Edhe një herë për ligjin famëkeq

/Arlind Qori/

Problemet e arsimit të lartë në Shqipëri nuk kanë nisur me ligjin e 2015. Pedantët mund t’i kërkojnë rrënjët e dramës që në themelimin e Universitetit të Tiranës. Mirëpo ajo që ligji klientelist i arsimit të lartë ka sjellë si risi është ngurosja e të gjitha problemeve të trashëguara dhe shtimi i të këqijave të modës.

E nisim nga e para fare. Për herë të parë, që në parim, universitetet publike futen në një gjendje pasigurie financiare permanente. Buxheti i shtetit nuk ka ndër mend të mbulojë nevojat bazike të universiteteve. Deri më sot nga ky buxhet mbulohen vetëm 9 rroga mujore pedagogësh të brendshëm. Tri rrogat e tjera, plus pagesat e pedagogëve të jashtëm, plus investimet infrastrukturore, plus pasurimi i bibliotekës, plus faturat e dritave dhe ujit, plus çdo gjë tjetër që mund t’ju shkojnë ndër mend mbulohen nga tarifat e studentëve. Si të mos mjaftojë kjo, pasiguria bëhet edhe më e thellë tani që universitetet publike pritet të garojnë me ato private edhe për fondet aktuale që marrin nga buxheti i shtetit. Çka do të thotë se e vetmja mënyrë për të mbijetuar do të jetë rritja e tarifave dhe gjuetia e lekëve në të gjitha format, edhe përmes konkurseve të striptease-s po e lypi nevoja.

Deri më sot burokracia universitare i është përgjigjur pasigurisë financiare në formën më oportuniste të mundshme: ka hapur programe studimi pa hesap e studim paraprak, ka shtuar në mënyrë stratosferike kuotat e studimeve master, pikërisht se këtu e gjithë kostoja e studimeve paguhet nga studentët. Nevoja për studentë-myshteri ka bërë që në master të mos ketë asnjë kriter pranimi, kandidatët të mos garojnë sipas meritës për të ndjekur studimet dhe të lëshohen notat e diplomat sipas modelit të diplomoreve private. Ka shkuar puna deri te lufta e brendshme për emërtimet më joshëse dhe mashtruese të programeve të masterit sepse – kështu gjykohet – tërhiqen më shumë klientë. Vaj medet mendimi kritik!

E keqja sapo ka filluar. Ligji thotë se parim i financimit të universiteteve do të jetë “konkurrenca e lirë midis institucioneve që gëzojnë të njëjtin status…”[1] Ç’do të thotë institucione të të njëjtit status? Në shikim të parë, kjo nënkupton se universitetet publike do të garojnë me njëra-tjetrën se kush merr më shumë fonde nga shteti. Edhe në qoftë kështu, jetësimi i këtij parimi do të ishte katastrofik. Nëse një universitetet do të ishte më i mirë se një tjetër, ai do të përfitonte më shumë fonde nga shteti dhe, për pasojë, do të kishte tarifa më të ulëta. Konkurrenti i tij, me rezultate më të këqija, do të detyrohej të vendoste tarifa më të larta. Pra do të kishim universitete publike më pak cilësore dhe me tarifa më të larta. Ç’ndodh me ofruesit e mallrave me nam të keq dhe çmim të lartë në kushtet e konkurrencës tregtare? Falimentojnë ekonomikisht. Kështu, sipas ligjit të arsimit të lartë, hapet mundësia që universitetet publike të mbyllen.[2] Edhe një herë: Jo të ndëshkohen dhe zëvendësohen përgjegjësit, siç ndodh rëndom me institucionet publike nga parlamenti te policia, por të mbyllen fare.

Një nga komponentët kryesorë të përcaktimit të cilësisë së universiteteve është vlerësimi i studentëve për to. Në kushte të tilla studentët e universiteteve publike do të vendosen përpara Shilës dhe Karidbës. Do të thonë të vërtetën kritike për institucionin e tyre, duke rrezikuar kësisoj që universiteti të renditet më poshtë në shkallaren e cilësisë formale? Apo do ta lëvdojnë kot më kot me shpresën se universiteti do të përfitojë më shumë fonde dhe tarifat studentore do të jenë më të ulëta? Vetëm një ligj pervers në qëllim dhe logjikë i shtyn studentët të gënjejnë.  

Nga ana tjetër, konkurrenca midis universiteteve publike nuk ka kuptim për sa kohë ato përbëhen nga fakultete dhe degë të ndryshme studimi. Rrallë ndodh që dy a më shumë universitete publike të kenë të njëjtat degë. Si mund të konkurrojnë dega e mjekësisë së përgjithshme me atë të filozofisë?! Që universitetet publike të konkurronin realisht midis tyre do të duhej që secili të kishte pak a shumë të njëjtat programe studimi, çka do të kërkonte fryrjen e palogjikshme të stafeve akademike, të numrit të studentëve dhe të infrastrukturës universitare.

