Ç’është marksizmi? (i)

/Rob Sewell, Alan Woods/

Hyrje e vitit 1983

Marksizmi, ose socializmi shkencor, është emri që i është dhënë një grupi idesh të elaboruara nga Karl Marksi (1818-1883) dhe Fridrih Englesi (1820-1895). Në tërësinë e tyre, mbi këto ide ngrihet baza e plotë teorike e luftës së klasës punëtore për të arritur një formë më të lartë të zhvillimit njerëzor, socializmin.

Ndërkohë që konceptet e marksizmit janë zhvilluar dhe pasuruar nga eksperienca historike e vetë klasës punëtore, idetë thelbësore qëndrojnë të palëkundura, duke krijuar themelet e një lëvizjeje të gjerë punëtore sot. As para e as gjatë jetës së Marksit dhe Engelsit nuk ka avancuar ndonjë teori superiore, më e vërtetë dhe më shkencore që të shpjegojë zhvillimin e shoqërisë dhe rolin e klasës punëtore në këtë zhvillim. Pra njohja e marksizmit e pajis teorikisht proletariatin për detyrën e madhe historike të transformimit socialist të shoqërisë.

Ky fakt shpjegon sulmet konstante dhe të hidhura ndaj të gjitha aspekteve të marksizmit nga çdo mbrojtës i mundshëm i rendit shoqëror ekzistues – që nga konservatorët te fabianët, nga prifti jezuit te profesori universitar. Nga sulmet më agresive dhe fakti që mbrojtësit e rendit ekzistues detyrohen t’i artikulojnë vazhdimisht, pavarësisht se secili prej këtyre ekspertëve pretendon ta ketë hedhur poshtë marksizmin, mendimtarët e lëvizjeve punëtore mund të deduktojnë dy fakte. E para, që mbrojtësit e kapitalizmit shohin te marksizmi sfiduesin më të rrezikshëm të sistemit të tyre dhe kështu provojnë të vërtetat e tij, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të faktuar të kundërtën. Dhe e dyta, që përkundër zhdukjes nën grumbullin e ekspozimeve abuzive, sharëse dhe deformimeve flagrante, teoritë e Marksit dhe Engelsit po fitojnë terren në mënyrë konstante, në veçanti midis shtresave më aktive të lëvizjes punëtore, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh punëtorësh nën efektin e krizave të kapitalizmit mundohen të zbulojnë kuptimin e vërtetë të forcave që i japin formë jetës së tyre dhe, për pasojë, në këtë mënyrë të influencojnë dhe vendosin vetë për fatin e tyre.

Teoritë marksiste e pajisin punëtorin e këtyre lëvizjeve me njohuri të tilla – me karakteristika të menduari që janë të afta për ta udhëhequr përmes labirintit të ngatërrueshëm të ngjarjeve, proceseve komplekse shoqërore, ekonomike, politike, luftës së klasave. I armatosur me këtë shpatë, punëtori mund të presë nyjën gordiane që e mban lidhur me pengesën më të madhe në rrugën e avancimit të vetes dhe klasës së tij: injorancën.

Përfaqësuesit e paguar nga klasa sunduese mundohen me të gjitha forcat ta diskreditojnë marksizmin në sytë e klasës punëtore pikërisht për ta mbajtur të pazgjidhur këtë nyje. Është detyra e çdo punëtori dhe aktivisti serioz të lëvizjes punëtore të njohë teoritë e Marksit dhe Engelsit si një parakusht thelbësor për ardhjen në pushtet të klasës punëtore.

