Demonstrata e menjëhershme (i)

/Alain Badiou/

Teksa shkruaj këto radhë, kudo dëgjojmë fjalime mbi demonstratat në zonat e varfra të Londrës nga kryeministri Cameron, figurë e implikuar prej kohësh në afera të dyshimta. Edhe në këtë rast, rikthimi i idiomës së famshme antipopullore është goditës. Pjesëmarrësit në këto demonstrata nuk janë asgjë veçse kriminelë, rrugaçë, huliganë; thënë ndryshe “klasa të rrezikshme”, të vëna përballë kultit patologjik të pronës, mbrojtjes të së mirave materiale dhe qytetarëve të mirë (atyre që kurrë nuk rebelohen kundrejt asgjëje), njësoj si në kohërat viktoriane. Bashkangjitur këtyre vjen edhe shpallja e shtypjes brutale dhe të pandërprerë, e cila është e verbër që në princip. Mbi shpalljen e shtypjes mund t’i besojmë kryeministrit. Duke i përngjasuar bukur fort përdorimit të burgjeve thuajse si kampe përqendrimi në Shtetet e Bashkuara dhe duke perfeksionuar një sërë ligjesh represive me zanafillë në kohën e “socialistit” Blair, Britania e Madhe ka përqindje më të madhe të popullsisë së burgosur se Franca, e cila nuk e kursen aspak dorën kur bëhet fjalë për të burgosur rininë.

Për të mbjellë terror, televizionet njerëzisht paraqesin pamje të forcave policore, egërsirave muskuloze të armatosura deri në dhëmbë, të cilët plot hare përplasin shkopinjtë e gomës, gati për t’u sulur mbi një djalë të ri, që pa dyshim është spiunuar nga dikush “anonim”, ose është pikasur nga kamerat me të cilat qeveria e Madhërisë së Saj mbush plot zell hapësirat publike, duke i transformuar këto të fundit në një skenë gjigante perversiteti me policët si përftuesit kryesorë të kënaqësisë.

Njëkohësisht, gjykatat ngutazi japin dënime vrastare për ata që kanë hedhur një shishe, hajdutët që vjedhin kotheren, ata që kanë abuzuar kundër forcës së ligjit dhe rendit, ata që u vunë zjarrin koshave të plehrave, ata që ofenduan qeverinë, ata që thjesht vrapuan, ata që thyen dritare, ata që brohoritën sharje të ndyra, ata që endeshin me duart në xhepa, ata që në mënyrë tepër të dyshimtë nuk po bënin asgjë; madje dhe për ata që nuk ishin aspak atje, të cilëve detyrimisht drejtësia duhet t’u kërkojë llogari se ku ishin. Siç e thotë vetë Cameron-i, duke hedhur një hap përtej policisë, “këto veprime janë kriminalitet i pastër dhe si të tilla duhen mposhtur dhe ndëshkuar”.

Si në Francë, ose si kudo tjetër, i harruar në gjithë këtë tymnajë mbetet krimi i vërtetë dhe viktima fatkeqe: personi ose personat e vrarë nga policia. Në koordinim të plotë, demonstratat e rinisë popullore të rritur në banlieus-ve[1] (fjalë që në të shkuarën i referohej zonave të varfra ku banonte klasa punëtore e qyteteve të stolisura), provokohen nga veprimet e policisë. Shkëndija që ndez zjarrin është gjithnjë vrasja shtetërore. Po ashtu në koordinim të plotë, qeveria dhe policia e saj jo vetëm që refuzojnë kategorikisht të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen, por e përdorin si mundësi për të përforcuar arsenalin e policisë dhe sistemin kriminal të drejtësisë. Si pasojë e kësaj panorame, banlieus-të janë hapësira ku në kundërshti mes vetes bashkëjetojnë indiferenca e shtetit ndaj banorëve e varfërisë së tyre dhe shtypja e ashpër e permanente.

***

Në këto procese, ku ekzistenca e shtetit shfaqet në formën e saj më të urryer, formohet një konsensus po aq i përçmueshëm: shkatërrimi ose vjedhja e disa të mirave gjatë demonstratave është thellësisht faj më i madh se vrasja e djelmoshit nga policia, vrasja që nxiti vetë demonstratën. Qeveria dhe mediat nxitimthi llogarisin dëmin material. Pikërisht këtu gjendet ideja mizorisht e ligë që përbashkon klasën sunduese: vrasja e një“huligani me ngjyrë” ose e një arabi “të njohur për policinë” nuk është asgjë krahasuar me dëmin material të demonstratave. Le të mos vajtojmë vdekjen, por kompanitë e sigurimeve. Përballë banditëve dhe hajdutëve, le të qëndrojmë vigjilentë, krah për krah me policinë, në mbrojtje të pronës, e cila po lakmohet nga turma e atyre që nuk i kuptojnë vlerat tona.

Në këtë libër, për kontrast, do të pretendohet se jeta e një djaloshi të ri është e paçmueshme – aq më tepër kur ai është një nga të shumtët e braktisur nga shoqëria jonë. Të besosh se krimi i patolerueshëm është djegia e disa makinave dhe grabitja e disa dyqaneve, ndërsa vrasja e një të riu është periferike për nga rëndësia, është shembulli kryesor i atij që Marksi e cilësonte si tëhuajësimin kryesor të kapitalizmit: përparësinë e sendeve përmbi njeriun, e mallrave përmbi jetën, e makinerive përmbi punëtorin; koncepte të cilat i përmblodhi në fazën “të vdekurit janë më të gjallë se të gjallët”.

