Ç’janë klasat shoqërore?

/Erik Olin Wright/

Kur nisa të shkruaj për klasat shoqërore në mesin e viteve 1970, shkencat shoqërore marksiste dhe pozitiviste më dukeshin si paradigma thelbësisht të ndryshme dhe papajtueshmërisht ndërluftuese. Parashtroja argumentin se marksizmi kishte premisa epistemologjike dhe qasje metodologjike të ndryshme, të cilat i kundërviheshin me themeli atyre që përdorte shkenca shoqërore dominuese. Që prej asaj kohe e kam rimenduar disa herë logjikën e qasjes sime ndaj analizës klasore.[1] Ndonëse vazhdoj të punoj përbrenda traditës marksiste, nuk e konceptoj më marksizmin si një paradigmë gjithëpërfshirëse që është medoemos e papërputhshme me sociologjinë “borgjeze”.[2]

Më parë kam argumentuar rreth epërsisë së analizës klasore marksiste në raport me rivalët e vet kryesorë sociologjikë – sidomos qasjet veberiane dhe të tjera që futen brenda kërkimit shkencor dominues mbi shtresëzimin – ndërsa tani jam i mendimit se këto mënyra të ndryshme të analizës klasore mund të kontribuojnë potencialisht drejt një kuptimi më të plotë, duke identifikuar proceset e ndryshme shkakësore që veprojnë në formimin e aspekteve mikro dhe makro të pabarazisë në shoqëritë kapitaliste. Tradita marksiste përbën një trup të vlefshëm idesh, por kjo nuk do të thotë se ka monopolin mbi kapacitetin e identifikimit të këtyre mekanizmave. Kësisoj, praktikisht kërkimi sociologjik i marksistëve duhet të kombinojë mekanizmat që identifikohen specifikisht nga marksistët me të gjitha proceset e tjera shkakësore që duket se vlejnë në shpjegim.[3] Çka mund të quhet “realizëm pragmatist” ka zëvendësuar “betejat e mëdha të paradigmave”.

Për hir të thjeshtësisë, në radhët në vijim do të fokusohem në tre grupe procesesh shkakësore që kanë rëndësi në analizën klasore, ku secila syresh shoqërohet me një rrymë të ndryshme të teorisë sociologjike. I pari i identifikon klasat me vetitë dhe kushtet e jetës materiale të individëve. I dyti fokusohet te mënyrat në të cilat pozicionet shoqërore u mundësojnë disa njerëzve të kontrollojnë burimet ekonomike, ndërkohë që përjashtojnë të tjerët – duke i përkufizuar klasat si të lidhura me proceset e “grumbullimit të mundësive”. Qasja e tretë i koncepton klasat të strukturuara nga mekanizma mbisundimi dhe shfrytëzimi, në të cilat pozicionet ekonomike u japin disa njerëzve pushtet mi jetën dhe veprimtarinë e të tjerëve. E para është qasja që përdoret në kërkimin shkencor mbi shtresëzimin, e dyta është këndvështrimi veberian dhe e treta i përket traditës marksiste.

Vetitë dhe kushtet

Midis sociologëve dhe publikut të gjerë klasa perceptohet kryesisht në termat e vetive individuale dhe kushteve jetësore. Veti si seksi, mosha, raca, feja, inteligjenca, arsimi, vendndodhja gjeografike etj. mendohet se kanë pasoja në mjaft gjëra që duam të shpjegojmë – prej sjelljes votuese te praktikat e rritjes së fëmijëve. Disa prej këtyre vetive fitohen që në lindje, të tjerat gjatë jetës; disa janë të qëndrueshme, të tjerat varen nga situata shoqërore specifike e personit dhe mund të ndryshojnë me kohë. Sipas qasjes së shtresëzimit, njerëzit mund të kategorizohen nga kushtet materiale në të cilat jetojnë: apartamente të pista, shtëpi luksoze në periferitë e pasura ose vila në lagje të rrethuara me mure; varfëri e rëndë, të ardhura të mjaftueshme ose pasuri ekstravagante e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, klasa shoqërore identifikohet me vetitë e rëndësishme ekonomikisht që formojnë mundësitë dhe zgjedhjet e njerëzve në një ekonomi tregu, pra me kushtet e tyre materiale. Klasa nuk duhet as të identifikohet thjesht me vetitë individuale të njerëzve, as me kushtet e tyre materiale të jetesës; ajo është një mënyrë e të marrit me ndërlidhjen midis këtyre dy faktorëve.