Megjithatë në rrugën e punëtorit për të kuptuar teorinë ka disa pengesa shumë më të mëdha se pëshpërimat e priftërinjve dhe profesorëve. Një burrë ose grua që është i/e detyruar të punojë orë të gjata në industri, që i mungon edukimi dhe zakoni i të lexuarit, e ka shumë më të vështirë të përthithë ide komplekse, sidomos në fillim. Gjithsesi Marksi dhe Engelsi shkruan për punëtorët, jo për studentët apo klasën e mesme. “Çdo fillim është i vështirë” pavarësisht se cilën shkencë studiojmë. Po ashtu, marksizmi është shkencë dhe kërkon shumë përkushtim nga fillestarët (ata që i hyjnë rishtazi studimit të tij). Çdo punëtor që është aktiv në sindikata apo Partinë Laburiste e di se asgjë nuk vlen nëse nuk fitohet me sadopak vështirësi apo sakrificë. Artikulli i mëposhtëm u drejtohet më së shumti pikërisht këtyre punëtorëve dhe aktivistëve. Një premtim mund të bëhet për punëtorin që është i përgatitur të ngulmojë: sapo të bëhet përpjekja fillestare për të kuptuar idetë e reja me të cilat nuk jemi mësuar, teoritë e marksizmit do të jenë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Për më tepër, dhe kjo duhet theksuar, punëtori që arrin me anë të përpjekjes së durueshme një njohje të marksizmit do të jetë një teoricien më i mirë se shumica e studentëve sepse ai mund t’i kapë idetë jo vetëm në mënyrë abstrakte, por edhe konkretisht, të aplikuara në jetën dhe punën e tij.

Të gjitha klasat sunduese mundohen të justifikojnë moralisht sundimin e tyre duke e portretizuar atë si formën më të lartë dhe më natyrore të zhvillimit shoqëror, duke fshehur qëllimisht sistemin e shfrytëzimit me anë të fshehjes dhe deformimit të së vërtetës. Klasa e sotme kapitaliste, me anë të mercenarëve dhe pasuesve të tyre, ka elaboruar një moral dhe filozofi të re për të justifikuar pozicionin e saj sundues në shoqëri.

Përkundrazi, klasa punëtore nuk ka asnjë interes në deformimin e së vërtetës, prandaj i duhet t’i vendosë vetes detyrën e kuptimit të realiteteve kapitaliste në mënyrë që të shtrohet rruga për emancipim. Klasa punëtore, ndryshe nga ajo sunduese nuk kërkon të ruajë pozicionin e saj, por ka për qëllim tejkalimin e kapitalizmit së bashku me privilegjet dhe dallimet klasore. Për ta bërë këtë i duhet të refuzojë pikëpamjen kapitaliste dhe të kërkojë vetë një kuptim të ri marksist.

Metoda marksiste na jep një këndvështrim më të pasur dhe më kuptimplotë të shoqërisë dhe jetës në përgjithësi dhe na largon perden e misticizmit në të kuptuarit e zhvillimit njerëzor dhe shoqëror. Filozofia marksiste shpjegon se motori i historisë nuk janë as “njerëzit e mëdhenj”, as forcat mbinatyrore, por zhvillimi i forcave prodhuese (industria, shkenca, teknika etj.). Ekonomia përcakton në instancë të fundit kushtet e jetesës, zakonet dhe ndërgjegjen njerëzore.

Çdo riorganizim i ri i shoqërisë, qoftë ajo skllavëri, feudalizëm apo kapitalizëm, i ka zhvilluar shumë forcat prodhuese, të cilat për pasojë u kanë dhënë njerëzve fuqi më të mëdha rreth natyrës. Sapo një sistem shoqëror tregohet i paaftë t’i zhvillojë më tej këto forca prodhuese, shoqëria në fjalë hyn në një epokë revolucioni. Gjithsesi në rastin e kalimit nga kapitalizmi në socializëm procesi nuk është automatik dhe kërkon ndërhyrjen e ndërgjegjshme të klasës punëtore për të avancuar këtë detyrë historike. Dështimi në këtë detyrë, në afatgjatë, do të na shtronte rrugën drejt reaksionit dhe përfundimisht drejt luftës botërore.

Kapitalizmi ka hyrë përsëri në një krizë të re ekonomike që ka rezultuar në papunësi masive si në vitet 1930. Teoritë mashtruese të ekonomistëve kapitalistë kanë rezultuar të paafta për të parandaluar recensionet dhe, për pasojë, e kanë shtyrë klasën sunduese ta braktisë kejnesianizmin dhe të vërë përsëri në punë masat e vjetra të “financave të shëndosha” të monetarizmit. Në vend që të na shpëtojë, ky program ka shërbyer për të thelluar dhe zgjatur krizën!

Vetëm marksizmi është i aftë të vërë në dukje kontradiktat e kapitalizmit të cilat shkaktojnë depresion dhe rënie ekonomike periodike. Kapitalizmi tashmë e ka shteruar plotësisht rolin e tij historik të zhvillimit të bazës prodhuese të shoqërisë. Të mbështjella nga shtetet kombe dhe pronësia private, forcat prodhuese shkatërrohen sistematikisht për shkak të mbiprodhimit në masë dhe kapitalit.