E di tepër mirë se demonstrata e shkaktuar nga vrasjet policore është e dhunshme, anarkike dhe në analizë të fundit në mungesë së një të Vërtete jetëgjatë. E di tepër mirë se shkatërron dhe plaçkit pa një koncept, ashtu si e Bukura sipas Kantit, ngjall kënaqësi përsëri pa një të tillë. Këtij diskutimi do t’i rikthehem përsëri duke insistuar fuqimisht në atë që shoh si problemin kryesor: nëse demonstratat sinjalizojnë rizgjimin e Historisë, atëherë duhet të pushtohen nga një Ide. Por për momentin, një filozofi i duhet lejuar t’u kushtojë vëmendje sinjaleve, pa kaluar në gjykime të shpejtuara.

Sot kudo nëpër botë ka demonstrata; nga punëtorët dhe fshatarët në Kinë, nga rinia në Angli, nga turmat që durojnë plumbat në Siri, në protesta masive në Iran, në Palestinë dhe në Amerikë. Demonstratat janë të shumëllojshme; shpesh të dhunshme, por ndonjëherë tërësisht të papritura, duke mobilizuar grupe të caktuara sociale ose të gjithë popullsinë. Reagimi shkaktohet nga vendimet e qeverisë ose pronarëve, skandalet elektorale, shtypja policore ose ushtarake, qoftë edhe nga episode të thjeshta të ekzistencës njerëzore. Demonstratat menjëherë kthehen në militante ose zhvillohen nën hijen e një proteste zyrtare. Janë verbërisht progresive ose reaksionare. Elementi përbashkues i të gjitha këtyre demonstratave është mobilizimi i masave të mëdha, sepse rendi ekzistues nuk është më i pranueshëm si i tillë.

Midis demonstratave, mund të veçohen tre lloje të tyre, të cilat respektivisht do t’i emërtoj të menjëhershme, të fshehta dhe historike. Në këtë kapitull do të përqendrohemi tek e menjëhershmja, të tjerat do të jenë lëndë e kapitujve në vijim.

Demonstrata e menjëhershme vjen si pasojë e pakënaqësisë në sektorë të caktuar të popullsisë, thuajse gjithnjë pas një akti të dhunshëm shtetëror. Edhe demonstrata e famshme tuniziane, e cila shkaktoi zinxhirin e revolucioneve arabe, ishte në fillimet e saj demonstratë e menjëhershme, e ndezur nga vrasja e një shitësi ambulant prej policisë. Disa prej veçorive përcaktuese të kësaj demonstrate kanë domethënie më të gjerë shoqërore, ndaj shpesh demonstrata e menjëhershme është faza fillestare e asaj historike.

Në demonstratat e menjëhershme, forca kryesore që udhëheq përleshjet me policinë është rinia. Disa studiues tentojnë të shpjegojnë rolin e rinisë në revolucionet arabe si njëfarë risie sociologjike, si pasojë e përdorimit të rrjeteve sociale dhe teknologjisë së përparuar në botën postmoderne. Por kush ka parë ndonjëherë një demonstratë të populluar nga të moshuarit?! Siç shihej qartë në Kinë në vitet 66-67, në Francë në vitin ’68 e kudoqoftë tjetër, rinia popullore dhe studentët janë pjesa më e vendosur për përplasje e demonstratë. Kapaciteti për mobilizim, inovacioni taktik dhe gjuhësor, ashtu si mangësitë në disiplinë, këmbëngulja strategjike dhe moderimi kur është i nevojshëm, janë konstante të veprimtarisë kolektive dhe masive. Për më tepër, daullet, zjarri, brohoritjet me vrap nëpër rrugët e qytetit, zilet dhe përplasjet e duarve prej shekujsh kanë shërbyer si thirrje për mbledhjen e njerëzve në një vend të caktuar, njëlloj siç bëhet sot me teknologjinë. Në instancë të parë, demonstrata është grumbullim i zhurmshëm i të rinjve, thuajse gjithnjë si kundërpërgjigje ndaj despotizmit shtetëror.

Më pas demonstrata e menjëhershme ndodh në territorin e atyre që marrin pjesë në të. Çështja e përcaktimit të vendndodhjes së demonstratave është tejet thelbësore. Kur demonstrata kufizohet në vendbanimet e pjesëmarrësve, ndalon po aty, në formën e saj të menjëhershme. Vetëm kur ndërton një vendndodhje të re, më së shpeshti në qendrën e qytetit, ku mund të zgjasë dhe të shtohet numerikisht, fillon shndërrimin në formën e saj historike.

(Vijon)

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga libri i autorit “The Rebirth of History: Times of Riots and Uprisings”, Verso, 2012.

Imazhi: Peter Macdiarmid/Getty Image


[1] Banlieue : periferitë e qendrave urbane ku u përqendrua aktiviteti industrial që prej fillimit të shekullit  XX. Për disa dekada zona të populluara nga klasa punëtore. Në vitet ‘60-‘70 çindustrializimi (transferimi i industrisë franceze nga qendrat urbane në provinca dhe më pas në vendet e Lindjes) shkaktoi varfëri drastike. Valët e ndryshme të emigracionit nga ish-kolonitë si Algjeria e me pas nga vendet e Afrikës qendrore shtuan numrin e popullsisë dhe larminë kulturore.  Prej viteve ’80 këto lagje janë në shënjestër të politikave represive, raciste dhe diskriminuese të qeverive te ndryshme dhe grupimeve të së djathtës ekstreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.