/Arlind Qori/
Po sikur në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016 përballë racisto-misogjinistit Trump të mos ishte ustallesha neoliberale Clinton, por socialisti demokratik Sanders; madje ky i fundit, siç e jepnin sondazhet hipotetike të kohës në përballje me Trump-in, të zgjidhej president i SHBA? Si do të reagonin formuesit e opinionit publik në Shqipëri? A do të tronditej ndopak pro-amerikanizmi i tyre apo do të kërcenin në karron e fitimtarit, pavarësisht se botëkuptimi ideo-politik i Sanders-it do të binte ndesh me gjithë ç’kanë besuar e përcjellë në opinionin publik për më se dy dekada?
Përpara se t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të ndalemi ca në analizën kritike të mënyrës se si është ndërtuar ideja e Amerikës (për arsye sa stilistike aq edhe besnike ndaj përdorimit popullor të termit, që këtej e tutje do të shkruaj Amerikë në vend të SHBA) në ligjërimin politik shqiptar. Ideologjia ka nevojë që t’i heshtojë kontradiktat në nivelin shoqëror dhe t’i shuajë ato në nivelin simbolik. Kësisoj, ngjashëm me atë të Evropës, edhe ideja e Amerikës përdoret si njëdimensionale. Madje edhe nëse tek-tuk hasen dallime, ato konsiderohen nxitimthi si nuanca të së njëjtës ngjyrë, të cilat pasurojnë unitetin konceptual Amerikë. Pra ka një Amerikë, ajo është bartëse e një qytetërimi, formacioni ekonomik e sistemi politik sipëror, e cila u kundërvihet alternativave që përmbyllen me totalitarizmin dhe terrorizmin.
Po përpara se të merremi me efektet e këtij ligjërimi në Shqipëri, është me vend të përdorim shpatullën (si ajo e bojaxhinjve) për të rrëzuar suvanë e bukur ideologjike dhe shfaqur plasaritjet, gropat dhe kontradiktat e murit që kemi përpara. A ka një Amerikë? Nëse i referohemi historisë së pasur, dinamike, por edhe tragjike të Amerikës, do të kuptojmë se, ndoshta më shumë se çdo vend tjetër, ajo është ndërtuar duke kaluar nëpërmjet konfliktesh të forta shoqërore. Shpeshherë shënjohet si toka e re e njerëzve të rinj, ndonëse nuk ka qenë tokë pa zot. Si gjetiu në kontinentin që mban të njëjtin emër, popullsitë indigjene janë shfarosur ose zbythur për t’u lënë vend kolonëve nga kontinenti i vjetër. Në mos shfarosja, të paktën grabitja e tokave dhe dëbimi i popullsisë gjenin edhe shprehjen e tyre intelektuale, si për shembull në njërën prej figurave më të rëndësishme të mendimit politik modern, John Locke-un, “Traktati i dytë politik” i të cilit justifikonte shpronësimin e vendasve në emër të produktivitetit më të lartë të punës së kolonëve, të cilët vinin bashkë me mjetet më moderne të prodhimit.
Sidoqoftë, shumica e kolonëve ishin mjeranët e Evropës së vjetër, viktimat e akumulimit fillestar të kapitalit, të cilët derdheshin në kontinentin e ri për të pasur një mundësi të re jetese. Aty, mbi eshtrat dhe para syve të vendasve, ata krijuan, si kurrkund tjetër, një shoqëri dinamike, të bazuar te prona e vogël bujqësore, e cila krijoi premisat që prej shekullit XIX e tutje Amerika të përjetonte një zhvillim të hovshëm ekonomik, që bazohej në një mikroborgjezi dinamike dhe të gjerë se askund tjetër.
Kjo specifikë e zhvillimit amerikan përgatiti një nga ngjarjet më emancipuese të shekullit XVIII, Revolucionin Amerikan, i cili i dha jetë shtetit më demokratik të kohës. Referencat ndaj ideve politike Locke-ut e Montesquieu-së në kushtetutën amerikane janë të pamohueshme, ashtu sikundër Amerika u bë një prej burimeve të frymëzimit gjatë Iluminizmit evropian.
Ama ishte demokraci zotërinjsh (herrenvolk), pra demokraci (ose së paku republikanizëm) brenda radhëve të shumicës së bardhë dhe diktaturë deri në skllavëri ndaj pakicave, sidomos afro-amerikanëve. Jo më kot Amerika e përpara 1865 ishte vendi i të drejtave të njeriut dhe skllavërisë në shtetet e jugut të saj. Madje kur u ndeshën gjatë Luftës Civile, të dyja palët u referoheshin të njëjtës kushtetutë dhe Deklaratë Pavarësie. Nëse abolicionistët argumentonin se ishte e vëtëkuptueshme që çdo njeri kish lindur i lirë dhe i barabartë, pro-skllavistët mendonin se afro-amerikanët nuk ishin njerëz, por pronë. Rrjedhimisht qeveria po cenonte të drejtën e pronës, çka e bënte, bie fjala, Abraham Lincoln-in tiran ndaj të cilit duhej ngritur krye.
