Ekosocializmi është më shumë se një rrugë e tretë

/Christophe Sente, Timothée Duverger/

Historia e ideve na mëson se socialdemokracia është në fakt mjaft e afërt me ekologjinë politike. Problemi është se ndërthurja e tyre ka dështuar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, e majta e Evropës Perëndimore filloi të mbështetej kryesisht në konsumin masiv për të sjellë progres social dhe stabilitet demokratik. Pas vitit 1968, Michel Rocard-i në Francë dhe Willi Brandt-i në Gjermani ishin ndër të paktët udhëheqës që kuptuan se po vinte një Zeitgeist i ri e progresiv.

Konsolidimi i partive të gjelbra në Evropën Perëndimore pas viteve ’80 erdhi si rezultat i shurdhërisë socialdemokrate ndaj pretendimeve postmaterialiste. Ishte një nga arsyet pse baza elektorale e së majtës tradicionale u bë gri dhe jo e gjelbër. Në vitin 1989, Programi Berliner i SPD, që kishte për qëllim lehtësimin e kushteve për krijimin e një ekosocializmi panevropian, erdhi shumë vonë ndërsa vëmendjen e qytetarëve po e tërhiqnin më shumë e ardhmja e ribashkimit gjerman dhe bashkimi ekonomik  monetar.

Aleancë progresive pro klimës

Për partitë socialiste, tani është tepër vonë për t’u ankuar. Për të lehtësuar një aleancë progresive pro klimës, çështja se “çfarë duhet bërë” mbetet e hapur.

Rezultatet zgjedhore dhe historia e ndërtimit të koalicionit në mijëvjeçarin e ri kanë dhënë pjesën e lehtë të përgjigjes. Pavarësisht performancave të ndryshme kombëtare, partitë e gjelbra janë bërë vendimtare në shumë vende, pavarësisht se nuk e kanë dëshmuar veten aleate të natyrshme të organizatave socialiste. Çështja nuk është të përcaktohet nëse ekologjia politike është e majtë, por të pranohet se partitë e gjelbra janë mjaft të pjekura për të luajtur lojën e sistemeve shumëpartiake dhe për të bërë zgjedhje të bazuara në një qasje të bazuar mbi kostot dhe përfitimet. Në Gjermani, koalicioni i udhëhequr nga Gerhard Schröder-i mund të kishte qenë një risi e rëndësishme, por nuk i pengoi të gjelbrit t’u kushtonin vëmendje  edhe kristiandemokratëve në 2021. Në Francë, të gjelbrit kontribuojnë në themelimin e politikave dhe aleancave komunale, ndërsa elitat parisiane nuk po arrijnë të përditësojnë “Union de la gauche” të të ndjerit François Mitterrand.

Me fjalë të tjera, socialdemokracia mund të ndërtojë padyshim një front progresiv me partitë e gjelbra, ndërsa  e majta e vjetër e ka shumë  të vështirë t’i bëjë ato për vete . E vetmja mundësi e saj është të guxojë ndryshime programore dhe të marrë rezultate vendimtare zgjedhore.

Përgatitja për qeverisje

Megjithatë, ndryshimi programor nuk duhet të nënkuptojë përsëritjen e një agjende ekologjike, për dy arsye kryesore. Së pari, sukseset elektorale të Tony Blair-it në Mbretërinë e Bashkuar ose versioni i Joe Biden-it “Amerika së pari” provojnë se një ndërthurje efikase ndryshon nga imitimi. Së dyti, mungesa e interesit nga populli britanik për programin ekosocialist të miratuar nga Partia Laburiste gjatë fushatës së 2019 tregon një kontrast të mprehtë midis frikës së qytetarëve për të ardhmen e Tokës dhe prirjeve të tyre elektorale. Një kapitull ekosocialist i projektuar mirë në një program nuk është çelësi i suksesit, ndonëse është thelbësor për t’u përgatitur për qeverisje.

E majta e  vjetër mund të miratojë të paktën tre ndryshime programore për t’iu përshtatur çështjes klimatike, pa thyer identitetin e saj ideologjik si mbrojtëse e punëtorëve dhe e të drejtave sociale.

E para është të ndërtohet mbi manifestin e Laburistëve  të 2019 duke promovuar bankat me investime publike dhe sindikatat për të siguruar evolucionin e ekonomive kombëtare, sipas konceptit të Stephany Griffith-Jones-it, në drejtim të qëndrueshmërisë mjedisore. Thirrjet për ligje mjedisore nga demonstruesit nuk janë të mjaftueshme. Tranzicioni i nevojshëm është një proces i përditshëm që kërkon kontroll publik mbi shpërndarjen e shpenzimeve dhe përmbajtjen e vendimeve të firmave.

