/Stefano Palombarini/
Marrëveshja e ditës së enjte e Eurogrupit i premtoi Italisë kredi me të cilat do të përballojë kostot në shëndetësi të koronavirusit – por refuzoi të ndihmojë në menaxhimin e katastrofës ekonomike. Liderët e BE kanë vendosur edhe një herë dogmat neoliberale mbi mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë – duke minuar edhe më shumë pro-evropianizmin e dikurshëm të italianëve.
Është ende herët për të matur efektet që koronavirusi do të sjellë në ekonominë italiane. Për çka jemi të sigurt është se do të jenë katastrofike në vendin më të goditur nga pandemia. E megjithatë, kur Këshilli Evropian u mblodh më 26 mars, të paktën me premtimin e një përgjigjeje të përbashkët ndaj vështirësive ekonomike që do të vijnë për shkak të krizës, kryeministri italian Giuseppse Conte refuzoi të nënshkruajë vendimet që u morën. Eurogrupi që u mblodh përsëri më 9 prill arriti një marrëveshje gjysmake – por që nuk do ta ndihmojë vendin me krizën që sa vjen e rritet.
Ndryshe nga sa kishte shpresuar Roma, më 9 prill marrëveshja e Eurogrupit nuk përfshiu të ashtuquajturat “koronabonde” për të shpërndarë barrën e borxhit nëpër vendet evropiane – në këmbim, vëmendja u përqendrua në kredi që do t’i shkojnë Italisë përmes Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM). E vetmja “arritje” e qeverisë italiane ishte që këto kredi nuk do të shoqërohen me kushte… përveçse duhet të shkojnë për shpenzime në shëndetësi që lidhen me koronavirusin. Në këtë mënyrë, Eurogrupi bëri një lëshim simbolik ndaj një vendi të dëshpëruar për shumë më tepër ndihmë – që ka nevojë për fonde të konsiderueshme për të shmangur kolapsin ekonomik dhe për të mbështetur të ardhurat e klasave më të prekura.
Prej kohësh tashmë, përballë mungesës së ndihmës evropiane në fazat e hershme të krizës, shenjat tregonin se opinioni publik i italianëve po kthehej masivisht kundër Bashkimit Evropian. Në një sondazh në fund të marsit, vetëm 49% e të pyeturve e konsideronin veten “pro-evropianë,” ndërsa kjo shifër ishte 64% para fillimit të pandemisë; kjo nuk është për t’u habitur kur 72% mendojnë se Bashkimi Evropian e ka lënë Italinë në baltë në përballimin e krizës dhe 77% presin vazhdimin e konfliktit mes Italisë dhe Bashkimit Evropian.
Italia ishte një ndër shtatë vendet që nënshkroi Traktatin e Romës më 1957, duke i dhënë jetë projektit evropian – dhe vetëm pak vite më parë ekzistonte një mbështetje thuajse unanime ndaj integrimit. Sot ky konsensus duket tejet i brishtë – me efekte potencialisht dramatike ndaj politikave të brendshme të vendit, si dhe ndaj vetë projektit evropian.
Kriza e fundit
Megjithatë kjo përplasje nuk është vetëm rezultat i koronavirusit. Për të kuptuar çfarë po ndodh, na duhet të kthehemi pas në 5 gushtin e 2011, kur presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Jean-Claude Trichet dhe pasardhësi i përcaktuar i tij Mario Draghi i nisën qeverisë italiane një letër ku diktoheshin politikat ekonomike që Roma duhej të ndiqte nëse donte ndihmë me masat e politikave monetare të nevojshme për parandalimin e daljes nga kontrolli të normave të interesit dhe borxhit publik.
Letra Trichet-Draghi listone një sërë “reformash strukturore” që Italia duhet të vinte në zbatim, ku përfshihej fleksibilizimi i tregut të punës (lehtësira për pushimet nga puna – shën. përkth), “liberalizimi” (privatizimi) i shërbimeve publike, si dhe shkurtime të mbrojtjes sociale. Por këto masa nuk u importuan në Itali thjesht nga jashtë. Ato rezononin me projektin e një seksioni të klasave sunduese në Itali që kishte dashur për një kohë të gjatë të tejkalonte ndarjen e vjetër e Majtë/ e Djathtë. Plani i tyre ishte të bashkonin forcat në një aleancë të vetme të të gjithë aktorëve të përgjegjshëm dhe të arsyeshëm: atyre që mbështesnin reformat neoliberale.
