/Ronan Burtenshaw/
“Nëse do të ketë përballje klasore në këtë vend, ka ardhur koha që klasa punëtore ta fitojë atë.”
Këto qenë fjalët e Bernie Sanders-it gushtin e kaluar në vazhdën e fushatës teksa i vuri vetes si qëllim të fitonte garën për president. Nëse do të thuhej në 2015 që kjo lloj politike do të fitonte dy herë me miliona vota në zgjedhjet kombëtarë në Amerikë, askush nuk do ta kishte besuar.
Para Bernie Sanders-it, socializmi në Amerikë nuk qe thjesht në margjina, por thuajse i zhdukur. Radikalizmi i majtë i fillim shekullit XX – nga miltantizmi sindikalist dhe lindja e IWW[1] te fushatat e Eugene Debs-it, Woody Guthrie, Paul Robeson-i dhe Fronti Popullor gjatë Luftës së Dytë Botërore – u çrrënjos plotësisht nga jeta amerikane nga spastrimet e Joseph McCarthy-t në vitet ’40 dhe ’50. Në kohën e Lëvizjes për të Drejta Civile, socialistë si Bayard Rustin ose dhe vetë Marthin Luther King Jr qenë të detyruar të fshihnin “ngjyrën” e tyre.
Bernie Sanders-i bëri të mundur të thoshe sërish në Amerikë se ishe i kuq. Nga fillimi i fushatës së tij presidenciale më 2015, ai mbante krenarisht etiketimin si “socialist demokratik”. Ai foli hapur për kapitalizmin dhe i dha duart banaliteteve liberale për shtresën e mesme për t’iu referuar drejtpërdrejt punëtorëve si elektorati i fushatës së tij. Ditët dhe javët në vazhdim do të ketë shumë përpjekje për të thënë se kjo qe arsyeja e humbjes së tij, që ai do të duhej të moderohej ose të përdorte terminologji më të rehatshme. E vërteta është se kjo vendosmëri për të thyer dekada të ortodoksisë politike në Amerikë e ktheu Bernie Sanders-in në një figurë historike, emri i të cilit do të kujtohet gjatë edhe pasi kjo fushatë të ketë mbaruar.
Ndonëse shpesh nuk është vënë re, Bernie Sanders-i ka qenë gjithnjë njëri prej nesh. Shumë prej aktivistëve të rinj, të cilët u politizuan krah tij gjatë trazirave të viteve ’60, ranë në batakun e liberalizmit të rëndomtë. Kurse Bernie jo. Ai iu bashkua Lidhjes Socialiste të të Rinjve, forumi rinor i pasueses së Partisë Socialistë të Eugene Debs-it, dhe u përfshi në beteja antikapitaliste. Ai qe rritur në Bruklin, i cili ende kishte lidhje me një të shkuar më radikale, sidomos për fëmijët e imigrantëve hebrenj; në një kohë kur fjalimmbajtësit jidish[2] mbi arkat e sapunëve[3] nxisnin revolta në qoshet e rrugëve dhe hebrenj socialistë si Meyer London zgjidheshin në Kongres. Madje deri në vitet ‘30 Partia e Punës Amerikane, e mbështetur prej punëtorëve hebrenj të fasonerive, gëzonte një fuqi politike të konsiderueshme në qytet.
Vermonti ishte vendi ku Bernie Sanders do të përvetësonte politikat socialiste. Në fillim të viteve ’70, ai iu bashkua “Bashkimit të Lirisë”, një parti me prirje socialiste, dhe gradualisht u bë një figurë politike mbarështetërore. Programi i partisë nuk ishte një përsëritje bajate e liberalizmit. Programi qe për taksim 100% për më të pasurit në Amerikë.
“Unë përkrah pronësinë publike të shërbimeve, bankave dhe industrive të mëdha.” – i deklaroi Bernie Burlington Free Press-it teksa bënte fushatë në zgjedhjet për guvernator më 1976 – fjalë për të cilat ai u sulmua gjatë asaj fushate presidenciale, por që kurrë nuk i hodhi poshtë.
Edhe pse Bernie Sanders-i u largua nga Bashkimi i Lirisë për të ndjekur një rrugë të pavarur që si përfundim do ta çonte drejt të qenit kryetar i Bashkisë së Burlingtonit, ai kurrë nuk i braktisi bindjet politike socialiste. Më 1979 ai bëri një dokumentar për jetën e Eugene Debs-it, socialisti i fundit që arriti të fitonte përkrahje popullore masive në zgjedhjet presidenciale.
Në vitet’80, ndërsa Bernie u bë një kryetar bashkie jashtëzakonisht popullor, ai i kushtoi kohë të konsiderueshme kundërshtimit të Reagan-it për përfshirjen dhe përkrahjen e luftës së paligjshme të Contras-ve [4]në Nikaragua, mbështetjen e SHBA për skuadrat e vdekjes në El Salvador dhe gjenocidin në Guatemala. Sandersi u sulmua sërish për këtë gjatë fushatave të fundit presidenciale. Prapëseprapë ai refuzoi të luante vendit, duke i deklaruar New York Times-it:
“Unë bëra çmos për të ndaluar politikën e jashtme amerikane, e cila prej vitesh ishte duke përmbysur qeveritë në Amerikën Latine dhe po instalonte regjime marionetash.”
