Demokracia e rifituar në Bolivi

/Alvaro Garcia Linera/

Po ecën numërimi i votave në sistemin e ngadaltë dhe të korruptueshëm elektoral të Bolivisë dhe çdo orë që kalon konfirmon të pabesueshmen. Lëvizja Për Socializëm ka riardhur në krye të vendit. Thuajse një vit pas grushtit të shtetit, në vendin që mban rekord botëror për numrin e tyre – mbi 180 që prej pavarësisë nga Perandoria Spanjolle – e majta kthehet përmes votës në pushtetin nga ku u dëbua.

Kthehet, por rrugës ka humbur udhëheqësin e saj karizmatik, ish-presidentin Evo Morales, dhe zëvendësin e tij Alvaro Garcia Linera-n, El Evo y el Alvaro, krahun dhe mendjen e një revolucioni që ende nuk është përmbyllur.

Ashtu si Evo-ja, Alvaro-ja është në azil në Buenos Aires, ku në fillim u largua për në Meksikë e më pas për Argjentinë, pasi Luis Almagro-ja[1] vendosi krejt peshën e Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA) mbi raportin që fliste për “mashtrim elektoral”.

Gracia Libera mbante një valixhe me libra dhe një me rroba, një grua të re dhe një vajzë as trevjeçare në qafë – kaq. Pa një dyshkë në xhep, pak të mirat dhe paga iu sekuestruan nga autoritetet puçiste, sekretarij në La Paz u arrestua kur provoi të thyente një çek të fundit, një grup miqsh i huazoi një shtëpi për një ditë, një javë, një muaj, duke u hedhur sa andej këndej derisa gjeti paratë për një apartament falë një pune në universitetet – intelektual pa diplomë, me pesë vite të rënda burg mbi shpinë, gueril i efemeres Ushtri Revolucionare Tupac Katari, që u mposht në fillim të viteve 1990: të gjithë në burg pa proces gjyqësor, të gjithë të pafajshëm dhjetëra vite më pas. Një vëlla, në azil edhe ai, që një muaj më parë betohej: kam ribërë llogaritë, kam zbatuar një faktor korrektimi nga sondazhi telefonik, fitojmë ne me 52%. Ç’profet!

Roberto Zanini

***

U habitët nga rezultati i zgjedhjeve?

Shumë. U ngritën në këmbë njerëzit më kokulur dhe ndryshuan historinë.

E sigurt që keni fituar? Gjykata zgjedhore nuk e ka zyrtarizuar akoma rezultatin…

Thjesht formalitet. Do të mbarojë shpejt. Afërmendsh që me këta njerëz duhet të jesh gati për gjithçka. Janë njerëz pa skrupuj, në dëshpërim e sipër mund të bëjnë dëm.

Po tani? Do të ktheheni në Bolivi?

Të shohim rrethanat. Dëshira jonë është të kthehemi, duam ta bëjmë shpejt për të kontribuar në këtë luftë kaq heroike të popullit bolivian dhe natyrisht për të pasur mundësi të mbrohemi nga akuzat e rreme që puçistët na kanë hedhur mbi shpinë këtë vit.

Meqë jemi tek akuzat, na thoni diçka për zotin Almagro…

Do të isha i hidhur. Një produkt gjirizeve të diplomacisë më imperialiste, ja kush është Luis Almagro-ja.

E patët gabim që refuzuat të merrnit detyrën pas zgjedhjeve të shkuara?

Jo. Alternativë ndaj saj do të ishte lufta civile. Sepse e vetmja mënyrë për t’u bërë ballë ushtarëve dhe policëve të armatosur që donin refuzimin tonë ishte përballja, e cila do të sillte të vrarë e të plagosur. Prandaj thamë jo, nuk e duam pushtetin kështu.

A mund të qortohet Lëvizja Për Socializëm për ndonjë gjë? Kur rimendoni mbi një vit më parë, çfarë do të doje të ndryshoje?

Shumëçka. Një prej tyre është fuqizimi i lidhjeve midis nivelit të drejtuesve – sindikalë, komunalë, shoqërore – dhe bazës shoqërore. Militanti i sindikatës, i organizatës shoqërore, duhen galvanizuar, janë elementë themelorë që të ketë një raport midis nivelit të drejtimit dhe nivelit bazë.

Ju përmendni një “klasë të mesme popullore”. Për çfarë e keni fjalën?

