(Fund)amentalizmi kapitalist

/Arlind Qori/

Kur shqiptarit të zakonshëm i ra në vesh togfjalëshi “terapi shoku”, e mori me frymëmarrje lehtësuese ankthin e kapërcimit të panjohur ekonomik. Në fund të fundit, kapitalizmi qenkësh punë “shoqnie” e “terapia e shokut” duhej t’i ngjasonte borxhit mes shokësh te drama “Komunistët”, ku borxhdhënësi i thotë borxhliut: – Paret, kur t’i kesh me thasë, do mi kthesh me grushte. Historia shkoi ndryshe e shqiptari i zakonshëm kuptoi si i papunë, i papronë, i pa-të-ardhme, i pa-atdhe se “shoku” i ri i ngjante “shokut” të sapopërmbysur: të dy pretendonin të përdornin elektroshokun për të ringjallur pacientin, por në të vërtetë përdornin armën neuroparalizuese për të fashitur rezistencën: i pari ndaj monopolit pushtetor, i dyti ndaj plaçkitjes së organizuar.

 

S’ka Zot tjetër veç kapitalit dhe qeveria është e dërguara e tij!

Sa herë themi fundamentalizëm, e para gjë që na vjen ndër mend është feja. Në të vërtetë, fundamentalizmi mund të përkufizohet krejt laikisht për të përfshirë një tërësi bindjesh dogmatike, vetëreferuese, jokritike, gjithëshpjeguese, mesianike etj, që në sferën politiko-ekonomike nuk synojnë afrimin me Zotin nëpërmjet gërmimit për të gjetur rrënjën autentike të besimit, por sundimin e shoqërisë në emër të një teorie të kulluar. Kështu, kapitalizmi përmbledh gërshetimin e një qasjeje ekonomike që mbështetet tek privatizimi thuajse total, shenjtëria e pronës private (pavarësisht origjinës e pasojave të saj), këmbimi tregtar i gjithçkaje me gjithçka, me çdo çmim a sakrificë, zhdukja përshkallëzuese e shërbimeve sociale, himnizimi i pabarazive, kuptimi i lirisë si liri tregu apo zgjedhjeje (megjithëse në kushte shoqërore të pazgjedhura nga ata që u thuhet se tashmë kanë mundësi të zgjedhin), me një qasje politike që e sheh shtetin vetëm si instrument dhune në shërbim të të mësipërmeve. Kështu, tregu apo kapitalizmi fetishizohet duke u shndërruar në Zotin e gjithëfuqishëm e dashamirës që me duart e të dërguarve të vet ngjall të vdekurit nga varri (s’përbën habi termi që përdorin idhtarët e kapitalizmit: ringjallje ekonomike. Kupto: elektroshoku kapitalist ngjall të vdekurën ekonomi).

Në konkretësinë tonë, Zoti-Kapital pret të dërguarit e tij. Garën e të devotshmëve duket sikur e ka fituar qeveria aktuale, jo vetëm pse Berisha ka më shumë vite në fron, por edhe sepse për çdo herë dëshmon devotshmëri më autentike e këmbëngulëse se konkurrentët e djeshëm e të sotëm. Për të mos kujtuar shpronësimin dy-lekësh të shqiptarëve duke i shpronësuar nga e përbashkëta e krijuar nën një regjim tiranik, duke krijuar njëkohësisht bërthamat e pasunarëve të rinj dhe ushtrinë e të papunëve e të mjerëve ciklikë, mjafton të sjellim në vëmendje “shoket” e radhës: (1) atë të rrënimit të arsimit universitar publik nëpërmjet një ligji në prag miratimi, i cili fare hapur do të financojë universitetet private nga buxheti i shtetit, duke mpakur njëkohësisht financimin e universiteteve publike. Shkollimi universitar nga e drejtë universale do të kthehet në luks që shijohet nga ata që përditë janë më të paktë në numër, por gjithsesi më të fryrë në xhepa. (2) atë të “integrimit” të Shqipërisë në tregun global të plehrave, ku kuptohet që roli ynë nuk do të jetë as prodhimi i makinerive përpunuese, as ai i krijimit të industrive që pas përpunimit marrin si lëndë të parë atë çka prodhohet, por thjesht ai i kazanit të madh ku “vlon” gjithçka e mbytet gjithkush. S’duhet harruar se në ndarjen ndërkombëtare të punës ka punë për të gjithë: ne do të zëmë vendin e kancerobartësve. Në fund të fundit, punë është edhe kjo. Do rrojmë më pak, por ama ca lekë nga taksat do t’i marrim e do të ndërtojmë rrugë, qoftë edhe autostradë për në varreza!

