Fullani si aspirinë ndaj fullanizmit
/Redi Muçi/
Ngjarja e bujshme e javëve të fundit ka qenë vjedhja e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë, duke u kthyer në temë të pashmangshme diskutimi në kafenetë anë e mbanë vendit. Kjo ishte edhe një mundësi për të mos u humbur nga heroikja ‘shoqëri civile’ për të nxjerrë nëpër media surratin e shtrembëruar nga indinjata, si dhe nga Kreshnik Spahiu për të treguar para kamerave fuqinë mobilizuese të idealit që mbart grumbulli i tij. U dëgjuan thirrje e çirrje të larmishme për ‘drejtësi’ e ‘përgjegjësi para ligjit’, por që në thelb përbashkoheshin në kërkesën për dorëheqje të guvernatorit Fullani. Kjo kërkesë nuk e merrte aq shtysën nga vjedhja e përmendur më sipër, sesa nga disa të dhëna të dala së fundmi në media lidhur me shpenzimet marramendëse të institucionit që ai drejton, lidhjes farefisnore të punonjësve të bankës me politikanët e të dyja krahëve si dhe me ekstravagancën e shfaqur nga fëmijët e tij nëpër rrjete sociale në shpenzimin e pasurisë së babit.
Një i tillë reagim, që mund të quhet shoqëror, por që në fakt shpërfaq indinjatën e klasës së mesme të vendit (shoqërisë civile, intelektualëve etj), ngre pikëpyetjen se kush është objekti i sulmit, çfarë e motivon këtë reagim dhe cili mund të jetë rezultati i kësaj gjullurdie. Nëse kjo është një thirrje shoqërore për drejtësi, atëherë medoemos lind nevoja e përkufizimit të asaj çka quhet ‘drejtësi’ në shoqërinë shqiptare të realitetit të sotëm socio-politik.
Në lidhje me ngjarjen e vjedhjes së thesarit, në terma ligjorë që do nxisnin ngritjen e një padie penale ndaj guvernatorit, vështirë se ky i fundit mund të akuzohet për diçka më shumë sesa pakujdesia. Deklarata i tij se vepra në fjalë u krye nga disa nëpunës të dorës së dytë të cilët do përballen me ligjin, si dhe përforcimi që i bëri Ilir Meta duke thënë se ngjarja u identifikua dhe denoncua nga vetë Fullani, lë pak vend për debat. Epo atëherë përse është Fullani objektivi i sulmit? Sigurisht që një përgjigje që të nxjerr nga balta do ishte ‘sepse ai është drejtuesi i institucionit dhe ka përgjegjësi morale’, por vlefshmëria e saj është tepër e dyshimtë kur shihet historia e njerëzve me pozitë në 23 vitet e fundit. ‘Sepse pasuria që ka vënë si drejtues i një institucioni publik është e pajustifikueshme’, por kësaj Fullani iu përgjigj si një burrë shteti i kohëve moderne – kam kursyer që në vitet ‘70! E cili politikan s’do përgjigjej në të njëjtën mënyrë?! Atëherë pyetja ngelet: përse pikërisht Fullani? Përgjigja e hidhur, por e nënkuptuar, të kujton një shprehje popullore me personazhe një gomar dhe samarin e tij – sepse nuk mund të jetë ‘fullanizmi’!
Histeria kundër Fullanit është pasojë e egos së lënduar të klasës së mesme. Nuk është pasuria e tij e madhe që na shqetëson, fundja ka plot peshkaqenë më të mëdhenj se ai; është manifestimi vulgar dhe i hapur i saj. Si një çift bashkëshortësh të vetëdijshëm për marrëdhëniet jashtëmartesore të njëri-tjetrit, të cilët indinjohen vetëm kur përballen me faktet materiale që e vërtetojnë pabesinë (foto e burrit me të dashurën/ foto e çunit të Fullanit duke fshirë ballin me 500€). Meta/Basha/Rama/Mane/Kokëdhima/Çili objektivisht mund të kenë individualisht pasuri më të madhe se Fullani, po aq të ‘paligjshme’ sa ai, por mjafton që ajo të mbulohet nga tisi i retorikës së politikanit populldashës apo i biznesmenit kapitalist të suksesshëm, që të gjithë ne të vegjetojmë në rehatllëkun që na ofron roli i budallait impotent. Fullani nga kjo pikëpamje është një heretik: pasuria e tij nuk ka burim as politikën, as biznesin spekulativ. Epo kjo nuk durohet! Në çdo institucion të administratës publike nëpunësit përzgjidhen në bazë të ‘militantizmit’ partiak këtu e 23 vjet, ndërkohë që nëpunësit e Fullanit në institucionin publik të Bankës së Shqipërisë janë përzgjedhur në bazë të interesave të tij personale dhe lidhjeve që ka me politikën. Epo as kjo nuk durohet! U bë ky!