Sipas kësaj qasjeje, vetia individuale kyçe në shoqëritë e zhvilluara ekonomikisht është arsimimi, por ka sociologë që përfshijnë edhe veti më pak të prekshme si p.sh. burimet kulturore, lidhjet shoqërore, madje edhe motivimet individuale.[4] Kur këto veti dhe kushte jetësore të ndryshme grupohen bashkë, atëherë grupime të tilla quhen “klasa”. “Klasa e mesme” këtu ka kuptimin e njerëzve që kanë mjaftueshëm arsim dhe para për të marrë pjesë tërësisht në atë që në një farë mënyre mund të quhet mënyra “dominuese” e jetesës (që mund të përfshijë, për shembull, modele të caktuara konsumi). “Klasa e lartë” shënon njerëzit pasuria, të ardhurat e larta dhe lidhjet shoqërore të të cilëve u shërbejnë për të jetuar veçmas nga njerëzit “e zakonshëm”, kurse “klasa e ulët” u referohet atyre të cilëve u mungojnë burimet e nevojshme arsimore e kulturore për të jetuar të sigurt përmbi nivelin e varfërisë. Në fund, “nënklasë” janë ata që jetojnë në varfëri ekstreme, të margjinalizuar nga rrjedhat kryesore të shoqërisë prej mungesës së arsimimit dhe aftësive bazike që do t’u siguronin punësim të qëndrueshëm.

Sipas qasjes së vetive individuale ndaj klasës, problemi kryesor i sociologëve ka qenë të kuptonin mënyrën se si njerëzit i fitojnë karakteristikat që i vendosin në një klasë apo në një tjetër. Meqenëse për shumicën e njerëzve në vendet ku jetojnë sociologët, statusi dhe shpërblimet ekonomike fitohen kryesisht përmes punës së paguar, fokusi kryesor i kërkimit shkencor të kësaj tradite është drejtuar kah procesi me anë të të cilit i fitojnë njerëzit burimet kulturore, motivuese dhe arsimore që ndikojnë vendin e tyre në tregun e punës. Për shkak se kushtet e jetesës në fëmijëri kanë qartësisht një ndikim të jashtëzakonshëm në këto procesi, kjo qasje i kushton shumë vëmendje asaj që nganjëherë quhet “sfond klasor” – kushteve familjare ku fitohen këto veti kyçe. Në një trajtë të thjeshtuar, logjika shkakësore e këtyre proceseve klasore ilustrohet në figurën 1 (më poshtë).

Sigurisht që aftësitë, arsimimi dhe motivimet janë përcaktues shumë të rëndësishëm të perspektivës ekonomike të individit. Po kësaj qasjeje klasore i mungon mendimi serioz mbi pabarazitë në pozicionet që zënë njerëzit ose mbi natyrën ndërlidhëse të këtyre pozicioneve. Arsimimi ka ndikim mbi punën që bëjnë njerëzit, por pse disa punë janë “më të mira” se të tjerat? Pse disa punë të japin shumë pushtet, kurse të tjera jo? Dhe a ka ndonjë marrëdhënie midis pushtetit dhe pasurisë që gëzojnë disa vetë dhe mungesës së tyre nga të tjerët? Në vend se të fokusohemi vetëm te procesi me anë të të cilit individët ndahen në pozicione, dy qasjet e tjera ndaj analizës klasore ia nisin duke ekzaminuar natyrën e vetë pozicioneve.

Figura 1: Qasja e vetive individuale ndaj klasës dhe pabarazisë

Grumbullimi i mundësive

Qasja e dytë, sipas të cilës klasat përkufizohen nga qasja dhe përjashtimi nga mundësi ekonomike të caktuara, fokusohet mbi “grumbullimin e mundësive” – koncept shumë i afërt me veprën e Max Weber-it.[5] Që disa punë të sigurojnë të ardhura të larta dhe avantazhe speciale, është e rëndësishme që zotëruesit e tyre të kenë mjete të ndryshme të përjashtimit të të tjerëve nga qasja në to. Nganjëherë ky është quajtur edhe procesi i gardhimit shoqëror, në të cilit qasja në një pozicion kufizohet. Një mënyrë për ta arritur këtë është duke krijuar kërkesa që janë shumë të kushtueshme për t’u plotësuar. Kredencialet ekonomike kanë zakonisht një karakter të tillë: nivele të larta shkollimi përftojnë të ardhura të larta pjesërisht për shkak se ka kufizime të rëndësishme në ofertën e njerëzve të mirarsimuar. Procedurat e pranimit, kostoja e tarifave, shmangia e riskut të huave të mëdha nga njerëzit me të ardhura të ulëta etj. priren të bllokojnë qasjen në arsimin e lartë, duke përfituar kësisoj të punësuarit në vende që i kërkojnë këto kualifikime. Nëse bëhen përpjekje masive në përmirësimin e nivelit arsimor të më pak të arsimuarve, nga kjo do të rezultonte ulja e vlerës së arsimimit të atyre që e kanë me tepri, pasi vlera varet në masë të madhe nga rrallësia e tij. Mekanizmi i grumbullimit të mundësisë ilustrohet në mënyrë skematike në figurën 2.

