Koha për të guxuar

/Mathieu Desan, Michael A. McCarthy/

“Socializmi është si një moment i shkurtër shkëlqimi. Është një mundësi për të guxuar, me një vizion transformues të shoqërisë, ku në vend të pakicës të përfitojë shumica.”

Një vërshim i kandidatëve të kohëve të fundit, që garojnë kundër establishmentit, nga Alexandria Ocasio-Cortez-i te Cynthia Nixon-i, ka gjallëruar një ide të vjetër: socializmin demokratik. Çfarë ka parasysh dikush që pretendon se është socialist demokratik? Çfarë duhet të ketë parasysh? Dhe me t’u pajisur me një vizion alternativ ndaj kapitalizmit, çfarë duhet të bëjë?

Kur socialistët garojnë për poste, apo që marrin në konsideratë mbështetjen e progresistëve, ata rrezikojnë të hyjnë në kurthe të mundshme – sidomos kur thellohet angazhimi elektoral, vizioni socialist rrezikon të tretet ose të dalë fare nga rendi i ditës. Angazhimi elektoral është i rëndësishëm, por pavarësia jonë politike si socialistë mbështetet në besnikërinë tonë ndaj vizionit.

 

Kapitalizmi kundrejt socializmit

Përpara se të shpjegojmë arsyet, së pari duhet të nxjerrim në pah se çfarë shkon keq me kapitalizmin – dhe se si do të dukej një alternativë socialiste.

Kapitalizmi është burimi kryesor i vuajtjeve të sotme dhe një sistem që nxit më të keqen në sjelljen e njeriut. Socialistët besojnë se kur burimet kryesore të shoqërisë prodhohen dhe shpërndahen nga biznesi privat kemi shfrytëzim, pabarazi në mundësi dhe sjellje egoiste.

Së pari, marrëdhëniet shfrytëzuese midis punëtorëve dhe punëdhënësve janë tipari qendror i kapitalizmit. Meqenëse një numër i vogël njerëzish zotërojnë mjetet e prodhimit të shoqërisë, shumica e të tjerëve nuk kanë rrugë tjetër veçse të kërkojnë punë te ta. Pasuria që rrjedh nga kjo punë shkon në duart e zotëruesve të kapitalit edhe pse prodhohet nga punëtorët. Kjo është e vërtetë për çdo marrëdhënie punëmarrës-punëdhënës, madje edhe për ata me përfaqësim sindikal dhe paketa të mira përfitimesh sociale.

Së dyti, brenda kapitalizmit, përparimi i njerëzve ndikohet fuqishëm nga pozita e tyre në lindje. Fëmijët e lindur në familje të kamura kanë të atillë mbështetje që të mbeten të kamur edhe si të rritur. Fëmijët e lindur në familje të klasës punëtore dhe të varfra kanë një malore më të vështirë për të ngjitur dhe me më tepër gjasë do të mbesin klasë punëtore dhe të varfër edhe më vonë në jetën e tyre.

Me fjalë të tjera, kapitalizmi është një sistem i ngritur mbi pabarazitë e mundësive. Dhe këto pabarazi janë limfa e tij.

Brez pas brezi riprodhohet një numër i madh njerëzish që u duhen të pasurve për t’i futur në punë. Në mungesë të tyre, firmat nuk do të kishin njeri për të shfrytëzuar. Ndonëse disa punonjës mund t’ia dalin të ngjitin shkallët e punësimit, për t’u bërë menaxherë, ose ndoshta një ditë mund të drejtojnë biznesin e tyre, e parë në tërësi në kapitalizëm klasa punëtore nuk mund të arrijë kurrë mobilitet kolektiv. Në kapitalizëm punëtorët janë kolektivisht dhe përherë të skllavëruar.