Siç e ka shpjeguar edhe vetë Marksi: “Gjatë këtyre krizave ndodh një epidemi e cila në të gjitha epokat e mëparshme do të ishte dukur absurde, epidemia e mbiprodhimit” (Marks dhe Engels, “Manifesti komunist”)

“Befas shoqëria hidhet prapa në një gjendje barbarie të ardhur papritmas; duket sikur një zi, një luftë e përgjithshme shfarosëse i ka hequr çdo mjet jetese shoqërisë; duket sikur industria dhe tregtia janë asgjësuar, — dhe përse? Sepse shoqëria ka arritur një qytetërim tepër të madh, ka mjete jetese me tepricë, ka një industri dhe një tregti tepër të madhe. Forcat prodhuese që ndodhen në dispozicion të saj nuk i shërbejnë më zhvillimit të marrëdhënieve borgjeze të pronësisë; përkundrazi, ato janë bërë tepër të mëdha për këto marrëdhënie, marrëdhëniet borgjeze e pengojnë zhvillimin e tyre; dhe kur forcat prodhuese fillojnë t’i kapërcejnë këto pengesa, ato e bëjnë rrëmujë gjithë shoqërinë borgjeze, vënë në rrezik ekzistencën e pronës borgjeze.”

Pamfleti i mëposhtëm bashkon për herë të parë tre shtojcat e Buletinit të Studimeve Marksiste të Uellsit Jugor (të publikuara për herë të parë në vitin 1970) si një kontribut i vogël për etjen në rritje për idetë e marksizmit. Gjithashtu, botimi i këtij pamfleti përkon me njëqindvjetorin e vdekjes së Marksit, 14 mars 1883, i cili së bashku me Engelsin themeloi socializmin shkencor.

Gjithsesi, ky pamflet nuk supozohet të japë një informacion shterues mbi marksizmin, por të ndihmojë punëtorin-student (kupto: punëtorin që studion teoritë marksiste) në rrugën e tij duke përcaktuar disa drejtime të ideve kryesore ku mund të fokusohet, së bashku me një listë leximi në të cilën mund të thellohet. Vetë Marksi dhe Engelsi kanë shkruar disa punime të shkurtra shpjeguese pikërisht për të popullarizuar teoritë e tyre midis klasës punëtore, punime të cilat përbëjnë bazën e listës së sugjeruar të leximeve.

Studimi i marksizmit fokusohet në tri kategori kryesore, që i korrespondojnë filozofisë, historisë dhe ekonomisë, ose, për t’i dhënë emrat e tyre të saktë: materializmi dialektik, materializmi historik dhe teoria e vlerës me bazë punën. Këto janë “tre elementët përbërës të marksizmit” për të cilat ka shkruar dhe Lenini. (Lenin, “Tre burimet dhe elementet përbërëse të marksizmit”)

18 shkurt 1983

***

Metoda marksiste

Hyrje në materializmin dialektik

Ç’është filozofia?

Në çdo etapë të historisë njerëzore, burrat dhe gratë janë munduar të kuptojnë botën dhe rolin e tyre në të. Ato kanë zhvilluar një filozofi. Elementet që kanë përdorur për të krijuar këtë panoramë të përgjithshme i kanë marrë nga vrojtimi i natyrës dhe duke përgjithësuar eksperiencat e tyre të përditshme.

Disa mendojnë se nuk kanë nevojë për filozofinë apo për një vështrim të caktuar mbi botën. Gjithsesi, çdokush e ka në praktikë një filozofi, edhe pse mund të mos jetë e dukshme për ta. Njerëzit që jetojnë sipas të menduarit të zakonshëm (common sense) dhe që mendojnë se nuk u duhet teoria, në fakt po mendojnë sipas një mënyre apo filozofie tradicionale. Marksi ka thënë që idetë mbisunduese në shoqëri janë ato të klasës sunduese. Për ta mbajtur dhe justifikuar sundimin e saj, klasa kapitaliste përdor çdo mjet të mundshëm për të shpërqendruar ndërgjegjen e punëtorit. Shkolla, kisha, televizioni dhe shtypi përdoren për ta ushqyer dhe indoktrinuar punëtorin me ideologjinë e klasës sunduese, në mënyrë që ai ta pranojë sistemin si formën shoqërore më natyrore dhe të qëndrueshme në kohë. Në mungesë të një filozofie socialiste, ata pranojnë në mënyrë të pandërgjegjshme atë kapitaliste.