Shekulli XIX shënoi edhe valën më të madhe të emigracionit në Amerikën e kapitalizmit vital. Miliona gjermanë, irlandezë, e pastaj italianë, grekë, polakë, pse jo edhe pak shqiptarë, u dyndën brigjeve të Amerikës se kishte punë. Ekspansioni i kapitalit, përmasat e mëdha gjeografike, popullsia relativisht e rrallë etj. kërkonin të thithnin fuqi gjithnjë e më të madhe punëtore. Mundësia për t’u arratisur në Perëndim dhe për t’u shndërruar në fermer të vogël donte të thoshte se punëtorët e kishin një rrugëdalje, çka shpjegonte pjesërisht pse niveli i pagave ishte më i lartë se në Evropë. Këta punëtorë të sapoardhur nga Evropa morën me vete edhe zakonet dhe idetë e organizimit punëtor, çka solli për pasojë lindjen dhe zhvillimin e një prej lëvizjeve më masive dhe të pasura punëtore në botë. Jo pa shkak dy datat më të rëndësishme emancipuese si 1 Maji dhe 8 Marsi e kanë origjinën në luftërat punëtore amerikane.
Në të njëjtën kohë ajo ishte Amerika e “baronëve grabitqarë”, që pasuroheshin në mënyrat më të paskrupullta, duke tejshfrytëzuar punëtorët, kapur pozita monopoliste, korruptuar qeveritë etj. Ndër të tjera shquheshin edhe për shkatërrimin e sindikatave dhe, në raste ekstreme, për përdorimin e milicive private për të masakruar punëtorët grevistë. Siç është po ashtu Amerika e 1937, kur Garda Kombëtare ndërhyri në grevën e punëtorëve të General Motors-it në Flint të Miçiganit jo për të goditur punëtorët, por për t’i mbrojtur ata nga policia lokale dhe të gangsterët e kompanisë.
E kështu me radhë, është Amerika e imperializmit dhe e të drejtës për vetëvendosje, e Red Scare-makartizmit dhe e lëvizjeve të fuqishme studentore, e racizmit të nëndheshëm dhe e lëvizjeve për të drejta civile, e blerjes së armëve në supermarket dhe e kufijve të gjerë të lirisë së shprehjes, e fundamentalizmave fetarë që duan të fusin kreacionizmin në lëndën e biologjisë dhe e pararojës në zhvillimin shkencor, e lobizmit si legalizim i korrupsionit dhe e lëvizjeve nga poshtë (grassroots), e mungesës së shërbimit mjekësor adekuat dhe e betejës për pagën orare 15-dollarëshe, e think tank-eve të korporatave dhe e mendimit kritik universitar, e blockbuster-ave hollivudianë dhe e kinemasë alternative e kështu me radhë.
Nëse pyesim se cila Amerikë mbisundon dhe merret si model në ligjërimin politik shqiptar, druaj se shumë më tepër vend ka për Amerikën e forcës, e fitimeve të mëdha, e obskurantizmit, e kapitalizmit të egër, e policit që qëllon akoma si kaubojs, e betimit vend e pa vend në Zot etj. Amerika e përkundërt është e panjohur, ose e keqnjohur, ose e integrueshme në mënyrë joproblematike në Amerikën e parë, a thua se janë dy faqe koherente të së njëjtës medalje dhe jo dy forca shoqërore, politike dhe intelektuale që janë ndeshur dhe vazhdojnë të ndeshen për hegjemoni.
Amerika e parë u shërben biznesmenëve të mëdhenj që të bëhen akoma edhe më të mëdhenj, duke shfrytëzuar punëtorët dhe shkatërruar natyrën, i shërben elitës politike që të privatizojë, koncensionojë dhe tjetërsojë pasuritë publike, se kështu rrit haraçin e vet. Aq popullore e kujtojnë imazhin e kësaj Amerike saqë e marrin popullin për fëmijë që gënjehet me foto me presidentë, a thua se jemi akoma më 1991-1992.
Ashtu siç na shërben neve, të gjithë atyre që nuk duan e nuk munden të fusin duart në bërjen e plaçkës, Amerika e dytë: si burim idesh, modelesh rezistence dhe frymëzimi. Sanders-i është i yni. Mbajini me shëndet Trump-ët e Clinton-ët!
– Botuar edhe në revistën “Shenja”
Imazhi: Underwood Archives/Getty Images
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).