/Arlind Qori/
Këto ditë po flitet shumë për Mesin, se si ngritja e Kupës së Botës do ta përkryente karrierën e tij dhe do ta bënte futbollistin më të mirë të historisë. Mesi është vërtet futbollist i rrallë, më i miri i kohës kur ka luajtur vetë. Me gjasë e meriton edhe Kupën e Botës. Mirëpo futbolli nuk ka vend për dy zota. I vetmi, brenda e jashtë fushe, mbetet Diego Armando Maradona.
Unë kam pasur fatin ta shoh të luante, ndonëse në televizor bardhë e zi dhe pasi e kishte kaluar apogjeun. Ishte i paarritshëm brenda fushës së lojës. Driblonte, edhe në zgrip të rrëzimit, jepte pasa vendimtarë, shënonte në aksione, me goditje dënimi, me kokë, me dorë e me gjithçka mundej. Goli i tij i parë kundër Anglisë, në pikun e vapës së stadiumit Azteka të Meksikës, është kartolina e përjetshme e futbollit. Asokohe – kur kërciste shkelmi si patëkeq, ku mund t’i thyeje dhëmbët kundërshtarit e të mos merrje të verdhë (shih Toni Shumaherin në ndeshjen me Francën më 1982!) – të bëje magjistarin në fushë ishte më e vështirë se sot. Po ai ia dilte.
Maradona ishte më shumë se lojtar. Ai ishte mishërimi i kohës, popullit dhe tifozëve të tij. Kur i shënonte gol me dorë Shiltonit, hile e papërfytyrueshme për anglezët, ai po hakmerrej simbolikisht për disfatën ushtarake të Argjentinës më 1982 kundër Mbretërisë së Bashkuar në luftën e ishujve Malvinas. Kur i shënonte gol me goditje dënimi Juventusit më 1985, ai po u dilte për zot mijëra punëtorëve napolitanë të përbuzur nga torinezët.
Lojtari më i mirë në botë zgjodhi të luante me një skuadër mesatare të kampionatit italian. Ai e ngriti Napolin në fitoren e dy kampionateve italiane dhe një Kupe Uefa, të parat dhe deri më sot të vetmet suksese të një klubi të Italisë së Jugut. Ai qëndroi te Napoli edhe pasi Berluskoni i ofroi dyfishin e pagës për të kaluar te Milani. Dhe Napoli ia shpërbleu me dashuri të përjetshme. Ai ishte i vetmi lojtar që arriti të vendosë në dilemë tifozët vendas nëse duhej të përkrahnin Italinë apo Argjentinën në gjysmëfinalen e botërorit 1990, të luajtur pikërisht në Napoli.
Maradona ishte i papërmbajtshëm, në të mirë e në të keq. Ai ishte një lloj Dionisi i futbollit, një zot i çmendurisë, verës e haresë. Ai shante, zihej e drogohej. Ishte mbipeshë e i çakërdisur. E prapëseprapë ringrihej për t’u futur në fushë dhe marrë mbi supe Argjentinën e tij. Deri në botërorin e 1994, kur pas golit të shënuar ndaj Greqisë rezultoi sërish me doping.
Çdo 90-minutësh i Maradonës ishte lojë futbolli dhe shfaqje teatrale njëkohësisht. Ndiqni videot e tij dhe do të shihni një pafundësi pozash, gjestesh e ofshamash, lotësh e sikterisjesh, simulimesh e dërrmimesh – të gjitha këto në sytë e një publiku të cilin s’e mbante vendi për asnjë çast. Ai ishte autori dhe personazhi kryesor i një tragjedie që luhej brenda e jashtë fushës dhe që mori fund me vdekjen e tij të parakohshme.
Maradona ishte i pashkollë. E prapëseprapë kishte botëkuptimin e tij politik. E shihte veten si tribun i vegjëlisë, përkrahte lëvizjet radikale të Amerikës Latine dhe, mbi të gjitha, nuk i kursente komentet e veta të angazhuara për asgjë, edhe kur ia fuste kot. Ai nuk kërkonte konsensusin e lehtë, por synonte të vendoste hegjemoninë e ideve që përqafonte.
Maradona nuk ishte as i pari dhe as i fundit pretendent i futbollistit më të mirë të historisë. Po për të vlen çka Borgesi pat shkruar më 1951 në një ese të shkurtër për Kafkën, ku e shihte këtë të fundit si përcaktues të kuptimit të veprave jo vetëm të pasardhësve, por edhe të shumë pararendësve të tij, nga Zenoni te Kirkegardi: “Idiosinkracia e Kafkës është e pranishme në të gjitha këto shkrime (të pararendësve) … po nëse Kafka nuk do të kishte shkruar, ne nuk do të mund ta perceptonim diçka të tillë; pra, ajo nuk do të ekzistonte… Vepra e tij ndryshon konceptimin tonë të së shkuarës, ashtu sikundër do të ndryshojë të ardhmen.” Në këtë kuptim, Maradona nuk ndikoi vetëm lojën e Ronaldos (fenomenit), Zidanit e Mesit, por përcaktoi edhe kuptimin dhe vlerësimin e plotë të dhuntive të Pushkashit, Pelesë dhe Krujfit. Të gjithë të mësipërmit, të lindur përpara apo pas tij, janë, në njëfarë kuptimi, bijtë e tij futbollistikë. Të këtij zoti njerëzor, tepër njerëzor.
Imazhi: Getty
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.