/Arlind Qori/
Gjuha shpreh, përforcon ose gjen të çara në marrëdhëniet shoqërore. Ligjërimi ideologjik bën dy të parat. Kundërideologjiku të tretën. Prej kohësh që s’mbahen mend në ligjërimin politik shqiptar ka hyrë shprehja “klima e biznesit”, i dhënë drejtim si “përmirësim i klimës së biznesit”. Ky përdorim gjuhe e koncepton shoqërinë si shumësi faktorësh klimatikë që i shërbejnë ose i bëjnë dëm qendrës jetike të interesit, biznesit. Të ishim në astronomi do ta quanim sistem biznesocentrik, po astronomizmi i gjuhës në këtë rast është i papërshtatshëm. Sistemet diellore karakterizohen nga ekuilibra të pandryshueshëm, dhe meqenëse shpërthimi diellor parashikohet në milionavjeçarë, për momentin mund të rrimë rehat. Klimatizmi konceptual i shkon më shumë biznesit, pasi duke vënë në qendër, si qëllim në vetvete, mbrothësinë e biznesit, e konsideron shumëpërmasinë shoqërore hem si të domosdoshme për të, hem si potencialisht të rrezikshme. Bash si faktorët klimatikë, që këtu të shtyjnë kah poezia e buzëmbrëmjes, aty te katastrofa natyrore.
Ç’implikime ka klimatizimi i gjuhës dhe konceptimit ekonomiko-politik me biznesin në qendër? Më konkretisht, cilët janë faktorët klimatikë potencialisht të rrezikshëm për të? Mendja të shkon fill te qeveria. Të zë habia kur mendon se për dekada qeveritë zotohen për besnikëri ndaj kauzës së biznesit, këto të fundit ua dinë përkohësisht për nder, pastaj, si koketa kapriçoze, janë të pakënaqura dhe e hostenosin qeverinë që të ecë përpara, më shpejt, pa kthim. Sigurisht që qeveria mund ta shkelë nga pak herë pas here, sidomos kur hyn në mes favoritizmi i ca oligarkëve kundër të tjerëve, po çështja s’mbyllet këtu. Po korrupsioni? Këtu ideologjia klimatizuese arrin zenitin, duke e shfaqur biznesin si viktimë aparteidi. Po sikur korrupsioni të jetë pika e interesit të përbashkët midis qeverisë dhe biznesit, së paku biznesit të madh oligarkik? Çfarë e bashkon potencialisht kryeministrin, tatimorin dhe pronarin e një qendre tregtare? Fakti që i fundit do t’i shmanget taksave për të mos e prekur të virgjrin fitim, as në masë, as në normë, i dyti do të nxjerrë ndonjë lek për kalamajtë, ndërsa i pari për zinxhirin e kalamajve deri në ditën e qametit. Kësisoj biznesi ka më pak kosto duke korruptuar do zyrtarë, sesa duke paguar taksat, edhe kur proporcionaliteti i sistemit tatimor shqiptar është qesharak deri në dhimbje brinjësh.
Sidoqoftë, deri në faktorin klimatik qeveri gjuha i përforcon marrëdhëniet hierarkike shoqërore duke folur. Në rastin e faktorit të dytë, më të rëndësishmit, ajo fsheh në kakofoninë e vet subjektet/viktimat e këtij konceptimi. Alienët? Pedofilët? Thjesht punëtorët, këtë kategori që edhe gjuhësisht po zhduket, nganjëherë me pretekstin se përmendja e pafundësisë së mjeranëve dhe kushteve të tyre na sjell ndër mend zhgjëndrrën enveriste. Po si e ndikojnë punëtorët klimën e biznesit? Së pari duke ngrënë shumë, e duke kërkuar pagë për këtë punë. S’do ishte keq që punëtorët t’i shërbenin biznesit duke u ushqyer vetëm me ajër dhe talk-show-t mbrëmjesorë. Meqenëse kjo është e pamundur (për momentin), mirë do të ishte që të pranonin paga gjithnjë e më të ulëta, të punonin më gjatë e me intensitet që të kujton Modern Times-in e Çaplinit, të mos u paguheshin sigurimet pensionore e shëndetësore, të mos pësonte kush gjë për “vdekjet e bardha” (vdekjet në punë), gjymtimet, askush të mos detyrohej të shpenzonte ndopak nga fitimi biznesor për të mësipërmet etj. Biznesi e di këtë punë, se logjika e funksionimit të vet dhe të strukturës ekonomike ia mëson. Qeveria po ashtu, dhe jo vetëm kjo e fundit, por njëpasnjëshmëria e tyre ndër dekada. Kështu, qeveria paraardhëse, përveç shërbimeve serioze me taksën e sheshtë, nxori edhe vendime që barrën e sigurimeve e hidhte gjithnjë e më tepër në kurrizet e punëtorëve dhe shtetit, për të çliruar biznesin nga “barra e rëndë”. Qeveria aktuale, me thirrje të biznesit fason dhe përkujdesjen atnore të FMN-së, vendosi ta ulë me 3000 lekë pagën minimale, si për të thënë se edhe aq sa ishte (22000 lekë) nuk e zbatonte njeri, se fundja pagat reale minimale të shumëkujt që rron e vdes prej punës nuk shkojnë më shumë se 15000 lekë. Duket që FMN-ja, qeveria shqiptare dhe biznesi i madh duan medoemos t’i japin të drejtë shekuj pas vdekjes mjekroshit Marks se punëtori dhe paga e tij synojnë gjithmonë dyshemenë absolute, e cila është sasia minimale e parave për ta mbajtur gjallë deri të nesërmen, që të shkojë sërish në punë.
Sa për lidhjen midis përmirësimit të klimës së biznesit dhe punësimit, kjo është legjendë me të cilën do të merremi tjetërkund. Po hë për hë, mund të themi vetëm që në këto vitet e fundit masat fundamentaliste probiznesore dhe papunësia kanë shkuar krah për krah. Ndërsa pretendimit se kështu situata e punëtorëve shkon keq e më keq, por ndryshimi i modelit ekonomik do ta bënte akoma edhe më keq, mund t’i përgjigjemi se kjo është dilemë aushviciane, ku çifutit të fuqishëm i thuhej puno-puno-puno si kafshë se kështu do bëhesh i lirë (kupto: do vdesësh ngadalë), përndryshe të pret Zyklon B-ja, çka në rastin tonë përbën vetëm shantazh ideologjik.
Në fund, s’do ishte keq ta merrnim pak seriozisht kushtetutën, paçka se nuk e kemi shkruar vetë, as kemi derdhur gjak për të si tjetërkund. Në të, subjekt qendror është populli, dhe përderisa shumica syresh përbëhet nga punëtorë, të papunë, të varfër, klasëmesëm në prag proletarizimi etj., e mira e donte që biznesi, qeveria dhe parashikuesit e motit të ishin faktorët klimatikë që u shërbenin atyre, dhe jo e anasjella. Deri atëherë mund të konstatojmë rehat-rehat se jetojmë në kohëra barbare, me pishmanin se ndoshta po u biem pak në qafë barbarëve.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.