Në fund, kapitalizmi prodhon konflikt në vend të bashkëpunimit, konkurrencë në vend të solidaritetit. Ne konkurrojmë për vendet e punës. Ne konkurrojmë për ngritjet në detyrë, dhe kush ia del të shpërblehet më mirë shqetësohet, mbi të gjitha, për veten e vet. Ne konkurrojmë me punëtorë të vendeve të largëta dhe punëtorë që në mënyrë të dëshpëruar duan të vinë ne vendin tonë. Po ashtu konkurrojmë si klasa, raca dhe si gjini.

Ky konflikt luhet në një fushë tërësisht të pabarabartë; ata që fitojnë rrallëherë ia dalin prej meritës. Fakti që njerëzit vijojnë të gjejnë solidaritet në komunitetet e tyre, marrëdhëniet që krijojnë, familjet dhe shoqatat e tyre tregon shumë për dinjitetin bazik të njerëzve përkundër çdo gjëje tjetër në kapitalizëm.

 

Horizonti socialist

Cila është alternativa jonë? Neal Meyer-i përkufizoi socializmin demokratik shkurt dhe qartë në një shkrim të kohëve të fundit për revistën Jacobin, duke thënë se “ne duam të ndërtojmë një botë ku çdokush ka të drejtë për ushqim, kujdes shëndetësor, një strehë të përshtatshme, arsimim që kultivon mendjen dhe për një punë të mirëpaguar e të mbrojtur nga sindikata. Ne mendojmë se kjo lloj sigurie ekonomike është e domosdoshme që njerëzit të çojnë përpara një jetë të pasur e krijuese – dhe të jenë vërtet të lirë.”

Ky përkufizim përforcon ç’tha Alexandria Ocasio-Cortez-i në emisionin The Late Show: “Për mua [socializmi demokratik] nënkupton kujdes shëndetësor si e drejtë e njeriut, nënkupton se çdo i ri, pavarësisht se ku ka lindur, duhet të ketë mundësi të ndjekë arsimin e lartë. Unë mendoj se asnjë person nuk duhet të jetë i pastrehë përderisa është e mundur të kemi struktura publike ose politika publike që do t’u lejonin njerëzve të kenë shtëpi dhe ushqim dhe të jetojnë me dinjitet në Shtetet e Bashkuara.”

Ndonëse këto reforma janë thelbësore për t’iu kundërvënë mjerimit me të cilin përballemi në kapitalizëm, ajo mbart rrezikun e vendosjes së shenjës së barazimit midis socializmit dhe shtetit liberal të mirëqenies sociale apo socialdemokracisë. Por këto nuk janë e njëjta gjë.

Për të pasur një ide më të qartë se ç’është socializmi demokratik, duhet të përballemi me dy çështje të veçanta. Së pari, cilat janë parimet dhe vlerat që duhet të zhvillojë një shoqëri e mirë? Së dyti, cilat janë institucionet dhe marrëdhëniet shoqërore që i përshtaten më mirë zhvillimit të këtyre vlerave?

Së pari, parimi i barazisë së mundësive. Mundësitë në jetë dhe aftësia për të lulëzuar duhet të jenë të mundshme barazisht për këdo. Në kapitalizëm nuk janë vetëm përpjekjet vetjake ato që përcaktojnë se sa mirë ia dalin njerëzit në jetë, por edhe  rrethanat e ardhjes në jetë, fati ose ndonjë cilësi tjetër e lindur. Shpërndarja e shumicës së gjërave – madje edhe e më të nevojshmeve si ushqimi, strehimi, kujdesi shëndetësor dhe siguria në pleqëri – varet prej aftësisë së njerëzve për të paguar.

Kurse socialistët besojnë se kushdo, pavarësisht rrethanave të mësipërme, meriton të lulëzojë. Të mirat duhet të shpërndahen në bazë të nevojës, jo të aftësisë për të paguar.

