Filozofia e krizës

/Dario Gentili/

Përcaktimi i krizës si art i qeverisjes nga Gramsci nuk ka ndonjë lidhje me “filozofinë e krizës”, e cila ka karakterizuar periudhën mes dy luftërave botërore dhe që në gjirin e saj kishte filozofë të shquar si Edmund Husserl-i dhe Martin Heidegger-i. Megjithëse “filozofia e krizës” lind nga e njëjta vetëdije gramshiane, sipas të cilës kriza nuk mund të prodhojë të renë e cila mund të shpëtojë Perëndimin nga shkatërrimi dhe Evropën e vjetër nga perëndimi i pashmangshëm, te këta autorë sidoqoftë gjendja e një krize pa rrugëdalje merr trajtën e nihilizmit dhe jo të artit të qeverisjes. Dhe është në fakt domethënëse  që kjo filozofi e krizës e sheh alternativën e vetme ndaj nihilizmit te rifitimi i origjinës greke të Perëndimit, te përtëritja e misionit të tij, te një “vendim” që e nxjerr Evropën nga plakja dhe vdekja për t’i dhënë ujë nga burimi i rinisë, që i jep një fillim të ri. Mirëpo një vendim i tillë përkon me një gjykim të krizës që e vendos mundësinë e shpëtimit në rikthimin në origjinë. Prandaj për të dalë nga kriza dhe për t’u shëruar nga sëmundja vdekjeprurëse e nihilizmit dhe e relativizmit që ka goditur Evropën, filozofia e krizës i beson të njëjtit dispozitiv krize që pengon të renë. Në këtë kuptim, vepra La crisi delle scienze europee e Husserl-it mund të kryejë pothuajse funksionin e programit të kësaj filozofie të krizës. Është domethënëse se si, për t’u ripërtërirë, evropianët – të cilët, është mirë ta rikujtojmë, për Husserl-in përkojnë me njerëzimin tout court – duhet t’i drejtohen kritikës, mirëpo, ndryshe nga Marksi i ri, jo për të përcaktuar vendimin politik për të renë, por mbi të gjitha për të rifituar origjinën e vet më autentike. Pas rreth një shekull aleance mes tyre, kemi ndarjen mes kritikës dhe vendimit:

Ne, si filozofë, për sa i përket atyre qëllimeve që mbart termi “filozofi”, për sa i përket koncepteve, problemeve, metodave, jemi trashëgimtarë të së shkuarës. Është e qartë […] që duhen bërë disa konsiderata historike e kritike tërësore në mënyrë që të arrihet, përpara çdo vendimi, në një vetëkuptim radikal, që duhet hulumtuar ajo që në origjinë synohej të arrihej me anë të filozofisë […]; dhe e gjithë kjo nëpërmjet një gjykimi kritik të asaj që në qëllimin e në metodën e saj shfaq një përputhje të plotë dhe autentike me origjinën e vet.

Nga ana tjetër, projekti i revistës që ndërmorën Walter Benjamin-i dhe Bertolt Brecht-i mes fundit të 1930-s dhe fillimit të 1931-shit nuk lidhet me filozofinë e krizës. Të nesërmen e sukseseve të para elektorale të Partisë Nacional-Socialiste në Gjermani, Benjamin-i dhe Brecht-i u përpoqën të mbledhin bashkë inteligjencien gjermane të ekstremit të majtë dhe – pa pretenduar rolin e pararojës – ta vënë në shërbim të kauzës së komunizmit dhe revolucionit proletar. Projekti i revistës mban emrin “Krise und Kritik”. Megjithëse e pranonin se edhe ishin intelektualë borgjezë, ndryshe nga “filozofët e krizës”, Benjamin-i dhe Brecht-i synojnë të vënë në shërbim të proletariatit  atë që, nga iluminizmi e këtej, ka karakterizuar natyrën revolucionare të kulturës borgjeze: armët e kritikës. Këtë synim programatik e gjejmë të shprehur qartë në Memorandum sul periodico “Krise und Kritik”:

“[Revista] ka karakter politik. Kjo do të thotë se veprimtaria e saj kritike është e ankoruar në vetëdijen e qartë mbi situatën ku gjendet shoqëria sot. Ajo pozicionohet në terrenin e luftës së klasave. Megjithatë revista nuk ka karakter politiko-partiak. Nuk është një gazetë e proletariatit, as organ i proletariatit. Ajo kryen, nga ana tjetër, funksionin e organit ku inteligjencia borgjeze paraqet konceptet të cilat mund t’i mundësojnë, duke marrë në konsideratë rrethanat aktuale, një prodhimtari të mbarsur me pasoja, një prodhimtari e cila është në kontrast me prodhimtarinë e zakonshme, arbitrare dhe pa pasoja konkrete.”

