/Loren Balhorn/
Origjina e fjalës “Antifa” – shkurtim për konceptin aktivizëm rruge militant dhe i decentralizuar, që shoqërohet me estetikën dhe nënkulturën e vet – mund të jetë e mjegullt për shumicën e lexuesve. Edhe në Gjermani pak njerëz kanë njohuri për format popullore të rezistencës antifashiste që i dhanë jetë termit.
Trashëgimia politike e shkurtër, por frymëzuese e lëvizjes qe mjaft e parehatshme për dy shtetet gjermane të epokës së Luftës së Ftohtë, si dhe u injorua në shkolla dhe historinë e zakonshme. Sot trashëgimia e saj është pothuajse plotësisht e humbur për të majtën.
Nga rrënojat
Në vitin 1945 Rajhu i Tretë i Hitlerit ishte shkatërruar fizikisht dhe i rraskapitur politikisht. Shoqëria civile bazike reshti së funksionuari në shumë fusha, pasi dështoi kontrolli nazist i pushtetit dhe mbështetësit e regjimit, veçanërisht në klasat e mesme dhe të larta, e kuptuan se “fitorja përfundimtare” e Hitlerit ishte një fantazi.
Nga radhët e së majtës, shumë komunistë dhe social-demokratë ose ishin vrarë nga nazistët, ose vdiqën në luftën pasuese. Shkatërrimi i paimagjinueshëm njerëzor dhe material që solli sundimi nazist vrau miliona njerëz dhe e ktheu shoqërinë gjermane kokëposhtë, duke shkatërruar lëvizjen punëtore dhe vrarë pjesën më të madhe të popullsisë hebreje në vend. Miliona vetë që e kishin përkrahur ose të paktën pranuar në heshtje regjimin – duke përfshirë shumë punëtorë dhe madje disa ish-socialistë – tashmë u përballën me një fillim të ri në terrenin e panjohur politik.
Megjithatë, përkundër dështimit të saj për të ndaluar Hitlerin më 1933 dhe faktin që u çmontua në vitet e mëvonshme, lëvizja socialiste e punëtorëve në Gjermani dhe traditat e saj progresive i mbijetuan Hitlerit në fabrikat e qyteteve industriale dhe filluan të mblidhen pak e nga pak sapo u mundësua veprimtaria e hapur politike. Siç e përshkruan historiani Gareth Dale:
“Nga të gjithë sektorët e popullsisë, ishin punëtorët industrialë në qytetet kryesore ata që treguan imunitetin më të madh ndaj nazizmit. Shumë sindikalistë dhe socialistë ishin në gjendje të ruanin traditat dhe bindjet e tyre, të paktën në një farë forme, gjatë epokës naziste. Një pakicë e guximshme, duke përfshirë rreth 150,000 komunistë, mori pjesë në rezistencën e paligjshme. Shtresa më të gjera e shmangën rrezikun, por qenë në gjendje të mbanin të gjalla vlerat e lëvizjes punëtore dhe kujtimet midis grupeve të miqve, në vendet e punës dhe në vendbanime.”
Këto grupe, shpeshherë, të nisura nga vendbanimet e lartpërmendura, përgjithësisht quheshin “Antifaschistische Ausschüsse”, “Antifaschistische Kommittees” ose i famshmi “Antifaschistische Aktion” – “Antifa” për shkurt. Ata përdorën parullat dhe orientimin e strategjisë së frontit të bashkuar të paraluftës, duke përvetësuar fjalën “Antifa” nga një përpjekje e minutës së fundit për të vendosur një aleancë ndërpartiake midis punëtorëve komunistë dhe socialdemokratë më 1932. Logoja ikonike e aleancës, e sajuar nga anëtarët e Shoqatës së Artistëve Vizualë Revolucionarë Max Keilson dhe Max Gebhard, është bërë që atëherë një prej simboleve më të njohura të së majtës.
Pas luftës, Antifa-t ndryshuan në madhësi dhe përbërje në të gjithë ish-Rajhun, tanimë të ndarë në katër zona të pushtimit. Ata u zhvilluan në ndërveprim me fuqitë pushtuese lokale. Duke u shfaqur menjëherë në dhjetëra qytete, shumica u formuan menjëherë pasi arritën forcat aleate, ndërsa disa të tjerë si grupi në Wuppertal “çliruan” veten në beteja rrugore me besnikët e Hitlerit përpara mbërritjes së Aleatëve.