Së dyti, parimi i solidaritetit. Socialistët besojnë se njerëzit duhet të kujdesen për njeri-tjetrin. Nga ana tjetër, tregjet kapitaliste krijojnë ndarje. Ne mendojmë se parimi i solidaritetit duhet të jetë në zemër të një shoqërie të mirë. Sipas vizionit socialist të emancipimit, institucionet tona na ndihmojnë të kujdesemi për njeri-tjetrin.

Këto janë parimet bazë që duhet të udhëheqin shoqërinë në vija të përgjithshme – njerëzit duhet të kenë mundësi të barabarta për të arritur qëllimet e ëndrrat e tyre, si dhe ne duhet të kujdesemi për njeri-tjetrin. Në këtë kuptim, socializmi ka të bëjë me rezultatet. Kapitalizmi jo vetëm që nuk ia del të prodhojë rezultate të tilla, por është edhe pengesa kryesore e tyre.

Në kapitalizëm, pushteti ekonomik duket si i ndarë nga pushteti politik. Pushteti ekonomik që buron prej pronësisë së mjeteve të prodhimit u mundëson kapitalistëve të pasurohen duke i mbajtur pagat e punëtorëve sa më të ulëta që të jetë e mundur, të vendosin se çfarë do të prodhohet pa asnjë input demokratik nga pjesa tjetër e shoqërisë, të fshehin aspektet negative të produkteve të tyre dhe të na imponojnë kostot e dëmshme të biznesit (“eksternalitetet negative”). Kapitalistët thonë se e gjithë kjo justifikohet për shkak se bëhet fjalë për “pronën e tyre”.

Socializmi synon ta shoqërizojë këtë pushtet. Kapitalistët nuk duhet të jenë në gjendje ta mbajnë këtë pushtet, duke ndikuar në këtë mënyrë mbi të gjithë shoqërinë; diçka e tillë është jodemokratike dhe e padrejtë.

Po socialistët nuk duan thjesht të zëvendësojnë pronësinë private me pronësinë shtetërore. Siç nuk besojmë se kapitalistët duhet të jenë në gjendje të kenë kontroll të zhbalancuar mbi burimet ekonomike, ashtu edhe nuk mendojmë se zyrtarë shtetërorë dhe burokratë jollogaridhënës duhet të kenë fuqinë të kontrollojnë investimet dhe prodhimin përmes “socializmit nga lart”. Në disa raste, si ai ish-Bashkimi Sovjetik, dështimet e një sistemi të tillë janë thuajse aq të rënda sa edhe të vetë kapitalizmit.

Qëllimi qendror i socializmit nuk është thjesht marrja e kontrollit të industrisë, por fuqizimi i masave të gjera të njerëzve – në vendet e punës, në komunitete, në shtëpitë dhe shkollat e tyre, në politikat e tyre – për të marrë në dorë frenat e shoqërisë.

Madje edhe në vendet Nordike, ku ka ndërthurje të niveleve të larta të pronësisë shtetërore me demokracinë politike dhe një standard të lartë jetese, socializmi është ende larg. Përmirësimi material i jetës së njerëzve nuk është i mjaftueshëm. E as nuk mjafton vendosja e përfaqësimit sindikal për punëtorët. Këto ndryshime janë të mirëpritura, por socializmi shkon shumë përtej tyre.

 

Atëherë, ç’është socializmi?

Mirë pra, nëse vende socialdemokrate si Norvegjia nuk janë socialiste, atëherë ç’është socializmi?

Lëvizja drejt socializmit përfshin nënshtrimin e fuqisë ekonomike të kapitalistëve përpara fuqisë shoqërore të njerëzve. Por realizimi i plotë i saj kërkon mohimin tërësor të kapitalizmit. Vetëm kur vendimet private që kanë ndikime publike masive do t’i nënshtrohen kontrollit popullor, do të kemi shoqëri demokratike.

Ky demokratizim mund të arrihet me një sërë institucionesh konkrete: agjenci të planifikimit shtetëror në bazë, kooperativa punëtorësh, borde pjesëmarrëse. Por ajo që ka rëndësi është që njerëzit të kenë kontroll demokratik të vërtetë, jo thjesht formal, mbi pasuritë e shoqërisë.

