/Perry Anderson/
Vijon nga pjesa e parë, e dytë dhe e tretë
IV. NOVUM
A është termi i duhur? A nuk duhet përdorur më mirë fjala është rikthyer në fushë? Fundja Kina ka qenë prej shekujsh qytetërimi më i pasur dhe i përparuar i botës: me siguri që duhet të ketë ndonjë lidhje midis zotësive të së shkuarës dhe arritjeve të hatashme të së tashmes. Këto çështje na shpien drejt një terreni më të gjerë dhe më të errët se fusha relativisht e qartë e krahasimit midis dy revolucioneve moderne. Këtu shfaqen tri shkolla rivale mendimi, pavarësisht se deri më sot nuk ka pasur ndonjë përballje sistematike mes tyre. E para, hë për hë më popullorja mes historianëve, e shpjegon rritjen e shpejtë ekonomike të RPK përmes trashëgimisë mijëvjeçare të së shkuarës perandorake – dinamizmit tregtar të bazuar në bujqësinë intensive; ndarjes thelluese të punës; rrjeteve të lulëzuara urbane dhe zgjerimit të tregtisë së brendshme; rritjes së madhe demografike; “revolucionit të punës së zellshme”. Sipas kësaj pikëpamjeje, ekonomia kineze, që prej kohësh ka qenë më e madhja dhe e sofistikuara në botë, duke shfaqur karakteristikat që Adam Smith-i i mvesh shtegut drejt rritjes ekonomike, ishte po aq e zhvilluar, në mos më shumë, sesa Evropa Perëndimore deri në kohën e Luftës së Opiumit. E nxjerrë jashtë rruge prej një shekulli nga depërtimi i huaj dhe trazirat e brendshme, tanimë ajo po i kthehet pozicionit të saj të natyrshëm në botë.
Sipas shkollës së dytë, që mbisundon mes ekonomistëve, e shkuara perandorake nuk shpjegon ndonjë gjë të madhe për të sotmen qoftë edhe për shkak se – siç e theksonte Smith-i – mungesa e tregtisë së jashtme e privon një ekonomi tradicionale nga stimuli konkurrues, duke e ngushtuar zhvillimin kinez brenda caqeve që i afrohen modelit të Malthus-it. Në këtë këndvështrim, rritja ekonomike e shpejtë bashkëkohore është produkt i integrimit të vonuar të Kinës në një ekonomi kapitaliste botërore, nga formimi i të cilës ajo pati munguar historikisht. Me hapjen e tregjeve të saj për investimet e huaja dhe forcimin gradual të të drejtave të pronës, më në fund faktorët e prodhimit u çliruan për t’i dhënë jetë një dinamizmi të ri. Kombinimi i ofertës së bollshme me forcë punëtore të lirë dhe kapitalit dhe teknologjisë së bollshme që vinin nga jashtë ka ndërtuar një makineri eksportuese të paprecedent në historinë e Kinës.