Këto qarqe nuk qenë raste spontane solidarizimi midis të mbijetuarve të traumatizuar nga lufta, por produkt i veteranëve të Partisë Social-Demokrate (SPD) dhe Partisë Komuniste (KPD) që riaktivizuan rrjetet e paraluftës. Albrecht Lein-i raporton se bërthama e Antifa-s së Braunschweig-ut ishte përbërë nga anëtarë të KPD dhe SPD në të dyzetat e të pesëdhjetat e tyre që kishin shmangur frontin, ndonëse në të ishin të përfshira edhe organizatat e punëtorëve katolikë dhe forca të tjera.
Grupet Antifa numëronin midis qindra dhe mijëra anëtarësh aktivë në shumicën e qyteteve, ndërsa mospërfshirja e qortueshme e të rinjve mund t’i atribuohet dymbëdhjetë viteve të edukimit dhe shoqërizimit nazist, i cili e asgjësoi pozicionin proletaro-socialist, dikur të përhapur midis shumicës së rinisë gjermane. Megjithëse nevojat materiale të luftës dhe rindërtimit i përfshinë gratë në jetën ekonomike në mënyra të reja, mbizotërimi mashkullor karakteristik për shoqërinë gjermane në atë kohë u reflektua edhe në lëvizjen Antifa, e cila përbëhej kryesisht, por jo plotësisht, nga burrat.
Antifa-t kombinuan gjuetinë e kriminelëve nazistë dhe partizanëve nazistë në ilegalitet (të ashtuquajturit “njerëz-ujq”) me adresimin e problemeve konkrete të popullsisë së përgjithshme. Antifa-ja e Braunschweig-ut, për shembull, shtypi një program dymbëdhjetë pikësh, duke kërkuar, ndër të tjera, heqjen e nazistëve nga të gjitha organet administrative dhe zëvendësimin e tyre të menjëhershëm me “antifashistë kompetentë”, likuidimin e pasurive të nazistëve për të plotësuar nevojat e viktimave të luftës, ligje të jashtëzakonshme për të ndjekur penalisht fashistët lokalë dhe rivendosjen e shërbimit publik të kujdesit shëndetësor. Tipike për një organizatë të udhëhequr nga socialistë dhe kësisoj të vetëdijshëm për nevojën e medias së shkruar si një medium organizativ, pika e dymbëdhjetë dhe e fundit e programit qëndronte haptazi për një “Gazetë të përditshme”.
Megjithëse të dhënat e mbijetuara dëshmojnë se shumë Antifa mbizotëroheshin nga KPD, gjendja shpirtërore në muajt e parë ishte larg aventurizmit të “Periudhës së Tretë” së periudhës së vonë të Vajmarit. Pa përjashtim, Antifa-t vendas ishin të motivuar nga një dëshirë për të mësuar nga gabimet e vitit 1933 dhe për të ndërtuar një lëvizje të punëtorëve josektare që të bëhej urë lidhëse brenda të majtës. Kjo u nxit nga një ndjenjë e përhapur gjerësisht gjatë fundit të luftës se tmerret e nazizmit kishin qenë rezultat i paqëndrueshmërisë dhe pabarazisë së kapitalizmit dhe se një sistem ekonomik i ri e barazimtar qe i nevojshëm për rendin e pasluftës.
Kërkesat për shtetëzimin e industrisë dhe politikat e tjera të majta ishin të përhapura. Edhe martesa e detyruar midis KPD dhe SPD në Partinë e Unitetit Socialist (SED) në zonën sovjetike u bazua mbi këtë ndjenjë dhe në vitin e parë rekrutoi shumë ish-opozitarë. Në Hamburgun e pushtuar nga britanikët, një komitet i përbashkët veprimi KPD-SPD u mblodh në korrik 1945, me mbështetje të plotë nga anëtarësia e tyre përkatëse, për të deklaruar:
“Vullneti për t’u bashkuar në një parti të fuqishme politike jeton në zemrat e miliona mbështetësve të partive, dikur armiqësore, të punëtorëve gjermanë si rezultati më domethënës i vuajtjes së tyre të përbashkët. Kjo dëshirë është e gdhendur fort te të gjithë të burgosurit e mbijetuar nga kampet e përqendrimit, burgjet dhe institucionet e Gestapos.”