Me fjalë të tjera, Bernie Sanders nuk ishte një figurë e zakonshme e politikës amerikane që u radikalizua ose kaloi majtas nga rrethanat. Ai nuk i kaloi vitet e tij të hershme, siç bëri Elizabeth Warren-i, si një republikan i ri. Ai nuk erdhi nga një dinasti familjare e pasur liberale si Franklin Delano Roosevelt-i. As adoptoi një ligjërim të shtirur populist prej llogaritjeve elektorale si John Edwards-i më 2008.
Bernie Sanders-i ka qenë një rebel i përjetshëm kundër kapitalizmit – një njeri që ka kaluar dekada i angazhuar në punën e mundimshme të ndërtimit të një karriere politike që do të përmirësonte jetën e njerëzve që punojnë dhe do të përbënte kërcënim për sistemin që i shfrytëzonte ata. Në fushatat e presidenciale ai mund të kishte zgjedhur një rrugë më të lehtë, e cila nuk do të ngrinte probleme themelore sistemore ose nuk do të përkrahte klasën punëtore të Amerikës kundër makinerisë milionere të korporatave që drejton Partinë Demokratike. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të çelte një hapësirë për socializmin.
Kritikët e tij do të thonë se Bernie Sanders-i u mund dy herë në zgjedhjet e kandidatëve demokratë. Kjo është deri diku e vërtetë. Pas më se një gjenerate, në të cilën lëvizja punëtore u mposht dhe e majta u flak në margjina, Bernie Sanders-i nuk ishte në gjendje të ndërtonte një lëvizje që mund të mposhte klasën sunduese më të fuqishme në botë. Por ai iu afrua. Pas zgjedhjeve të kandidatëve demokratë në Nevada, për një kohë të shkurtër dukej sikur ai do të mund të fitonte nominimin – derisa forcat e kombinuara politike, biznesore dhe mediatike të elitës liberale ia dogjën të gjitha mundësitë.
Ajo që politikanët e rëndomtë nuk do ta kuptojnë kurrë për Bernie Sanders-in është se, gjatë gjithë karrierës së tij, ai e ka parë politikën si diçka përtej trofeut. Ai e kuptoi që pushteti i vërtetë politik vjen përmes organizimit të klasës punëtore dhe ndërtimit të një lëvizjeje. Prandaj i ka kaluar pesë vitet e fundit duke ngritur jo thjesht një fushatë, por një revolucion politik. Dhe ky revolucion ka lënë gjurmë – nga zgjedhja e figurave si Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib deri te zgjerimin e Socialistëve Demokratikë të Amerikës në organizatën më të madhe socialiste në Shtetet e Bashkuara që nga vitet ’30; dhe nga miratimi i përhapur i ligjeve të pagës minimale 15 dollarë/ora, rritja e lëvizjeve Medicare for All (Kujdes shëndetësor për të gjithë), Green New Deal (Kursi i Ri i Gjelbër) deri te inkurajimi i sindikatave të majta si Sindikata Kombëtare e Infermierëve të Bashkuardhe Sindikata e Punëtorëve Postarë Amerikanë.
Por trashëgimia më e rëndësishme e revolucionit politik të Bernie Sanders-it ka qenë kthimi i socializmit në një forcë të rëndësishme në politikën amerikane. Shumica e përkrahësve të rinj të Bernie-t do të duhej të ktheheshin në ditët e stërgjyshërve për të dëgjuar diçka të tillë. Kjo është një arritje vërtet e jashtëzakonshme! Tani, një shumicë e të rinjve në Amerikë – po, po në Amerikë! – zgjedhin socializmin përpara kapitalizmit.
Faleminderit Bernie Sanders! Për çdo gjë.
Përkthimi dhe shënimet: Bora Mema
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: The Nation
[1] Industrial Workers of the World (Punëtorët Industrialë të Botës) është një sindikatë ndërkombëtare që u themelua në 1905 në Çikago, të shtetit të Ilinoisit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sindikata kombinon sindikalizimin e përgjithshëm me sindikalizimin industrial, pasi është një bashkim i përgjithshëm i ndarë midis industrive të ndryshme që punësojnë anëtarët e saj. Qasja e IWW përshkruhet si “sindikalizëm revolucionar industrial” duke ndërlidhur lëvizjet e punës socialiste me ato anarkiste.
[2] Jidishi është një gjuhë që rrjedh nga gjuhët gjermanike e ndërlidhur me elementë të hebraishtes, aramaishtes, gjuhëve sllave dhe gjurmë të gjuhëve latine. Ajo përdor alfabetin hebraik dhe është gjuha e folur nga hebrenjtë ashkenazë, komuniteti hebre i vendosur për shekuj kryesisht në Evropën Veriore, Qendrore, më pas edhe atë Lindore. Për shekujt të tërë hebraishtja qe thjesht gjuhë e riteve fetare.
[3] Soapboxer është term i përdorur për fjalimmbajtësit që nuk përdornin podium, po hipnin në arka e sapunëve për të mbajtur fjalime politike. Përdorej kryesisht nga oratorë mes radhëve të klasës punëtore ose socialistë që nuk kishin para për podiume dhe i mbanin fjalimet në këto arka të lëvizshme në mes të rrugëve për të folur popullin.
[4] Contras – në spanjisht kundër – si shkurtim për kundërrevolucionin. Ishin grupe paramilitare të djathta, skuadra të vdekjes të mbështetura fuqimisht nga SHBA në kohën e Reagan-it, aktive nga 1979 deri në fillim të viteve 1990, të cilat luftonin Juntën Sandiniste socialiste të Qeverisë së Rindërtimit Kombëtar në Nikaragua. Contras-ët bënë shkelje të shumta të të drejtave të njeriut dhe përdorën taktika terroriste.