. Mund të dëgjoni një CEO të mbajë fjalime të bukura mbi përpjekjet që bën sipërmarrja e tij për të qenë e qëndrueshme, por nuk do ta dëgjoni kurrë të thotë gjënë thelbësore: “Duhet të prodhojmë më pak.”
Heqja dorë nga objektivi i rritjes është e pamundur për sipërmarrjet kapitaliste. Ajo duhet të vendoset nëpërmjet internacionalizimit të kostove ambientale dhe vlerësimit të paanshëm dhe korrekt të çmimit të lëndëve të para dhe të punës.
Hiperproduktiviteti i sistemit industrial të globalizuar bazohet mbi dy komponentë: kostoja e ulët e punës dhe kostoja e ulët e lëndëve të para.
Shumë persona nuk do të jenë dakord mbi këtë pikë. Hiperproduktiviteti varet nga zhvillimi teknologjik. Ritheksoj se zhvillimi teknologjik do të ishte mirazh sikur kostoja ekonomike dhe sociale (mendoni për koltanin) e shumë lëndëve të para të ishte e përcaktuar nga pamjaftueshmëria e tyre absolute, pra duke marrë në konsideratë faktin që të gjitha janë burime të parinovueshme. Kjo vlen, për shembull, për qindra metalet ekzotike që kemi brenda kompjuterëve dhe smartphone-ve tanë.
Tregu nuk është në gjendje ta vlerësojë në mënyrë korrekte çmimin e këtyre faktorëve prodhues, pasi bazohet mbi ekuilibrin mes kërkesës private dhe ofertës private, pa u interesuar aspak për pamjaftueshmërinë absolute, veçanërisht të gjeoburimeve: burimet fosile dhe burimet minerale.
Përgjigjja e ekonomisë ortodokse ndaj kësaj kundërshtie është që teknologjia do të mundësojë gjithnjë që të gjenden zëvendësues të burimeve që janë në sasi të ulëta apo që të nxirren lëndë më të vështira për t’u gjetur. Kjo është teoria e briut të bollëkut tekno-kapitalist.
Fakti që në histori njeriu ka gjetur (jo gjithmonë) zgjidhje teknike ndaj problemeve të mungesës së burimeve nuk na garanton që kjo do të vazhdojë të ndodhë në një ekonomi dhe me një popullsi prej 8-9 miliardë njerëzish, të dyja në rritje të vazhdueshme. Zhvillimi teknologjik dhe shkenca kanë zënë vendin e Perëndisë.
Epoka e rritjes mund të përfundojë, duhet të përfundojë dhe do të përfundojë. Mënyra si ta organizojmë shoqërinë në fazën e reduktimit të konsumit është një projekt që duhet ende të shkruhet. Duhet të reshtim së bëri sikur kemi receta që japin zgjidhje përfundimtare: dieta vegane, makina elektrike, bujqësia biologjike etj. Nuk ka. Duhet të jemi mosbesues ndaj vetes kur mendojmë se kemi gjetur një sintezë.
Duhet të kemi durim dhe aftësinë për të kapur sinjalet pozitive. Ne, ambientalistët, kemi një aleat: atë që ka mbetur nga natyra, pedagogjia e katastrofave do të ketë një rol thelbësor në sjelljen në anën tonë të një shumice që ende nuk shihet. Përmbytjet dhe zjarret, uraganet vdekjeprurëse janë bombardimet e sotshme që sjellin me vete një numër të caktuar viktimash. Kushdo nga ne mund të jetë mes këtyre viktimave.
Nga e shkuara ime marksiste më ka mbetur në kujtesë një citim të cilin e kam fort për zemër. Citimi, të cilin e mbaj mend përmendësh, është i drejtuesit komunist Amedeo Bordiga: “Ne nuk jemi pak, jemi aq sa e kërkon momenti historik.”
Do të vijë një moment në të cilin të gjithë, ose pothuajse të gjithë, do ta kuptojnë që kohët kanë ndryshuar. Sot jemi si militantët antifashistë e antinazistë të 1939-s, në momentin e tyre më të errët, në një gjendje të pashpresë. Por shpresë ka gjithmonë. Lufta ka nisur. Konsensusi i diktaturës (së rritjes ekonomike të padiferencuar dhe të pafund) po fillon të shfaqë të çarat e para. Nuk e dimë ende ç’do të vijë më pas. Sapo kemi nisur të shkruajmë manifestin tonë të pasrritjes.
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga Sinistra in rete
Imazhi: Alexandre Hogue – The Crucified Land