Figura 2: Qasja e grumbullimit të mundësive ndaj klasës dhe pabarazisë

Ky karakterizim i kredencialeve arsimore mund të kundërshtohet. Për shembull, ekonomistët argumentojnë se arsimimi krijon “kapital njerëzor”, i cili i bën njerëzit më produktivë dhe kjo është arsyeja pse punëdhënësit priren t’u japin paga më të larta. Po ndonëse disa prej të ardhurave më të larta që vijnë me arsimimin e lartë pasqyrojnë diferenca në produktivitet, kjo është vetëm një pjesë e historisë. Po aq të rëndësishme janë mekanizmat me anë të të cilëve përjashtohen njerëzit nga fitimi i arsimimit, duke kufizuar kësisoj ofertën për punë të tilla. Një eksperiment mendor i thjeshtë tregon se si funksionon: imagjinoni se SHBA i ka hapur kufijtë për këdo me një diplomë në mjekësi, inxhinieri apo shkencë kompjuterike, duke thithur kështu nga anembanë botës këdo që do ta ushtrojë profesionin në SHBA. Rritja masive e ofertës së njerëzve me këto kredenciale do ta shkatërrojë kapacitetin e fitimit të të ardhurave nga zotëruesit e këtyre kredencialeve që jetojnë tashmë në këtë vend, ndonëse njohuritë dhe aftësitë e tyre nuk do të pakësoheshin. Të drejtat e qytetarisë janë një formë speciale dhe e fuqishme “licence” për të shitur punën vetjake në një treg pune të caktuar.

Akreditimi dhe licencimi janë mekanizma veçanërisht të rëndësishëm në grumbullimin e mundësive, por për të mbrojtur privilegjet dhe avantazhet e grupeve të caktuara janë përdorur shumë instrumente institucionale të tjera në kohë dhe vende të ndryshme: pengesat racore përjashtonin minoritetet racore nga shumë vende pune në SHBA, sidomos (por jo vetëm) në jug të vendit deri në vitet 1960; pengesat martesore dhe përjashtimet gjinore kufizonin qasjen në punë të caktuara për gratë deri vonë në shekullin XX në vendet më të zhvilluara kapitaliste; feja, kriteret kulturore, mënyra e sjelljes apo theksi kanë përbërë mekanizma përjashtimi. Me gjasë mekanizmi përjashtimor më i rëndësishëm është e drejta e pronës private mbi mjetet e prodhimit. E drejta e pronës private është një formë kyçe gardhimi që përcakton qasjen në “punën” e punëdhënësit. Nëse punëtorët do të orvateshin të merrnin fabrikën dhe ta drejtonin vetë, ata do të sfidonin përjashtimin e tyre nga kontrolli i mjeteve të prodhimit; kapaciteti i pronarëve për të siguruar fitime varet nga mbrojtja e këtij përjashtimi. Ndarja thelbësore klasore midis kapitalistëve dhe punëtorëve – që karakterizon edhe sociologjinë veberiane, edhe atë marksiste – mund të kuptohet kësisoj, nga një këndvështrim veberian, si pasqyruese e një forme specifike të grumbullimit të mundësive që hyn në fuqi përmes rregullave ligjore të së drejtës së pronësisë.

Mekanizmat përjashtimorë që formojnë strukturën klasore brenda qasjes së grumbullimit të mundësive nuk veprojnë vetëm në shtresat më të privilegjuara. Edhe sindikatat mund të funksionojnë si mekanizma përjashtimorë duke mbrojtur të punësuarit nga konkurrenca e të jashtmëve. Kjo nuk do të thotë se mbramësisht sindikatat kontribuojnë në rritjen e pabarazisë, përderisa ato mund të veprojnë politikisht edhe për t’i reduktuar pabarazitë dhe mund të jenë efektive në uljen e atyre që prodhohen nga mekanizma të tjerë përjashtimi – sidomos ato që lidhen me pronësinë private mbi mjetet e prodhimit. Megjithatë për aq sa sindikatat krijojnë barriera hyrëse në disa vende pune, ato krijojnë një trajtë gardhimi shoqëror që përmirëson kushtet materiale të jetesës së atyre që janë brenda.

Sociologët që përdorin qasjen klasore të grumbullimit të mundësive identifikojnë zakonisht tri kategori të gjera në shoqërinë amerikane: kapitalistët, të cilët përkufizohen nga të drejtat e pronësisë private mbi mjetet e prodhimit; klasa e mesme, e cila përkufizohet nga mekanizma përjashtues ndaj fitimit të arsimimit dhe aftësive; dhe klasa punëtore, e cila përkufizohet nga përjashtimi edhe prej kredencialeve të arsimit të lartë, edhe prej kapitalit. Segmenti i klasës punëtore që mbrohet nga sindikatat shihet si një shtresë e privilegjuar brenda klasës punëtore, madje nganjëherë edhe si komponent i klasës së mesme.