Pjesa tjetër e dokumentit përbëhej nga kërkesa praktike mbi të cilat do të bashkohej lëvizja e fragmentuar e punëtorëve e Hamburgut.
Antifa-t gëzuan shkallë të ndryshme suksesi, në varësi të përbërjes së lëvizjes lokale dhe lirisë së veprimit të lejuar nga fuqitë pushtuese. Me gjithë formimin jashtë administrimit të Aleatëve dhe nxitjen e politikave popullore të denazifikimit, përkundër forcave pushtuese që kërkuan pajtimin me autoritetet e vjetra, ata nuk qenë në gjendje ta kundërshtonin hegjemoninë aleate dhe, në rastin më të mirë, përfaqësonin pakica militante.
Për shembull, qyteti industrial jug-perëndimor i Shtutgartit ishte mjaftueshëm me fat që u përfshi në negocimin e territoreve midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës, e cila e pushtoi qytetin si masë parandaluese. Të prirë për të shmangur trazirat civile që do t’u jepnin amerikanëve një pretekst për ta rimarrë qytetin, autoritetet franceze u lejuan antifashistëve të Shtutgartit liri veprimi për çmontimin e Frontit të Punës Gjermane të epokës naziste (DAF), rindërtimin e organizatës në nivel punishtesh në fabrika dhe organizimin e popullsisë në aleanca antifashiste ndërpartiake.
Shtutgarti shquhet gjithashtu për praninë e Partisë Komuniste (Opozitës), ose KPO. Ky grup, rreth ish-drejtuesve të KPD August Thalheimer dhe Heinrich Brandler, kishte rekrutuar një numër të madh aktivistësh në fabrika dhe funksionarësh të nivelit të mesëm të KPD së qytetit, duke ndjekur kthesën ultra të majtë të kësaj partie më 1929. Përkrahja e zëshme e KPO për një front antinazist të të gjitha organizatave punëtore në periudhën përgatitore deri në vitin 1933 i mundësoi asaj të konsolidojë një bazë të vogël, por të konsiderueshme kuadrosh komunistë të neveritur nga stalinizimi i partisë së tyre.
Megjithëse kurrë nuk qe një organizatë masive dhe vetëm një hije e vetes pas luftës, ajo që mbeti nga KPO kishte një ndikim vendimtar mbi sindikatën e punëtorëve metalurgjikë të Shtutgartit për disa vjet dhe ishte e aftë të luante një rol në fabrika. Këta dhe të tjerë aktivistë i siguruan qytetit një bërthamë militantësh të zotë që kuptuan përmes përvojës nevojën për të bashkuar punëtorët rreth kërkesave themelore shoqërore në baza ndërpartiake.
Si kudo tjetër në Gjermani, lëvizja Antifa e Shtutgartit u neutralizua shpejt dhe devijoi sërish në përçarjet e vjetra midis SPD dhe KPD, por tradita rebele e qytetit dhe prirja për unitetit në veprim do të rindizeshin më 1948, kur zemërimi i përhapur për rritjen drastike të çmimeve shkaktoi grevë të përgjithshme në mbarë qytetin, ku u përfshi 79 % e forcës punëtore dhe u përhap në disa zona të tjera.
E mbipërcaktuar
Lëvizja Antifa u përball me një situatë pothuajse të pamundur në vitin 1945. Vendi ndodhej në gërmadha në çdo kuptim të imagjinueshëm dhe kishte kaluar një fazë shkatërrimi, brutaliteti dhe vrasjeje të papërmbajtur në një shkallë të padëgjuar më parë.
Gjendja e vështirë e Antifa-s ishte përgjithësisht “e mbipërcaktuar”, në kuptimin që forca historike përtej kontrollit të tyre do të vulosnin përfundimisht fatin e tyre. Këta socialistë dhe antifashistë, megjithëse numëroheshin në dhjetëra mijëra në të gjithë vendin, nuk mund të pritej se do të siguronin një alternativë politike të besueshme ndaj fuqisë dërrmuese të Luftës së Ftohtë.
Gjermania në vitin 1945 ishte vendosur të bëhej fushëbeteja e përballjes gjeopolitike më të gjatë në historinë moderne dhe nuk kishte asnjë mënyrë që fragmentet e një lëvizjeje socialiste të copëtuar të mund të ndikonin në këto zhvillime në çfarëdo mënyre kuptimplote. Sidoqoftë, deklaratat dhe dokumentet nga koha zbulojnë mijëra antifashistë dhe socialistë të palëkundur, të vetëdijshëm plotësisht për natyrën e paprecedent të momentit të tyre historik, që parashtruan një perspektivë politike për atë që kishte mbetur nga klasa punëtore e vendit.
