/Emiljando Kita/
Politikë, fjala që rrjedh nga greqishtja antike si pólis, do të thotë “qytet-shtet” apo “bashkësi e shumëfishtë”. Rikthimi i politikës në popull nënkupton vetëdije organizative, greva, ngritje e protestave për të drejtat e punëtorëve (1 Maji) dhe të drejtat e grave, kundërshtime masive ndaj politikave neoliberale (shembull janë protestat studentore kundër Ligjit për Arsimin e Lartë), protesta për transportin publik, naftën, ujin, rrymën elektrike apo qoftë edhe për vendimet absurde të qeverive (armëve kimike).
Jetojmë brenda një ideologjie të krisur ku gjithçka që quhet politikë presupozohet se i përket një grushti njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me një grup oligarkësh. Ngritja e zërit për problemet social-ekonomike, pra politika, nuk duhet të jetë monopol i të kollarisuve që kërkojnë rotacionin, por e drejtë e qytetarit të thjeshtë, të përjashtuarve të periferisë, studentëve, naftëtarëve, minatorëve, punëtorëve të fasonerive etj. Sepse këta janë shumica e përjashtuar e shoqërisë.
Punëtori duhet të bëhet politik, duhet të organizohet në vendin e punës për të rritur pagat, siguruar jetën dhe për të kritikuar ligjet qeverisë. Në ditët e sotme, nëse një qeveri pengon formimin e një sindikate, konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 50). Sindikatat në parim duhet të jenë kritike të çdo pushteti. Punëtorët sot janë jo vetëm të shfrytëzuar (puna e tyre me paga qesharake ndërton shtetin e miliardizon oligarkët), por edhe fare pa të drejta organizimi.
Në kushtet e papunësisë dhe varfërisë që pritet të thellohet nga situata që po kalon bota dhe vendi ynë, zgjidhja për luftimin e varfërisë fillon nga punësimi.
Por edhe punësimi, nëse është i keqpaguar, siguron mbijetesë, jo jetesë cilësore. Mbijetesën ta fal edhe burgu. Kësisoj, meqenëse papunësia do të jetë edhe më e madhe, punëtorët do të falënderojnë pronarin edhe për 150 mijë lekët që nuk iu mjaftojnë as për të mbyllur muajin. Sa më të shumtë të jenë të papunët jashtë dyerve të fabrikave, aq më vështirë e kanë punëtorët të organizohen për të kërkuar të drejtat bazike.
Të gjithë përballen me shantazhin: ose puno pa të drejta, ose vdis rrugëve. Vdekjet dhe aksidentet në punë janë bërë aq normale sa nuk jepen më as në media, çka u vërtetua nga heshtja e mediave gjatë protestave të minatorëve. Mirëpo dihet se e vetmja rrugë drejt pagës së dinjitetshme është sindikalizmi.
Përpos kësaj, pandemia e Covid-19 i bën të gjithë të kuptojnë qartë se cilat janë vendet e punës që i duhen shoqërisë. Duhen mjekë për operacione estetike apo mjekë që na shërojnë, policë apo mësues, kazino apo bujqësi, blegtori, industri e turizëm?
Ne e kuptojmë më së miri se vendi ynë çdo ditë e më tepër nuk është më i të shumtëve, i atyre që e kanë ndërtuar dhe e mbajnë në këmbë përmes punës së ndershme.
Por përse vallë ndodh kjo?
Sepse sot Shqipëria është pronë e të paktëve dhe shtet privat. Një grusht njerëzish ka privatizuar gjithçka: fabrikat, ndërmarrjet publike, hapësirat publike, pyjet, tokat e bregdetit, spitalet, rrugët, shkollat, ujësjellësit, hidrocentralet etj. Koncesionet e PPP famëkeqe e kanë zhytur vendin në borxhe, korrupsion dhe pabarazi të thellë.