Ndryshimi i dytë është promovimi i mënyrave të reja të punës, zbatimi i modeleve alternative të prodhimit dhe konsumit. Masat mund të përfshijnë pretendimin tradicional për orar më të shkurtër të punës dhe risi të tilla si një statut ligjor për punonjësit autonomë në distancë dhe sipërmarrësit socialë. Çështja është t’u jepet njerëzve kohë për të zbuluar dhe për të kontribuar në cilësinë e jetës, të nxitur nga ekonomitë lokale dhe ato bashkëpunuese.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, partitë socialiste duhet t’i rezistojnë joshjes së proteksionizmit dhe tundimit për të justifikuar një brez të ri të përplasjesh të BE me Kinën dhe Brazilin mbi negocimin e traktateve tregtare. Një evolucion programatik në drejtim të ekosocializmit nuk kërkon vetëm miratimin e Marrëveshjes së Gjelbër të paraqitur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Do të thotë gjithashtu mbështetje për ushtrimin e pushtetit të butë nga institucionet e BE në mënyrë që edhe kjo marrëveshje të vihet në zbatim dhe mos të lihet në plan të dytë.

Barra e internacionalizmit

Kërcënimet më të mëdha mjedisore nuk qëndrojnë në kontinentin tonë të vogël, por në grupin e lojtarëve kryesorë në prodhimin ekonomik. Në lojën ndërkombëtare, traktatet e tregtisë janë arma jonë e vetme për të përmirësuar standardet mjedisore dhe sociale.

Argumentimi për traktate tregtare në emër të ekosocializmit mund të tingëllojë provokues për shumë votues socialistë dhe ekologë, por duhet të jetë një thirrje tubuese. Detyra e udhëheqësve përparimtarë është t’u kujtojnë qytetarëve të Evropës dy gjëra themelore. Së pari, siç tregoi katastrofa bërthamore e Çernobilit, kufijtë nuk mund të mbrojnë asnjë vend nga lloji më i keq i ndotjes dhe as të mbrojnë ndokënd nga ngrohja globale. Së dyti, tregtia shumëpalëshe është e vetmja mënyrë paqësore, sipas dizajnit të pas1945 të John Maynard Keynes-it, për të reciprokizuar furnizimet botërore dhe për të përcaktuar standardet e përbashkëta të prodhimit ose transportit.

Edhe nëse një aleancë e partive të gjelbra dhe socialiste do të ishte në qeveri në shumicën e vendeve evropiane, ekosocializmi vetëm në një kontinent do të dështonte në një botë të ndërvarur, siç ndodhi me “socializmin në një vend të vetëm” në Shqipëri. Modelet alternative të prodhimit dhe konsumit në nivel lokal janë shumë të nevojshme, por ashtu është edhe përhapja e tyre në nivel global.

Marrëveshja e Parisit e 2015 është padyshim një marrëveshje ndërkombëtare historike për ndryshimin e klimës. Por kufizimet e saj mund të shihen në Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të vitit 1966: traktatet e frymëzuara nga humanizmi nuk janë të mjaftueshme dhe zbatimi i tyre i përditshëm në prodhimin ekonomik kërkon stimuj. Ky është pikërisht funksioni i përfshirjes së klauzolave ​​sociale dhe mjedisore në marrëveshjet tregtare. Ato mund të konsolidojnë evolucionet në sjelljen e partnerëve si Kina ose Mercosur-i.

Pas vitit 1945, teza e shekullit XIX, sipas së cilës tregtia ndërkombëtare mund të ndryshonte botën duke kontribuar në begati, u vërtetua e drejtë,  të paktën në Evropë. Që nga viti 1959 Komisioni Evropian ka bërë disa hapa para përtej tregtisë së lirë. Gjeneratat e reja të traktateve kanë demonstruar qëndrueshmërinë e rregullimit afatgjatë politik të tregtisë ndërkombëtare në një kontinent, por edhe besueshmërinë e shtrirjes së një rregullimi të tillë në tregtinë transkontinentale, ndërkohë që Organizata Botërore e Tregtisë është paralizuar. Progresistët ekosocialistë kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm në lidhje me marrëveshjet tregtare me kontinente të tjera, por detyra e tyre politike është t’i përmirësojnë dhe jo t’i bllokojnë ato. Me pak fjalë, ekosocializmi nuk është një “rrugë e tretë” e re – ai është një udhëkryq drejt së ardhmes.

E përktheu Aron Pepaj

Marrë me shkurtime nga Social Europe

Imazhi: Tribune Magazine

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.