Ndonëse, për fat të keq, numri i tyre ishte relativisht pak, duke pasur parasysh lavdinë e mëparshme të lëvizjes, ekzistenca e tyre hedh poshtë idenë se e majta gjermane e paraluftës u shkatërrua plotësisht nga nazizmi. Hitleri sigurisht që i theu shpinën socializmit gjerman, por begatia e Gjermanisë Perëndimore të pasluftës, e shoqëruar me paranojën antikomuniste, do të varroste përfundimisht atë që mbeti nga traditat radikale të paraluftës.
Albrecht Lein-i rrëfen se si kushtet tepër të vështira me të cilat u përball Antifa e kufizuan pashmangshmërisht perspektivën e tyre politike. Megjithëse tërhoqën me mijëra socialistë dhe shpejt u përforcuan nga komunistët e të burgosurit e tjerë politikë të kthyer nga kampet e përqendrimit, duke u bërë për pak kohë forca politike mbizotëruese në qytete si Braunschweig-u, ata nuk ishin në gjendje të ofronin një shteg politik jashtë mjerimit shoqëror të vendit.
Lein-i argumenton se dështimi i lëvizjes punëtore për të mposhtur Hitlerin dhe fakti që Gjermania kishte kërkuar çlirimin nga jashtë i shtynë antifashistët drejt një politikë kryesisht reaktive, duke përndjekur fuqishëm ish-zyrtarët nazistë dhe spastruar shoqërinë nga kolaboracionistët, por duke lënë pas dore ndërtimin e një vizioni bindës për një “Gjermani të re”përtej fashizmit dhe makinacioneve të Luftës së Ftohtë.
Pasi komunistët shpërndanë Komitetin Kombëtar për Gjermaninë e Lirë (NKFD) në javët pas luftës, grupe të fshehta të rezistencës naziste filluan ta quanin veten “Lëvizja për Gjermaninë e Lirë”. Lein-i argumenton se kjo rrethanë ishte simbolika e trajektores së përgjithshme politike në atë kohë:
“Përveç përjashtimeve të dukshme të Lajpcigut, Berlinit dhe Mynihut, lëvizjet antifashiste e përshkruanin veten si organizata luftarake kundër fashizmit dhe jo si Komitete për Gjermaninë e Lirë. Duke ua lënë kësisoj nazistëve dhe reaksionarëve detyrën e bashkimit të forcave shoqërore për të “çliruar” dhe, si rrjedhim, përtërirë Gjermaninë.“
Dështimi i gjermanëve për t’u angazhuar në rezistencën popullore ndaj Hitlerit edhe në gjysmën e dytë të luftës afërmendsh që e demoralizoi të majtën dhe tronditi besimin e saj në aftësitë e masave – cilësi që historiani Martin Sabrow do t’ia mvishte edhe kastës së funksionarëve komunistë që vepronin nën tutelën sovjetike në Lindje.
Në zonat franceze, britanike dhe amerikane, Antifa-t filluan të zmbrapsen nga fundi i verës së vitit 1945, të margjinalizuar nga ndalimet e Aleatëve për organizimin politik dhe nga rishfaqjet e përçarjeve brenda vetë lëvizjes. Udhëheqja social-demokrate nën Kurt Schumacher-in anoi nga okupatorët perëndimorë dhe në fund të vitit e ktheu partinë në vijën e saj antikomuniste të paraluftës, duke dekretuar se anëtarësia e SPD[1] nuk pajtohej me pjesëmarrjen në lëvizjen Antifa.
Në Shtutgart, prej fillimit Antifa dhe ajo çfarë mbeti nga burokracia e vjetër sindikale luftuan njëra-tjetrën për ndikim politik. Udhëheqja e vjetër e ADGB, federata qendrore sindikale e Gjermanisë para luftës, kërkoi të rivendoste marrëdhëniet e zyrtarizuara të punës në zonat e pushtuara, që të paktën nënkuptonte një kthim në normalitet për klasën punëtore të Gjermanisë. Sidoqoftë kjo ishte në kundërshtim me qasjen e Antifa-s, e cila kultivoi lidhje të forta me përfaqësuesit majtistë të punëtorëve dhe komitetet e tyre në fabrika, të cilët zakonisht bënin thirrje për shtetëzim dhe kontroll të industrisë nga punëtorët. Këto kërkesa, në fund të fundit, nuk ishin realiste në një ekonomi të shpartalluar e të pushtuar nga ushtri të fuqishme të huaja.