Është produkt i transformimit të 14 viteve të fundit. Përparimi i barazisë ka bërë që sektorë margjinalë tejet të varfër të kenë përmirësuar kushtet e jetesës, të ardhurat, ushqimit, strehimin, pagat, kursimet për të blerë më shumë, ngrënë më mirë apo çuar një fëmijë në universitet, duke kërkuar mundësinë e një mobiliteti social. Ka lindur një klasë e re e mesme me origjinë popullore dhe indigjene, fryt i gjithçkaje që kemi bërë këta vjet, i faktit që 25% e popullsisë boliviane ka kaluar nga varfëria në konsum në të ardhura mesatare. Ishin të harruarit e përhershëm: indigjenë, punëtorë, periferi urbane, migrantë bujqësie… Sot kanë një rrogë që është pesë herë më e madhe, dy dhoma me ujë, dritë dhe shërbime bazike, një vajzë që studion në vend se të shesë rrugëve. Një klasë e mesme e re që nuk është çrrënjosur nga strukturat e saj kolektive. Dhe një klasë e mesme indigjene me identitete dhe zakone të ndryshme krahasuar me klasën e mesme të vjetër të pesëdhjetë viteve të fundit, të bazuar te mbiemri dhe ngjyra e lëkurës, që synonte dhe fitonte privilegje të ndërmjetme.

Si reagon e djathta e kahershme? Ka një të djathtë të vjetër prej shekujsh që nuk zhduket.

Është një e djathtë ende shumë e rrezikshme, por e mposhtur strategjikisht sepse e ka bazuar identitetin e vet mbi urrejtjen, refuzimin, mbi një objektiv të vetëm: que no haya indios. Kjo nuk ka të ardhme. Mund të qeverisë një vit a dy, siç ndodhi në Bolivi, me grykën e pushkës, por nuk zgjat. Ky nuk është një projekt për vendin, çka përbën një problem të madh për të djathtën aktuale, ngado nëpër botë dhe veçanërisht në Amerikën Latine: mund të prodhojë dhe nxisë pasione, por nuk ka takat. Taktikisht mund të jetë mizore, por strategjikisht nuk ka horizont dhe është e mjerë intelektualisht.

Skenari amerikano-latin, zhdukja e qeverive të majta?

Mendoni për të djathtën që i ka mundur, shikoni çfarë ndodh me Bolsonaro-n! Nuk kanë takat, ndryshe nga ç’ndodhte në vitet 1980. I atëhershmi ishte një projekt shoqëror me një rreze të gjerë dhe shoqëria u shkonte nga pas, përfshirë edhe sektorët popullorë. Sot kanë një projekt Frankenstein-i që bashkon copëza të shkëputura, të cilat bëhen bashkë vetëm nga urrejtja. Derisa të bëhen të aftë për të prodhuar bashkim dhe entuziazëm, të djathtët mund ta mbajnë pushtetin për një muaj, gjashtë muaj, por pastaj thyejnë qafën.

Ka gjurmë të së djathtës së re? Më shkon ndër mend posaçërisht SHBA.

SHBA vazhdon të sillet si perandori, por në fakt çfarë ofron? Proteksionizëm, mure në kufi, përvetësim të vlerës ekstraterritoriale… Projekt për të ardhmen është gardhimi? Është një perandori që ka shumë burime dhe mund të bëjë shumë dëm, por nuk arrijnë të kapin pritshmëritë. E patën bërë tridhjetë e gjashtëdhjetë vjet më parë, por jo më tani. Ofron një neoliberalizëm të rënduar, që nuk funksionon, me një kaos të madh për vetë të ardhmen e saj. Po me gjithë atë pushtet të paanë që kanë, kur pengohen mund të të shkaktojnë dëme të mëdha nëpër botë. Janë një gjigand i budallallepsur që në çorientim e sipër mund të shkelë, shtypë e sjellë dëme.

Ka luajtur rol SHBA në largimin e Evo-s dhe Alvaro-s nga Bolivia?

Sigurisht, qeveria e SHBA u irritua shumë kur dëbuam ambasadorin amerikano-verior. Nuk ishte një vendim propagandistik, e zbuluam në konspiracion me sektorë ultrareaksionarë. Po kjo pati koston e vet. Perandoria mendon gjithmonë në afatgjatë – avantazh që vjen nga burimet e mëdha ekonomike e politike – dhe janë shumë vigjilentë për çdo shenjë minimale dobësie. Gjithçka u ndez kur nuk mundëm të fitonim mbi 50% të votave vitin e shkuar. Atëherë thirrën policinë, ushtarakët, partitë e mundura, Almagro-n etj., ai numër ishte shifra totemike: nën 50% mund të na godisnin, mbi 50% duhet të qepin gojën.

Po sot?

E qepin.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga gazeta Il Manifesto

Imazhi: Juan Karita/ AP


[1] Sekretar i Përgjithshëm i OAS-it. (Shën. përkth.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.