S’ju pëlqen? Punë e madhe! E kërkon tregu. Për fundamentalistët nuk është e mira që i paraprin Zotit, çka do ta bënte këtë të fundit të gjykueshëm, por Zoti që i paraprin të mirës. Ajo çka Zoti shpreh me gojën e të dërguarës të vet përbën të vërtetën e kryevlerën. Kështu që çështja nuk shtrohet politikisht nëse duhet apo jo, por meqë është e vetëkuptueshme që duhet, pyetja që duhet shtruar është: si ta ndërtojmë më shpejt? – kuptohet, autostradën për në varreza.

 

Trinia e problemit: mohim-zvogëlim-dëshpërimi

Kur fundamentalizmi kapitalist ndeshet me shkatërrimtarinë e vet, si në rastin e krizës aktuale të kapitalizmit në rrafsh global (gjë që s’ka si ta shmangë Shqipërinë, sa kohë në katundin global vala e lumit i merr të gjithë, pavarësisht nga pozicioni i shtëpisë), përgjigjja ndjek tre etapa. E para dhe më e zakonshmja është mohimi i pasojave të saj. Kjo ndodh sidomos kur shkatërrimtaria nuk ka arritur pikën e krizës paniksjellëse, por thjesht segregacionin e pakicave të tejvarfëra të lumpenëve të getoizuar të kudogjendur në kohë e hapësirë. Madje edhe më të mjerë ngjajnë ata në metropolet perëndimore, ku në vargjet e Kadaresë “Janë të dhimbshëm gjithkund të verbrit/ Por të tillë ngjajnë më shumë në Paris”, mjafton të këmbejmë “të verbrit” me “të varfrit” apo Parisin me çdo kryeqendër tjetër. Në rast se në Perëndim të varfrit e segreguar gjatë bumit të fundit kapitalist përbënin 10 % e të mallkuarve që mund të fshiheshin para turbo-shpenzimeve mirëqenëse të “mediokërve” (d.m.th. klasës së mesme) me para të marra borxh përmes shtysës së ethshme të kreditimit, në rastin shqiptar të mallkuarit gjithnjë kanë përbërë shumicën…, por të heshtur ama. E për pasojë, fakti që midis elitës dhe të mallkuarve gjendej një shtresë tampon funksionarësh apo “të rregulluarish” të njëfarësojshëm, dhe mbi të gjitha fakti që këta të fundit zakonisht zotëronin privilegjin e të qenit të arsimuar apo ndërgjegjësuar aq sa për të artikuluar kërkesat apo problematikën e tyre, bënte që mjerimi i rrethinave të mohohej fare lehtë. Në fund të fundit, kur nuk ankohet ojf-isti, zyrtaruci apo dyqanxhiu… krisma s’ka pasur. Edhe në keni dëgjuar, ato janë atje larg. Në gjirin e shpellarëve që vriten mes vedi për shkak të pagdhendjes, e jo për shkak të mjerimit!