Perspektiva e stabilitetit dhe një shkallë e rimëkëmbjes ekonomike nën SPD thjesht rezultoi të qe më tërheqëse për punëtorët të detyruar të zgjidhnin midis kësaj apo luftës parimore, por të mundimshme të përfaqësuar nga Antifa-t.
Antifa-t u penguan nga vendimi i Aleatëve, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, për të bashkëpunuar me atë që mbeti nga regjimi nazist nën nivelet e tij më të larta ekzekutive. Antifa-t që kërkuan të burgosin udhëheqësit lokalë nazistë ose të spastronin burokracitë komunale shpesh u ndaluan nga autoritetet pushtuese, të cilat preferuan të integronin funksionarë të shtetit të vjetër në institucione të reja, gjoja demokratike.
Kjo e fundit nuk kishte të bënte edhe aq me ndonjë afërsi të veçantë midis Aleatëve dhe funksionarëve të ish-fashizmit, por më tepër u shërbente interesave praktike të mbajtjes së shoqërisë gjermane në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa lejuar rritjen e ndikimit të së majtës radikale. Inferiorë në numra dhe armatime në raport me fuqitë pushtuese si dhe të nxjerrë jashtë loje nga SPD, ndikimi i Antifa-s në zonat e pushtuara perëndimore do të avullonte në më pak së një vit. Shoqëria gjermano-perëndimore u stabilizua, Lufta e Ftohtë polarizoi kontinentin dhe forcat politike të Gjermanisë së vjetër në aleancë me socialdemokracinë dhe Bllokun Perëndimor në zhvillim e konsoliduan kapjen e vendit.
KPD, nga ana e saj, fillimisht u mbajt nga vala e anëtarëve të rinj, pasi prestigji i saj u ngrit nën dritën e fitores sovjetike ndaj Hitlerit dhe ndjenjës së përhapur antikapitaliste. Partia i rindërtoi shpejt bazat e saj industriale dhe deri në vitin 1946 në rajonin e industrializuar rëndë të Ruhrit kontrollonte po aq komitete të punishteve në fabrika sa SPD. Në studimin e tij klasik të lëvizjes punëtore gjermane, Die deutsche Arbeiterbewegung, studiuesi gjerman Arno Klönne e llogarit anëtarësinë e saj të plotë në tre zonat perëndimore të pushtimit në treqind mijë në vitin 1947 dhe gjashtëqind mijë në Lindje para themelimit të SED[2] më 1946.
Sidoqoftë, pas një periudhe të shkurtër pjesëmarrjeje në qeveritë e përkohshme të pasluftës, Aleatët e mënjanuan KPD dhe partia shpejt u kthye në linjën e saj ultramajtiste. Ajo vulosi irelevancën e saj politike në vitin 1951 me kalimin e “Thesis 37”, “Tezës 37”, një platformë mbi strategjinë e punës e mbushur me sharje antisocialdemokrate dhe antisindikale. Mocioni, i miratuar në konferencën e partisë, i detyronte të gjithë anëtarët e KPD që t’u bindeshin vendimeve të partisë, edhe kundër direktivave sindikale nëse do të qe e nevojshme. Kjo lëvizje e shkatërroi brenda ditës mbështetjen ndaj komunistëve në fabrika dhe e degdisi partinë në skajet e shoqërisë. Ajo nuk arriti të hynte përsëri në parlament në zgjedhjet e 1953 dhe u ndalua ligjërisht nga qeveria e Gjermanisë Perëndimore më 1956.
Zhvillimet ishin dukshëm të ndryshme në zonën sovjetike, por përfundimisht çuan në një rrugë qorre edhe më të zymtë: atë të Republikës Demokratike Gjermane (GDR) tërësisht të stalinizuar nën udhëheqjen e SED të Walter Ulbricht-it. Një kuadër komunist i shkollës së vjetër nga vitet e para të partisë, Ulbricht-i u kishte mbijetuar njëzet viteve të spastrimeve staliniste dhe shtypjes fashiste për të udhëhequr “Grupin Ulbricht”, një skuadër me funksionarë të mërguar të KPD që tani ishin kthyer nga Moska për të rindërtuar vendin nën pushtimin sovjetik.
