/Josh Holroyd/
Me shndërrimin e Evropës në epiqendrën e pandemisë, rajoni po përballet me krizën më serioze që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha kolonat mbi të cilat mbështetet i ashtuquajturi integrim evropian po shpërfytyrohen nën presionin e kësaj krize. Pikërisht në momentin kur koordinimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë më të nevojshëm se kurrë, shtetet evropiane po mbyllin kufijtë e tyre dhe po refuzojnë të ndihmojnë vendet e tjera, ndërkohë që rënia ekonomike pritet të shoqërohet jo vetëm me zhvlerësimin e monedhës euro, por me zhvlerësimin e vetë Bashkimit Evropian siç e njohim sot.
Kufijtë e mbyllur
Liria e lëvizjes është ndaluar në zonën Shengen, por jo si pasojë e një ndërhyrjeje të koordinuar nga Bashkimi Evropian. Edhe më përpara se Komisioni Evropian të vendoste më 17 mars mbylljen e kufijve të jashtëm me pjesën tjetër të botës, shumë nga qeveritë e vendeve evropiane vendosën në mënyrë të njëanshme të mbyllnin kufijtë e tyre kombëtarë edhe me pjesën tjetër të vendeve të zonës Shengen.
Graviteti i kësaj krize, e cila në mënyrë efektive ka pamundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, është propaganduar si një masë emergjente kalimtare, ndërkohë që ia vlen të risillen në kujtesë fjalët e Jean-Claude Juncker-it, i cili gjatë krizës së emigrantëve shprehej: “Në mungesë të lëvizjes në zonën Shengen, do të nënkuptohet më pak punësim, më pak rritje ekonomike. Pa këtë lëvizje të lirë të punëtorëve dhe qytetarëve të Evropës, monedha euro nuk ka më asnjë kuptim.”
Ende nuk është caktuar asnjë datë për rihapjen e kufijve dhe Komisioni Evropian nuk ka asgjë për të thënë mbi këtë çështje, veçse të shprehë opinione mbi masat e marra nga qeveritë përkatëse për të përballuar krizën. Kjo nënkupton që fati i lëvizjes së lirë të njerëzve përgjatë Evropës, dhe së bashku me të edhe fati i euros dhe tregut të përbashkët, gjenden në duart e 26 qeverive, të cilat ndodhen nën presionin e tendencave nacionaliste dhe proteksioniste brenda kufijve të tyre. Duke marrë në konsideratë kohëzgjatjen e projektuar të pandemisë, dhe pasojat e tmerrshme që ka shkaktuar deri tani, shanset e një tranzicioni të shpejtë dhe të rregullt në gjendjen e mëparshme duken të jenë tmerrësisht të vogla. Do të mjaftonte që një grup vendesh të refuzonte të lejonte përsëri lëvizjen e lirë në formën e saj më të plotë dhe kërcënimi ekzistencial për vijimësinë e zonës Shengen do të shndërrohej në realitet.
Bllokimi i tregtisë
Nga “4 liritë” e famshme të Bashkimit Evropian, nga pandemia nuk është shpërfytyruar vetëm lëvizja e lirë e njerëzve. Ndoshta akoma më domethënëse është ndërprerja e shkëmbimit të lirë të mallrave. Vende anëtare të ndryshme kanë vendosur kufizime të ashpra mbi eksportin e mallrave mjekësore, me në krye Gjermaninë e cila arriti deri aty sa të bllokonte eksportin e maskave mbrojtëse, gjë që shkaktoi pakënaqësi në vendet e tjera anëtare. Shkëmbimi i lirë i mallrave përtej kufijve kombëtarë është themeli ekonomik i Bashkimit Evropian. Pa shkëmbimin e lirë të mallrave, nuk do të kishte kuptim ekzistenca e tregut të përbashkët. Fakti që vendi me ekonominë më të fuqishme në Evropë po hedh hapa që e dëmtojnë tregun e përbashkët, është tregues i qartë i përmasave të frikshme të krizës. Duke pasur parasysh që parimet themelore janë shkelur nga vetë vendet anëtare, dikush do të mund të vinte në dyshim jo vetëm ekzistencën e ardhshme, por edhe atë aktuale të BE. Në të vërtetë BE nuk mbahet në këmbë nga “rregullat” të cilat shpesh herë anashkalohen ose shkelen sipas vullnetit të fuqive të mëdha. Madje BE nuk mbahet në këmbë as nga institucionet e saj. Në analizë të fundit, BE është një marrëveshje mes fuqive të Evropës, sipas të cilës një formë e tillë bashkimi u shërben interesave të vendeve anëtare. E gjendur përballë një krize me intensitet kaq të lartë, kjo marrëveshje ka filluar të shpërfytyrohet me hapa të shpejtë.