Në një konferencë për shtyp tashmë të famshme më 23 tetor 2011, Angela Merkel-i dhe Nicolas Sarkozy-ja deklaruan haptazi mungesën e besimit se qeveria e Silvio Berlusconi-t do të ishte e aftë për t’i zbatuar këto reforma; me 12 nëntor ai dha dorëheqjen dhe vetëm katër ditë më pas u zëvendësua si kryeministër nga Mario Monti. Monti udhëhoqi një qeveri teknike (të përbërë nga figura të pazgjedhura jopartiake) programi i të cilës konsistonte në… bash ato masa të kërkuara në letrën Trichet-Draghi. Kështu lindi “blloku borgjez” – aleanca që do të qëndronte në pushtet deri në zgjedhjet e marsit 2018, në qeveritë e drejtuara nga Monti, Enrico Letta, Matteo Renzi, dhe Paolo Gentiloni.
Pse “blloku borgjez”? Ky është emri që ne i kemi vënë një projekti që synonte të bashkonte klasat e mesme dhe të larta përtej ndarjes e Majtë/ e Djathtë dhe të përjashtonte klasat popullore nga shkëmbimi mes mbështetjes publike dhe politikave publike. Por, në fakt, veprimet e kësaj aleance në pushtet i lanë klasat e mesme në një situatë gjithnjë e më të brishtë e të pasigurt – duke i tkurrur gradualisht kufijtë e këtij blloku, aq sa të përfshinte vetëm më të privilegjuarit.
Një dinamikë e tillë shpjegohet shpesh në terma të masave shtrënguese të kërkuara nga Brukseli – që në fakt u përkthyen në një sërë masash që shkaktuan dëme sociale. Ministrja Elsa Fornero u përlot në dhjetor të 2011 teksa po prezantonte “sakrificën e nevojshme” të reformës në pensione që sapo kishte nënshkruar. Por veprimet e bllokut borgjez shkonin përtej një agjende masash shtrënguese që synonin zvogëlimin e borxhit kombëtar.
Në fakt, ndryshimet në Kodin e Punës dhe fleksibiliteti i marrëdhënieve në punë – ky i fundit i realizuar nga qeveria Renzi (Ligji i punësimit) – nuk mund të shpjegohen vetëm në terma të konsideratave buxhetore. Këto masa dëshmojnë strategjinë e vërtetë të bllokut borgjez, sipas së cilës masat e shtrëngimit ishin vetëm veglat për realizimin e projektit ambicioz të neoliberalizimit total të kapitalizmit italian. Ky tranzicion kishte nisur prej kohësh falë qeverive të djathta dhe të “qendrës së majtë” që kishin shkëmbyer postet në pushtet prej viteve 1990. Por blloku borgjez e përfundoi këtë proces.
“Reformat” e qeverive 2011-2018 i penalizuan shumë klasat popullore. Por ato prodhuan gjithashtu një varfërim dhe pasiguri në rritje për klasat e mesme, të cilat i kthyen shpinën shpejt elektoralisht. Dëshmi të kësaj rënieje janë fatet e secilit prej katër kryeministrave që e udhëhoqën bllokun borgjez. Më 2013 Monti themeloi një parti, Scelta Civica, e cila ra nën 1% të votave në zgjedhjet e 2018 duke mos marrë asnjë deputet, dhe nuk ekziston më si parti. Pasardhësi i tij si kryeministër, Enrico Letta, është tërhequr (përkohësisht?) nga politika dhe tani jep mësim në Sciences Po në Paris. Renzi, i cili e rrëzoi Letta-n nga qeveria për të marrë drejtimin vetë, nuk është më kryetar i Partisë Demokratike; i ulur në një pozitë të dorës së dytë, ai hoqi dorë për të formuar një parti të re, Italia Viva, që sot ka një mbështetje prej rreth 2%. Ndërkohë pasuesi i tij në udhëheqje, Gentiloni, u emërua Komisioner Evropian, duke u distancuar kështu nga linja e parë e politikës italiane.
