/Liri Kuçi/
Kohëve të fundit është rizgjuar debati mbi qasjet ligjore ndaj prostitucionit, me valencë të shtuar ndaj dekriminalizmit. Kur themi dekriminalizim, në plan të parë mund të biem lehtë dakord se personat që përfshihen/shfrytëzohen në industrinë e seksit nuk duhet të penalizohen për shkak të kushteve të vështira dhe nevojës së mbrojtjes jo vetëm nga mjedisi ku detyrohen të zhvillojnë veprimtarinë e tyre, por edhe nga opinioni shoqëror. Arsyeve të mësipërme mund t’u bashkëngjitim një listë të gjatë të tjerash, ndër to si të dëgjuarat më shpesh “askush nuk ka pse të gjykohet për mënyrën sesi i fiton të ardhurat” apo “është trupi i tyre”. Rol mund të luajë edhe ajo që mund ta quanim minimizimi i dëmeve, por nuk mjafton. Shoqëria nuk duhet të kënaqet vetëm me plastifikimin minimalist të plagëve të mëdha që prostitucioni ka lënë në shoqëri dhe në trupat e atyre që janë përtypur brenda saj: gratë e vrara, të zhdukura, të dhunuara.
Akti i prostituimit bën bashkë dy forma të fuqisë shoqërore (seksin dhe paranë). Si në sferën seksuale dhe atë ekonomike, meshkujt gëzojnë fuqi sistematike mbi femrat. Në prostitucion, këto pabarazi pushteti bashkohen në një akt që e riafirmon statusin social të burrave mbi statusin social të nënshtruar të grave. Në rastin e ofrimit të zgjidhjeve të tilla si dekriminalizmi, supozohet të minimizohet dëmi, por as nuk arrihet të parandalohet në krye të herës dhe as nuk përbën zgjidhje të problemit në instancë të fundit. Të veprosh kështu është si të mbash gjysmën e popullatës në shërbimin seksual të pjesës tjetër. Një padrejtësi që haptazi nëpërkëmb pretendimet për barazi.
Mund të argumentohet se gratë me prejardhjen nga klasat më të ulëta socio-ekonomike – ato më të varfrat, me arsim të pakët, nga pakicat etnike apo racore të pafavorizuara – janë pikërisht ato që mbipërfaqësojnë prostitucionin në të gjithë botën. Konsiderohet se prostitucioni vetë është një formë e shfrytëzimit të grave dhe dominimit mashkullor mbi to, një praktikë e cila është rezultat i rendit patriarkal ekzistues dhe një lloj dominimi ekonomik sa kohë që “shërbimi seksual” kryhet vetëm në saje të pagesës kundrejt aktit.
Mirëpo tregu i seksit është akoma më pak i sigurt sesa të japësh me qira një set veglash hidraulike, ku klienti në rast dëmtimi i detyrohet dëmshpërblim dyqanit/a personit huadhënës. Në tregun e seksit, gruaja që kryen shërbimin është një objekt seksual në duart e klientit dhe nuk ka asnjë lloj sanksionimi në rast keqtrajtimi fizik, me pak fjalë punë në treg të zi. Ajo që quhet “Sex work” është një togfjalësh ambig, i cili veç e maskon realitetin e punës, ku përdhunimi është një rrezik i zakonshëm dhe kërcënimi për vrasje akoma më i rëndë për ato që e kanë përditshmëri tregun e seksit.
Në ditët e sotme është e lehtë të tregohemi aq cinikë sa të themi se shitja e seksit nuk ndryshon nga puna e kamerieres. Puna e shfrytëzuar në prostitucion bën që ato të cilat e ofrojnë si shërbim të ndiejnë të huaj jo vetëm procesin, por edhe trupin e tyre. Shkëputja nga marrëdhënia me veten, trupin, dëshmon se prostitucioni nuk është një punë si gjithë të tjerat. Në prostitucion gratë kanë marrëdhënie seksuale me burra, me të cilët në asnjë rast tjetër në jetë nuk do të donin të kishin kontakt të tillë. Kështu që transaksioni monetar shërben si forcë shtytëse; kupto ushtrimin e forcës fizike, përdhunën, e assesi si masë pëlqimi. Në këtë rast dhe në çfarëdo, tregu i seksit thekson natyrën e tij shfrytëzuese, mbi të gjitha kur ka insinuata për ta justifikuar natyrën e tij vetëm me anë të motivimit të pëlqimit nëpërmjet parasë.
A do t’ish’ zgjidhje dekriminalizimi? Ose çfarë gjëje do t’i jepte zgjidhje dekriminalizimi i prostitucionit? Le të marrim shembull Zelandën e Re e cila është mbajtur rregullisht si model i standardit për zhdukjen e problemeve të prostitucionit. “Në vitin 2003 qeveria e saj votoi për dekriminalizimin e tutorëve, zotëruesve të bordellove dhe blerjen e seksit. Argumenti i udhëhequr nga Prostitutat Kolektive të Zelandës së Re (NZPC) ishte sa bindës aq edhe i gënjeshtërt; heqja e penalizimeve nga aspektet e tregtisë do të çonte në të “drejtat e punëtorëve” dhe sigurinë e grave. Si mos më mirë, kjo rezultoi që tutorët dhe pronarët e bordellove të riemëroheshin si ‘biznesmenë’. Një tutor i ligjshëm në Nevada i referohej ‘biznesit’ të tij, ngjashëm me atë të McDonalds-it. Kështu qeniet njerëzore, jo mishi i vdekur, janë produkt për shitje”. Kjo është si të thuash: “Të mbështesim përfitimet e industrisë së duhanit për të çstigmatizuar duhanpirësit!”
