Disa mësime nga shembja e Teatrit

/Redi Muçi/

1. Në vend të hyrjes – zhgënjimi është i kuptueshëm, por nuk duhet të kthehet në dëshpërim. Nga disfata duhen nxjerrë mësime për t’ia nisur nga e para, ama më të vetëdijshëm për kapacitetet dhe strategjinë që duhet ndjekur.

2. Prishja e Teatrit Kombëtar është tërësisht brenda logjikës së sundimit të pushtetit politik dhe oligarkik të dekadës së fundit. Kapja e çdo hapësire publike nga oligarkia vendase – paralelisht me monopolizimin e tregut – herët ose vonë shoqërohet ose me tjetërsimin e ambienteve brenda qytetit, ose me zgjerimin jashtë kufirit të tij. Në çdo rast kjo ndodh në kurriz të atyre që u dalin para, qofshin stadiume, teatro, hapësira të gjelbra, zona historike, zona banimi etj. Shtrirja e kapitalit nuk njeh kufij. Gjithçka kthehet në një qendër të madhe tregtare, pallat apo çdo gjë tjetër që gjeneron paranë. Tirana, në këtë rast, është si një minierë e madhe ari. Fadroma që shembi godinën e teatrit është dinamiti që hap një galeri të re shfrytëzimi. Ne thjesht jetojmë dhe punojmë për ta nxjerrë këtë mineral, i cili shkon tjetërkund: te kodrat në Rolling Hills-it.

3. Çdo kauzë që të mbrohet apo të fitohet varet nga raporti i forcave. Artistët dhe aktivistët e ndershëm, që detyrohen të shfajësohen përnatë se aty nuk kanë dalë për pazare politike por për kauzën kolektive, zgjodhën mbështetjen e partive të opozitës me idenë e ndikimit të raportit të forcave. Të gjithë ata e dinë shumë mirë se ç’sharlatan është Lulzim Basha dhe se ç’ujkonjë është Monika Kryemadhi. Por rezultati i kauzës së Teatrit – e para saj i kauzës së banorëve të Astirit – dëshmoi edhe diçka tjetër: se përveç forcës vlen edhe legjitimiteti i kauzës. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zgjodhi forcën duke dobësuar legjitimitetin dhe pushteti i Edi Ramës sulmoi pikërisht në pikën e saj të dobët, pasi forcën shteti e ka detyrimisht gjithmonë në favorin e tij.Janë të pakta rastet në 30 vjet protesta e rebelime në vendin tonë ku një kauzë e caktuar i ka bërë ballë mësymjes së partive opozitare për përvetësimin dhe eventualisht çuarjen për dreq të saj.

4. A ia vlen më mirë të humbësh për shkak se je më i dobët por i pakompromentuar apo të kompromentohesh pasi kështu shpreson të zhbalancosh raportin e forcave? Në radhë të parë, gjatë luftës për një kauzë të caktuar mund të bëhen kompromise, mund të zgjidhen aletë jo fort të dashur, mund të tolerohen personazhe për hir të qëllimit primar të kauzës. Ama jo deri aty sa të kompromentohet vetë kauza. Kur vjen për shkak të mungesës së forcës, humbja e pakompromentuar lë hapësirë për një betejë tjetër. Humbi një mundësi, ama lufta është e gjatë. Humbja e kompromentuar mbart me vete rrezikun e përsëritjes së historisë, nga tragjedi në farsë. Në radhë të dytë, forca e supozuar e partive të opozitës ose rezultoi shterpë për shkak të delegjitimit të gjerë në popull, ose avulloi për shkak të pazareve të zakonshme të tyre me Edi Ramën poshtë tavolinës, ose të dyja bashkë.

5. Edi Rama ka përballë një kundërshtar politik shumë të dobët dhe të leqendisur në sytë e popullit, çka i lejon atij të ndërmarrë veprime që nuk gëzojnë legjitimetet të gjerë. Ndëshkimi me votë nuk e tremb thuajse aspak dhe politika është një lojë bixhozi ku Edi Rama guxon të hedhë edhe një hap më tutje drejt instalimit të një sistemi autokratik. Ne mendojmë se diktaturat vendosen me dhunë të atypëratyshme, por në fakt ato instalohen gradualisht, ligj pas ligji, zaptim pas zamptimi, koncension pas koncensioni. Jo më kot në këto 30 vjet, sa herë kemi kthyer sytë pas, kemi thënë “mor po ai që iku kish njëmijë të këqija, por jo si ky”. Kjo nuk ka thuajse fare të bëjë me karakterin e qeveritarit, por me tërheqjen dhe heshtjen e përhershme të një populli të regjur nga abuzimi i më të fortit, duke krijuar hapësirën për maskarallëkun e radhës – atë që nuk guxoi të bënte paraardhësi.

6. Mungesa e çdo alternative zgjedhore, nga njëra anë e shtyn popullin nëpër qoshet e dëshpërimit – ra edhe kalaja e fundit e rezistencës; por nga tjetër e ndërgjegjëson se nuk ka më asgjë për të humbur – nuk ka më opozitë partiake, as parlament, as president, as sistem drejtësie, as kushtetutë. Kjo e kthen në domosdoshmëri kolektive lindjen e të resë, e cila sigurisht nuk mund të lindë nga hiçi. Indinjata dhe zhgënjimi nuk mjaftojnë – duhet organizimi. Organizimi është më i thjeshtë nëse nis nga vendi i punës, ku përditshmëria të imponon një angazhim në kolektiv për marrjen e vendimeve, për kultivimin e idesë së rezistencës dhe ndërgjegjësimin se nuk je vetëm, por ke ku të mbështetesh. Organizimi mund të nisë duke aderuar nëpër organizime bazuar në bindjet vetjake ideo-politike. Organizimi mund të jetë edhe aderim i përkohshëm në një grupim për një kauzë specifike, pa qenë nevoja që çdo anëtar të pajtohet në mendime, por ama ku vendos vullneti i lirë i shumicës.

7. Në vend të mbylljes – shumëkush mendon se ndryshimi është mbrapa kthesës, se mjafton të gjendet ajo ideja gjeniale që e jep zgjidhjen si me magji, prandaj e provon një herë fatin me një koment në fejsbuk. Pse s’bëni këtë? Po e humbët rastin sepse s’provuat atë. Kur do të vijë dita të bëni si them unë?! Kjo mendësi, përveçse e heq përgjegjësinë nga vetja, neglizhon vakumin e eksperiencës në organizim që kemi trashëguar në vendin tonë nga epokat e shkuara. Çdo etapë nëpër të cilën kalojmë na mëson diçka, vendos një gur në murin që po përpiqemi të ngremë shoqërisht. Çdo disfatë, sado e hidhur, na e qartëson vizionin se për ku jemi nisur të shkojmë. Nuk ka vend për dëshpërim. Nevojitet organizim.

Imazhi: Nensi Bogdani/Reporter.al

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.