/Alfred Bushi/
“Kur dielli i kulturës është në perëndim, edhe xhuxhët marrin pamjen e gjigantëve.” – Karl Krauss
Mendimet mbi ngjarjet e fundit të shprehura në këtë shkrim duhen lexuar nga një perspektivë ngushtësisht dialektike. Ngjarjet që kanë përfshirë botën universitare këto ditë ndryshojnë dita-ditës, çka e bën të vështirë daljen në një konkluzion të qartë e gjithëshpjegues. Që mendimi të ishte i qartë do duhej pritur fundi i gjithë kësaj beteje, por emergjenca (në një realitet që kërkon të mbysë çdo emergjencë) e krijuar dhe në të cilën gjendemi, dritëhijet e saj, larmia e përballjeve brenda kësaj beteje dhe kontradiktat e shumta na shtyjnë drejt kërkimit të përgjigjeve dhe ngritjes së pyetjeve, sado të cunguara qofshin ato.
Kush proteston?
Përgjatë këtyre pesë viteve, sa herë që Lëvizja Për Universitetin ka protestuar kundër ligjit të arsimit të lartë, tarifave të papërballueshme apo pedagogëve të korruptuar, kryeministri, ministrja dhe shpura e tyre, nuk kanë humbur kohë duke i damkosur atëherë si një grumbull studentësh që nuk e kanë kuptuar reformën, herë si pulaqë kakarisin e herë të tjera si ngelësa. E nëse shtrihemi pak në kohë gjejmë edhe shpellarë, kokëpalarë, jabanxhinj, bixhozxhinj, të papunë përtacë etj. Pikërisht nga këta, nga bijat e bijtë e tyre, përbëhet protesta sot: nga më të dobëtit e kësaj shoqërie, nga ata që Benjamin-i i emërton si “tradita e të shtypurve”,apo qenia e heshtur e Heidegger-it.
Strategjia e kryeministrit deri më tani ka qenë që ta trajtojë “ngelësin” ashtu siç ka trajtuar deri më sot të papunin e të varfrin (të cilët i ka quajtur dembelë): jo si problem ose produkt të sistemit ekonomik, kulturor apo të vendimmarrjes politike, por si problem personal, ose zgjedhje personale që ka të bëjë specifikisht vetëm me individin. Krizën dhe problemet e sistemit që kanë ndërtuar e po ushqejnë dita-ditës duan t’ia faturojnë me pahir studentit, duke e bërë të ndjehet përgjegjës dhe fajtor se përse është “ngelës”. Kështu do kenë menduar kur kanë miratuar tarifën mbi provimet e mbartura. Deri më tani askush nuk ka përmendur asnjë nga shkaqet reale që i shtyjnë studentët të mbartin provime, siç mund të jenë varfëria, papunësia, puna e keqpaguar, shfrytëzimi në punë me orë të gjata, pasiguria në punë, pasiguria e të pasurit një strehë apo të pasurit ushqim të përditshëm, tarifat e larta, haraçet e larmishme, taksat e papërballueshme,stresi dhe ankthi etj. Ata që dalin sot rrugëve e shesheve janë pikërisht produktet e krizës së këtij sistemi të ndërtuar këto 28 vite. Janë produktet e një sistemit të egër kapitalist, janë të dobëtit e të shtypurit e panumërt.
Mesia, shpëtimtari – thoshte Shën Pali – vjen porsi hajduti natën, atëherë kur askush nuk e pret. Të dehur nga suksesi virtual i reformave, nga duartrokitjet e të punësuarve të partisë, nga rrahja e shpatullave dhe mbushja e xhepave të oligarkëve, nga daljet e pispillosura sipas modës së fundit nëpër pasarelat e Evropës, e gjithë kjo me siguri u është dukur si ëndërr. Vazhdimësia e historisë së fitimtarëve, siguria e fitores së radhës, i ka shkëputur tërësisht nga realiteti, nga njerëzit, nga masa e madhe e të përjashtuar vetë tyre. Mirëpo atëherë kur çdo gjë dukej sikur shkonte sipas planit tët’pushtetshmit, ndodh gjëma dhe e gjithë historia ndërpritet. Këtu, papritur, nis e merr jetë emancipimi nga shtypja e përjashtimi. Shpëtimtari vjen gjithmonë në mes të territ për të rikthyer edhe një herë dritën e shpresës.
