Ç’mund të bëhet për pabarazinë?

/Anthony B. Atkinson/

Çështja e mirëqenies së njeriut dhe drejtësisë shoqërore është e lidhur ngushtë me çështjen e pabarazisë në përgjithësi dhe me pabarazinë ekonomike në veçanti. Në dekadat e fundit pabarazia ekonomike, dukshëm në rritje, ka tërhequr vëmendjen, mes të tjerëve, edhe të shumë studiuesve. Kësisoj ka një larmi të madhe hulumtimesh, botimesh dhe librash për këtë temë. Ndër këta është edhe libri “Pabarazia – Ç’mund të bëhet?” i autorit britanik Anthony B. Atkinson. Libri trajton gjerësisht pabarazinë ekonomike dhe është i ndarë në tri pjesë kryesore. Në pjesën e parë trajton diagnozën e problemit, ç’është pabarazia, trajektorja historike, mësimet që mund të nxirren etj. Në pjesën e dytë argumentohen 15 propozime që vendet mund të realizojnë për të ulur pabarazinë ekonomike. Ndërsa në pjesën e tretë autori trajton kundërshtimet e mundshme ndaj propozimeve të shtjelluara në pjesën e dytë. Për të krijuar një ide të përgjithshme rreth temës së librit po sjellim të përkthyer një copëz nga pjesa hyrëse e kapitullit të parë dhe më tej listën e përmbledhur të propozimeve për të ulur pabarazinë. Ndonëse këto të fundit, siç e pohon edhe vetë autori, janë menduar më së shumti për kontekstin britanik, një pjesë e tyre mund të përshtaten edhe nga vende të tjera.

Ky libër ka të bëjë me mënyrat e zvogëlimit të nivelit të pabarazisë dhe se çfarë kuptohet me këtë qëllim duhet të jemi të qartë qysh në fillim se ç’është dhe ç’nuk është pabarazia. Më lejoni të filloj duke hequr një keqkonceptim të mundshëm. Unë nuk po kërkoj zhdukjen e të gjitha ndryshimeve në rezultatet ekonomike. Unë nuk kam për synim barazinë tërësore. Në të vërtetë, ndryshime të caktuara në shpërblimet ekonomike mund të jenë mjaft të justifikueshme. Përkundrazi, synimi është zvogëlimi i pabarazisë poshtë nivelit aktual, me besimin se niveli aktual i pabarazisë është i tepruar. E kam shpallur këtë propozim me paramendim në lidhje me drejtimin e lëvizjes, jo pikëmbërritjen përfundimtare. Lexuesit mund të mos bien dakord se sa pabarazi është e lejueshme, ndërkohë që bien dakord se niveli aktual është i patolerueshëm dhe i paqëndrueshëm. […]

Pabarazia e mundësive dhe pabarazia e rezultateve

Kur dëgjojnë termin “pabarazi”, shumë njerëz mendojnë në termat e arritjes së “barazisë së mundësive”. Kjo frazë haset shpesh në fjalimet politike, manifestet e partive dhe retorikën e fushatave. Është një thirrje e fuqishme përbashkuese me rrënjë të thella në histori. Në esenë klasike Barazia, Richard Tawney-i argumentonte se të gjithë njerëzit duhet të kenë “mundësi të barabarta për të bërë më të mirën e me aftësitë që zotërojnë”. Në literaturën ekonomike bashkëkohore, duke ndjekur punën e John Roemer-it, përcaktuesit e rezultateve ekonomike ndahen midis atyre që vijnë si pasojë e “rrethanave” që janë përtej kontrollit personal, si mjedisi (background) familjar, dhe “përpjekjes”, për të cilën individi mund të mbahet përgjegjës. Barazia e mundësive arrihet kur variablat e parë – rrethanat – nuk luajnë ndonjë rol te rezultatet. Nëse disa njerëz punojnë më fort gjatë shkollës, kalojnë provimet dhe vazhdojnë studimet për mjekësi, atëherë së paku pjesërisht (por jo medoemos të gjitha) pagat e tyre më të larta si mjekë mund t’i atribuohen përpjekjes. Nëse, në anën tjetër, vendi i tyre në shkollën e mjekësisë sigurohet përmes ndikimit të prindërve (për shembull, përparësisë me të cilën trajtohen fëmijët e ish-studentëve), atëherë kemi pabarazi të mundësive.