Paradoksit të mësipërm ligji i arsimit të lartë duket se i jep zgjidhje përmes centuarit “universitet publik i pavarur”, pjesë e kapitullit më të kontestuar të ligjit të arsimit të lartë, atij XII. Çdo universitet privat fitimprurës mund të kthehet në universitet publik të pavarur duke hequr dorë formalisht nga fitimi.[3] Them formalisht sepse, sipas ligjit, themeluesi (pronari) i universitetit privat do të vazhdojë ta ketë në dorë universitetin përmes kontrollit të përhershëm të shumicës së anëtarëve të Bordit të Administrimit.[4] Bordi i Administrimit zgjedh administratorin e universitetit dhe i lidh atij rrogën që do. Pra pronari do të kthehet në administrator dhe fitimi i deridjeshëm do të shndërrohet në rrogë tejet të majme.

Ç’është më e rënda, ligji lë të kuptosh se universitetet publike të pavarura do të gëzojnë të njëjtat të drejta si universitetet publike, pra do të fusin duart në të gjitha grantet e qeverisë.[5]

Ligji, gjithsesi, është bujar edhe me universitetet që do të vazhdojnë të jenë edhe formalisht fitimprurëse. Për shembull, bursat për studentët e shkëlqyer – pjesë e grantit të mësimdhënies – do t’u akordohen njëlloj si studentëve të universiteteve publike, ashtu edhe atyre të privateve.[6] Nuk duhet harruar për asnjë çast se financimi i studentëve të privatit do të thotë thjesht kalim i fondeve të shtetit, me ndërmjetësinë e studentit, drejt xhepave të pronarëve të tyre. Padrejtësia nuk mbaron me kaq. Meqenëse tarifat e privatëve janë disa herë më të larta se ato të universiteteve publike, i bie që qeveria të paguajë disa herë më shumë për një student të notës 10 që zgjedh privatin krahasuar me dikë tjetër që zgjedh publikun. Madje, për shkak se nga numri i “të shkëlqyerve” varet fitimi i pronarit, është e pritshme që ata që hyjnë me notën 10 në privat ta kenë të sigurt mesataren 10 për të gjitha vitet e studimit – pavarësisht se sa dhe si studiojnë.

Një tjetër grant i cili do të ndihmojë pronarët “e vobektë” të universiteteve private është ai i punës kërkimore-shkencore. Ligji nuk lejon thjesht financimin e grupeve studimore të pedagogëve të universiteteve private, por kërkon që ky financim të kalojë nga duart e institucionit (lexo: pronarit), i cili do të marrë haraçin e vet për punën hipotetikisht shkencore të punonjësve të tij.[7]

Merret me mend, sidoqoftë, se nuk do të kishte fundosje ekonomike dhe tëhuajësim të universiteteve publike pa u vënë kazmën përfundimisht autonomisë së tyre në raport me qeverinë dhe demokracisë së brendshme universitare. Për kujtesë: Sot e përherë, bordet e administrimit do të ndahen sipas parimit të mbrapshtë: “Kush paguan më shumë ka pushtetin”.[8] E vetmja mënyrë që të zgjedhurit e universitarëve të jenë shumicë kalon përmes rritjes së tarifave studentore përmbi nivelin e financimit shtetëror. Pra autonomi=haraç studentëve=tëhuajësim i universitetit.

Demokracia cenohet edhe më. Ligji i 2007 u jepte studentëve 20% të peshës së votës në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese universitare. Vërtet pak, por gjithsesi dy herë më shumë se 10% i sotëm mjeran[9]. Në vend të rritjes së kësaj peshe, qeveria ka propozuar ngjalljen e të ashtuquajturave “komisione të përhershme”, të cilat në kreun e organizimit të universiteteve renditen të fundit për nga rëndësia, pas senatit akademik, rektorit, rektoratit, asamblesë së personelit akademik, drejtuesit të njësisë kryesore, dekanatit, këshillit të etikës dhe drejtuesit të njësisë bazë. Me një fjalë, pesë me hiç.

Bajraktarizmi historik në universitetet publike mund të luftohet vetëm duke i shpëtuar pedagogët nga monopoli i zgjedhjes së shefave të tyre dhe përmes llogaridhënies së këtyre të fundit përpara shumësisë studentore. Prandaj barazia 50%-50% e votës pedagogë-studentë u jep frymëmarrje demokratike universiteteve, thellon kulturën demokratike e frymën kritike dhe bën të mundur kalimin nga konceptimi feudal i lirisë si privilegj në atë modern si bashkëpërgjegjësi.

Për sa më lart dhe shumë e shumë arsye të tjera, ligji i arsimit të lartë duhet rrëzuar sa më parë. Pa rrëzimin e tij – të mos na gënjejë mendja – nuk do të mund të plotësohen as ato pak kërkesa që qeveria ka pranuar deri më tash.

Imazhi: Reporter.al/Ivana Dervishi

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).



[1] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 107, pika a.

[2] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 7, pika ç dhe l.

[3] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 118, 119.

[4] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 121, pika 1, 2.

[5] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 118, pika 6.

[6] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 112, pika 4.

[7] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 113, pika 2, 3.

[8] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 48, pika 2.

[9] Shih: Ligji i arsimit të lartë, nr. 80, (2015), neni 37, pika 4; neni 39, pika 2; neni 42, pika 3.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.