Opozita partiake
Opozita partiake është aty për të prishur gjithçka të ngritur, ashtu siç ka bërë deri më tani. Ishte PS ajo që sapo erdhi në pushtet anuloi referendumin mbi importin e mbetjeve, i cili po të mbahej do të ishte i pari referendum me të vërtetë popullor në Shqipëri. Arsyeja e këtij anulimi u kuptua kur PS risolli për miratim ligjin për importine mbetjeve. Sikur referendumi të ishte mbajtur e të kishin fituar kundërshtarë te importit të mbetjeve, atëherë për disa vjet askush nuk do të mund ta risillte për miratim një ligj të ngjashëm. Nga ana tjetër të gjithë e dimë që PD ishte ajo që dështoi protestën te Parku i Liqenit duke sjellë grupe këshilltarësh e deputetësh, njërin edhe të armatosur. Ndërkohë sot, PD dhe LSI, nëpërmjet tentakulave të tyre, po tentojnë të tjetërsojnë edhe protestën e studentëve. Përse ndodh e gjithë kjo? Dikush kishte sugjeruar se arsyeja se përse opozita po përpiqej ta mbyste këtë proteste ishte sepse i trembet krijimit të një opozite popullore reale.
Protesta e këtyre ditëve ka artikuluar disa kërkesa thelbësisht antisitemore. Fjalën antisitemore nuk po e përdor në kuptimin e një kërkesë radikale për rrëzimin e kapitalizmit. Kërkesat janë antisitemore në kuptimin që kemi për shembull një refuzim total të çdo partie politike, të cilat akuzohen si përgjegjëset kryesore të degradimit të arsimit të lartë e më tej. Protesta është kundër partive, dhe për idealet e humbura që në gjenezë përfaqësonin këto parti: PD për Shqipërinë evropiane e PS për të varfrit. Protesta studentore është antisistemore sepse armikun kryesor të saj e sheh në mënyrë të tërthortë, në vetë sistemin ekonomik, te shfrytëzimi i pamasë në punë (një numër i madh studentësh janë punëtorë), në tarifat e larta, në shitjen e librave me çmime marramendëse dhe vënien e haraçeve të ndryshme.
Arsim publik falas është një tjetër kërkesë ekonomike antisitemore, pasi sipas logjikës së tregut është ky i fundit që vendos për gjithçka. Logjika e tregut thotë se asgjë s’është falas, çdo gjë e ka një çmim në mënyrë kategorike.
Rrëzimi i ligjit të arsimit të lartë është sipas logjikës së tregut një kërkesë që shkon kundër sistemit.
Protestat që lindin nga poshtë, nga organizimi i shumësisë në mënyrë demokratike e të pavarur, janë po ashtu një kërcënim për sistemin, i cili nuk e kupton logjikën e organizimeve të tilla jo hierarike dhe autonome. Opozita partiake, ashtu si qeveria, duke e ndjerë rrezikun e tilla çështjeve që vënë në pikëpyetje sistemin e ndërtuar deri më tani, përpiqet të heshtojë çdo emergjencë të ngritur, duke ngritur çështje brendasistemore. Nëse lëvizja studentore kërkon largimin e të gjitha partive, opozita kërkon largimin e qeverisë. Nëse studentët kërkojnë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë, opozita thotë se më votoni mua pasi më të ardhur unë në pushtet do ta rrëzoj ligjin, ndërkohë që diçka të tillë mund ta kishte bërë me kohë, ose mund ta bëjë edhe tani duke kërkuar me anë të deputetëve të saj një referendum popullor abrogativ të këtij ligji. Ndërsa studentët kërkojnë arsim publik falas, opozita rri në heshtje.
