/Georg Lukács/
…Gjithsesi, refuzimi i shpresave apo iluzioneve utopike nuk nënkupton se na mbetet vetëm rruga e fatalizmit. Mirëpo, meqenëse të shpresuarit se njeriu mund të shndërrohet së brendshmi gjatë kapitalizmit përbën iluzion utopik, na duhet të zbulojmë mjetet dhe garancitë organizative që do t’i vinin fre efekteve katastrofike të kësaj situate, që mund t’i ndreqnin ato sapo të shfaqeshin pashmangshmërisht dhe të shkatërronin farat e këqija që prodhojnë. Dogmatizmi teorik përbën vetëm një rast të veçantë të këtyre prirjeve kah fosilizimi, të cilit i nënshtrohet pandalshëm çdo njeri dhe organizatë në një mjedis kapitalist. Procesi kapitalist i sendëzimit njëkohësisht e mbiindividualizon dhe e objektëzon mekanikisht njeriun. Ndarja e punës, e huaj për natyrën njerëzore, i ngurtëson veprimtaritë njerëzore, i bën njerëzit automatë në punë dhe i kthen në skllevër të rutinës. Në këtë kontekst, ky proces në të njëjtën kohë mbizhvillon ndërgjegjen e tyre individuale, e cila shndërrohet në diçka të zbrazët dhe abstrakte nga pamundësia e gjetjes kënaqësi dhe shpalosjes së personaliteteve në punë, dhe që tashmë është shndërruar në egoizëm brutal që lakmon famë dhe pronë. Të tilla prirje do të vijojnë domosdoshmërisht në Partinë Komuniste, e cila në fund të fundit nuk ka pretenduar ndonjëherë se kishte mundësi ta reformonte natyrën e brendshme të anëtarëve të saj përmes mrekullish. Diçka e tillë bëhet edhe më e vërtetë nga fakti se kërkesat e veprimit të qëllimtë e shtrëngojnë Partinë të fusë ndarjen e punës në përmasa të konsiderueshme, dhe kjo mbart në mënyrë të pashmangshme rreziqet e ngurtësimit, burokratizimit dhe korrupsionit.
Jeta e brendshme e partisë është një luftë e pandalshme ndaj kësaj trashëgimie kapitaliste. E vetmja armë vendimtare që zotëron ajo është aftësia e saj për t’i mbledhur bashkë të gjithë anëtarët e partisë dhe për t’i përfshirë në veprimtari partiake me gjithë personalitetin e tyre. Funksioni i njeriut në parti nuk duhet parë si ofiq ku detyrat duhen zbatuar me ndërgjegje dhe devotshmëri, por vetëm si detyra zyrtare; përkundrazi, veprimtaria e çdo anëtari duhet të shtrihet në çfarëdolloj pune partiake të mundshme. Për më tepër, kjo veprimtari duhet të ndryshojë në varësi të punëve që dalin përpara, në mënyrë të tillë që anëtarët e partisë të hyjnë me gjithë personalitetin e tyre në një marrëdhënie të gjallë me krejt jetën e partisë dhe të revolucionit; kësisoj ata rreshtin së qeni thjesht specialistë që pashmangshmërisht përballen me rrezikun e ngurtësimit. Edhe një herë, këtu vihet re bashkimi i pandashëm i taktikës me organizimit. Vendet në hierarkinë e partisë (dhe përderisa lufta vazhdon, pasja e hierarkisë është e pashmangshme) duhet të bazohen në përshtatshmërinë e dhuntive të caktuara me kërkesat objektive të fazës së caktuar në të cilën ndodhet lufta. Nëse revolucioni lë mënjanë një fazë të caktuar, përshtatja ndaj kërkesave të situatës së re përmes ndryshimit të thjeshtë të taktikës, ose përmes ndryshimit të formave të organizimit (p.sh. kalimi nga metodat ligjore te ato joligjore), do të ishte e pamundur. Ajo çka nevojitet është shkartisja e hierarkisë partiake: përzgjedhja e personelit duhet t’i shkojë për shtat me përpikëri fazës së re të luftës. Natyrisht që diçka e tillë nuk mund të jetësohet pa “gabime” apo kriza. Nëse përparimi i Partisë Komuniste nuk do të shoqërohej nga rreziqe të tilla, atëherë ajo do të ishte një ishull utopik fantastik të bekuarish rrethuar nga ujërat e oqeanit të kapitalizmit. Aspekti dukshëm i ri i organizimit të saj ka të bëjë vetëm me faktin se ajo lufton me ndërgjegje gjithnjë e më të lartë kundër këtij kërcënimi të brendshëm…
E përktheu Arlind Qori
Marrë nga libri i autorit “History and Class Consciousness”