Sipas shkollës së tretë, që popullohet kryesisht (por jo vetëm) nga sociologë, çelësi i ngjitjes ekonomike të Kinës gjendet në Revolucionin Kulturor. Sipas këtij versioni, arritjet e periudhës së Maos hodhën themelet e thella për arritjet e Epokës së Reformës. Tipare thelbësore të kësaj trashëgimie janë krijimi i një shteti sovran të fortë për herë të parë në historinë e vendit, që i dha fund robërisë gjysmëkoloniale; formimi i një force punëtore të arsimuar dhe disiplinuar, me shkallë të lartë alfabetizmi dhe jetëgjatësie për një shoqëri ende të prapambetur; dhe vendosja e mekanizmave të fuqishëm të kontrollit ekonomik – planifikim, sektor publik, depozita të huaja – brenda një kornize institucionale relativisht të decentralizuar, që mundësonte autonomi provinciale. Vetëm mbi bazën e këtyre kushteve transformuese mund të bëhej e mundur periudha e Dyerve të Hapura.[1]
Thënë troç, asnjë prej këtyre interpretimeve nuk është shterues. Mund të hasen si përzierjet e tyre, ashtu edhe rastet e kulluara. Sidoqoftë, çka mungon në përgjithësi janë përpjekjet për të vlerësuar peshën relative që ofrojnë ndryshoret alternative. Nga ana analitike, hierarkia shkakësore e kërkuar nuk mund të kristalizohet brenda natës. Këtu mjafton të tregojmë një levë kontrolli relevante për hipotezat: Si dhe në ç’mënyra ndryshon apo ngjason rritja e shpejtë ekonomike e RPK nga ajo e Japonisë, Koresë së Jugut apo Tajvanit? Nëse përvoja kineze u afrohet shumë këtyre, atëherë fitojnë pikë shpjegimet e bazuara te karakteri paramodern apo kapitalizmi i vonuar i vendit; nëse dallon fort prej tyre, atëherë duket më i vlefshëm shpjegimi i bazuar te karakteri i saj revolucionar. Çfarë tregojnë të dhënat?
Statistikat na tregojnë një paradoks. Pavarësisht se ka qenë e rrufeshme, rritja ekonomike e RPK nuk ka qenë shumë më e shpejtë se ajo e fqinjëve të saj aziatiko-lindorë gjatë fazave të krahasueshme të zhvillimit të tyre, ndonëse ka zgjatur një dekadë më shumë. As baza e saj ekonomike nuk ka qenë shumë e ndryshme: në secilin rast, modeli i zhvillimit është mbështetur kryesisht tek eksportet. Në këto dy aspekte ngjashmëria është e madhe. Sidoqoftë, kontrasti është i dukshëm në pesë aspekte të tjera. Që prej viteve 1990, varësia nga eksportet ka qenë mjaft më e fortë në RKP sesa në Japoni, Kore të Jugut dhe Tajvan; pesha e konsumit në PBB mjaft më e ulët; mbështetja te kapitali i huaj ka qenë shumë më e madhe; hendeku midis të ardhurave dhe investimeve në qytete e fshatra mjaft më i gjerë.[2] Në fund, por jo më pak thelbësisht, përmasat dhe roli i sektorit shtetëror në ekonomi ka qenë dhe mbetet mjaft më të mëdha nga pikëpamja strukturore. Këto tipare të rritjes ekonomike kineze, që e dallojnë nga vendet e tjera të Azisë lindore, janë të ndërthurura dhe bartin një shpjegim të vetëm. Në Japoni, Kore dhe Tajvan, shtetet e pasluftës ishin krijesa të pushtimit ose mbrojtjes amerikane, si vija të para fronti në Luftën e Ftohtë. Nga pikëpamja strategjike ato mbeten edhe sot rojtare të Uashingtonit – përplot me baza ushtarake amerikane apo të rrethuara nga luftanijet amerikane – pa autonomi të mirëfilltë diplomatike e ushtarake. Duke mos pasur sovranitet politik dhe kërkuar legjitimitet të brendshëm, sundimtarët e tyre – Partia Liberal Demokratike në Japoni, Park Çung Hija në Kore të Jugut dhe Guomindani në Tajvan – e kompensuan këtë situatë me politika të vetëzhvillimit ekonomik, duke e kufizuar kapitalin e huaj dhe promovuar korporatat vendase. Po ashtu, duke pasur frikë nga radikalizimi i fshatarësisë dhe fantazma e Revolucionit Kinez, ata kryen reforma agrare – këtu SHBA ishte me ta – dhe u kujdesën që, me përshpejtimin e rritjes ekonomike, fshati të mos mbetej shumë pas qytetit.
