/Stela Muçi/
Brenda dy javësh Franca u prek nga dy krime të rënda terroriste që tronditën gjithë shoqërinë. Më 16 tetor një mësues i ciklit të mesëm u vra në mënyrë makabre për shkak se përdori karikaturat e profetit Muhamed si shembull gjatë një ore mësimi mbi “lirinë e fjalës”. Tre viktima të reja u shënuan mëngjesin e djeshëm në hyrje të një katedraleje katolike në Nisë të Francës. Dyshohet se edhe për këtë ngjarje përgjegjëse janë idetë vrastare të terrorizmit xhihadist.
Të dyja ngjarjet shkaktuan reagime në popull. Qytetarët francezë, sindikatat lokale e kombëtare të arsimit, personalitete publike dhe politike u solidarizuan me familjet e viktimave dhe dënuan me forcë aktet e dhunshme terroriste. Megjithatë, ashtu si edhe pas atentateve të Charlie Hebdo-së apo të 21 nëntorit 2015, ngjarjet u hapën rrugë polemikave të ashpra rreth çështjes së lirisë së fjalës, laicizmit dhe të ashtuquajturit “rrezik islamist”.
Ende pa përfunduar homazhet në kujtim të viktimave, qeveria Macron, e djathta republikane dhe ajo ekstreme e kthyen ngjarjen në terren të propagandës së tyre islamofobe, raciste dhe antidemokratike. Në vend se të bënin thirrje për qetësimin e situatës, ata vazhdojnë t’i mëshojnë retorikës së luftës civile dhe të armikut të brendshëm që përfaqëson islami radikal. Kjo retorikë nuk bën gjë tjetër veçse i hedh benzinë zjarrit të terroristëve dhe thellon më tej përçarjen që ekziston në shoqërinë franceze.
Në pak ditë, sulmet verbale dhe fizike ndaj komunitetit mysliman u shumëfishuan: ndërhyrje të dhunshme të forcave të rendit në shtëpitë e dhjetëra “të dyshuarve”, kërcënime dhe fyerje në rrjetet sociale, sulme fizike (përmendim këtu sulmin me thikë ndaj dy grave myslimane mbrëmjen e 18 tetorit, ngjarje e cila nuk u përmend në asnjërën prej mediave dominuese). Sulmet dhe fyerjet nuk kursyen as aktivistët apo partitë e majta – France Insoumise dhe Partinë Komuniste – duke i quajtur ato “islamo-majtistë” dhe bashkëfajtorë të krimeve.
Vetë ministri i Brendshëm, Gérard Darmanin, fajësoi për aktet terroriste jo vetëm kriminelët, por të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër nxisin dhe mbështesin komunitarizmin etnik në Francë, përfshirë këtu edhe të majtën radikale.
Në emër të lirisë së fjalës dhe laicizmit, qeveria kërkon shpërbërjen e organizatave të ndryshme humanitare si CICP (Kolektivi Kundër Islamofobisë në Francë) dhe mbylljen e një prej xhamive më të mëdha të periferisë së Parisit, duke privuar rreth 1500 besimtarë francezë nga objekti i tyre i kultit. Ndërkohë ish-kandidati për president i republikanëve propozon ndalimin e plotë të mbajtjes së shamisë në hapësirat publike, një sulm flagrant ndaj lirisë së grave dhe vajzave myslimane.
Është revoltuese që këto masa represive ndërmerren pikërisht në emër të demokracisë dhe lirisë së fjalës. Akoma më revoltues është fakti se vendi që i ka shpallur luftë të brendshme terrorizmit islamist është furnizuesi kryesor me armë i Arabisë Saudite dhe, për pasojë, përgjegjës për vdekjen e qindra mijëra civilëve në Jemen. Kjo nuk është Franca e lirisë së fjalës dhe demokracisë, por Franca e kapitalit e Macron-ëve dhe Sarkozy-ve!
Aktet terroriste të javëve të fundit, ashtu si masat antidemokratike dhe islamofobe të ndërmarra nga qeveria pasqyrojnë krizën e thellë sociale që po përjeton shoqëria franceze.
Në dy vitet e fundit Franca ka përjetuar një valë të paprecedent lëvizjesh popullore ndërklasore, që kanë bërë të mundur artikulimin e kauzave te ndryshme. Revoltat kundër pabarazisë ekonomike dhe kërkesës për demokraci të drejtpërdrejtë nga jelekëverdhët u pasuan nga greva disamujore të sektorëve të ndryshëm (transporti, arsimi, shëndetësia, administrata publike) kundër privatizimit të sistemit të pensioneve. Reformat antisociale kanë ngjallur revoltë edhe nëpër universitete, ku studentë e pedagogë janë mobilizuar së bashku kundër rritjes së tarifave për studentët jashtë Bashkimit Evropian dhe privatizimit të sektorit të punës kërkimore-shkencore. Së fundmi, një valë e re manifestimesh ka mobilizuar të rinjtë e shtresave të nënrenditura të cilët denoncojnë racizmin dhe dhunën sistemike, të mishëruar tragjikisht në krimet policore ndaj të rinjve me ngjyrë dhe emigrantëve.
Kësaj situate revolte të përgjithësuar, qeveria i është përgjigjur me dhunë fizike të ushtruar nga forcat e rendit, me kufizimin e të drejtave demokratike, e së fundmi me përpjekjen për të përçarë duke nxitur urrejtjen dhe islamofobinë.
Është i njëjti shtet që shkatërroi për vite më radhë arsimin publik dhe degradoi kushtet e punës së mësuesve dhe të njëjtat media që heshtin kur këta të fundit dhunohen nga policia sepse manifestojnë që sot po predikojnë lirinë e fjalës, demokracinë dhe i bëjnë homazhe figurës së mësuesit të vrarë nga terroristët.
Padyshim që krimet makabre në emër të fanatizmit fetar duhen dënuar dhe parandaluar me çdo kusht. Afërmendsh liria e fjalës për të kritikuar fenë duhet mbrojtur. Po aq sa duhen mbrojtur dhe respektuar liria për të kritikuar sistemin politik, liria për të manifestuar, liria për rezistencë dhe organizim kolektiv dhe çdo formë tjetër e shprehjes së vullnetit demokratik.
Imazhi: VOA
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.