Në fund, vetë ekzistenca e Lëvizjes Për Universitetin është antisitemore, çka e ka futur sistemin në krizë. Është pikërisht këtyre kërkesave dhe lëvizjeve si ajo Për Universitetin qe u frikësohet sot opozita dhe i tërë sistemi (mjafton të shikoni sulmet e sajuara që i bëhen asaj dhe aktivistëve të saj). Kërkesat janë si ekonomike, ashtu dhe politike, por këtë herë e kapërcejnë logjikën e sistemit. Ato janë kërkesat e shumësisë së shfrytëzuar, të shtypur e të nëpërkëmbur këtyre 28 viteve që nuk duan të vazhdojnë më të jenë të tillë.
Opozita këto ditë ka tentuar ta ktheje protestën në protestë kombëtare. Mirëpo protesta duhet të mbesë protestë për studentin dhe gjendjen e tij të vështirë, jo e shqiptarit në mënyrë abstrakte. Me t’u plotësuar kërkesat e studentëve, atëherë mund të kalohej në plotësimin e kërkesave të tjera shoqërore. Nëse kërkesat ngatërrohen dhe i mbivendosën njëra-tjetrës, atëherë vetë protesta e humbet qëllimin e saj.
Lëvizja Për Universitetin
Lëvizja deri më tani, brenda spontanitetit të asaj që po ndodh, ka vepruar nën tokë si urithi i historisë. Si ai që, herë në heshtje, pra duke punuar nëpër fakultete me tryeza diskutuese dhe takime të përhershme me studentët, e herë publikisht me anë të protestave dhe daljeve mediatike, ka shpallur kundërshtinë e universitarëve ndaj ligjit të arsimit të lartë, ndaj tarifave të papërballueshme, ndaj korrupsionit në universitete e çdo padrejtësie tjetër që bëhej brenda universitetit. Spontaniteti në këtë kuptim duhet parë si çasti i të pandërgjegjshmes që nuk është bërë ende e ndërgjegjshme, pra vetëdije për punën denoncuese dhe edukuese disavjeçare të Lëvizjes, por dhe e aktorëve të tjerë progresistë që veprojnë brenda shoqërisë.
Qëndrimi i Lëvizjes mbi krijimin e një përfaqësie për të hyrë në negociata me qeverinë ka qenë me të drejtë: “Jo negociata! Plotësoni kërkesat!” Ky ka qenë vendimi i prerë i studentëve të pranishëm në protestë. Arsyeja është se deri më tani, në pesë vjet rezistencë studentore, nuk ka pasur asnjë qasje bashkëpunuese institucionale, por vetëm përbuzje dhe tallje. Pastaj një qeverie që nuk mban asnjë nga pikat e programit të saj elektorale nuk mund t’i zihet besë në asnjë lloj dialogu. Jean Jacques Rousseau-i kishte të drejtë kur pohonte se vullneti im nuk mund te përfaqësohet nga dikush tjetër. Demokracia ose është e drejtpërdrejtë, ose nuk është demokraci. Ajo për të cilën mund të shërbejë përfaqësia mund të jetë thjesht e natyrës proceduriale apo teknike (një lloj përcjellëse e kërkesave të shumësisë), por kurrsesi përmbajtësore. Pra s’mund të jetë përfaqësi që diskuton mbi ose rreth kërkesave të shumësisë. Meqë kërkesat i janë përcjellë tashmë kryeministrit, kërkesa e tij bie automatikisht poshtë.
Për sa i përket unitetit të studentëve, e vetmja që mund ta ruajë unitetin e të gjithë kësaj proteste ka qenë dhe mbetet Lëvizja Për Universitetin. Ky unitet, së pari, ruhet duke artikuluar çarjen që vetë studentët kanë shprehur deri më tani, që është dëbimi nga protesta e çdo elementi partiak që kërkon të përfitojë elektoralisht në kurriz të studentëve. Ne, shumësia, sot duhet medoemos të bëjmë dallimin nga ata që e kanë shkatërruar universitetin dhe shoqërinë, pasi vetëm kështu ruhet uniteti. Së dyti, unitetin e ruan besnikëria e deritanishme e lëvizjes ndaj kauzës për një universitet që u mundëson akses të lirë të gjithë atyre që e meritojnë, ndaj kauzës për një universitet cilësor, demokratik, të pakorruptuar dhe eficient.