Megjithëse gjeneralët e Ushtrisë së Kuqe me gjasë nuk kishin ndër mend një vizion veçanërisht demokratik ose barazimtar për Gjermaninë Lindore, ata e kundërshtuan bashkëpunimin me hierarkinë e vjetër naziste për arsyet e tyre dhe për një farë kohe lejuan që Antifa-t dhe institucionet përkatëse të vepronin relativisht lirishit. Dëshmohet se që nga viti 1947 në qendrat industriale të paraluftës së Gjermanisë Lindore si Hale (bastion tradicional komunist) këshillat e punëtorëve të udhëhequra nga KPD ushtruan një ndikim vendimtar mbi jetën e fabrikës, me vetëbesim të mjaftueshëm për të hyrë në negociata dhe debatuar me autoritetet sovjetike në disa raste.
Aktivisti veteran i KPO Theodor Bergmann tregon për Heinrich Adam-in, anëtar të KPO para luftës dhe mekanik në fabrikën e optikës “Zeiss” në Jena, i cili u bashkua me SED me shpresën për të realizuar unitetin socialist. Heinrich-u ishte një Antifa dhe sindikalist aktiv, i cili organizoi protesta kundër vendimit të sovjetikëve për të marrë fabrikën e “Zeiss”-it si dëmshpërblim lufte (ai sugjeroi në vend të kësaj ndërtimin e një fabrike të re në Rusi). Adam-i u zbua nga partia për pikëpamjet e tij të pavarura më 1952, megjithëse nuk u persekutua kurrë dhe jetoi në Jena me një pension shtetëror modest për veteranët antifashistë.
Në Dresden, një grup prej afro tetëdhjetë komunistësh, socialdemokratësh dhe anëtarësh të krahut të majtë të social-demokratëve të Partisë së Punëtorëve Socialistë Demokratike Socialiste (SAP) formuan në maj 1945 një komitet për t’ia dorëzuar qytetin Ushtrisë së Kuqe, duke përmendur transmetimet nga NKFD si frymëzim. Në bashkëpunim me autoritetet sovjetike, ky grup, më pas, bastisi dyqanet e ushqimit dhe armëve të Frontit Gjerman të Punës dhe institucioneve të tjera naziste dhe organizoi një sistem shpërndarjeje për popullsinë e qytetit në javët e para të pasluftës.
Raportet nga zyrtarët sovjetikë dhe Grupi Ulbricht përshkruajnë grupe rivale antifashiste, përgjithësisht të toleruara nga pushtimi, të cilat, përtej armatimit të banorëve dhe organizimit të praktikës së qitjes, arrestuan nazistët vendas dhe hapën kuzhina me supë për refugjatët nga provincat lindore. Komunikimet e brendshme zbulojnë se komunistët i nënvlerësonin Antifa-t, të nënçmuar nga Ulbricht-i si “sekte antifashiste” në një komunikatë për Georgi Dimitrov-in në mesin e 1945.
Qëllimi fillestar i Grupit Ulbricht ishte përfshirja e sa më shumë prej këtyre antifashistëve në KPD dhe kishte frikë se shtypja do t’i stepte në vend se t’i tërhiqte. Ish-anëtari i Grupit Ulbricht, Wolfgang Leonhard do të pohonte më vonë në kujtimet e tij “Fëmija i revolucionit” se Ulbricht-i u shpjegonte shokëve të tjerë funksionarë komunistë: “Është mjaft e qartë. Duhet të duket demokratike, por gjithçka duhet ta kemi në kontrollin tonë!”
Kjo periudhë mbaroi pasi Republika Demokratike Gjermane filloi të kushtetohej si një shtet njëpartiak i stilit sovjetik në fund të viteve 1940, veçanërisht pas zgjedhjeve relativisht të lira në 1946 që sollën rezultate zhgënjyese. Ish-anëtarët e KPO dhe opozitarët e tjerë që u lejuan të bashkohen pas luftës u hetuan për krime të kaluara politike, u spastruan dhe shpesh u burgosën. Në vendet e punës, SED u përpoq të racionalizojë prodhimin dhe kësisoj të neutralizonte shembujt e kontrollit të fabrikës dhe përfaqësimit demokratik që kishin dalë në pah.