Vizioni ynë për socializmin nuk lë vend për si vijon: prodhim për akumulim të fitimit, pronësi private të aseteve kryesore të prodhimit, tregje pune ku shumica e njerëzve duhet të shesin punën e tyre për të mbijetuar dhe qeverisje që nuk reagojnë ndaj vullnetit të njerëzve.

Vetëm në këto kushte mund të fillojmë të ndërtojmë institucionet socialiste konkrete që do të zhvillojnë përpara barazinë e mundësive dhe solidaritetin.

 

Të jesh socialist

Perspektiva socialiste përkufizohet nga vizioni afatgjatë. Por si duhet të lidhet ky vizion me kërkesat praktike të politikës? Si duhet ta ndikojë praktikën tonë?

Jemi në një moment mundësish të reja, por të qenit socialist kërkon të ecësh në një fill të hollë midis të qenit shumë oportunist dhe lënies mënjanë të parimeve, në njërën anë, dhe qenies tepër të ngurtë për të mos u lejuar përvojave të hapin shtigje të reja, nga ana tjetër.

Një interpretim i vrazhdë i historisë socialiste e ndan lëvizjen në reformistë dhe revolucionarë. Ndërsa supozohet se reformistët mbështesnin rishikimin e doktrinës socialiste për t’iu përshtatur më mirë praktikave politike të ditës, revolucionarët e vendosnin praktikën socialiste në të njëjtën hulli me vizionin e saj radikal alternativ ndaj kapitalizmit, duke refuzuar ta hollonin teorinë dhe praktikën socialiste.

Por tradita socialiste demokratike e ka hedhur poshtë gjithmonë këtë dualizëm. Reforma dhe revolucioni shkojnë krah për krah.

Në beteja popullore si kujdesi shëndetësor për të gjithë (angl. Medicare for All), udhëheqësit socialistë mund të transformojë ndërgjegjen e njerëzve dhe të ndryshojnë perceptimet e asaj që është e mundshme politikisht, çka tekembramja do të rriste mbështetjen për objektivat e socializmit. Për më tepër, reformat mund të rrisin kapacitetet luftuese të klasës punëtore, të nxjerrin në pah kufizimet e kapacitetit të kapitalizmit për të plotësuar ndjenjën tonë për drejtësi, barazi, solidaritet dhe të shtrojë rrugën për kërkesa më radikale. Reformat mund të bëjnë më tepër se përmirësimi i jetës së njerëzve – ato mund të çojnë në revolucion.

Lufta për socializëm kërkon si hyrjen në zgjedhje, ashtu edhe ngritjen e një lëvizjeje masive. Zgjedhja e socialistëve do të popullarizojë idetë socialiste, do të shtyjë përpara çështjet në favor të punëtorëve dhe do të sigurojë përvojë të çmuar për qeverisjen socialiste. Por nevojitet edhe një lëvizje në bazë si për t’i mbajtur politikanët socialistë përpara përgjegjësisë, ashtu edhe për t’u mobilizuar kundër reaksionit kapitalist edhe ndaj reformave më modeste.

Refuzimi për t’u përfshirë në politikën zgjedhore i dënon socialistët me margjinalizim. Por shpërfillja e lëvizjes në bazë shpesh ka rezultuar në qeverisje socialiste të pafuqishme për të përballuar përmbysjen antidemokratike të kapitalistëve. Sot socialistët demokratë, njëlloj si në të shkruarën, duhet t’i shmangin të dyja këto gracka – si të kthyerit në revolucionarë pa revolucion, ashtu edhe reformistë pa reforma.