Armiku i jashtëm
Rënia e bllokut borgjez solli edhe një pasojë tjetër – ngritjen meteorike të të vetmeve lëvizje që e kundërshtuan atë. Më 2013 Lëvizja 5 Yjet (M5S; një parti e cila kurrë më parë nuk kishte hyrë në zgjedhje kombëtare) mori çerekun e votave dhe në vitin 2018 u bë partia më e madhe me 32.7%. Partia tjetër, Lega, u ngrit nga 4% i vitit 2013 në 17% më 2018, duke kapur 34% në zgjedhjet evropiane të 2019.
Këto dy parti e kundërshtuan bllokun borgjez – por, duhet theksuar, arsyeja kryesore e kundërshtisë së tyre nuk ishin reformat neoliberale. Kjo është sidomos e vërtetë për Lega-n, e cila trashëgoi një elektorat të qendrës së djathtë që më parë ushqehej nga premtimet e Berlusconi-t se çdokush mund të bëhej i pasur në një shoqëri që kishte hequr qafe ndërhyrjet e shtetit. Me klasat popullore dhe ato të mesme në buzë të greminës, Matteo Salvini nguli këmbë se premtimi i tregut të lirë nuk ishte përmbushur për shkak të një armiku të jashtëm – identiteti i të cilit kishte ndryshuar me kalimin e kohës nga financat e globalizmit, te burokracia e Brukselit, emigrantët dhe tanimë Gjermania.
Me gjithë piruetet spektakolare të Salvinit mbi çështje kaq të rëndësishme si anëtarësia e Italisë në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë (duke shpallur çdo pozicion të mundshëm në vetëm tre vjet) elektorati i tij mund të identifikohet të paktën me këmbënguljen e tij për t’ia kaluar fajin e vështirësive të Italisë një armiku të jashtëm. “Sovranizmi” i Lega-s nuk është më shumë sesa këmbëngulja inatçore se kombi duhet të mbrohet nga ky armik – edhe nëse është imagjinar, ose lehtësisht i zëvendësueshëm me një tjetër. Salvini, për më tepër, deklaron besimin e tij të patundur në ekonominë trickle-down (parimi se rritja e pabarazive rrit mirëqenien e përgjithshme – shën. përkth). Edhe në mes të krizës së tanishme sociale dhe ekonomike, Lega ka ruajtur kërkesën për një taksë të sheshtë – që nënkupton heqjen dorë përgjithmonë nga rishpërndarja e pasurisë përmes taksimit dhe përdorimin e taksave për shpenzime të reja publike.
Edhe më i dykuptimtë është pozicioni i M5S ndaj reformave neoliberale. Në vitet e para ajo foli shpesh në mbështetje të shërbimeve publike dhe të luftës kundër kthimit të punëtorisë në prekariat, por qëndrimi i vet kundër elitës u ndërthur shpejt me një qasje kundër shtetit. Në kundërshti si me logjikën e tregut ashtu edhe me ndërhyrjen e shtetit, qasja “as Djathtas e as Majtas” e M5S rezultoi e paaftë për hartimin e një strategjie të qartë. Nga qershori 2018 deri në shtator 2019, kur partia qeverisi Italinë në koalicion me Lega-n, Salvini nuk e pati të vështirë të vendoste hegjemoninë e tij. Koalicioni mes këtyre partive nuk bëri ndërhyrje në asnjërën prej reformave neoliberale të periudhës së shkuar. Edhe masat e marra nga blloku borgjez që kishin ngjallur kundërshtinë më të madhe, si Masat Fornero mbi pensionet dhe Ligji i Punësimit i Renzit, u prekën vetëm në detaje.