Lëvizja, nëpërmjet punës së nëndheshme, ka ndihmuar në thyerjen e vazhdimësisë së historisë së fitimtarëve, shfrytëzuesve, të fortëve, të pasurve dhe arrogantëve. Pikërisht kjo është ajo çfarë duan sot studentët dhe mbarë shoqëria. Përpjekja dhe ngulmimi i tyre është ndërprerja e përsëritjes së historisë dhe krijimi i gjendjes së jashtëzakonshme të vërtetë, ku të shumtët nuk janë më të përjashtuar.
Përmbyllje
Niveli i ulëtarsimor, trushpëlarja mediatike, vështirësitë e mëdha ekonomike, prej vitesh nuk kanë krijuar tjetër veçse përbindësha. Gravura e famshme e Francisco Goya-s “Përgjumja e arsyes prodhon përbindësha” është përshkrimi alegorik me i përafërti kësaj gjendjeje. Kur kryebashkiaku lapangjoz e quajti popullin që protestonte kundër shembjes së banesave si shpellarë, mendja me shkoi vetvetiu te miti i shpellës, tek ata të prangosur brenda guvës së thellë të padijes, të cilët askush nuk do t’i nxjerrë prej aty ku kanë rënë pa dëshirën e tyre. Duke i mbajtur njerëzit brenda shpellës së mosnjohjes, skamjes e mosbesimit te njëri-tjetri, ata e kanë më të lehtë të qëndrojnë në pushtet të pashqetësuar dhe ta shfrytëzojnë atë për interesat e veta dhe klientelës klasës së tyre. Alegoria e shpellës vlen poashtu edhe për ngelësit, kokëpalarët apo përtacët, për të gjithë të përjashtuarite kësaj shoqërie të cilët historia dhe realiteti i ka lënë në fund të botës.
Për sa kohë dielli i kulturës është në perëndim – siç thotë K. Krauss – të gjithë xhuxhët që kemi mbi krye do na duken si gjigantë të pamposhtshëm. Por kjo vetëm për sa kohë që ata të cilët janë jashtë shpellës nuk rikthehen dhe organizohen së bashku me ata që janë brenda saj për të gjetur së bashku rrugën e të vërtetës dhe lirisë.
Huti i Minervës fluturon në muzg thotë Hegel-i. Kjo thënie mund të lexohet në dy mënyra: Së pari, ky duket sikur është fati dhe roli i atij që ka dijen kritike, atij që duhet të shpjegojë atë që ka ndodhur tashmë, atë që është në realitet por nuk kuptohet qartë. Filozofi në këtë kuptim vjen pas historisë. Së dyti, filozofi, pasi e ka kuptuar historinë, atë që ka ndodhur, duhet të ketë po ashtu guximin që të ngrihet përmbi atë që është: atëherë kur dija është në perëndim, filozofi duhet të ndihmojë nëpërmjet angazhimit të tij në organizimin e ri të dijes e punëve, pra në riorganizimin e shoqërisë.
Për ta përmbyllur, sa më shumë kalon koha, aq më të egër e çnjerëzor bëhen përbindëshat që prodhon përgjumja jonë. Në këtë mënyrë edhe kontradiktat ashpërsohen me po të njëjtin intensitet, duke e bërë përballjen të pashmangshme dhe domosdoshmëri. Organizimi dhe bashkëndriçimi ynë, si në rastin e protestave të këtyre ditëve, do t’u japë fund hijeve të gjata që lëshojnë këta xhuxhmaxhuxhë të kollarisur. Siç e tregon historia, vetëm duke e ngritur diellin e dijes sa më lart të jetë e mundur, xhuxhmaxhuxhët do të shfaqen në shtatin e tyre të vërtetë, të shkurtër e të brishtë.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).