Solidariteti
Konflikti në rritje mes vendeve anëtare të BE ka ngjallur panik mes përfaqësuesve më largpamës të kapitalizmit evropian, të cilët tanimë thërrasin në kor për unitet dhe solidaritet. Bordi editorial i gazetës Financial Times publikoi një deklaratë përmes të cilës u bënte thirrje udhëheqësve evropianë të “flisnin dhe vepronin njëzëri”, duke shpjeguar se “pa bashkëpunim në ndarjen e barrës në këto kohë krize, parimet e një bashkimi mes shtetesh janë të pakuptimta”. Megjithatë jo për të parën herë gjatë një krize, “solidariteti” evropian duket se shndërrohet në frazë boshe, siç e provoi nga afër populli italian së fundmi. Deri tani Italia është vendi me pasojat më të mëdha nga virusi, me më shumë se 5000 vdekje të konfirmuara. Duke luftuar për të përballuar krizën me një sistem shëndetësor të tronditur dhe të papërgatitur për një situatë të tillë, autoritetet Italiane i kërkuan ndihmë mjekësore pjesës tjetër të BE që në muajin shkurt. Asnjë vend anëtar nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për ndihmë. Me miq të tillë, kujt i duhen armiqtë?! Në fund nuk ishte as Gjermania dhe as Franca, por Kina që i erdhi në ndihmë duke dërguar ekspertë mjekësorë dhe 31 tonë ndihma, përfshirë këtu mjetet e nevojshme mbrojtëse – mjete të cilat Gjermania ende i mban të bllokuara brenda kufijve të saj. Një ndërhyrje e tillë nga Kina sinjalizon jo vetëm kapitullimin e turpshëm të kapitalizmit evropian, por edhe thellimin e krisjes mes vendeve anëtare të BE. Ky është vetëm fillimi i përçarjes. Më përsëritjen e situatës së Italisë në vendet e tjera të rajonit, Bashkimi Evropian duket i destinuar tê shkojë drejt shpërbërjes. Sunduesit e Evropës, veçanërisht kapitalistët në Gjermani dhe Francë, do të tentojnë gjithçka munden për ta parandaluar këtë shpërbërje. Megjithatë ata nuk munden të bëjnë asgjë për të parandaluar krizën që pritet të vijë, krizë e cila do e tërheqë në thellësi të pamenduara më parë ekonominë evropiane dhe monedhën euro së bashku me të.
Kriza ekonomike
Me përhapjen e virusit, aktiviteti ekonomik duket se ka ngrirë tërësisht. Marrëdhëniet e tregtisë janë ndërprerë dhe kërkesa është gjithnjë e më në ulje si pasojë e masave të distancimit social. Evropa po përballet me një rënie të madhe ekonomike. Të gjendur përballë kolapsit ekonomik, qeveritë kanë vënë në zbatim paketa stimuluese të modelit kejnesian, duke shpresuar të minimalizojnë sa të munden pasojat e kësaj krize. Kombinimi i rritjes së shpejtë artificiale në shpenzimet publike me rënien e GDP do të ndikojë ndjeshëm në financat e shteteve që kanë mbi supe barrën e borxheve. Sipas një përllogaritje nga Capital Economics-it, në rajon deficiti në buxhet do të rritet me 10-15%, duke ngjallur frikën e përsëritjes së krizës së 2009, gjatë së cilës Greqia ishte pranë shkëputjes nga Eurozona. Kësaj here në qendër të krizës nuk gjendet Greqia, por Italia, ekonomia e tretë më e fuqishme e Eurozonës dhe njëkohësisht një nga vendet themeluese të BE. Normat e interesit vjetor të bonove kanë regjistruar një rritje që në fillim të muajit mars. Nëse këto norma interesi nuk kontrollohen, Italia do ta ketë të pamundur të përballojë borxhin ekzistues prej 2.06 trilionësh, aq më pak të marrë një borxh të ri. Me këtë perspektivë katastrofike në mendje, Banka Qendrore Evropiane shpalli një fond prej 750 miliardë eurosh për blerjen e bonove me qëllim lehtësimin e marrjes së borxheve nga vendet në vështirësi dhe stabilizimin e monedhës së përbashkët. Presidentja e BQE Christine Lagarde, duke rishikuar gramatikisht qëndrimet e saj të mëparshme, tha se “nuk ekziston asnjë limit në përkushtimin tonë ndaj monedhës euro”. Megjithatë, asnjë përpjekje e Bankës Qendrore Evropiane nuk do të mjaftojë për të shpëtuar euron nga kriza e ardhshme.