Kriza e re
Koronavirusi goditi një vend të ngërthyer nga paradoksi. Një gjë është e qartë: kapitalizmi italian po qeveriset tashmë nga një logjikë tërësisht neoliberale, duke i ulur në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet për një reagim ndaj krizës. Shkurtimet në shëndetësi (37 miliardë euro në dhjetëvjeçarin e fundit) dhe roli gjithnjë në rënie i spitaleve publike në favor të sektorit privat, e vështirësojnë kujdesin ndaj të sëmurëve, teksa përhapja e pasigurisë në punë dhe sistemi i dobët i përfitimeve të të papunëve i ekspozon punëtorët italianë ndaj efekteve të krizës. Rënia e industrisë së rëndë për t’i lënë vendin bizneseve të vogla dhe të mesme ka rritur mundësinë e falimenteve, kurse privatizimet masive të tre dekadave të fundit e pamundësojnë çdo politikë të mundshme industriale për të mbështetur prodhimin. Koronavirusi dëshmon në mënyrë të dhimbshme se sa shumë e kanë dobësuar reformat neoliberale shoqërinë italiane.
Po pikërisht këtu qëndron paradoksi: sot e kësaj dite, këto reforma mbeten në prapaskenën e debatit politik, i cili është i përqendruar tërësisht te mënyra se si do të financohen shpenzimet publike që imponon kriza. Afërmendsh, Italia ka probleme urgjente financiare dhe monetare: por është mahnitëse të vërehet se si marrëdhëniet e punësimit, mbrojtja sociale, shërbimet publike, mundësia e një politike industriale – kaq shumë sfera institucionale vendimtare për krizën – mbeten jashtë debatit. Arsyeja është e thjeshtë: partitë kryesore të qeverisë dhe të opozitës nuk kanë propozime të qarta mbi këto tema. Edhe pas shkëputjes së Renzi-t verën e shkuar, Partia Demokratike i ka bërë bisht çdo analizë kritike serioze të periudhës së bllokut borgjez dhe një krah i madh brenda partisë ngul këmbë se reformat neoliberale janë të justifikueshme. Që prej shtatorit 2019, PD ka qenë në qeveri bashkë me M5S, pasi Lega doli nga koalicioni. Por M5S ende parakalon me moton “as Djathtas e as Majtas”, që në praktikë do të thotë se nuk ka asnjë vizion strategjik. Të zhytura thellë në ideologjinë neoliberale, Lega ka çdo interes të mundshëm për të ngritur fronte lufte nëpër terrene të tjera.
Kështu, debati në Itali vërtitet rreth një teme të vetme: financimi i borxhit, që tashmë duket i paracaktuar të rritet disa dhjetëra për qind mbi PBB. Sigurisht që ky është një problem urgjent dhe i rëndësishëm. Por edhe kur e adresojnë këtë tematikë, politikanët dhe shoqëria italiane duken më të kushtëzuara nga traumat e së shkuarës sesa nga ndonjë vizion strategjik për të ardhmen.
Këtu vlen të kuptohet shkalla e problemit. Nëse do të parashikonim një rënie të aktivitetit ekonomik me rreth 10% (një parashikim mjaft i mundur në klimën e sotme), kjo do tënënkuptonte një rënie të drejtpërdrejtë të të ardhurave shtetërore me rreth 90 miliardë euro. Plani para krizës parashikonte një deficit prej 20 miliardë eurosh; këtu shtohen edhe masat fiskale që i kërkon vetë kriza. Për momentin qeveria italiane ka mobilizuar 50 miliardë euro, vetëm për masat e para të emergjencës ekstreme; është shumë herët të bëhen parashikime të sakta, por në këto kushte mund të imagjinohet se do t’i duhet të gjejë diku te 200 apo 300 miliardë euro financime të reja. Kësaj i shtohet nevoja e rinovimit të sigurimeve që arrijnë maturimin, për një borxh publik që tejkalonte vlerën 2.4 trilionë euro edhe para krizës. Kjo do t’i sillte probleme një vendi tashmë të zhytur në recesion.
Financimi i borxhit rrezikon të kthehet në një pengesë madhore. Zgjidhje të mundshme merrnin në konsideratë përbashkimin e borxhit brenda Bashkimit Evropian – një ëndërr në sirtar kjo mes pro-evropianëve të devotshëm, çka do përbënte një hap të vendosur drejt një bashkimi të njëmendtë politik. Megjithatë nuk ekziston asgjë në të shkuarën e Bashkimit Evropian, apo në dinamikat politike të tanishme, që të sugjerojë se një gjë e tillë ka gjasa të realizohet.
