/Farah Stockman/
Në vitin 1998 Shannon Mulcahy u rrah aq keq nga i dashuri, saqë prokurorët në Indiana vendosë ta nxirrnin përpara gjyqit. Shannon-i zgjodhi të fshihej në dollap në vend se t’i përgjigjej fletëthirrjes për në gjyq. Si mund të ndihmonte në dënimin e njeriut që i kishte mundësuar strehë për të dhe djalin e saj?! Përfundimisht u nda nga i dashuri. Shannon-i, një grua e bardhë rreth të njëzetave, mblodhi paratë dhe gjeti forcën e mjaftueshme për t’u larguar nga puna në një fabrikë. Ajo punonte prej 17 vitesh në një fabrikë në Indianapolis, duke u bërë gruaja e parë e cila punonte në furrë, një nga punët më të rrezikshme dhe më të mirëpaguara në nivelin e fabrikave.
Për herë të parë e takova Shannon-in në 2017, pak pasi shefat e saj njoftuan që Rexnord-i, fabrika ku punonte, do të mbyllej dhe do të zhvendosej në Meksikë dhe Teksas. E ndoqa çështjen e saj për rreth shtatë muaj, teksa ajo ishte në ankth nëse duhej të trajnonte zëvendësuesin e saj meksikan apo të qëndronte krah sindikatës dhe të refuzonte. Gjithashtu ndoqa edhe çështjen e dy kolegëve të saj: Wally, një montues kuzhinetash me ngjyrë, ëndrra e të cilit ishte të hapte biznesin e tij të barbekjusë dhe John-i, një përfaqësues sindikate i cili aspironte të blinte shtëpi për të zëvendësuar atë që kishte humbur në një falimentim.
Një nga gjërat që do të mbahet mend nga kjo eksperiencë ishte se beteja më e rëndësishme në luftën për drejtësi shoqërore zuri vend në fabrikë dhe jo në kampusin universitar. Për shumë amerikanë që nuk kanë diplomë universitare dhe që përbëjnë dy të tretën e popullsisë, thelbi i lëvizjeve punëtore, lëvizjeve të të drejtave civile dhe ato të të drejtave të grave qëndron në sigurimin e vendeve të mirëpaguara të punës në fabrika.
Shannon-i kishte pësuar më shumë abuzime dhe ngacmime seksuale në vendin e punës sesa çdokush tjetër që njihja. Megjithatë, ajo nuk ishte bërë pjesë e lëvizjes #MeToo apo kandidaturës presidenciale të Hillary Clinton-it. Për Shanon-in, çlirimi i grave nënkuptonte të drejtën për të njëjtat punë që kishin burrat në fabrikë. Ajo kishte shënuar emrin e saj në fletën për operatore të trajtimit termik, edhe pse asnjë grua nuk kishte qëndruar gjatë në këtë departament. Operatorët e trajtimit termik ishin një grup elitë, ashtu si samurajët dhe forcat e marinës. Ata punonin me gazra shpërthyese. Burrat që supozohej se do të trajnonin Shannon-in, përpiqeshin ta pushonin nga puna. “Trajtimi termik nuk është për gra.” –tha njëri.
Ajo këmbënguli. Operatorët e trajtimit termik fitonin 25 dollarë në orë, më shumë nga ç’kishte fituar ajo ndonjëherë. Ajo nuk nguroi të përdorë seksualitetin e vet. Flirtoi qëllimisht me kryetarin e sindikatës dhe veshi këmisha të dukshme në departamentin e trajtimit të nxehtësisë. “A po tregoj shumë dekolte?” – do të pyeste ajo. Ajo i kushtoi vëmendje të veçantë Stan Settle-it, një burrë shumë më i moshuar që dinte të drejtonte çdo furrë. Nëse këmisha e tij zbërthehej ndërsa ai ishte përkulur, duke ekspozuar pjesën e sipërme të prapanicës së tij, Shannon-i lëshonte një paralajmërim solemn: “Ngriji poturet Stan!”
Në fund, Stan-i e mori nën krahun e tij dhe i mësoi gjithçka për furrat. Në kohën kur e takova, Shannon-i ishte veterane e ngarkuar me trajnimin e operatorëve të rinj të trajtimit termik. Ajo krenohej me faktin se nuk varej nga asnjë burrë – madje as nga xha Sam-i.
Feminizmi i Shannon-it ishte krejtësisht i ndryshëm nga lëvizja feministe me të cilën isha rritur. Ajo çfarë unë njihja ishte frymëzuar nga “Mistika feministe” e Betty Friedan-it, traktati novator feminist i Valës së Dytë që fliste për zbrazëtinë dhe mërzinë e amvisave të pasura. Kjo lëvizje fokusohej shumë fort në thyerjen e tavanit te qelqtë në botën e jakave të bardha: gruaja e parë që shërbeu në gjykatën supreme (Sandra Day O’Connor 1981); sekretarja e parë e shtetit ( Madeleine Alright 1997).