Probleme të mëtejshme
Asnjë nga problemet e shpërfaqura gjatë krizës së vitit 2009 nuk është zgjidhur ende, pavarësisht një dekade të propaganduar si “rimëkëmbje”. Në të vërtetë, shumica e shteteve evropiane janë të zhytura në borxhe më shumë se kurrë. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për borxhin publik. Borxhet e korporatave janë rritur ndjeshëm që nga viti 2009 për shkak të kredive të përdorura vazhdimisht për të dalë nga kjo krizë. Kjo strategji e ndjekur nga BQE vetëm sa e shtyn në kohë në mënyrë artificiale shfaqjen e përmasave reale të krizës. Për më tepër, recensioni global që pritet të vijë do ta tronditë Evropën akoma më shumë se ai i vitit 2008/2009. Gjermania, ekonomia më e fuqishme evropiane, doli nga kriza e fundit relativisht pa dëme serioze për shkak të eksportit të saj të zhvilluar. Tani kjo pikë e fortë është shndërruar në të kundërtën e saj, duke pasur parasysh që industria përpunuese shënoi rënie të mëdha muaj përpara shfaqjes së virusit. Të gjendur përballë krizës më të rëndë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, klasa sunduese gjermane kësaj radhe do të mendohet mirë para së të japë kredi për të shpëtuar vendet ekonomitë e brishta të Evropës jugore. Njëlloj si në vitin 2009, kapitalistët e Gjermanisë dhe Evropës veriore do të shfryjnë dhe mallkojnë drejt vendeve “parazite”, siç i quajnë ata Italinë, Greqinë, Portugalinë etj. Ky kor urrejtjeje do të tingëllojë akoma më fuqishëm, i gjendur nën presion nga kriza e Partisë Kristian-Demokrate dhe nga nacionalistët e AfD. Si çdo institucion tjetër evropian, edhe Eurozona ka shkelur të gjitha rregullat e saj, duke lejuar “fleksibilitet maksimal” brenda buxhetit të shteteve anëtare në përgjigje të krizës. Megjithatë kjo mbetet vetëm një masë e përkohshme. Në një të ardhme të afërt, punëtorët italianë do të detyrohen të paguajnë për “bujarinë” parazitare të bankierëve evropianë. Qeveria italiane do të reduktojë akoma më shumë shpenzimet publike, pagat dhe mirëqenien e punëtorëve, në një kohë që këta të fundit do të jenë ende duke vuajtur pasojat e virusit. Për pasojë kriza politike dhe sociale do të shënjojë fillimin e fundit të monedhës euro. Të braktisur gjatë krizës dhe më pas të detyruar të paguajnë për të, punëtorët italianë do të jenë pashmangmërisht zëri kryesor i “Itexit”-it.
Për një Evropë socialiste
Fakti që të gjitha këto kriza po ndodhin në të njëjtën kohë nuk është rastësi e shkaktuar nga pandemia. Në tërësinë e saj, kriza po ekspozon kontradiktat implicite të projektit evropian. Ne jemi dëshmitarë të një faze akute të zbulimit të së vërtetës lakuriqe mbi këtë të fundit. Ndryshe nga çfarë përpiqet të shesë propaganda liberale, unifikimi i Evropës mbi baza kapitaliste nuk është as i mundur dhe as progresist. Në kohë krize, çdo shtet kapitalist do të përpiqet të mbrojë interesat e veta, edhe duke dëmtuar shtetet e tjera. Farsa e “unitetit evropian” u ekspozua tërësisht përballë krizës humanitare dhe ekonomike dhe jetëve të humbura gjatë kësaj krize.
E ardhmja e njerëzimit na detyron të gjejmë një tjetër alternativë. Burimet, pasuria dhe teknologjia e Evropës mund të mobilizohen menjëherë për të përballuar krizën, nëse prodhimi dhe shpërndarja e të mirave do të planifikohet në mënyrë racionale dhe demokratike. Nën kapitalizëm kjo është e pamundur brenda kufijve të një shteti të vetëm dhe akoma më e pamendueshme në shkallë ndërkombëtare. Nën regjimin e bankave, Evropa po digjet dhe rrënohet. Ka ardhur koha për një tjetër Evropë, një Evropë vërtetë të bashkuar, një Evropë socialiste.
E përktheu Frenklin Elini
Marrë nga In Defence of Marxism
Imazhi: Lisk Feng