Dallimi vendimtar midis mekanizmave të grumbullimit të mundësive dhe mekanizmave të vetive individuale qëndron si vijon: në rastin e parë, avantazhet ekonomike të fituara nga qenia në një pozicion klasor të privilegjuar lidhen shkakësisht me disavantazhet e të përjashtuarve nga këto pozicione. Në qasjen e vetive individuale, këto avantazhe dhe disavantazhe janë thjesht rezultat i kushteve individuale: të pasurit janë të pasur për shkak të vetive të favorshme që kanë, të varfrit janë të varfër sepse u mungojnë ato; nuk ka lidhje shkakësore sistematike midis këtyre fakteve. Eliminimi i varfërisë duke përmirësuar vetitë e nevojshme të të varfërve – arsimimin, nivelin kulturor dhe kapitalin njerëzor të tyre – nuk do t’i dëmtonte të pasurit. Në rastin e grumbullimit të mundësive, të pasurit janë të pasur pjesërisht për shkak se të varfrit janë të varfër dhe veprimet që bëjnë të pasurit për të ruajtur pasurinë e tyre kontribuojnë në disavantazhet me të cilat përballen të varfrit. Këtu veprimet për të eliminuar varfërinë duke hequr mekanizmat e përjashtimit do të shkatërronin potencialisht avantazhet e të pasurve.

Shfrytëzimi dhe mbisundimi

Qasja ndaj analizës klasore që fokusohet te mekanizmat e shfrytëzimit dhe mbisundimit është më e afërt me traditën marksiste, ndonëse këto mekanizma të konceptimit të klasës shoqërore janë përdorur edhe nga disa sociologë të ndikuar më së shumti nga Weber-i.[6] Sidoqoftë shumica e sociologëve i injorojnë këto; disa syresh e mohojnë fare rëndësinë e tyre. “Mbisundimi” dhe sidomos “shfrytëzimi” janë terma konfliktualë sepse priren të nënkuptojnë një gjykim moral dhe jo thjesht një përshkrim neutral. Shumë sociologë përpiqen t’i shmangin këto terma për shkak të kësaj përmbajtjeje normative. Megjithatë mua më duket se janë terma të rëndësishëm dhe identifikojnë me saktësi disa çështje kyçe në kuptimin e klasës shoqërore. “Mbisundimi” i referohet aftësisë për të kontrolluar veprimtarinë e të tjerëve; “shfrytëzimi” i referohet marrjes së të mirave ekonomike prej punës së të mbisunduarve. Kësisoj çdo shfrytëzim përfshin një lloj mbisundimi, ndonëse jo çdo mbisundim përfshin shfrytëzimin.

Në marrëdhëniet e shfrytëzimit dhe mbisundimit nuk është fjala thjesht se një grup përfiton duke kufizuar qasjen në disa burime apo pozicione; përveç kësaj, grupi i shfrytëzuar/mbisunduar ka mundësi të përfitojë duke kontrolluar punën e grupit tjetër. Mendoni rastet kontrastuese klasike në vijim: në të parin, pronarët e mëdhenj të tokave marrin në kontroll kullotat e përbashkëta, duke i penguar fshatarët që t’i përdorin ato dhe kësisoj përfitojnë ekonomikisht nga kontrolli përjashtues i tokës. Në të dytin, të njëjtët pronarë, pasi kanë marrë në kontroll kullotat dhe penguar fshatarët, i rifusin disa prej fshatarëve në këto toka si punëtorë bujqësorë. Në rastin e dytë pronarët jo vetëm përfitojnë nga kontrollimi i qasjes në tokë (grumbullimi i mundësive), por edhe i mbisundojnë punëtorët bujqësorë dhe shfrytëzojnë punën e tyre. Kjo është një trajtë më e fortë ndërvarësie se në rastin e përjashtimit të thjeshtë, pasi këtu ka një marrëdhënie të vazhdueshme jo vetëm midis kushteve, por edhe midis veprimtarive të të avantazhuarve dhe të paavantazhuarve. Shfrytëzimi dhe mbisundimi janë forma të pabarazisë së strukturuar që kërkon bashkëpunimin aktiv të vazhdueshëm midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, mbisunduesve dhe të mbisunduarve.

Kësisoj mund ta përmbledhim kontrastin midis rolit të marrëdhënieve shoqërore në secilën prej këtyre tre qasjeve të analizës klasore si vijon: Sipas qasjes shtresëzuese, as kushtet ekonomike në të cilat jetojnë njerëzit, as veprimtaritë e tyre nuk mund të kuptohen drejtpërdrejt si pasqyruese të marrëdhënieve shoqërore; kjo është më pak marrëdhëniesorja midis tri qasjeve. Qasja veberiane i sheh kushtet ekonomike të njerëzve si të formuara përmes marrëdhënieve të përjashtimit, por nuk e specifikon klasën si trupëzuese të marrëdhënieve midis veprimtarive. Tradita marksiste është marrëdhëniesore në të dyja kuptimet, duke e tërhequr vëmendjen kah efekti strukturues i shfrytëzimit dhe mbisundimit edhe mbi kushtet, edhe mbi veprimtaritë ekonomike.

Qasja marksiste ndaj klasës është paraqitur në figurën 3. Ashtu si në traditën veberiane, pushteti dhe rregullat ligjore që imponojnë mbyllje shoqërore janë të rëndësishme në përkufizimin e strukturës bazike të pozicioneve shoqërore – sidomos të pronësisë private mbi mjetet e prodhimit. Po këtu efekti vendimtar i grumbullimit të mundësive është mbisundimi dhe shfrytëzimi, jo thjesht avantazhi i tregut.