Duke kërkuar reforma dhe u angazhuar në zgjedhje, socialistët do të punojnë në aleanca të gjera me forca të tjera progresiste. Por një gjë është të njohësh nevojën e këtyre aleancave dhe tjetër të marrësh në konsideratë formën e veçantë që pjesëmarrja e socialistëve duhet të ketë mes tyre. Në tavë është çështja se si ne e mendojmë veten tonë brenda rigjallërimit të gjerë të progresistëve prej 2016-s.

Socialistët, dhe në veçanti Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA), nuk kanë qenë të vetmit lojtarë në këtë rigjallërim. Organizata si “Revolucioni Jonë” (angl. Our Revolution), “Demokratët për Drejtësi” (angl. Justice Democrats), dhe një “Kongres i Ri” (angl. Brand New Congress) kanë përfituar prej energjisë së fushatës së Sanders-it për ta shtyrë Partinë Demokratike majtas. Në të vërtetë, edhe pse është anëtare e DSA, së fundmi Ocasio-Cortez-i u njohu më shumë merita “Demokratëve për Drejtësi” dhe “Kongresit të Ri” për suksesin e saj, qyshse ato ishin ndër grupet e para që e shtynë të kandidonte.

Socialistët duhet të mirëpresin rolin gjallërues që kanë luajtur këto organizata në ringjalljen elektorale të së majtës. Por çfarë i dallon socialistët prej grupeve të tjera progresiste të së majtës?

Përgjigja gjendet, afërmendsh, te vizioni ynë socialist.

Ky vizon i jep koherencë dhe qëllim strategjisë socialiste. Ne nuk duam thjesht të fusim pak humanizëm atje ku mundemi në një botë mizore e të pamëshirshme, por edhe të transformojmë marrëdhëniet e pushtetit klasor që drejtojnë shoqërinë.

Socialistët duhet të jenë partnerë të ndershëm në fushatat për ndryshime progresiste. Por detyra jonë është t’i shtyjmë përtej kufizimeve të tyre dhe të shfrytëzojmë rastin për transformime shoqërore më rrënjësore. Çështja është si të përfshihemi në mënyrë eficiente në koalicione pa cenuar identitetin tonë politik të pavarur. Tekefundit, pa këtë identitet dhe vizionin që shtrihet pas tij, ç’kuptim do të kishte të ishim socialistë?

Historikisht, me rritjen e profilit politik të socializmit rriten edhe rreziqet e asimilimit të tij në një “progresivizëm” amorf, influenca jonë mbi të cilin sa vjen e zbehet. Kësisoj, socialistët duhet t’i shmangen tundimit të marrjes së zhvendosjes majtas kohët e fundit për sanksionim të politikës socialiste në vetvete. Detyra jonë parësore si socialistë nuk është të mbështesim aksh kandidat progresist reformues, por të ndërtojmë një lëvizje për socializmin. Ajo që na bën socialistë nuk është veç mbështetja për këto reforma apo kandidatë. Përkundrazi, ngaqë jemi socialistë edhe i mbështesim ato.

Pra fuqia jonë nuk matet me fitoret legjislative apo elektorale, sado të rëndësishme qofshin, por me aftësinë tonë për t’u dhënë atyre domethënie socialiste duke i lidhur me vizionin tonë për të ardhmen. Shtyrja e busullës politike majtas nuk mjafton; puna është si ta shfrytëzojmë këtë për të argumentuar me forcë në favor të tejkalimit të kapitalizmit.

 

Pse duhet ta përdorim këtë emër?

Kjo është arsyeja kryesore pse ne socialistët duhet të jemi të sinqertë për çka duam të arrijmë dhe se kush jemi. Nga forcat e tjera progresiste na dallon vizioni ynë afatgjatë. Në lëvizje dhe fushata duhet të përfshihemi haptas si socialistë. Kjo nuk është e kotë, por një qasje strategjike. Nëse e zbehim identitetin tonë politik për shkak të llogarive politike, fitoret tona nuk janë më tonat dhe kështu minojmë qëllimin tonë.