RPK kishte një konfigurim të kundërt. Shteti i saj pasrevolucionar kishte që në gjenezë sovranitet të jashtëm të plotë – çka i mundësoi t’i ndalte amerikanët ushtarakisht në Kore – dhe sovranitet të brendshëm të fortë. Prandaj me hyrjen në Epokën e Reformës, RPK mund t’i lejonte vetes një fluks të madh të kapitalit të huaj, pa iu frikësuar diskretitimit apo subversionit prej tij. Si një shtet tërësisht i pavarur, me kontroll të fortë të territorit, RPK kishte besim në kapacitetin e vet për të kontrolluar përmes pushtetit politik rrjedhat e kapitalit të huaj, pak a shumë siç shpresonte Lenini gjatë NEP-it; dhe përmes mbajtjes së vazhdueshme të lartësive strategjike – financiare dhe industriale – të ekonomisë, kishte besim në kapacitetin për të mbisunduar ose manipuluar kapitalin e brendshëm. Për të njëjtën arsye, ajo mund të mpakte konsumin rural, duke i shtyrë fshatarët drejt qyteteve si punëtorë migrantë – në një mënyrë që ishte e pamundur për qeveritë e Tokios, Seulit apo Taipeit, të cilat, për të mbijetuar, e kishin të domosdoshme të kujdeseshin për fermerët. Faktori që i mundësoi PKK ta realizonte këtë proces pa humbur kontrollin mbi urbanizimin – sipas modelit të lagjeve planetare të barakave që gëlojnë në Jug të botës apo në Azinë juglindore – gjendet në sistemin e hukou-së, i vendosur gjatë Hopit të Madh Përpara, që ndan qytetet nga fshatrat. Edhe gjatë kohës së Maos fshatarët kanë qenë viktima të akumulimit primitiv në dobi të qyteteve. Po pasi sistemet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor u çmontuan pas vdekjes së tij dhe me largimin e investimeve nga fshati në kohën e Jan Ze Minit, hendeku në të ardhura midis fshatit dhe qytetit u rrit jashtëzakonsht. Premisa historike e niveleve të larta të investimeve të huaja direkte dhe niveleve të ulëta të kujdesit për fshatin në RPK ka mbetur e pandryshuar – një regjim i lindur nga revolucioni në një vend me popullsi shtatë herë më të madhe se shuma e popullsive të Japonisë, Koresë së Jugut dhe Tajvanit, që ka mundësi të përdorë dorën e fortë edhe me fshatarët, edhe me të huajt. Ende nuk është paguar plotësisht çmimi i këtyre të dyjave. Po fatura e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e secilës po rritet dukshëm – me trazira të përhapura po ende të palidhura me njëra-tjetrën në fshatra; si dhe me varësi në rritje, por ende të menaxhueshme ndaj Departamentit të Thesarit në SHBA.
2
Partia që e ka drejtuar këtë transformim të vendit është transformuar për vete prej tij. Të Pavdekshmit kanë vdekur. Por nuk kanë sosur përparësitë e të qenit lëvizësi i dytë, jo i pari. Nxjerrja e mësimeve nga fati i brezhnjevizmit e shtyu PKK ta institucionalizonte rinovimin e radhëve të saj drejtuese, duke vendosur kufij për mbajten e detyrave dhe siguruar transferimin e rregullt të pushtetit nga një brez në tjetrin. Pa të shkuar revolucionare, pushtetarët e sotëm e të nesërm kanë më shumë arsimim dhe mbështeten – njëlloj si sundimtarët e dikurshëm perandorakë në raport me intelektualët – në burime më të mëdha teknike dhe intelektuale dhe konsultohen formalisht dhe joformalisht me institute studimore dhe ekspertë të shumëllojshëm. Rritja ekonomike dhe suksesi diplomatik kanë restauruar reputacionin politik të Partisë. Kjo e fundit gëzon sot një legjitimitet popullor më të madh se kurdoherë më parë që prej viteve 1950. Mandati i saj është i fortë dhe i brishtë njëkohësisht. I fortë sepse begatia brenda vendit dhe dinjiteti jashtë tij bëjnë që pakkujt t’i shkojë ndër mend të rezistojë. I brishtë sepse zhvillimi ekonomik pa drejtësi shoqërore, si dhe vetëbesimi i brendshëm e kokolepjsa ndërkombëtare vështirë se mund të pajtohen me idealet e revolucionit me të cilin Partia ende identifikohet. Nacionalizmi konsumator përbën një nënshtresë ideologjike të hollë që nuk mund të mbajë krejt peshën. Sado të jetë depolitizuar ligjërimi kryesor i PKK, spastrimi i tij nga idetë socialiste do të ishte kundërproduktiv. Pretendimi i trashëguar për një tjetër lloj legjitimiteti, ende i shkruar në emrin e saj, mbetet një rezervë e domosdoshme pasi prej mendjeve të qytetarëve nuk janë fshirë ndjenjat revolucionare ndaj padrejtësisë dhe kërkesat për barazi; madje as rreziqet e injorimit të tyre.