Themelimi i Federatës Sindikale të Lirë Gjermane (FDGB) më 1946 shënoi fillimin e përpjekjes së SED për të vendosur kontrollin e partisë mbi fabrikat. Këto “sindikata” në të vërtetë i organizuan punëtorët e Gjermanisë Lindore në përputhje me interesat e shefave të tyre, shtetin e Gjermanisë Lindore, dhe u përpoqën të blinin besnikërinë e tyre përmes skemave të “konkurrencës socialiste”, punës me normë dhe paketave të pushimeve të sponsorizuara nga sindikatat.
Sidoqoftë, sindikatat “e lira” nuk mund ta përballonin ndalimin e menjëhershëm të praktikës së zgjedhjeve konkurruese. Aktivistët e Antifa-s shpesh zgjidheshin në komitetet në nivel punishtesh të fabrikave në FDGB[3] në vitet e para, duke ushtruar kështu ndikim të vazhdueshëm në vendin e punës edhe për ca kohë. Disa ishin të integruar në menaxhimin e nivelit të mesëm, ndërsa të tjerët nuk pranuan të tradhtonin parimet e tyre dhe u tërhoqën ose u hoqën nga puna për arsye politike.
Ndarja publike midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë së Titos më 1948 përshpejtoi stalinizimin në zonën e pushtimit sovjetik dhe këto hapësira të kufizuara vetorganizimi u mbyllën shpejt e plotësisht. Më pas tradita antifashiste e RDGJ do të dobësohej, shtrembërohej dhe rifarkëtohej në një mit ahistorik të origjinës kombëtare, në të cilin qytetarët e Gjermanisë Lindore u shpallën zyrtarisht “fitimtarët e historisë”, por ku mbeti pak hapësirë për historinë e vërtetë dhe të komplikuar, pa përmendur rolin ambivalent të komunizmit të stalinizuar.
Guxo të ëndërrosh
Pas rënies së tyre në fund të 1945 dhe fillimit të 1946, Antifa-t do të zhdukeshin nga skena politike gjermane për gati katër dekada. Antifa-t moderne, me të cilat shumica e njerëzve e lidhin termin, nuk kanë asnjë lidhje praktike historike me lëvizjen nga e cila merr emrin e saj, por përkundrazi është një produkt i skenës së zaptimit të shtëpive bosh dhe lëvizjes autonome të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1980 – këto të fundit produkt unik i ngjarjeve të 1968, po gjithsesi më pak e orientuar drejt klasës punëtore industriale sesa homologia e saj italiane. Antifa-t e para funksionuan si platforma për t’u organizuar kundër grupeve të ekstremit të djathtë si Partia Demokratike Kombëtare (NPD) në një lëvizje autonome që ende numëron me dhjetëra mijëra anëtarë aktivë dhe të aftë për të zaptuar blloqe të tëra banimi në disa metropole të Gjermanisë Perëndimore.
Ndërsa e djathta ekstreme filloi të rindërtohej fill pas ribashkimit gjerman, çka shprehej në sulme tronditëse turmash kundër azilkërkuesve në disa provinca lindore në fillim të viteve 1990, Antifa gjithnjë e më shumë u bë një lëvizje drejt vetvetes: një rrjet kombëtar i grupeve të dedikuara antifashiste të organizuara në “Antifaschistische Aktion / Bundesweite Organisation” (AA / BO).
Në një farë mënyre, këto grupe ishin e anasjellta e pararendësve të tyre: në vend se të ishin një aleancë e gjerë e socialistëve dhe progresistëve të rrymave të ndryshme, të dallueshme ideologjikisht, ato ishin grupe që merreshin me një çështje, shprehimisht radikale, por të paqarta dhe thellësisht heterogjene në specifikat e tyre. Në vend se të ishin një pikënisje për aktivistët e rinj drejt një të majte më të gjerë socialiste dhe politike, Antifa-të jashtë qyteteve të mëdha janë shpesh e vetmja alternativë politike në qytet dhe funksionojnë si një hapësirë kundërkulturore me stilet e tyre të modës, skenat muzikore dhe zhargonin e vet, pa qenë përbërëse të një lëvizjeje masive të rrënjosur brenda shoqërisë.