Për këtë arsye, këmbëngulja në etiketën “socialiste” dhe përcaktimi i çka kërkojmë nuk është një çështje e parëndësishme. Rehabilitimi spektakolar i socializmit, duke fituar legjitimitet brenda politikës amerikane, në veçanti mes të rinjve, është një prej zhvillimeve më domethënëse për lëvizjen socialiste në dekadat e fundit. Deri më tani, përmasat e mëdha të emrit kanë qenë një aset, qyshse kanë ndihmuar për të legjitimuar identitetin tonë politik dhe kanë afruar më shumë njerëz me idetë socialiste.

Me rritjen e popullaritetit të socializmit, ne nuk duhet ta zbehim domethënien e tij. Këtë do ta bëjnë liberalët. Megjithëse centristët e rrugës qorre do të vijojnë t’i sulmojnë socialistët si kuq, liberalët më mendjehapur do të përpiqen të kapitalizojnë popullaritetin e socializmit.

Në veçanti, në fitoren me përmbysje të Ocasio-Cortez-it në zgjedhjet paraprake, kemi parë se si një valë liberalësh e kanë ngritur atë në qiell si të ardhmen e Partisë Demokratike, ndërkohë që nënvlerësojnë apelin specifik të socializmit dhe e ripërkufizojnë “socializmin demokratik” në terma që e bëjnë praktikisht të padallueshëm nga modeli i tyre i preferuar i liberalizmit. Kjo tregon për rritjen e ndikimit tonë, por gjithashtu mbart edhe rrezikun e kooptimit. Si socialistë, ne nuk duhet ta zbrazim socializmin nga kuptimi i tij rrugës së shtyrjes majtas të Demokratëve.

Momenti i tashëm është ngazëllues, por socialistët nuk duhet t’i rrahin shumë shpatullat njëri-tjetrit. Sa më shumë që socializmi bëhet common sense, numri i anëtarëve dhe shifrat e sondazheve bëhen më pak të besueshme për matjen e progresit të ideve socialiste. Liberalët do të nxitojnë t’i konsiderojnë shumë “socialistë” të vetëshpallur si të tyret. Pra, socialistët duhet të jenë të qartë për çka i dallon nga liberalët nëse nuk duan ta lëshojnë këtë nismë.

Pavarësisht se ç’kuptojnë njerëzit me fjalën “socializëm”, popullariteti i rigjetur është një mundësi e jashtëzakonshme. Por çështja e socializmit demokratik mbetet e njëjtë si ngaherë: duhet të kënaqimi duke qenë krahu përparimtar i liberalizmit apo mund të jemi diçka më tepër? Lëvizjet socialiste historikisht janë kthyer në viktima të suksesit të tyre: me rritjen e fuqisë, rritet edhe tundimi për të sakrifikuar vizionin afatgjatë për përfitime afatshkurtra. Si pjesë ndërtuese këtij momentumi, socialistët duhet të mendojnë se cili është roli ynë si socialistë në ekosistemin e gjerë progresist. A jemi thjesht trupat speciale për çështje të ndryshme progresiste? Grumbullues votash për kandidatë progresistë, përfshi edhe ata josocialistë? Kush po organizon kë? Sfida e socialistëve gjithmonë ka qenë të jetuarit në tension midis zotimit tonë për transformim total dhe nevojave praktike të politikës. Por identiteti ynë si socialistë në fund të fundit mbështetet në vizionin afatgjatë të socializmit. Kjo na dallon dhe mbështet aftësitë tona për kërkesa edhe më të guximshme që shtyjnë kufijtë e të mundshmes. Sukseset tona të kohëve të fundit kanë sjellë mundësi të reja për t’u rritur. Ndërkohë që përfitojmë prej këtyre mundësive, duhet të ngulim këmbë edhe te vizioni. Tekefundit, çfarë mbetemi pa të?!

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Wolfgang Rattay/Reuters

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.