Po gratë e shtresave të ulëta, veçanërisht gratë me ngjyrë, kanë punuar gjithmonë – dhe jo nga mërzia, por nga nevoja. Betejat e tyre, të cilat Dorothy Sue Cobble-i i ka quajtur “lëvizja feministe tjetër”, morën shumë më pak vëmendje mediatike. Kush e di emrin e gruas së parë minatore?! Sa e dinë emrin e plotë të “Nënë Jones”-it, organizatores së patrembur të punëtoreve, të etiketuar si “gruaja më e rrezikshme në Amerikë” sepse legjionet e punëtorëve të minierave hodhën kazmat nën frymëzimin e saj?! (Quhej Mary Harris Jones.) Vetëm në vitin 1964 ligji përcaktoi mbrojtjen e vendit të punës kundër diskriminimit seksual e racor. Gratë iu shtuan Ligjit për të Drejtat Civile në minutën e fundit. Por ligji u miratua duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Përqindja e grave në punë u rrit nga 43% në vitin 1970 në 61% në vitin 2000. Nga viti 1976 deri në vitin 1998, numri i grave viktima të vrara nga bashkëshortët ra mesatarisht me 1% në vit. (Numri i burrave të vrarë nga partneret ra edhe më shumë.)
Por jo të gjitha gratë përfituan në mënyrë të barabartë nga Ligji i të Drejtave Civile. Ato që përfituan më shumë ishin gratë e bardha me arsim universitar, të cilat iu bashkuan botës profesionale dhe u pasuruan nga ndryshimet ekonomike, të cilat zhdukën vendet e punës së motrave të tyre jakëblu. Sot gratë e mirarsimuara – që priren të martohen me burra të mirarsimuar – gjenden në majë të piramidës financiare.
Betejat e grave punëtore (jakave blu) kundër një sistemi të ndarjeve profesionale – të quajtur “Jane Crow” në librin e Nancy MacLean-it “Liria nuk është e mjaftueshme: Hapja e vendit të punës në Amerikë” – vazhdoi të përballej me tufanin e sfidave ekonomike. Për shembull, në vitin 1969 një punëtore çeliku e quajtur Alice Peurala në Çikago duhej të ngrinte padi në gjyq për të fituar vendin e punës që i ishte caktuar një burri me më pak vjetërsi në punë. Ajo fitoi dhe u bë kryetare lokale e sindikatës së punëtorëve të çelikut. Por në vitet që pasuan, industria e Çelikut falimentoi. Si pasojë, fabrika e saj u mbyll përfundimisht.
Në vitin 2016 në sektorin e prodhimit punonin rreth tre milionë gra amerikane, një numër shumë më i madh nga avokatet apo financieret. Megjithatë, nevojat urgjente të grave punëtore për kujdes cilësor ndaj fëmijëve, leje mjekësore me pagesë dhe orare më fleksibël të punës rrallëherë sillen në vëmendjen kombëtare, ndoshta sepse gratë profesioniste që përcaktojnë agjendën i gëzojnë tashmë këto të drejta. Pra pjesa më e madhe e debatit rreth seksizmit dhe të drejtave të grave përqendrohet në atë se si të paguhen sa burrat dhe si të futen më shumë gra në bordet e korporatave. Ndërkohë gratë punëtore janë ende duke luftuar për të gjetur punë me 25 dollarë në orë. Dhe SHBA mbeten një nga vendet e vetme pa ligj federal që detyron pushimin e paguar të lehonisë.
Njoftimi se fabrika do të mbyllej, zgjedhja e Donald Trump-it dhe ardhja e zëvendësuesve meksikanë në uzinë u bënë brenda harkut prej tre muajsh, në vitin 2016, duke përftuar një përzierje toksike shprese, inati dhe dëshpërimi. Në vitet pasuese punëtorët u shpërndanë si fara të brishta, duke u përpjekur të rifillojnë jetën e tyre nga e para.
Ekonomistët parashikuan se ata do të gjenin vende të reja pune – edhe më të mira se më parë. Disa ia arritën. Por shumica e punëtorëve që mbaja shënim përfunduan duke fituar në orë rreth 10 dollarë më pak sesa kishin fituar më parë. Shannon-i mbeti pa punë për një kohë të gjatë, çka e bëri të ndjehej e pashpresë. Fabrika e vjetër vazhdoi të shfaqej në ëndrrat e saj për vite me radhë.
Natyrisht, për çdo histori si ajo e Shannon-it ka një histori për një grua në Indi, Kinë ose Meksikë që tanimë e ka një vend pune – dhe më shumë pavarësi financiare – për shkak të një fabrike të re. Globalizimi dhe drejtësia sociale kanë shumë anë.
Por këta punëtorë të huaj nuk votojnë në zgjedhjet amerikane. Fati i demokracisë sonë nuk varet prej tyre, por prej votuesve si Shannon-i. Eksperimenti amerikan po copëtohet. E vetmja mënyrë për ta bërë të funksionojë është që vendimmarrësit me diploma universitare të rilidhen me klasën punëtore, e cila përbën shumicën e votuesve.
E përktheu Briseida Halilaj
Marrë me shkurtime nga gazeta The New York Times
Imazhi: American Factory