Etapa e dytë e qasjes ndaj problemit gjendet në zvogëlimin e tij. Diçka e tillë po ndodh aktualisht në Perëndim. Meqenëse kriza ka goditur shtresat e mesme, atëherë s’ka si të mos pranohet se diçka nuk shkon. Gjithsesi, fundamentalizmi përpiqet jo vetëm t’i zvogëlojë përmasat e krizës, por mbi të gjitha t’i kuptojë ato jo si defekte të krijuara nga vetë sistemi e të pakapërcyeshme brenda tij, por si disfunksione të përkohshme, që herët a vonë do t’i rihapin rrugën mrekullisë ekonomike. Në rastin tonë, faza e zvogëlimit ndihet në ligjërimin qeveritar i cili pas entuziazmit të shfrenuar të rritjes dy shifrore, tërhiqet faktikisht duke pohuar se kemi ca probleme të vogla të cilat nuk është se po na bëjnë më të varfër, por për shkak të krizës globale, po na ngadalësojnë paksa hapin e pasurimit.

Etapa e tretë është ajo e dëshpërimit apo fatalitetit. Kjo ndodh kur në momente kthjelltësie zëra nga gjiri fundamentalist dalin hapur e pranojnë se kapitalizmi si i tillë e ka të pamundur të realizojë ëndrrën e mirëqenies për të gjithë, veçse…çdo tentativë përmbysëse-revolucionare jo vetëm që do ta përkeqësonte situatën ekonomike, por mbi të gjitha do t’i çelte portën gogolit totalitar. Ky qëndrim ndihet aty-këtu në Perëndim e pritet të theksohet me përkeqësimin e krizës pasi përbën mjegullën mbrojtëse ideologjike ndaj përpjekjeve politike emancipuese. Më i fortë do të jetë një reagim i tillë në Shqipëri ku boria propagandistike ka krijuar një farë refleksi të kushtëzuar pavllovian sipas të cilit sa herë dëgjohet fjala barazi apo drejtësi shoqërore, mendja shkon menjëherë në burgun e Spaçit.

 

I gjetëm sabotatorët!

Kur përballet me krizën, fundamentalizmi kapitalist në vend të pranimit të shkaqeve strukturore të saj, e gjen fajin tek elementet rrethanore e dytësore të sistemit. Për sa kohë sistemi është i kulluar në teori, atëherë përgjegjës për falimentimin e tij bëhen disa prej aktorëve kyçë të tij. Kështu, në SHBA qasja më e zakonshme ndaj krizës aktuale është ajo e damkosjes së disa spekulantëve të veçantë, grykësia apo aventurizmi i të cilëve shkaktoi rrënimin e sistemit financiar, apo të ndonjë shoqërie konspirative djallëzore që prej një vendi të fshehtë komandon botën. Sigurisht që fshikullimi i spekulantëve ngroh zemra e vë në vend një farë drejtësie, por ajo që pohohet herë hapur e herë nën zë është se kapitalizmi ende përbën përgjigjen, mjafton që të shmangen turbullirat spekulative. Kështu që vendin e sabotatorit të stalinizmit, ekzistenca e të cilit shërbente pikë justifikuese për dështimet e sistemit, e zënë spekulantët apo çifutëria botërore.

Në rastin shqiptar, ngjashëm si në vende të tjera lindore, dështimi i kapitalizmit fshihet pas një vetëracizmi kulturor. Kështu që fajtori këtu gjendet lehtë. Nuk është as terapia e shokut, as privatizimet totale, as ulja e taksave për oligarkët, por pandreqshmëria gati gjenetike e shqiptarëve. Pra ne, batakçinjtë e pandreqshëm, që brez pas brezi ngrohemi në diell, pimë raki e rrahim gruan e kalamajtë, e jo si dojçët që eksitohen nga puna, jemi fajtorët e djeshëm, të sotëm e të nesërm. Çka tregon se shtypja e nënshtrimi i strukturës ekonomiko-politike përgjatë dhjetëvjeçarëve ka sjellë si pasojë përbrendësimin e problemit në rrafshin identitar. Prandaj çdo tentativë kritike ndaj kapitalizmit apo politikë emancipuese përballet me dorëzimin pa kushte të pohimit: po ku kena për tu bo no nji her’ ne shqiptarët!, e për pasojë të atij tjetrit: si s’po na pushto njeri që të shpëtojmë!