Ka kohë që po del në sipërfaqe një kritikë marksiste në fushën e ekonomisë. Ultrakapitalizmi në Shqipëri ka prodhuar çindustrializim, papunësi masive, shkatërrim të burimeve natyrore, katastrofa ekologjike, dëshpërim social dhe polarizim ekstrem ekonomik në duart e pak oligarkëve. Krahas punësimit me të drejta dhe llojit të vendit të punës, shpërndarja e drejtë e të ardhurave të shtetit, pra taksa progresive, është bërë domosdoshmëri. Sepse sot, edhe në këtë periudhë të krizës ekonomike, korporatat e mëdha tatimin mbi fitimin e kanë vetëm 10-15%, ndërkohë që për dividendët paguajnë vetëm 8%.
Në kriza të mëdha ekonomike, taksimi progresiv ka shpëtuar ekonominë nga falimentimi. Mbas “Depresionit të Madh” të viteve 1929-‘33, apo edhe në kohën e sotme, shumë shtete kanë aplikuar taksën e drejtë progresive me synimin që të marrin sa më shumë nga të ardhurat e më të pasurve. Në mjaft raste sistemi progresiv ka shkuar edhe drejt një “konfiskimi fiskal”. Në SHBA dhe Britania e Madhe, përpara eksperiencës neoliberale të Margaret Thatcher-it dhe Ronald Reagan-it, u vendos një sistem taksash progresive që ndëshkonin të pasurit, ndëshkim që bëhej më i rëndë sa më i pasur apo fitimprurës konsiderohej personi apo korporata. Taksat progresive për kategoritë e larta të fitimeve arritën deri në 70-90% të fitimit, çka është haptazi një konfiskim fiskal i mirëfilltë. (“Kapitali në shek. XXI” i Thomas Piketty-së)
Ne po jetojmë në kohën kur shumica dërrmuese e rinisë duan të braktisin vendin ngaqë padrejtësitë, shfrytëzimi dhe varfëria janë në nivele alarmante. Prandaj kur do të dalim nga shtëpitë tona, nëse duam të ndërtojmë jetën në vendin tonë, na mbetet vetëm një rrugë: të organizohemi në vendin e punës (sindikata), në shkolla e universitete (unione), në nivele lagjesh (asamble qytetare), të organizohemi për kauza të rëndësishme të shoqërisë si mjedisi, të drejtat e grave, pakicave etnike, LGBT+ etj.
Përmes këtyre organizimesh ne hedhim themelet e ndërtimit të drejtësisë shoqërore, demokracisë së vërtetë, emancipimit të shumanshëm, mirëqenies për të gjithë dhe jetës së dinjitetshme.
Në kapitalizëm ka mbiprodhim, por ka edhe të papunë. Misioni i shtetit është ta rregullojë këtë kontradiktë sepse faji është i tregut, jo i punëtorëve. Sigurimi i minimumit jetik është detyrim i shtetit, jo lëmoshë. Duhet që publikja të mbizotërojë ndaj privates. Arsimi e shëndetësia janë të mira themelore publike dhe nuk mund të lihen në mëshirë të fatit. Shoqëria e sotme duhet të kontribuojë për shoqërinë e së nesërmes. Shoqëria duhet të kontribuojë që e drejta e jetës mos t’i cenohet askujt për arsye ekonomike.
Po nga pritet të vijë ndryshimi i madh?
Studentët kanë një përparësi: dinë më shumë, kanë energji, kohë të lirë, e kërkojnë ndryshimin dhe mbi të gjitha nuk u ka humbur akoma aftësia për të ëndërruar një botë më të mirë. Studentët e sotëm janë shoqëria e nesërme. Punëtorët po ashtu janë klasa më e rëndësishme shoqërore, prodhues të mirash e shërbimesh, çka i vendos në epiqendrën e kontradiktave shoqërore. Fakti që përbëjnë shumicën në çdo shoqëri, shfrytëzohen sistematikisht dhe ndodhen të pozicionuar në zemër të sistemit, i bën ata faktorin më të rëndësishëm të ndryshimeve progresiste shoqërore. Jo kot në mot Xhorxh Oruelli thoshte: “Nëse ka shpresë ajo gjendet te punëtorët!”
Është koha që pas karantinës, ne, studentë dhe punëtorë, qytetarë dhe intelektualë, të nisim betejën për ndryshime të mëdha në shoqëri. E nesërmja nuk është larg.
Imazhi: David Alfaro Siqueiros
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)