/Stavro Çina/
Siç ndodh shpesh shoqëria, mediat, analistët e facebook-istët merren me “pula vezën apo veza pulën”, aq me tepër në këtë rast kur veza u doli në shteg. Kam lexuar e dëgjuar komente nga më moralistet deri te më ekstremistet. Kish edhe nga ata që e quajtën një veprim normal ose të nxituar. A thua u godit një kryeministër normal në një shtet normal?! Janë vetëm spekulime të rëndomta mediatike për të fshehur të vërtetën e dhimbshme. Kjo e vërtetë shtë realiteti ynë i përditshëm, ajo që flitet kudo e që askush s’ka forcën ta nxjerrë përtej kafeneve, bisedave shoqërore e familjare. Kurse këta të rinj patën guximin t’ia plasin kryeministrit ne surrat. Është e vërteta e dhimbshme që Lëvizja Për Universitetin ka më shumë se dy vjet që i jep zë brenda mjediseve universitare dhe Organizata Politike mundohet t’i japë zë në shoqëri. Papunësia, keqpunësimi, diskriminimi, vetëvrasjet, vdekjet në miniera, burgosjet për energjinë e për tatimet, rritja e tarifave të shërbimit, ulja e përkrahjes sociale, prishja e barakave të fruta-perimeve, katërfishimi i numrit te familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme brenda tre viteve të fundit etj. Përballë tyre pushtetarë e oligarkë që trashin zverkun, xhepat, luksin mbi kurrizin e fakirëve të gjorë.
Jemi të ndërgjegjshëm që ato vezë nuk janë zgjidhja, por mund të jenë çelësi i zgjidhjes. Ato vezë janë paralajmërim për pushtetin që kupa është mbushur, që thika ka vajtur në kockë e po e gërryen atë. Janë paralajmërim që s’mund të tallet me fatet e popullit. Mbi të gjitha janë tregues që nuk jetojmë në një situatë normale, siç mundohen të na e shesin, dhe që këtu ka rezistencë.
“Kush gjuan me vezë?” – ka qenë pyetja që dëgjoja ngado nëpër media dhe rrjete sociale. Përgjigjet kanë qenë nga më ciniket deri te më monstruozet. Jo mor jo nuk qëlluan as studentet e dobët, as marsianët, as PD-istët, as komunistët, as mjaftistët. Nuk ishin as “lavire bulevardi”, siç do i quante Berisha në kohë të vet, por bij “kokëpalarësh”. Ata që qëlluan ishin bij dhe bija punëtorësh, fshatarësh, të papunësh. Studentë periferie që erdhën dhe i dërguan në Tiranë me plot ëndrra, kurse sot nuk ua lejojnë as që të ëndërrojnë. Bij prindërish që rropaten në punë, që heqin bukën e gojës, madje shumë herë marrin dhe borxh për të shkolluar fëmijët si e vetmja shpresë. Shkollim që i nxjerr punëtorë call center-ash, kamerierë ose të papunë. Janë djem dhe vajza që e kanë kuptuar realitetin, por që s’mund ta pranojnë kurrsesi atë. Gjithashtu janë të vetëdijshëm që fakultetin do e përfundojnë me këto tarifa të kripura dhe përsëri luftojnë.
Ndaj Lëvizja Për Universitetin nuk është vetëm studentore, por një lëvizje më e gjerë emancipuese. Nuk gjuajtën ndaj Edi Ramës si kokorosh, por ndaj kryeministrit dhe gjithë klasës politike që e kanë katandisur arsimin dhe publiken në këtë farë feje. Nuk gjuajtën për vete dhe as vetëm për studentët, por gjuajtën për shoqërinë, për të papunët, për të shfrytëzuarit, për të diskriminuarit, për të përjashtuarit, për të harruarit. Me një fjalë gjuajtën për atë që është e të gjithëve, publiken. Nuk gjuajtën as për famë e as për show, madje këto ishin i vetmi peng i tyre, por gjuajtën për drejtësi, gjuajtën nga mllefi, gjuajtën nga dhimbja e nga uria për ushqim e për dije. Ky ishte kushtrimi i radhës i kokëpalarëve. Kush mundohet të argumentojë të kundërtën është thjesht një vegël idiote e pushtetit, dritëshkurtër që nuk shikon më larg se hunda e vet, ose keqbërës që do të mbijetojë mbi varfërinë e mbi gërmadhat e publikes. Studentët patën guximin për t’u bërë shembull, sakrifikuan për të dhënë besim dhe guxim. Na treguan që askush nuk është i paprekshëm. E lëvizja do e vazhdojë edhe më e fort rrugëtimin e saj për “arsim publik falas”. Tash jemi edhe më guximshëm, do i mbajmë premtimet tona: reforma s’ka për të kaluar në universitet, ministrja Nikolla dhe kryeministri do vazhdojnë të jenë persona të padëshiruar në mjediset universitare. Të shkojnë të shërbejnë shampanjë te Çili po deshën. Ne të gjithë bashkë do t’ia dalim.
Ndaj mik, shok, student, i papunë, i përjashtuar merr guximin dhe jep shembullin tënd: Organizohu! Të jemi grushti i bashkimit dhe rezistencës, grushti që do të shkatërrojë privilegjet e politikanëve dhe oligarkëve. Mendjet bashkë, zemrat bashkë, e ardhmja është e të gjithëve!
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).