 

Mesia ka me ardhë! Deri atëherë…gërmoni, gërmoni!

Fundamentalizmi kapitalist e interpreton mjerimin e politikave të veta si sakrificë të domosdoshme në rrugën e shëlbimit. Teoricienët e terapisë së shokut rëndom i shpjegonin dështimet e tyre nëpërmjet tezës se tronditja e domosdoshme që duhet të pësojë ekonomia e një vendi në afatshkurtër mund të sjellë pasoja të rënda si p.sh. papunësi masive, ngritje çmimesh apo vendnumërim pagash. Gjithsesi, në një të ardhme të papërcaktuar mirëfilli efektet parajsore do të ndihen medoemos. E meqë të tilla efekte s’duken në horizont, atëherë duhet shtyrë tutje vija e horizontit se një ditë, e lum ne për atë ditë!, askush s’ka me qenë i varfër pasi tregu do të ketë vetërregulluar gjithçka. E në pritje të Mesisë, detyrë e çdo vendimmarrësi është të gërmojë deri në rrënjët e recetës ekonomike, për ta kulluar qasjen kapitaliste nga papastërtitë e ndërhyrjes shtetërore. Kështu që ngjashëm më fundamentalistët fetarë që problemin e shohin tek mungesa e besimit të kulluar dhe shpëtimin e gjejnë tek shkuarja te rrënjët e besimit, fundamentalistët kapitalistë problemin e shohin tek largimi nga burimi i kulluar i recetave të tregut, e për pasojë zgjidhjen e presin tek kullimi i kapitalizmit autentik.

 

Zoti vdiq! Rroftë Zoti…apo…?

Pavarësisht besimit të patundur fundamentalist, Zoti kapitalist po vdes. Lajm i mirë apo jo? Mbase edhe jo. Ose më saktë, lajm i mirë me kushtin që…Ajo çka po vdes nuk është kapitalizmi si sistem shfrytëzues, por kapitalizmi si shpresë e mirëqenies masive. Dinamika vetërevolucionuese e kapitalizmit e bën atë sistemin ekonomik më të mbijetueshëm ndaj çdo krize të brendshme. Madje shumëkush mendon se kapitalizmi mbijeton nëpërmjet krizave apo se këto të fundit e forcojnë atë. Gjithsesi ëndrra e kapitalizmin me fytyrë njeriu, d.m.th. kapitalizmit perëndimor të 5-6 dekadave të fundit që gërshetonte mirëqenien masive relative me tolerancën e demokracisë liberale, po vdes nga dita në ditë. Jo vetëm që mirëqenia përbën kujtim të kohërave të arta, por edhe toleranca liberale priret t’i lërë vend autoritarizmit si kundërpërgjigje ndaj rezistencës kundër-sistemore. Në një situatë të tillë, vdekja e Zotit të vjetër kërcënon të kthehet në lindjen e një Zoti të ri, që gjithnjë e më pak do të ketë fytyrë njeriu e që shpresën ideologjike që ngjallte kapitalizmi në ekspansion do ta shndërrojë në frikën ndaj aparateve represive që kalërojnë mbi mbijetesën e kapitalizmit. “Bota e vjetër po vdes. Bota e re po lufton të lindë. E sotmja është dita e përbindëshave” – shkruan Antonio Gramsci. E që kjo të mos ndodhë, bota e re duhet të lindë përmes përpjekjesh politike emancipuese që nuk synojnë ndërrimin e Zotave, por mbartin guximin e të jetuarit pa Zot: të bashkëndarit të problemeve, shtrimit kritik të tyre dhe rishpikjeve të alternativave që lirinë e barazinë e kanë frymëzim në pikënisje e pikëmbërritje, por që në formulimin konkret i ngjanë poetit skrupuloz që mijëra fletë poezie në tentativë i hedh në kosh, deri sa ja mbërrin tek poezia; qetësohet e kënaqet për pak kohë, por shpejt e kupton se s’ia ka arritur qëllimit e ja nis një poezie të dytë…

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.