Domethënia e Partizanit

/Arlind Qori/

Meqenëse konkretja është po aq, në mos më shumë, komplekse sesa mendimi abstrakt, nuk është herezi të reflektohet jo vetëm për domethënien e koncepteve emërmëdha si liria, barazia, marrëdhëniet e prodhimit, raportet e sundimit etj, por edhe për atë të emrit të një skuadre futbolli, Partizanit. Emri Partizan shënjon një skuadër futbolli, me një histori si emër dhe si skuadër futbolli, me grupe shoqërore më të afërta me të historikisht, çka ndërveprueshëm ndërtojnë domethënien e Partizanit; një domethënie që e bart të shkuarën herë si peshë të lidhur pas këmbëve, herë si forcë shtytëse përpara.  Ridomethënia është një proces që shpluhuros nga e shkuara premtimin emancipues të pakryer dhe e sendërton atë në kushtet e tanishme shoqërore.

Po ç’do-me-thënë Partizani? Aktualisht është një skuadër që noton në baltovinën e kampionatit shqiptar, që ka kaluar nga një pronar te tjetri, që ngjall ende entuziazëm tifozësh etj. Po përtej kësaj është një emër i pagëlltitshëm lehtë për shkak të peshës dhe shtysës historike, ka yllin e kuq në stemë dhe u bën thirrje edhe pavetëdijshëm disa grupeve shoqërore. Emri Partizan mbart part-in (pjesën) dhe partinë. Në rastin e parë evokon një kontradiktë të papajtueshme; në të dytin tentativën për ta pajtuar me çdo mjet kontradiktën. Në të parin, pakënaqësinë e pjesës që nuk e konsideron veten hisetare të rendit aktual e për pasojë do ta shpërthejë atë; në të dytin  unitetin organik që do ta shkulë mohoren nga shoqëria, duke shuar kësisoj shtysën dialektike të transformimit permanent; në të parin vegjëlinë e tejpërtejshme që ha fara dhe ëndërron, në të dytën elitat e gjithëpushtetshme që bëjnë reklamë me logot dhe me sipërfaqen e emrit Partizan.

Partizani është e vetmja skuadër me potencial politik, pra universal, sot për sot në Shqipëri. Ndryshe nga skuadrat e tjera ku përkatësia është origjinare, e zhytur në lokalitete krahinore, Partizani është skuadra e të gjithëve dhe askujt, është skuadra e një pjese, e atyre që refuzojnë identitetin lokal, dhe që mund të ndërtojnë një përkatësi të re, atë politike. Nëse tifoz i Tiranës, Vllaznisë, Flamurtarit etj ‘lind, por nuk bëhesh’, tifoz i Partizanit ‘nuk mund të lindësh, por vetëm të bëhesh’.

Historia e emrit dhe e skuadrës e ndihmon në këtë rast. Emri partizan shënjon ndarjen, sidomos ndarjen në dysh, karakteristikë të çdo politike që e meriton këtë emër. Por jo vetëm kaq, ai shënjon emrin e të paemërve që ngritën krye dikur, partizanëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, pavarësisht se u tradhtuan. (Fundja e çuditshme do të ishte që lëvizjet emancipuese të mos tradhtoheshin. Përndryshe çlirimi dhe emancipimi shoqëror do të ishin punë çiliminjsh që ia qëllojnë me herën e parë.) Ai shënjon emrin e të varfrit me armë në dorë, e atdhetarit dhe internacionalistit njëkohësisht, e atij që nuk e pranon mallkimin e inercisë shekullore. Ai është emri i të epurit deri në përkulje që habitshëm shpalos vullnetin e paepur për barazi dhe liri. Historiciteti i emrit partizan nuk shënjon vetëm të shkuarën e pakthyeshme, por edhe të shkuarën e tradhtuar dhe të braktisur, premtimin utopik blohian që mëton të rishfaqet dhe ritundojë në të gjitha të tashmet e përdhunshme.