Por prostitucioni nuk mund të bëhet më i sigurt! Prostitucioni është dhunë në vetvete sa kohë personi që ofron shërbimin seksual nuk ka mund të zgjedhë tjetrin me të cilin mund të dëshirojë ndërveprim, pasi kushti i vetëm në këtë mes është paraja, një kusht i domosdoshëm, pra është përdhunë për të mos vepruar vërtet si do me trupin, por për t’iu nënshtruar detyrimit nga kushti i mbivendosur. Ndoshta një nga gjërat më pozitive që mund të bëhen në këtë drejtim është që burrat të mos e blejnë seksin. Potencialisht zgjidhje do të ishte të dekriminalizoheshin gratë të cilat detyrohen të gjenden në kushte të dëshpëruara “pune” dhe për to të krijoheshin mundësi a strategji që lehtësojnë daljen prej rrethit – asnjë grua nuk duhet të penalizohet për varfërinë, sepse do të hajë e të sigurojë fëmijët e saj – dhe të kriminalizohen ata që e shfrytëzojnë këtë lloj dëshpërimi për të çuar para “sipërmarrjen” fitimprurëse të seksit. Në rast se seksi nuk do të blihej, pra nuk do të përbënte burim parësor të ardhurash vetëm me të ofruar trupin për shërbime seksuale, sa gra do të zgjidhnin të ushtronin prostitucionin? Sa me vullnet të lirë do të zgjidhnin të linin mënjanë çfarëdolloj mundësie për zhvillimin e intelektit të tyre apo një mundësi punësimi të dinjitetshme? A do të zgjidhnin të hiqnin dorë menjëherë nga integriteti i tyre, për t’ua lënë trupin në përdorim kujt nuk do të mund të linte asnjë qindarkë në dispozicion?
Si e majtë mund të dënoj mbështetjen që, ndoshta padashje me argumente liberale, i bëhet prostitucionit, duke u justifikuar nga nocione të paqarta si “çështje zgjedhjeje”. Nëse do të ekzistonin struktura apo programe ingranuese nga shteti për gratë të paktën në ndonjë punë të dinjitetshme, ku nuk do të rrezikonin të vdisnin urie apo të mos paguajnë dot qiranë, atëherë a do të zgjidhin vërtet ato rrugën e prostitucionit? Po statistikat për rrjetet e prostitucionit që lulëzojnë në saje të mashtrimeve e rrëmbimeve të vajzave të mitura apo të paarsimuara, të cilat të vetme e kanë të pamundur të shkëputen prej aty? Sa mund të flasim për zgjedhje apo dëshirë në këto raste?
Sakaq, të thuash që prostitucioni (apo sex work siç duan ta quajnë) nuk është punë nuk është në modë, sidomos në disa qoshka të internetit ku bashkë me një kategori gazetarësh mbrojnë aspekte të caktuara të këtij fenomeni që e quajnë sex positive feminism, ku studente kolegji të cilat punojnë si “cam-girls, sugar babies ose reklamuese të brendshmesh” e kanë të vështirë të mendojnë për aspekte të fuqizimit të grave. Këto gra – të cilat janë të përfshira në sex work-un më të privilegjuar, në të cilin ato mund të përzgjedhin me kujdes klientët e tyre, ata me të cilët duan të ndërveprojnë – shpesh avokojnë për dekriminalizmin e prostituimit. Ndoshta në të tilla kushte bën sens, por jo në shumë të tjera. Pikërisht në ato kushte ku tutori zhvat pjesën më të madhe të fuqishme e në anën tjetër punonjësja e seksit shihet si “kalë karroce” me të cilën pronari ka të drejtë të sillet si të dojë. Pra jo vetëm që fitimi për “punën” nuk i jepet asaj, por edhe përdoret si të mundet nga rrjeti i të cilëve ka rënë dikur, e gjithsesi nënshtrohen. I nënshtrohen klientit i cili bën ç’të dojë, pronarit, punës, parasë, ikën nga vetja dhe i jepet tregut.
Për pjesën më të madhe të grave që prostituojnë, seksi si punë (sex work) nuk është një simbol abstrakt i fuqizimit apo ushtrimit të ndonjë feminizmi interseksional. Është diçka që atyre u duhet të mbijetojnë dhe të mbajnë familjet e tyre. Ndoshta jemi në kohë të ndalojmë blerjen e tregimit se “puna seksuale është thjesht punë” dhe të ndalim ndëshkimin e tjetëranshëm të shtresës më vulnerabël të shoqërisë.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).