Brenda kësaj qasjeje, ndarja klasore qendrore në shoqërinë kapitaliste është midis atyre që kanë në pronësi dhe kontrollojnë mjetet e prodhimit – kapitalistëve – dhe atyre që punësohen për t’i përdorur këto mjete – punëtorët. Brenda këtij kuadri, kapitalistët shfrytëzojnë dhe mbisundojnë punëtorët. Pozicionet e tjera brenda strukturës klasore e fitojnë karakterin e tyre specifik nga marrëdhënia me këtë ndarje bazike. Për shembull menaxherët ushtrojnë shumë prej pushteteve të mbisundimit, por nga ana tjetër u nënshtrohen kapitalistëve. Drejtorët ekzekutivë (CEO) dhe menaxherët kryesorë të korporatave shpesh herë sigurojnë pjesë të rëndësishme pronësie në korporatat e tyre dhe kësisoj u ngjajnë mjaft kapitalistëve. Profesionistët e mirarsimuar dhe disa kategori punëtorësh teknikë kanë kontroll të mjaftueshëm mbi zotësitë dhe njohuritë e tyre – burim vendimtar ky në ekonomitë bashkëkohore – duke ruajtur autonomi të konsiderueshme nga mbisundimi brenda punës dhe të reduktojnë, madje edhe neutralizojnë, shkallën e shfrytëzimit të tyre.

Në qasjet veberiane dhe marksiste pushteti luan një rol të rëndësishëm. Sipas tyre, pabarazitë në të ardhura dhe pasuri lidhen me strukturën klasore dhe mbahen në këmbë nga ushtrimi i pushtetit, jo thjesht nga veprimet e individëve. Pabarazitë që burojnë nga grumbullimi i mundësive kërkojnë që pushteti të përdoret për të imponuar përjashtime; pabarazitë e lidhura me shfrytëzimin kërkojnë mbikëqyrje, monitorim të punës dhe sanksione për të vendosur disiplinën. Në të dyja rastet, luftërat shoqërore që kërkojnë t’i sfidojnë këto forma pushteti do të kërcënonin potencialisht privilegjet e njerëzve në pozita të privilegjuara klasore.

Figura 3: Qasja e shfrytëzim-mbisundimit ndaj klasës dhe pabarazisë

Integrimi i tre mekanizmave

Ndonëse sociologët në përgjithësi janë prirë t’i bazojnë kërkimet e tyre mbi njërën prej këtyre tri qasjeve klasore, nuk ka arsye për t’i parë ato si përjashtuese të njëra-tjetrës. Ato mund të kombinohen duke e parë secilën syresh si identifikuese të një procesi kyç që formon një aspekt të veçantë të strukturës klasore:

Të trija këto procese veprojnë në të gjitha shoqëritë kapitaliste. Dallimet në strukturat klasore të vendeve të ndryshme prodhohen nga ndërveprimet e larmishme midis këtyre mekanizmave. Detyra jonë teorike është të mendojmë mënyrat e ndryshme të ndërlidhjes dhe kombinimit të tyre; detyra jonë empirike është të ndërtojmë mënyra të studimit të secilit mekanizëm dhe të ndërveprimeve mes tyre.

Një model i mundshëm i ndërthurjes mikro-makro ilustrohet në mënyrë skematike në figurën 4. Në këtë model marrëdhëniet e pushtetit dhe rregullat ligjore që u sigurojnë njerëzve kontroll efektiv mbi burimet ekonomike – mjetet e prodhimit, financa dhe kapitali njerëzor – përftojnë struktura mbylljeje shoqërore dhe grumbullimi mundësish që lidhen me pozicionet shoqërore. Paskëtaj grumbullimi i mundësive prodhon tre rryma efektesh shkakësore: së pari, formon proceset në nivel mikro përmes të cilave individët fitojnë vetitë me rëndësi klasore; së dyti, formon strukturën e vendndodhjeve brenda marrëdhënieve të tregut – profesione dhe vende pune – si dhe konfliktet shpërndarëse që e pason; së treti, formon strukturën e marrëdhënieve brenda sferës së prodhimit, sidomos marrëdhëniet e mbisundimit dhe shfrytëzimit, si dhe konfliktet karakteristike të kësaj sfere. Rrjedha shkakësore e parë drejton shpërndarjen e njerëzve në vendndodhjet klasore brenda tregut dhe prodhimit. Së bashku vetitë klasore të individëve dhe vendndodhjet e tyre klasore ndikojnë nivelin e mirëqenies ekonomike individuale.