Qëllimi, duke rimarrë në një farë mënyre gjestin e Marksit të ri, është përdorimi i kritikës për të treguar ose për të shkaktuar – si në një lindje – krizën vendimtare, e cila është e heshtur dhe “fshihet” në rënien e dukshme të qytetërimit perëndimor: sikundër e kemi nënvizuar, brenda sistemit kapitalist-borgjez funksioni i krizës është vetëruajtja, siç tregon edhe rruga e rifitimit të origjinës që teorizohet nga filozofia e krizës. Kriza vendimtare – kriza e nxitur nga proletariati – është qëllimi, ndërsa inteligjencia borgjeze ka në dispozicion mjetet e kritikës. Në një nga raportet e mbledhjeve përgatitore të revistës lexohet: “Sfera e veprimit të revistës është kriza që ka përfshirë sot të gjitha fushat e ideologjisë, dhe detyrë e revistës është vënia në dukje e kësaj krize dhe provokimi, pikërisht me anë të mjeteve të kritikës.” Ideologjisë së cilës i referohet këtu është pikërisht ajo e shkollës së Heidegger-it, të cilën revista synonte “ta shpartallonte”. Kriza e tematizuar nga filozofia e krizës është ideologjike në thelb: duke falsifikuar realitetin, ajo mbulon dhe mistifikon krizën vendimtare. Efikase dhe vendimtare nga ana tjetër mund të jetë kritika. Siç thotë Koselleck-u, kritika është trashëgimia më autentike e mendimit borgjez.

“Krise und Kritik” nuk ka botuar sidoqoftë asnjë numër. Arsyet janë të ndryshme. Më kryesorja është që si përfundim ka qenë e pamundur të konvergoheshin qëndrimet e ndryshme që përshkonin inteligjencien gjermane të ekstremit të majtë të kohës (problem ky  që meriton një trajtim të veçantë, meqenëse është një problem që shfaqet disa herë në shek. XX). Një tjetër arsye, në njëfarë mënyre përplotësuese e të parës, konsiston në leximin e krizës së kohës, që në thelb nuk e kishte kuptuar se sa kriza në fjalë i kishte shfaqur armët e kritikës borgjeze. Kriza kapitaliste e 1929 përbën një përjashtim në krahasim me “krizën e shoqërisë borgjeze” – me atë krizë politike e morale të autoritetit mbi të cilën kritika mundej të ndikonte efektivisht meqenëse, siç na kujton Koselleck-u, ishte shkaku i krizës – dhe nis të fitojë një natyrë të posaçme. Kritika borgjeze nis të mos bëjë më kritikë politike, ashtu siç nuk mund të brendashkruhet më kriza kapitaliste brenda një krize më të përgjithshme të shoqërisë borgjeze.

Mbase fakti që ka arritur të dallojë dhe të gërshetojë krizën politike dhe krizën kapitaliste që i ka mundësuar Gramsci-t që në rrugën që po ndiqte Evropa të shihte vagëllimthi një art të qeverisjes. Ai arriti të kuptonte se e reja nuk lind nga rigjallërimi i të vjetrës dhe as mund të lindë nga vdekja e saj. Pra ajo nuk lind brenda dispozitivëve të krizës: nuk është një origjinë që duhet rimarrë dhe as një gjendje së cilës duhet t’i rikthehemi. Siç do të shohim, risjellja efikase e origjinës greke të krizës nuk do të bëhet nga filozofia e krizës. Do jetë neoliberalizmi  nga ana tjetër – në mënyrë me shumë mundësi më pak të vetëdijshme dhe sigurisht më pak të rafinuar – që do ta transformojë krisis-in në një prej dispozitivëve të tij më efikasë.

E përktheu Alfred Bushi

Shkëputur nga libri i autorit “Crisi come arte di governo”.

Imazhi: Broomberg & Chanarin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.