Pas ndarjes së AA / BO në 2001, Antifa-t vazhduan të punojnë në nivel lokal dhe rajonal si rrjete të përkushtuara antifashistësh që u kundërvihen demonstratave dhe tubimeve të ekstremit të djathtë, ndonëse shumë syresh ngrenë edhe problematika dhe kauza të tjera të së majtës. Çka mbeten nga hapësirat e zaptuarat dhe infrastruktura e ndërtuar midis viteve 1970 dhe 1990 vazhdojnë të shërbejnë si hapësira të rëndësishme organizimi dhe shoqërizimi për të majtën radikale, dhe “Antifa” si lëvizje, figurë simbolike dhe botëkuptim i përgjithshëm politik pa dyshim që do të vazhdojnë të ekzistojnë për mjaft kohë, por me sa duket kjo përsëritje e antifashizmit e ka shteruar repertorin e saj politik.
Lëvizja është tkurrur vazhdimisht që nga fundi i viteve 1990, e fragmentuar në linja ideologjike dhe e paaftë për t’ia përshtatur strategjitë e saj origjinale autonome ndryshimit të strukturave të urbanizimit dhe ngritjes së populizmit të djathtë. Produktet e saj më premtuese së fundmi – mobilizimi masiv kundër marshimeve neonaziste në qytete si Dresdeni, si dhe formimi i një rryme të re postautonome, në trajtën e të Majtës Ndërhyrëse – shënjojnë një largim nga dhe jo ringjallje të strategjisë klasike Antifa.
Antifashizmi ka qenë në ballë të debateve mbi të majtën amerikane gjatë presidencës së Trump-it dhe shumë nga taktikat dhe stilet vizuale të Antifa-s gjermane mund të shihen duke dalë në qytete si Berkeley e gjetkë. Disa argumentojnë se me ardhjen e lëvizjeve neo-fashiste të stilit evropian në brigjet amerikane, ka ardhur po ashtu koha për të importuar taktikat evropiane të Antifa-s si kundërpërgjigje.
Megjithatë, Antifa e sotme nuk është produkt i një fitoreje politike nga e cila ne mund të marrim forcë, por i humbjes – humbjes së socializmit nga nazizmi dhe kapitalizmi i rigjallëruar global, dhe më vonë shterja e lëvizjes autonome në fillimin e kthesës neoliberale dhe xhentrifikimit të fortë të shumë qyteteve gjermane.
Megjithëse Antifa-t vazhdojnë të funksionojnë si shtylla të rëndësishme tërheqëse për radikalizimin e rinisë dhe garantojnë që në shumë vende evropiane e djathta të mos tubohet e pakundërshtuar, forma e saj politike është e një natyre ekskluzive, e strukur në stilin e vet estetik dhe retorik dhe e paarritshme për masat e njerëzve të papërvojë që përfshihen në aktivizëm për herë të parë. Një nënkulturë e majtë me hapësirat e veta shoqërore dhe jetën kulturore nuk është e njëjta gjë si një lëvizje masive shoqërore dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes ngatërrimin e tyre.
Sigurisht, edhe përvoja e Antifa-s në vitin 1945 na mëson pak gjëra konkrete se si ta luftojmë të djathtën ekstreme të ripërtërirë në epokën e Trump-it. Kthimi i shikimit në historinë e të majtës socialiste nuk ka të bëjë me distilimin e formulave fitimtare që duhet të riprodhohen në shekullin XXI. Përkundrazi na ndihmon të kuptojmë se si brezat e mëparshëm e kuptuan momentin e tyre historik dhe ndërtuan organizata politike kundërpërgjigjëse – kësisoj zhvillojmë modelin tonë (me shpresë në mënyrë më të suksesshëm).
Antifa-t në Shtutgart, Braunschweig e gjetkë u përballën me gjasa të pamundura, por prapë u përpoqën të artikulonin një serë kërkesash politike dhe një vizion praktik organizativ për punëtorët e radikalizuar të gatshëm për të mbajtur vesh. Antifa-t nuk pranuan të dorëzoheshin përpara gjendjes së tyre në dukje të pashpresë dhe guxuan të ëndërronin gjëra të mëdha. Përballë një të majte edhe më të fragmentuar dhe të dobësuar se në vitin 1945, antifashistëve amerikanë do t’iu duhet të bëjnë të njëjtën gjë.
E përktheu Bora Mema
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: David James
[1] Partia Socialdemokrate Gjermane.
[2] SED-Partia e Bashkimit Socialist e Gjermanisë.
[3] Federata Sindikale e Lirë Gjermane