Shpjegimi, klasifikimi dhe vlerësimi janë gjëra të ndryshme. Nga ana taksonomike, RPK e shekullit XXI është një novum historik botëror: kombinim i asaj që sot, bazuar në çfarëdo kriteri konvencional, mund të quhet një ekonomi kryesisht kapitaliste dhe një shteti, po bazuar në kriteret konvencionale, padyshim komunist – secili prej këtyre komponentëve shfaq një dinamizëm të rrallë në llojin e vet.[3] Nga ana politike efektet e kontradiktës midis tyre e përshkojnë ngado shoqërinë, në të cilën shkrihen dhe ndërthuren. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që kaq shumë njerëz të dalin kaq shpejt nga varfëria absolute. Kurrë nuk ka ndodhur që industritë moderne dhe infrastruktura ultramoderne të jenë ndërtuar në një shkallë kaq të madhe, në kaq pak hapësirë kohore, as të jetë krijuar kaq shpejt një klasë e mesme e lulëzuar. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshojë kaq dramatikisht pozita ndërkombëtare e një fuqie dhe të ketë prodhuar të tillë krenari popullore. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtave vite, kurrë nuk ka ndodhur që pabarazia të jetë rritur kaq marramendshëm e shpejt nga pikënisje fare të ulëta. As të jetë zgjeruar kaq shumë korrupsioni, ndërkohë që dikur ndershmëria merrej si e mirëqenë. As punëtorët, deri dje në teori zotët e shtetit, të jenë trajtuar kaq egërsisht – me vende pune të mbyllura, paga të pamarra, shpërfillje të gjymtimeve dhe shtypje të protestave.[4] As ka ndodhur që fshatarët, shtylla kurrizore e revolucionit, të grabiteshin kaq shumë nga toka dhe mjetet e jetesës prej zhvilluesve ekonomikë dhe zyrtarëve, në spastrime që u ngjajnë atyre të malësive skoceze[5]. Kina ka më shumë përdorues interneti se çdo vend tjetër, nuk ushtrohet terror dhe qytetarët gëzojnë liri të gjerë private; po kjo ndërthuret me një makineri më eficiente dhe efektive mbikëqyrjeje se kurdoherë më parë. Për pakicat politikat afirmative dhe represioni politiko-kulturor shkojnë dora-dorës; të pasurit mund të gëzojnë çdo luks dhe privilegj që mund të paguajnë përmes shfrytëzimit; të dobëtit dhe të zhvendosurit marrin vetëm thërrimet, ose më pak; disidentët censurohen ose flaken në biruca. Midis konformizmit ideologjik formal – por jo tërësisht joreal – gjen vend një energji shoqërore dhe vitalitet njerëzor kolosal. Emancipimi dhe prapakthimi kanë bashkëudhëtuar në të shkuarën; por kurrë më marramendshëm se në Kinën që Maoja kontribuoi të krijonte dhe u përpoq t’i vinte fre.