Koncepti i barazisë së mundësive është tërheqës. Megjithatë, a do të thotë kjo se pabarazia e rezultateve është e pavend? Në këndvështrimin tim, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është “jo”. Pabarazia në rezultate është ende e rëndësishme, madje edhe për ata që e nisin me shqetësimin për “një fushë loje të barabartë”. Për të kuptuar pse-në, duhet t’ia nisim duke nxjerrë në pah dallimet mes dy koncepteve. Pabarazia e mundësive është një koncept thelbësisht i mbështetur në parashikime (ex ante) – çdokush duhet të ketë të njëjtën pikënisje – ndërsa pjesa më e madhe e aktiviteteve rishpërndarëse merren me rezultatet pasi kanë ndodhur (ex post). Ata që mendojnë se pabarazia e rezultateve është e pavend i konsiderojnë shqetësimet për rezultatet ex post si ilegjitime dhe besojnë se me vendosjen e një fushe të barabartë loje, ne nuk duhet ta vrasim mendjen për rezultatet. Për mua kjo është e gabuar për tri arsye.

Së pari, shumicës së njerëzve do t’ju dukej e papranueshme të shpërfillnin tërësisht se çfarë ndodh pas të shtënës që nis garën. Individët mund të bëjnë përpjekje, por kanë fat të keq. Hamendësoni disa njerëz që pengohen dhe bien në varfëri! Në një shoqëri humane të çfarëdoshme këtyre njerëzve do t’u sigurohet ndihmë. Për më tepër, shumë vetë besojnë se kjo ndihmë duhet ofruar pa hetuar mbi arsyet rënies së personit në ditë të vështira. Siç vërejnë ekonomistët Ravi Kanbur-i dhe Adam Wagstaff-i, do të ishte moralisht e neveritshme të “kushtëzohej shërbimi i një pjate supe në bazë të vlerësimit nëse ishin rrethanat apo përpjekja që çuan në këtë rezultat të individit… të qenit në radhën e supës”. Arsyeja e parë, atëherë, se përse ka rëndësi rezultati është se nuk mund të shpërfillim ata rezultati i të cilëve është me mungesa – madje edhe nëse do të kishin ekzistuar barazitë e mundësive ex ante.    

Por domethënia e rezultateve shkon shumë më thellë se kaq, duke na çuar tek arsyeja e dytë se përse ka rëndësi pabarazia e rezultateve. Ne duhet të bëjmë dallim midis barazisë se mundësive konkurruese dhe jokonkurruese. Kjo e fundit siguron që të gjithë njerëzit kanë shanse të barabarta për të realizuar projektet e pavarura të jetës së tyre. Për të vazhduar me analogjinë e sportit, të gjithë duhet të kenë mundësi të sigurojnë certifikata noti. Në dallim nga kjo, barazia e mundësive konkurruese nënkupton se ne të gjithë kemi shanse të barabarta për të marrë pjesë në një garë – garë noti – ku jepen çmime/shpërblime të pabarabarta. Në të, rasti më i zakonshëm, ka shpërblime të pabarabarta ex post, dhe këtu hyn në lojë ku pabarazia e rezultateve. Ekzistenca e shpërndarjes së shpërblimeve tejet të pabarabarta na shtyn t’i kushtojmë kaq rëndësi, për të siguruar që gara do të jetë e ndershme. Dhe struktura e shpërblimeve në masë të madhe është e ndërtuar shoqërisht. Rregullimet tona ekonomike dhe shoqërore përcaktojnë nëse fituesi merr një kurorë me lule apo 3 milionë dollarë (çmimi maksimal në turneun e tenisit U.S. Open në vitin 2014). Përcaktimi i strukturës së shpërblimit është çështja themelore e këtij libri.

Në fund, arsyeja e tretë e shqetësimit për pabarazinë e rezultateve është se ajo e ndikon drejtpërdrejt barazinë e mundësive – për brezin pasardhës. Rezultatet e sotme ex-post formojnë fushën e nesërme të lojës ex ante: përfituesit e pabarazisë në rezultate sot mund të tejçojnë një avantazh të pandershëm te fëmijët e tyre nesër. Shqetësimi për mundësitë e pabarabarta dhe mobilitetin social të kufizuar është intensifikuar qyshse shpërndarja e të ardhurave dhe pasurisë janë bërë më të pabarabarta. Kjo për shkak se ndikimi i sfondit familjar te rezultatet varet si nga fuqia e marrëdhënieve midis sfondit dhe rezultateve, ashtu edhe nga shtrirja e pabarazisë mes sfondit të familjeve. Pabarazia në rezultate mes brezave të tashëm është burimi avantazhit të pandershëm të marrë nga brezat e ardhshëm. Nëse shqetësohemi për mundësitë e barabarta nesër, duhet të shqetësohemi për pabarazinë e rezultateve sot.