Mundësia e dytë do të ishte një kredi evropiane e ndjekur nga kushte – që do të përktheheshin, pas krizës, në politika publike që i shkonin pas avazit interesave të kreditorëve më shumë sesa pritshmërive sociale të italianëve. Për shembull Mekanizmi Evropain i Stabilitetit (ESM) mund të lëvrojë fonde deri në një vlerë hipotetike prej 700 miliardë eurosh – mekanizma të tjerë institucionalë mund të parashikohen të veprojnë në të njëjtin drejtim.
Por një mundësi e tillë has në një rezistencë të fuqishme në një vend të shënjuar nga vitet e bllokut borgjez. Vetëm segmenti brenda Partisë Demokratike që pretendon se qeveritë Monti, Letta, Renzi dhe Gentiloni kanë qenë eksperienca pozitive, do të ishte i gatshëm të mbështeste një zgjidhje që do të nënkuptonte vazhdimin dhe shtrirjen në kohë të dinamikave politike të dekadës së fundit. Për të njëjtën arsye, M5S dhe Lega – të cilat e ngritën bazën e tyre elektorale duke kundërshtuar politikat që i përgjigjeshin “kërkesave” evropiane – janë totalisht kundër një hapi të tillë. Dhe çka është më e rëndësishme, për një pjesë të gjerë të klasave popullore dhe të mesme, një plan për ndryshime makroekonomike dhe ndryshime institucionale të diktuara nga institucionet evropiane do të përjetohej si vazhdimi i një makthi që menduan se sapo kish marrë fund.
Zgjidhja e parë ka fare pak gjasa të ndodhë dhe e dyta refuzohet gjerësisht. Kjo solli gjysmë-konsensusin mbi mundësinë e tretë: rritje e borxhit publik e financuar nga Banka Qendrore Evropiane duke printuar para. Kjo zgjidhje ka disa përparësi të dukshme – duke marrë parasysh mundësitë e pakufizuara të financimit me norma të ulëta interesi – por edhe disa pengesa. Çuditërisht askush në Itali, që nga ekstremi i djathtë e deri te rudimentet e të majtës radikale, nuk i ka përmendur këto pengesa. Por ato janë reale.
Pengesa e parë është fakti se ECB mund të blejë sigurimet e borxhit publik vetëm në tregjet dytësore. Është e vërtetë se nga perspektiva e ndarjes së normave të interesit vjetor të bonove mes Italisë dhe Gjermanisë (që ndikon normat e interesit), kjo ndërhyrje është njësoj me blerjen e sigurimeve në momentin e nxjerrjes në treg. Por problemet e likuiditetit të ECB rikuperohen nga agjentët privatë – që nënkupton kryesisht bankat dhe fondet e investimit – që i zotërojnë këto sigurime. Ato do të ishin ndër përfitueset e mëdha të një operacioni të tillë, por nuk janë kurrsesi të detyruara të përdorin të gjithë likuiditetin e ri për të blerë sigurimet e reja. Përkundrazi, eksperienca dëshmon se një pjesë e likuiditetit të krijuar nga ECB do të përdoret për investime në aksione. Këto kanë riskun e mbajtjes lart artificialisht të çmimeve të aksioneve që kanë pësuar goditje nga rënia globale e aktivitetit – duke nxitur rritjen e flluskave të spekulimit dhe rritur riskun e krizave të ardhshme financiare.
Pengesa e dytë e financimit direkt nga ECB ka të bëjë me Italinë. Unë kam sugjeruar se një kredi që ndiqet nga kushtëzime, si ajo nga ESM, do të haste në një rezistencë të gjerë – dhe të kuptueshme – të shoqërisë italiane dhe arenës së saj politike. Por edhe një borxh publik në duart e ECB do të provokonte një reagim fort të ngjashëm.