Nevojitet një element i fundit në modelin e gjerë sintetik. Figura 4 i trajton marrëdhëniet e pushtetit dhe rregullat institucionale si struktura ekzogjene, kur në fakt ato formohen nga proceset klasore dhe konfliktet klasore. Kjo ka rëndësi sepse strukturat e pabarazisë janë sisteme dinamike, ndërkohë që fati i individëve varet jo thjesht nga proceset e nivelit mikro që ndeshin në jetë apo nga strukturat shoqërore brenda të cilave jetojnë, por edhe nga trajektorja e sistemit në tërësi. Trajtimi i marrëdhënieve pushtetore që mbajnë në këmbë një strukturë të caktuar vendndodhjesh klasore si parametra të fiksuar është thellësisht i gabuar dhe ndërton një këndvështrim të pasaktë sipas të cilit fati i individëve është thjesht funksion i vetive dhe rrethanave individuale. Prandaj çka na nevojitet është një model makro rekursiv dhe dinamik, në të cilin luftërat shoqërore kontribuojnë në ndryshimin e trajektores së vetë marrëdhënieve, siç jepet në trajtë tejet të thjeshtëzuar në figurën 5 (më poshtë). Kësisoj një analizë e mirëmenduar klasore ndërthur këtë lloj modeli makro të konfliktit dhe transformimit me modelin mikro-makro shumënivelësh të proceseve klasore dhe jetës individuale. Ky model ndërthur idetë kyçe të qasjeve shtresëzuese, veberiane dhe marksiste.

Figura 4: Analiza e kombinuar klasore: proceset makro dhe mikro

Klasat shoqërore në Amerikë

Sistemet ekonomiko-shoqërore dallojnë sipas shkallës të kufizimit të të drejtave dhe pushteteve që shoqërojnë pronësinë private mbi mjetet e prodhimit, pra në natyrën e ndarjes klasore midis kapitalistëve dhe punëtorëve. Prej kohësh SHBA ka një prej rregullimeve publike më të dobëta të pronësisë kapitaliste. Kjo pasqyrohet në një sërë karakteristikash të rëndësishme: paga minimale shumë e ulët, çka lejon norma më të larta shfrytëzimi; norma të ulëta taksimi të të ardhurave të larta, çka u mundëson segmenteve më të pasura të klasës kapitaliste të jetojnë në mënyra tejet ekstravagante; sindikata dhe organizime të tjera punëtore të dobëta, të cilat mund të vepronin si kundërpeshë e mbisundimit brenda sferës së prodhimit. Për pasojë, midis vendeve të zhvilluara kapitaliste, me gjasë SHBA mishëron një prej ndarjeve klasore më të polarizuara, nëse e hedhim shikimin nga akset e shfrytëzimit dhe mbisundimit.

Figura 5: Modeli makro dinamik

Nëse i referohemi klasës së mesme dhe formimit të saj përmes mekanizmave të grumbullimit të mundësive – sidomos atyre të lidhura me arsimin – historikisht SHBA ka një prej klasave të mesme më të mëdha ndërmjet shteteve të zhvilluara kapitaliste. SHBA kanë qenë të parat në masifikimin e arsimit të lartë dhe për shumë kohë qasja në këto kualifikime ishte tejet e hapur dhe relativisht e lirë ekonomikisht, duke u mundësuar njerëzve me të ardhura të pakta të hynin në universitet. SHBA ka gjithashtu një sistem universitar shumënivelësh – me kolegje komunitare, shkolla të larta profesionale, kolegje të arteve liberale, universitete, institucione publike e private – që u ka mundësuar njerëzve të hyjnë në arsimin e lartë në një moshë më të shtyrë për të fituar kredenciale dhe punësim karakteristik për klasën e mesme. Ky sistem i gjerë dhe i larmishëm ka ndihmuar në krijimin e një numri të madh vendesh pune të klasës së mesme. Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore sistemi është komplementuar nga një lëvizje punëtore relativisht e fortë që ia ka dalë ta mpakë konkurrencën në ato vende pune në zemër të ekonomisë amerikane të cilat nuk kërkonin arsimim të lartë. Kjo u mundësoi punëtorëve të sindikalizuar të këtyre pozicioneve të fitojnë të ardhura dhe siguri të ngjashme me klasën e mesme me kredenciale arsimore.

Sidoqoftë – ndryshe nga retorika popullore – nuk ka ndodhur ndonjëherë që SHBA të ketë qenë gjerësisht një “shoqëri e klasës së mesme”. Shumica e vendeve të punës në strukturën amerikane të punësimit nuk kanë prodhuar avantazhe mbi bazën e kredencialeve përjashtuese dhe lëvizja punëtore nuk ka organizuar ndonjëherë më shumë se 35% të forcës punëtore jomenaxheriale. Për më tepër, lëvizja punëtore ka rënë ndjeshëm që prej viteve 1970, mjaft vende pune të klasës së mesme janë bërë më pak të sigurta dhe të mbrojtura nga kredencialet karakteristike, ndërkohë që kriza ekonomike aktuale e ka intensifikuar prekaritetin e shumëkujt që ende e mendon veten si klasë e mesme. Kësisoj, ndonëse ndodh ende që arsimimi i lartë dhe, akoma më tepër, diplomat e avancuara akademike luajnë një rol qendror në sigurimin e vendeve më të mira të punës në ekonominë amerikane, e ardhmja e një klase të mesme të gjerë dhe të qëndrueshme duket mjaft më pak e qartë.[7]