Shqetësimet instrumentale dhe të brendshme të pabarazisë

Zvogëlimi i pabarazisë së rezultateve ka rëndësi, kësisoj, edhe për ata që barazinë e mundësive e shikojnë si objektivin final. Është një mjet për të arritur qëllimin. Në mënyrë të ngjashme, libra me ndikim si Çmimi i pabarazisë (The Price of Inequality) i Joseph Stiglitz-it dhe Niveli i shpirtit (The Spirit Level) i Kate Pickett-it dhe Richard Wilkinson-it, kanë identifikuar arsye të tjera instrumentale për t’u shqetësuar për pabarazinë e rezultateve. Ata argumentojnë se ne duhet të zvogëlojmë pabarazinë e rezultateve pasi ka pasoja të këqija për shoqërinë e sotme; ata fajësojnë rritjen e pabarazisë për mungesën e kohezionit social, rritjen e kriminalitetit, shëndetin e keq, shtatzëninë në adoleshencë, obezitetin dhe një gamë të gjerë problemesh sociale. Studiuesit e shkencave politike kanë identifikuar një marrëdhënie dykahëshe mes pabarazisë në të ardhura dhe rolit të parasë në përcaktimin e zgjedhjeve demokratike, të karakterizuara nga “lulëzimi i ideologjisë dhe pasurisë së pabarabartë”[i]. Ekonomistët kanë vendosur përkeqësimin e performancës ekonomike si përgjegjëse për rritjen e pabarazisë. Në fjalimin e saj, në mbledhjet vjetore të vitit 2012 të FMN-së dhe Bankës Botërore, Christine Lagarde-i foli për “objektivin [e saj] të tretë domethënës: pabarazia dhe cilësia e rritjes ekonomike në botën tonë të ardhshme”. Ajo vijoi më tutje duke thënë se “hulumtimet e fundit të FMN-së dëshmojnë se pabarazia e ulët shoqërohet me një stabilitet më të madh makroekonomik dhe rritje ekonomike më e qëndrueshme”. […]

Motivet për uljen e pabarazisë, megjithatë, nuk varen vetëm nga pasojat e pafavorshme si ato të përshkruara më sipër. Ka edhe arsye të brendshme për të besuar se shkalla aktuale e pabarazisë është e tepruar. Këto arsye mund të kuadrohen në terma të një teorie më të gjerë të drejtësisë. Për ekonomistët që shkruanin rreth këtyre çështjeve njëqind vite më parë, ishte e natyrshme të mendohej në terma utilitaristë. Duke shumuar mirëqenien individuale në terma të nivelit të dobisë së atribuuar ndaj çdo personi, ata argumentonin se pabarazia e tepërt ulte shumën e dobishmërinë totale, meqenëse vlera e një njësie shtesë të ardhurash (ose burimi ekonomik më në përgjithësi) ishte më e ulët për të pasurit. Siç parashtrohej nga Hugh Dalton-i, ekonomist britanik dhe ministri laburist i financave në periudhën e pasluftës, transferimi i 1 paundi nga një person i pasur drejt një më të varfri do të, duke i marrë të pandryshueshme kushtet e tjera, zvogëlonte pabarazinë dhe do të rriste shumën e dobishmërisë për shoqërinë në tërësi.

Utilitarizmi është kritikuar shumë, jo më pak për shqetësimin e tij të vetëm për rritjen e shumës së dobisë së individëve dhe meqenëse ishte, sipas Amartya Sen-it, “tepër i pashqetësuar me shpërndarjen ndërpersonale të asaj shume. Kjo duhet ta bëjë atë një qasje veçanërisht të papërshtatshme për t’u përdorur për matjen apo gjykimin e pabarazisë”. Prandaj koeficiente (peshë) të rishpërndarjes aplikohen kur matet pabarazia, me koeficiente më të larta që iu vendosen atyre që janë më të keqpozicionuar. Këto koeficiente të rishpërndarjes përfshijnë vlerat tona shoqërore në lidhje me rishpërndarjen dhe sigurojnë një bazë të brendshme shqetësimi për pabarazinë. Se sa duhet të jenë këto koeficiente është një çështje rreth së cilës njerëzit kanë mendime të ndryshme, siç mund të shihet në “eksperimentin e kovës që rrjedh” të përshkruar nga ekonomisti Arthur Okun-i. Ai shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse një pjesë e transfertës 1-paundëshe të Daltonit do të humbiste rrugës. Nga përgjigjja e dhënë Okun-i deduktoi se sa më tepër peshë i duhej shtuar të ardhurave të marrësit, krahasuar me atë të dhuruesit, në mënyrë që të justifikohej transferta. Nëse gjysma e transfertës rrjedh nga kova, atëherë ne duhet t’i japim një peshë dyfish më të lartë të ardhurave të marrësit në krahasim me të dhuruesit. Njerëzit që i japin peshë më të madhe marrësve të varfër do të favorizonin më shumë rishpërndarje; ata do të shkonin më tutje në uljen e pabarazisë. Skajshëm, e gjithë pesha do u caktohej më të varfërve, një pozicion ky shpesh i asociuar me Një teori e drejtësisë të John Rawls-it, megjithëse ka shumë më tepër në teorinë e tij nga sa mund të kapet nga ky rast i kufizuar.