Sigurisht që mund të shpresonim se ECB do ta kufizonte veten në një rol institucional dhe nuk do ta përdorte kurrë pushtetin politik të stërmadh që i jep roli prej kreditori kryesor i shtetit italian. Por edhe në këtë rast eksperienca dëshmon të kundërtën. Italianët nuk do ta kenë harruar faktin se letra e sipërpërmendur Trichet-Draghi, që i hapi rrugën bllokut borgjez, nuk ishte nënshkruar nga Komisioni Evropian apo nga kryeministra të Evropës Qendrore, por nga dy drejtorët e ECB. Nëse borxhi publik italian financohet nga printimi i parave nga ECB, kjo nënkupton se në të ardhmen do të jetë e pamundur për cilëndo qeveri italiane të devijojë nga rruga që ECB do të këmbëngulë se duhet ndjekur medoemos – nën kërcënimin e mbylljes së rubinetit të parave dhe shpërthimit të normave të interesit.
Ky kushtëzim është i nënkuptuar dhe më i lehtë për t’u pranuar politikisht sesa një listë me kushtëzime eksplicite. Por pikërisht sepse është i nënkuptuar, i shmanget çfarëdolloj kontrolli demokratik apo procesi negociatash. Edhe pse më e lehtë për t’u kapërcyer politikisht dhe më e gatshme, në një shikim më nga afër zgjidhja e propozuar nga financimi i ECB imponon të njëjtat kushtëzime si kreditë e lëshuara nga vende të tjera të Evropës përmes ESM apo nga institucione të tjera të BE. Gjërat sigurisht do të ndryshonin sikur në vend se ECB të kishte pavarësi të plotë, ajo do t’i nënshtrohej kontrollit politik të një qeverie evropiane. Por këtu (dhe mbase edhe më shumë nëse flasim për përbashkimin e borxhit) jemi duke folur për fantashkencë më shumë sesa realitet.
Italexit?
Meqenëse zgjidhjet e ofruara nga BE për problemin e financimit të borxhit hasin në kaq shumë pakënaqësi, mundësia e radhës që ia vlen të diskutohet është ajo që Italia mund të dalë nga monedha euro dhe të rikthejë sovranitetin e vet monetar. Deri më tani të paktën, asnjë forcë politike në Itali nuk ka punuar seriozisht në këtë drejtim.
Lega ka zakonin që ta ringjallë këtë mundësi sa herë që afrojnë zgjedhjet, para se të lëshohet drejt pozicioneve krejt të kundërta sapo vjen në qeveri. Pas qeverisë Lega-M5S që u formua në 2018, Salvini – i cili më parë kishte bërë fushatë për Italexit – përsëriti vazhdimisht se kishte “ndryshuar mendje” mbi euron. Në reagimin e këtyre ditëve ndaj krizës, ai e ka bërë të qartë se është i gatshëm t’i bashkohet një qeverie të mundshme uniteti kombëtar të drejtuar nga… Mario Draghi. Në disa raste, Lega ka qejf të evokojë një rikthim te sovraniteti monetar, duke premtuar një shkurtim të përgjithshëm taksash dhe rikthim te rritja ekonomike. Kjo i korrespondon ëndrrës që mban në zemër një pjesë e mirë e bazës elektorale të Lega-s: rikthimi te premtimi se konkurrenca e lirë dhe e pakufizuar do të sjellë pasurimin individual.
Por në bllokun shoqëror që përfaqësohet nga Lega, një vend absolutisht qendror e zënë bizneset e vogla dhe të mesme të Italisë Veriore. E integruar gjerësisht në hapësirën ekonomike gjermane, kjo pjesë e bazës së Lega-s kundërshton çfarëdo mundësi ndarjeje, nga frika e pasojave në tregti. Sa për M5S, edhe ajo në të shkuarën ka mbështetur daljen nga euroja, por tani – njësoj si Lega – po përpiqet “ta ndryshojë BE nga brenda.” Ky është një objektiv të cilit i bashkohet edhe forca më pro-evropiane, Demokratët – një konvergjencë kjo e cila i ul gjasat për një shkëputje të qëllimshme të Italisë nga Eurozona.