Mbi të ngrihet historia e emrit të skuadrës (Partizanit). Ai pëson peshën e përkëdheljes së regjimit të vjetër, por njëkohësisht entuziazmin e masave të tifozerisë. Sikur emri i skuadrës të lidhej vetëm me regjimin e shkuar, fare lehtë do ta kishin pasur t’ia përçudnonin emrin, si emërhumburës Dinamo (që për ca kohë mbajti emrin Olimpik, dhe që si asokohe, ashtu edhe sot ka për tifozë kryesisht të afërmit e futbollistëve). Emri i skuadrës Partizan historikisht ka shënjuar, duke shtyrë përpara, tejpërtejshmërinë shoqërore, shpërbërjen e identiteteve lokale, fetare etj, ushtrinë e dikurshme si kazan shoqëror të formësimit të shpërbërjes së identiteteve paramoderne dhe mahnitjen pas të kuqes ndezëse. Sigurisht që është nxitur si rrafshues ideologjik, por në shumëpërmasinë e vet ka nxjerrë krye jashtë saj, duke qenë më e gjerë nga ç’kërkohej, duke fshehur brenda vetes mospajtimin e përhershëm, atë të ish-fshatarit të kthyer në punëtor fabrike në qytetin industrial, atë me të cilin regjimi i vjetër krenohej, por edhe i frikësohej, atë që në fund i dha shkelmin një sistemi që e kishte tradhtuar si mos më keq premtimin utopik jetik.

Kjo peshë dhe forcë shtytëse historike bën që Partizani i sotshëm të mund të jetë më shumë sesa një skuadër. Domethënia e vet e re shkuarën, mund të ndërtohet si shprehëse politike e mllefit ndaj padrejtësive të gjithanshme: shfrytëzimit klasor, diskriminimit racor, krahinor, gjinor, seksual etj. Ajo mund të jetë skuadra që shpluhuros nga e shkuara kumtin emancipues, mbyll në sëndukun e dënimit përdorimet ideologjike të së shkuarës, dhe u rijep zë të pazëve.

Por është vetëm një skuadër futbolli! Bash ashtu, nëse futbollin e shohim si lojë me porta të vogla ku mileti shkon të dëfrehet në fundjavë, për t’u riprodhuar si i papunë, punëtor dhe i diskriminuar i bindur i një rendi politiko-shoqëror të fiksuar në pabarazi dhe paliri. Mirëpo nëse e sheh një lojë si të zhytur në shoqëri, të aftë për të bartur domethënie që e kapërcejnë golin e radhës, që i rreshtojnë tifozët jo vetëm si spektatorë, por si pjesëmarrës të një fushe më të madhe sesa ajo e blertë, atëherë Partizani nuk është vetëm një skuadër futbolli, por frymë që shprehet edhe në, dhe nëpërmjet, një skuadre futbolli.

Nëse futbolli bashkëkohor, sidomos ai evropian, është i mbushur me qenie të tëhuajtura e të pashpresa që shfryjnë dufin në kore raciste apo mburravecërie etnike, Partizani ka historinë për të ndërtuar një domethënie të re emancipuese: atë të një skuadre politike, jo si përfaqësuese fraksionesh grabitësish parlamentarë, por si pjesë e vulëhumburve, e të patokëve, e të refuzuarve, e të papërkulurve, e atyre që e shohin njëri-tjetrin në sy, dhe pavarësisht se dialektet ua vështirësojnë kuvendimin, bashkëkatandisja i shtyn të merren vesh dhe të bashkëveprojnë. Mund të jetë skuadra që bën bashkë të papunin, punëtorin, jevgun, gruan e diskriminuar, homon, minoritarin, heretikun etj. Secilin duke e zhvendosur nga pozicioni i vet i ngushtë drejt një përbashkësie të re militante dhe kundërvendosëse në raport me logjikën shfrytëzueso-përjashtuese të së tashmes. Partizani është emri që mund t’u flasë të ngjashmëve me ta anekënd botës, të flasë me një gjuhë universale, internacionaliste. Pse jo, të jetë Livornoja ose St Pauli shqiptar, madje edhe më tronditës se ata. Partizani është emri që mund të thërrasë gjithkënd brenda vetes, pa kushte identitare, por me kushte politiko-emancipuese. Kushdo mund të jetë pjesë e tij, përveç shtypësve, shfrytëzuesve, racistëve, seksistëve, gjinoristëve, krahinistëve…Përndryshe do të jetë një skuadër më shumë në pazarin futbollistik të shitblerjes së ndeshjeve, pronarëve spekulantë, shkallëve të braktisura, bastoreve të mbushura dhe çartikulimit e çorganizimit deri në imtësi të çdo kolektiviteti me potencial emancipues.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.