Vepra Një teori e drejtësisë e Rawls-it nxiti një debat të gjerë mes filozofëve të moralit për natyrën e drejtësisë shoqërore. I një rëndësie të veçantë këtu është skicimi i parimeve të drejtësisë të Rawls-it në termat e qasjes në “të mirat parësore”: “gjëra te cilat supozohet se një njeri racional i dëshiron pavarësisht gjërave të tjera që dëshiron”, të listuara në kategori të gjera si “të drejtat dhe mundësitë, pushteti, të ardhurat dhe pasuria”. Siç ka argumentuar Sen-i, kjo na çon mjaft tutje utilitarizmit, por e kufizuar në konsiderimin “e variacioneve të gjera që kanë [njerëzit] në mundësinë e tyre për shndërruar të mirat parësore në një jetesë të mirë”. Sen-i ka propozuar që ne duhet të lëvizim nga të mirat parësore kah “aftësitë”, duke e përkufizuar drejtësinë shoqërore në terma të mundësive të hapura për njerëzit në varësi të funksioneve të tyre. Qasja e aftësive ndryshon nga qasja e Rawls-it në dy drejtime. Ajo fokusohet se cilat të mira mund të vlejnë për njerëzit në rrethanat e tyre të veçanta, duke marrë në konsideratë, për shembull, që njerëzit me aftësi të kufizuara mund të kenë kosto më të larta për të shkuar në punë krahasuar me të tjerët. Ajo shqetësohet jo vetëm me rezultatet e arritura, por edhe me një gamë mundësish, të cilat Sen-i i konsideron si elementë thelbësorë të lirisë personale (këndej edhe titulli i librit të Sen-it, Zhvillimi si liri). Në terma konkretë, qasja e aftësive i ka zgjeruar dimensionet e performancës shoqërore dhe ekonomike në shqyrtim, duke ndikuar dukshëm Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (Human Development Index) të shpallur 25 vite më parë nga Mahbub ul Haq-i (indeksi i rendit vendet mbështetur në nivelin e tyre të zhvillimit, duke marrë në konsideratë arsimin, jetëgjatësinë dhe të ardhurat). Në kontekstin aktual, qasja e aftësive na risjell tek arsyet instrumentale për shqetësimin rreth pabarazive të burimeve ekonomike, por tashmë brenda një sërë parimesh koherente të drejtësisë. Brenda kësaj kornize, të ardhurat përbëjnë vetëm një dimension, dhe ndryshimet në të ardhura duhet të interpretohen në dritën e rrethanave të ndryshme dhe të mundësive themelore. Por qëndron fakti se burimet ekonomike të realizuara janë një burim madhor i padrejtësisë. Kjo është arsyeja ime për t’u përqendruar këtu në dimensionin ekonomik të pabarazisë. […]

Propozime për të ulur shtrirjen e pabarazisë

Unë kam përpunuar 15 propozime për masa që besoj se mund ta ulin në mënyrë domethënëse shtrirjen e pabarazisë.

Propozimi 1: drejtimi i ndryshimit teknologjik duhet të jetë një shqetësim i qartë i politikëbërësve, duke inkurajuar inovacionin në të atillë mënyrë që rrit punësueshmërinë e punëtorëve dhe e vendos theksin në dimensionin human të sigurimit të shërbimeve (kapitulli 4).

Propozimi 2: politika publike duhet të synojë një ekuilibër të përshtatshëm pushteti mes grupeve të interesit, dhe për këtë qëllim duhet (a) të fusë një dimension të qartë të shpërndarjes në politikat e konkurrencës; (b) të sigurojë një kornizë ligjore që u lejon sindikatave të përfaqësojnë punëtorët në nivelin e kushteve; dhe (c) të themelojë, atje ku nuk ekziston tashmë, Këshillin Ekonomik dhe Social që përfshin partnerët socialë dhe organizmat e tjerë joqeveritarë (kapitulli 4).