Ndërkohë që një tentativë për t’i dhënë kuptim termit ‘drejtësi’ pashmangshmërisht do përballet me nocionin e ‘fullanizmit’ – thënë ndryshe e fazës së akumulimit fillestar të një shoqërie kapitaliste. Shqipëria e vitit ‘90 e dalë me xhepa të grisura nga 40 vjet enverizmi hyri në fazën e tranzicionit nga i cili ende s’kemi dalë. Termi ‘tranzicion’ në retorikën e ambasadorëve shpesh shoqërohet nga garnitura të tipit ‘tranzicion drejt demokracisë’ apo ‘drejt vlerave perëndimore’ dhe së fundmi ‘tranzicion drejt BE-së’. Ajo çka nënkuptohet në fakt është tranzicioni drejt rendit ekonomik kapitalist dhe kushdo që ka njohuri elementare në këtë fushë e di se faza e parë e domosdoshme e kapitalizmit është akumulimi fillestar i kapitalit në pak duar.
E thënë thjesht: nëse pas ’90 do sundonte ligji dhe ‘tregu i lirë’ atëherë procesi i shpërndarjes së kapitalit do ishte relativisht horizontal dhe gradual. Por kjo nuk i shërben rendit kapitalist pasi zhvillimi i shpejtë i ekonomisë kërkon investime të mëdha që mund të kryen ose nga korporata të huaja, ose nga oligarkë vendas. Ajo që në përditshmëri mund të identifikohet si ‘korrupsion’ (fullanizëm) nuk është veçse mënyra e vetme drejt krijimit të oligarkive të domosdoshme për rendin kapitalist. Fundi i tranzicionit do jetë momenti kur informaliteti i ligjit do fillojë të kundërshtojë vetë logjikën e operimit të oligarkëve brenda sistemit (për shembull masakra urbane që u lejua në Durrës nuk duhet të lejohet të ndodhë tek kodrat prapa TEG-ut). Atëherë do kemi ‘demokraci të konsoliduar evropiane’ në të cilën brenda një ‘tregu të lirë’ operojnë disa mega-korporata, CEO-të e të cilave shkëmbejnë karrige me politikanët në pushtet. Fullani është simptomë e sistemit politiko-ekonomik që domosdoshmëri funksionimi ka ‘fullanizmin’.
Për t’iu rikthyer babaxhanit Fullan; nëse do luajmë lojën e të indinjuarve atëherë Fullani përbën shënjestrën e përkryer për shoqërinë civile: 1. Nuk është politikan dhe ndoshta e ka më të lehtë për të dhënë dorëheqjen, qoftë edhe për të ruajtur fasadën e përgjegjësisë publike 2. Dorëheqja për të gjithsesi do nënkuptojë ruajtjen e pjesshme të influencës që ka tek klasa politike 3. Sistemi i ngritur në BSH nuk do preket as minimalisht nga pasardhësi i tij 4. Shoqëria do ripërtërijë iluzionin e drejtësisë së fituar nëpërmjet angazhimit të ‘shoqërisë civile’.
Në përfundim të kësaj meseleje, nëse hamendësojmë dorëheqjen solemne të guvernatorit, do jemi dëshmitarë të zgërdhimit së klasës sunduese politiko- biznesore, aspak të bezdisur nga kjo ‘revoltë e ndërgjegjes dhe moralit’, si dhe të rikonsolidimit të pozitës së saj nën rrahjen e shpatullave të ambasadorëve. Si pasojë e këtij rikonsolidimi klasa punëtore (mizëria e punëtorëve, të punësuarve të përkohshëm, mëditësve e të papunëve) do shfrytëzohet dhe varfërohet edhe më. Por të paktën, e vetëdijshme ose jo, do ketë mbajtur pozicionin më racional – atë të indiferentit – në këtë teatër patetik të egos së lënduar.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.