Gjykimi i këtij procesi historik mbresëlënës, ende në fazat e veta të hershme, mund të jetë i gabuar. Të kesh përpara syve krejt përvojën dhe të arrish përfundime dialektike është fort e vështirë edhe për ata që e jetojnë atë, lere më për kë e vështron nga jashtë. Në Perëndim sinomania dhe sinofobia kanë ndërruar vendet rregullisht që nga koha e iluminizmit, ku lavjerrësi tani po kthehet nga e dyta drejt të parës, në mes të një vale të re chinoiserie, popullore e intelektuale, jo medoemos më mendjendritur se origjinalja. Homologet e saj në Kinë janë fryma bashkëkohore e perëndimorizmit dhe shovinizmit hanomadh. Kundër këtyre tundimeve nevojitet një frymë e panjollosur krahasimi, që rrallë arrihet. Kjo vlen edhe për të ardhmen. Skenarët, optimistë ose pesimistë, që dëgjohen herë pas here në mes të qytetarëve të saj shpesh herë merren nga Tajvani dhe Singapori: demokratizim si pasojë e rritjes së nivelit të jetesës dhe pritshmërive politike, ose paternalizëm autoritarist in perpetuo, me një fasadë elektorale. Asnjëra prej tyre nuk ta mbush medjen. Demokracia tajvaneze nuk erdhi si rezultat i ndryshimit gradual të mendimeve brenda Guomindanit, por prej nevojës për një lloj të ri legjitimiteti pasi Amerika reshti ta njohë si shtet. Regjimi njëpartiak në Singapor bazohet në një shtet social substancial, i cili mund të mbahet vetëm sepse është ndërtuar për një qytet-shtet dhe jo për shtete të përmasave perandorake. Pekini as ka nevojë për të parën, as ka gjasë të riprodhojë të dytin. Se drejt ç’horizonti po shkon anija gjigande e RPK nuk mund të përllogaritet, së paku në astrolabet e tashme.
Fund
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga revista New Left Review, nr. 61, janar-shkurt 2010
Imazhi: Oliver Munday
[1] Për themelet e pikëpamjes së parë, shih librin e Kenneth Pomeranz-it, The Great Divergence: Europe, China and the Making of the Modern World Economy, Princeton 2000, si dhe artikullin e Sugihara Kaoru-t, “The East Assian Path to Economic Development: a Long-Term Perspective”, në librin e edituar nga Giovanni Arrighi, Hamashita Takeshi dhe Mark Selden, The Resurgence of East Asia: 500, 150 and 50 Year Perspectives, London 2003, ff. 78-117; për ilustrimin e të dytës, Jim Rowher, “When China Wakes”, Economist Special Report, 28 nëntor 1992; për shembuj të së tretës, Chris Bramall, Sources of Chinese Economic Growth, 1978-1996, Oxford 2000 dhe sidomos Lin Chun, The Transformation of Chinese Economy, Durham, NC 2006.
[2] Shih analizën goditëse, të shoqëruar me grafikë, të Hung Ho Fungut, “America’s Head Servant?”, NLR 60, nëntor-dhjetor 2009.
[3] Për një analizë të arrirë të kohëve të fundit mbi strukturën e ekonomisë, shih artikullin e Joel Andreas-it “Changing Colours in China”, NLR 54, nëntor-dhjetor 2008, ff. 123-52; kurse rreth vazhdimësisë së Partisë, librin e David Shambaugh-it, China’s Communist Party: Atrophy and Adaptation, Berkeley-Los Angeles 2008, i cili thekson aftësitë nxënëse të saj mbi kolapsin e PKBS.
[4] Fati i klasës punëtore kineze, të vjetër e të re, trajtohet në kryeveprën sociologjike të Ching Kwan Lee-së, Against the Law: Labor Protests in China’s Rustbelt and Sunbelt, Berkeley-Los Angeles 2007.
[5] Autori i referohet dëbimit në masë të malësorëve skocezë në shekujt XVIII-XIX për t’i bërë vend blegtorisë kapitaliste. (Shën. përkth.)