Propozimi 3: qeveria duhet të ketë një synim të qartë për të parandaluar dhe ulur papunësinë, si dhe ta përforcojë këtë ambicie duke ofruar punësim të garantuar publik me pagë minimale për ata që e kërkojnë këtë (kapitulli 5).

Propozimi 4: duhet të ketë një politikë kombëtarë të pagave, të përbërë nga dy elementë: një pagë minimale statutore të vendosur në nivelin e pagës së jetesës dhe një udhëzues praktik për paga mbi minimumin, të dakordësuar si pjesë e “diskutimit kombëtar” që përfshin Këshillin Ekonomik dhe Social (kapitulli 5).

Propozimi 5: qeveria duhet të ofrojë përmes obligacioneve të kursimit kombëtar një normë pozitive interesi të garantuar mbi kursimet, me një shumë të caktuar maksimale për person (kapitulli 6).

Propozimi 6: duhet të ketë një dhurim kapitali (trashëgimi minimale) që u paguhet të gjithë personave të rritur (kapitulli 6).  

Propozimi 7: duhet të krijohet një Autoritet Investimesh publik, i cili administron fondin sovran të pasurisë me synimin e ndërtimit të pasurisë neto të shtetit duke mbajtur investime në kompani dhe prona (kapitulli 6).

Propozimi 8: ne duhet t’i rikthehemi një strukture më progresive të taksimit të të ardhurave personale, me norma margjinale taksimi që rriten me fashat e të ardhurave të taksueshme, deri në një normë maksimale prej 65 %, shoqëruar me një zgjerim të bazës së taksueshme (kapitulli 7).

Propozimi 9: qeveria duhet të fusë në taksat e të ardhurave personale një zbritje në të ardhurat e fituara nga puna[ii], e kufizuar kjo në fashën e parë të të ardhurave (kapitulli 7).

Propozimi 10: përfituesit e trashëgimisë dhe dhuratave mes personave të gjallë duhet të taksohen sipas një modeli progresiv gjatë gjithë jetës (kapitulli 7).

Propozimi 11: duhet të ketë një taksë proporcionale, ose progresive, të pronës që mbështetet në një vlerësim të përditësuar të pronave (kapitulli 7).

Propozimi 12: përfitimi për fëmijët duhet t’u paguhet të gjithë fëmijëve në një shkallë të konsiderueshme dhe duhet të taksohet si e ardhur (kapitulli 8).

Propozimi 13: duhet të futet në nivel kombëtar një e ardhur e pjesëmarrjes[iii], duke plotësuar mbrojtjen sociale aktuale, me perspektivën e një të ardhure bazike për fëmijët që shtrihet në Bashkimin Evropian (kapitulli 8).

Propozimi 14 (alternativë e propozimit 13): duhet të ketë një rinovim të sigurimeve shoqërore, duke rritur nivelin e përfitimeve dhe zgjerimin e mbulimit (kapitulli 8).

Propozimi 15: vendet e pasura duhet ta rrisin objektivin e tyre për Asistencën Zyrtare të Zhvillimit në 1% të të Ardhurave Kombëtare Bruto (kapitulli 8).

Hyrja dhe përkthimi: Jani Marka

Marrë nga libri i autorit: “Inequality – What can be done?” Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, London, England. 2015. Pjesët e përkthyera: f. 9-14; 237-238.

Imazhi: Getty Images


[i] Kjo frazë është nëntitulli i librit të Nolan McCarty-t, Keith T. Poole-it dhe Howard Rosenthal-it, Polarized America: The Dance of Ideology and Unequal Riches (Cambridge, MA: MIT Press, 2006).

[ii] Këtu bëhet fjalë për të ardhura që janë fituar nga puna, apo pensioni, në dallim nga të ardhurat që mund të fitohen nga investimi. – Shën. përkth.

[iii] Propozimi është për një përfitim që paguhet jo në bazë të shtetësisë, por të “pjesëmarrjes” dhe në këtë kuptim referohet si “e ardhur nga pjesëmarrja”. “Pjesëmarrja do të përkufizohej gjerësisht si dhënia e një kontributi shoqëror, e cila për ata në moshë pune mund të plotësohet nga një punësim i paguar me kohë të plotë ose të pjesshme apo vetëpunësim, apo në fazë edukimi, trajnimi, në kërkim aktiv pune, kujdestari në shtëpi për fëmijë të mitur apo të moshuar në nevojë, ose në punë të rregullt vullnetare në një institucion të njohur. Do të kishte dispozita të veçanta për ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë prej sëmundjeve apo paaftësive. – Ky shënim është i vendosur këtu nga përkthyesi, për ta bërë më të qartë konceptin e pjesëmarrjes, por përmbajtja e shënimit është shtjellim i autorit në f. 219.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.