Në fund, struktura klasore amerikane është shënuar nga procesi veçanërisht brutal përmes të cilit janë formuar vetitë e rëndësishme për fatin e individëve. Sistemi arsimor amerikan është organizuar në të tillë mënyrë që cilësia e arsimimit për fëmijët e të varfërve të jetë në përgjithësi shumë më e ulët se çka u ofrohet fëmijëve të klasës së mesme apo të familjeve të pasura. Ky deficit në arsimimin publik për të varfrit intensifikohet nga privimet e shkaktuara nga mungesa e një rrjete sigurie të përshtatshme dhe e shërbimeve mbështetëse për familjet e varfra. Çindustrializimi i shpejtë i ekonomisë amerikane dhe mungesa e programeve gjithëpërfshirëse të trajnimit për punë për të larguarit nga puna nga mbyllja e fabrikave ka bërë që një numër i madh njerëzish të jenë pa aftësitë e kërkuara nga tregu aktual i punës. Për pasojë struktura klasore amerikanë shënohet nga normat më të larta të varfërisë dhe margjinalitetit ekonomik krahasuar me vende të ngjashme.

Nëse i trajtojmë bashkërisht këto procese struktura klasore amerikane në fillim të shekullit XXI ka trajtat e mëposhtme:

Në krye kemi një klasë kapitaliste dhe një klasë menaxherësh korporatash të cilat janë ekstremisht të pasura dhe kanë standarde jashtëzakonisht të larta konsumi, me kufizime relativisht të dobëta ndaj ushtrimit të pushtetit ekonomik.

Një klasë të mesme të gjerë dhe relativisht të qëndrueshme, të ankoruar në një sistem universitar dhe trajnimi teknik ekspansiv dhe fleksibël, që lidhet me vende pune të cilat kërkojnë lloj-lloj kredenciales, por siguria dhe e begatia e ardhshme e të cilave tanimë është vënë në dyshim.

Një klasë punëtore që dikur karakterizohej nga një segment relativisht i gjerë anëtarësh të sindikatave me një standard jetese dhe siguri të ngjashme me të klasës së mesme, por që tani është e privuar gjerësisht nga këto masa mbrojtëse.

Një segment të varfër dhe në kushte prekariati të klasës punëtore, që karakterizohet nga pagat e ulëta dhe punësimi relativisht i pasigurt, i nënshtrohet konkurrencës së pafre në tregun e punës dhe ka mbrojtje minimale nga shteti.

Një pjesë e margjinalizuar dhe e varfëruar e popullsisë, pa aftësitë dhe arsimimin e nevojshëm për të gjetur punë që do t’u mundësonin të jetonin mbi pragun e varfërisë dhe që jëtojnë në kushte që ua bëjnë ekstremisht të vështirë sigurimin e këtyre aftësive.

Një model ndërveprimi midis racës dhe klasës në të cilin punëtorët e varfër dhe popullata e margjinalizuar përbëhen në përmasa shpërpjesëtimore nga pakicat racore.

Kah sinteza

Përdorimi i kuadrit të integruar të analizës klasore të propozuar këtu na i vendos studiuesit që operojnë në traditën marksiste, veberiane dhe shtresëzuese përpara sfidave të ndryshme. Për shumë marksistë sfida kryesore është njohja se elementi më i rëndësishëm brenda shkencës shoqërore marksiste është teoria e larmisë së mekanizmave shkakësorë dhe jo aspirata e vet për të qenë një paradigmë gjithëpërfshirëse. Në të shkuarën rëndësia e këtyre mekanizmave është mbrojtur duke theksuar në mënyrë retorike pakrahasueshmërinë e marksizmit me teoritë e tjera dhe argumentuar se epistemologjia dhe metodologjia marksiste dallojnë fort nga rivalet. Këto argumente nuk janë bindëse. Marksizmi është një traditë e fuqishme në shkencën shoqërore sepse na jep shpjegime serioze mbi një sërë fenomenesh të rëndësishme dhe jo për shkak se ka ndonjë metodë speciale që e dallon nga të gjitha rrymat e tjera teorike. Sigurisht që është gjithmonë e mundshme që përpjekjet e të ardhmes për ta formuluar marksizmin si një paradigmë të dallueshme e gjithëpërfshirëse të korrin sukses. Po hë për hë, është më e dobishme ta shohim marksizmin si një program kërkimi shkencor që përkufizohet nga vëmendja ndaj një bashkësie specifike problemesh, mekanizmash dhe teorish shpjeguese provizore.

Sfida e një analize klasore të integruar mund të jetë edhe më e fortë për sociologët që operojnë në traditën e shtresëzimit. Tekefundit analistët marksistë të klasave shoqërore në praktikë i kanë përfshirë gjithmonë diskutimet e vetive individuale dhe kushteve jetësore materiale të njerëzve të vendosur brenda një strukture klasore, ndërsa grumbullimi i mundësive është pjesë integrale e konceptit të marrëdhënieve shoqërore të prodhimit. Nga ana tjetër teoricienët e shtresëzimit e kanë injoruar tërësisht problemin e shfrytëzimit dhe në rastin më të mirë kanë folur për “disavantazhet”, madje në këtë qasje mungon edhe mbisundimi. T’i njohësh shfrytëzimin dhe mbisundimin si akse qendrore të analizës klasore kërkon të njohësh rëndësinë e një strukture pozicionesh shoqërore të dallueshme nga personat që i zënë këto pozicione, por edhe ky aspekt është gjerësisht i huaj për qasjen shtresëzuese.