Këtu duhet shtuar se një dalje në pikun e recesionit do të sillte pasoja shumë të rënda ekonomike. Nëse Italia do të rikthente sovranitetin monetar, monetizimi masiv i borxhit publik i nevojshëm për përballimin e krizës do të nënkuptonte një zhvlerësim të madh të monedhës së re. Rreziku i një zhvlerësimi të tillë do të ndërthurej me normat e interesit, duke krijuar kështu një rreth vicioz mes rritjes së normave, nevojës për monetizim të mëtejshëm të borxhit, dhe zhvlerësimit të mëtejshëm – një rreth i cili mund të prishej vetëm përmes ristrukturimit të borxhit. Po asnjë forcë politike nuk guxon të ngulë këmbë te rëndësia e një ristrukturimi të tillë – dhe te shtetëzimi i sektorit bankar që do ta shoqëronte.
Besimi i investitorëve te qëndrueshmëria e borxhit italian dhe mundësia e menaxhimit të daljes nga euroja në mënyrë të kontrolluar do të ishte më i lehtë në një periudhë rritjeje ekonomike. Por këtu hyn në lojë ajo që ne e quajmë paradoksi i euros. Kur ekonomia është në rritje, dalja do të ishte më e thjeshtë, por askush nuk do ta mendonte një gjë të tillë; kur ekonomia është në rënie, efektet e dobishme të një sovraniteti monetar bëhen gjithmonë e më të qarta, por dalja bëhet përherë e më komplekse.
Prandaj asnjëri prej skenarëve të imagjinueshëm nuk duket se përfaqëson zgjidhje realiste dhe të mundshme për Italinë. Disa propozime hipotetike, si përbashkimi i borxhit publik apo mbivendosja e kontrollit demokratik mbi ECB, do të kërkonin reforma institucionale që duken shumë larg në horizont.
Financimi përmes kredisë evropiane do të ngjallë së shpejti reagime politike të ashpra dhe armiqësore – reagime të cilat do të manifestohen hapur në terma afatgjatë kur ECB të vendosë të ushtrojë pushtetin politik që po akumulon duke financuar borxhin përmes printimit të parave. Në këtë rast, nuk ka arsye përse të mos parashikohet përhapja edhe më e gjerë e zhgënjimit me Bashkimin Evropian në një periudhë të afërt në Itali.
Në këtë nyjëzim të ndërlikuar, detyra e të Majtës është rikthimi i debatit mbi reformat strukturore që shënjuan Italinë në dekadat e fundit – arsyeja më e thellë e vështirësive të tanishme. Ky është drejtimi në të cilin duhet orientuar konflikti në rritje me Bashkimin Evropian, pikërisht duke nënvizuar rolin që integrimi evropian ka luajtur në tranzicionin e kapitalizmit italian drejt modelit neoliberal. Ky pozicion do ta drejtonte pashmangshmërisht të Majtën drejt mbrojtjes së idesë së rikthimit të sovranitetit monetar – një hap i cili do të merrte një domethënie të posaçme në rrugën drejt një programi më të përgjithshëm ndarjeje nga neoliberalizmi.
Një program i tillë do ta distanconte në mënyrë të dallueshme nga e djathta nacionaliste, e cila kërcënon të bëhet përfituesja më e madhe e periudhës që po afron. E djathta nacionaliste do ta paraqesë (dhe po e bën tashmë) kontrollin e printimit të parave si instrumentin që do të na bëjë të mundur daljen nga kriza, duke vazhduar të shkurtojë taksat mbi kapitalin dhe ngushtuar funksionin rishpërndarës të sistemit të taksimit, ndërkohë që ruan fleksibilitetin e tregut të punës. Për të Majtën, sovraniteti monetar duhet t’i shërbejë objektivave qartësisht të kundërt. Nuk mund të ekzistojë asnjë dyshim, asnjë simpati e aq më pak ndonjë front i përbashkët me të djathtën nacionaliste, që sot po zëvendëson bllokun borgjez si baza politike e neoliberalizmit. E megjithatë, sot një e Majtë e tillë nuk është ende pjesë e skenës politike italiane. Ne veçse mund të shpresojmë në një rikthim të beftë të saj.
E përktheu Redi Muçi
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Yahoo Finance