Në një farë kuptimi detyrën më të lehtë mund ta kenë veberianët. Nga njëra anë shumica e sociologëve veberianë nuk kanë aspiruar të krijojnë një paradigmë gjithëpërfshirëse dhe janë mjaftuar me një traditë teorike që siguron një meny të pasur konceptesh të lidhura lehtas të cilat përpiqen t’u japin përgjigje problemeve të ndryshme empirike e historike. Ky ka qenë një prej aspekteve më tërheqëse të sociologjisë veberiane: të lejohet të bësh bashkë thuajse çdo koncept që vjen nga rrymat e tjera të teorisë shoqërore. Nga ana tjetër veberianët e kanë theksuar gjithnjë rëndësinë e pushtetit brenda strukturave shoqërore dhe nuk e kanë problem të bëjnë dallimin midis personave dhe pozicioneve strukturore. Ndonëse shfrytëzimi nuk figuron si koncept qendror i analizës klasore veberiane, logjika e kategorive veberiane nuk paraqet pengesa themelore në përfshirjen e tij.

Nga ky vlerësim mund të duket se, në fund, na mbetet thjesht të vetëshpallemi veberianë. Kjo është një prej akuzave që është drejtuar kundër veprës sime dhe asaj të të tjerë marksistëve tridhjetë vjet më parë nga sociologu britanik Frank Parkin, sipas të cilit: “brenda çdo neomarksisti duket se ka një veberian që po përpiqet të nxjerrë kokën.”[8] Nuk besoj se kjo vjen prej realizmit pragmatist që mbroj këtu. Marksizmi mbetet një traditë e dallueshme në shkencën shoqërore për shkak të grupit specifik të problemeve të cilave u qaset, themeleve normative dhe inventarit të dallueshëm të koncepteve dhe mekanizmave që ka ndërtuar.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga revista New Left Review, nr. 60, nëntor-dhjetor 2009.

Imazhi: Jacob Lawrence


[1] Një parashtrim i hershëm i këndvështrimeve të mia mbi marksizmin dhe shkencën shoqërore dominuese mund të gjendet në hyrjen e librit “Class, Crisis, and the State”, Londër 1978. Veprat pasuese kryesore ku i kam diskutuar këto çështje janë “Classes”, Londër dhe Nju Jork 1985; “The Debate on Classes”, Londër dhe Nju Jork 1989; “Class Counts: Comparative Studies in Class Analysis”, Kembrixh 1997; dhe “Approaches to Class Analysis”, Kembrixh 2005. Versioni i mëhershëm i këtij shkrimi është mbajtur si kumtesë në konferencën “Comprehending Class”, University of Johannesburg, qershor 2009.

[2] Parapëlqej të përdor shprehjen “traditë marksiste” dhe jo “marksizëm” pikërisht sepse kjo e fundit të jep idenë e një paradigme gjithëpërfshirëse.

[3] Ky qëndrim ndaj traditës marksiste nuk do të thotë se duhet ta shpërbëjmë marksizmin në një “sociologji” apo shkencë shoqërore amorfe. Marksizmi mbetet i dallueshëm në organizmin e agjendës së vet rreth një bashkësie çështjesh apo problemesh themelore, të cilat injorohen ose margjinalizohen nga traditat e tjera teorike, si dhe identifikon një bashkësi të dallueshme procesesh shkakësore të ndërlidhura që kanë vlerë për çështje të tilla.

[4] Pierre Bourdieu-ja ka qenë sociologu bashkëkohor kryesor që i përfshiu në mënyrë sistematike elementët kulturorë në një listë të zgjeruar vetish individuale me ndikim klasor.

[5] Midis sociologëve amerikanë, termi “grumbullim i mundësive” është përdorur më haptazi nga Charles Tilly, sidomos në librin e tij “Durable Inequality”, Berkeley 1999. Vepra e Bourdieu-së në fushat dhe format e kapitalit rrotullohet gjithashtu rreth proceseve të grumbullimit të mundësive.

[6] Sigurisht që Weber-i ndërton një konceptim të përgjithshëm të përpunuar rreth mbisundimit, pushtetit dhe autoritetit, por më së shumti në kontekstin e analizës së organizatave dhe të shtetit, jo në specifikimin e konceptimit të tij mbi konceptin e klasës.

[7] Për të kuptuar modelet e polarizimit të vendeve të punës në dekadat e fundit, referojuni artikullit të Ëright dhe Rachel Dëyer-it, “‘The pattern of job expansion in the usa: a comparison of the 1960s and 1990s’, Socio-economic Revieë, vol. 1, no. 3, 2003, ff. 289–325.

[8] Frank Parkin, Marxism and Class Theory: A Bourgeois Critique, New York 1979, f. 25.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.