Në çdo etapë të shoqërisë klasore klasës së re revolucionare, duke dashur të ndryshojë shoqërinë, i duhet të luftojë për një botëkuptim të ri dhe të sulmojë filozofinë e vjetër e cila, bazuar në sistemin e vjetër, përpiqet ta mbrojë dhe justifikojë.

Idealizmi dhe materializmi

Përgjatë historisë së filozofisë kemi përballë dy kampe, atë idealist dhe atë materialist. Kuptimi i zakonshëm për “idealist” (për shembull: ndershmëria, ndjekja e idealeve) dhe “materialist” (për shembull: pandershmëri, lakmi, egoizëm për para) nuk kanë asnjë të përbashkët me konceptet e idealizmit dhe materializmit filozofik.

Shumë mendimtarë të së shkuarës i përkisnin kampit idealist, ndër më të shquarit Platoni dhe Hegeli. Kjo shkollë mendimi e shikon natyrën dhe historinë si reflektim të ideve dhe shpirtit. Teoria që burrat dhe gratë dhe çdo gjë materiale janë krijuar nga një Shpirt hyjnor është një koncept bazë i idealizmit. Ky këndvështrim gjen shprehje në shumë mënyra, por thelbin e ka në faktin që janë idetë ato që i japin drejtim zhvillimit të botës materiale. Historia shpjegohet si histori mendimi. Veprimet e njerëzve shihen si rrjedhojë e mendimeve abstrakte dhe jo të nevojave materiale. Hegeli shkoi një shkallë më lart, duke qenë idealist konsistent, dhe i shihte mendimet si një “Ide” që ekzistonte jashtë trurit dhe e pavarur nga bota materiale. (Hegel, “Shkenca e logjikës”). Kjo e fundit ishte veçse një reflektim i kësaj Ideje. Feja është element i domosdoshëm i shprehjes së filozofisë idealiste.

Mendimtarët materialistë, nga ana tjetër, argumentojnë se bota materiale është e vërtetë dhe se natyra e materia janë primare. Idetë janë produkte të trurit. Truri, dhe për pasojë idetë, u zhvilluan në një fazë të caktuar të zhvillimit të materies së gjallë. Themelet bazë të materializmit janë si vijon:

  1. Bota materiale, të cilën e njohim me anë të shqisave dhe e eksplorojmë me anë të shkencës, është e vërtetë. Zhvillimi i botës përcaktohet nga ligjet e saj natyrore, pa asnjë ndikim mbinatyror.
  2. Ekziston vetëm një botë, ajo materiale. Mendimi është produkt i materies (në këtë rast trurit) pa të cilën nuk do të kishte ide. Për pasojë, idetë dhe mendja nuk mund të ekzistojnë të ndara nga materia. Idetë janë vetëm reflektim i botës materiale. “Sipas meje” – shkruan Marksi “ideja nuk është asgjë më shumë se reflektim i botës materiale në mendjen njerëzore dhe e përkthyer në forma mendimi”. (Marks, Pasthënie e botimit të dytë në gjermanisht të “Kapitalit”). Dhe për më tepër, “Ekzistenca shoqërore përcakton ndërgjegjen” (Marks, “Kritikë e ekonomisë politike”)

Idealistët e shohin ndërgjegjen, mendimin, si diçka të jashtme dhe e kundërvënë ndaj materies apo natyrës. Kjo kundërvënie është diçka krejtësisht e gabuar dhe artificiale. Ka një marrëdhënie të ngushtë midis ligjeve të mendimit dhe ligjeve të natyrës sepse të parat ndjekin dhe reflektojnë të dytën. Mendimi nuk mund t’i zhvillojë vetë kategoritë e tij, por mund t’i nxjerrë ato nga bota e jashtme. Edhe mendimet më abstrakte në fakt shkaktohen nga vrojtimi i botës materiale.

Edhe një shkencë si matematika, e cila në pamje të parë duket abstrakte, në fund të fundit rrjedh nga realiteti material dhe jo nga truri. Fëmijët në shkollë numërojnë gishtërinjtë e tyre (materie) poshtë një tavoline (materie) përpara se të zgjidhin një problem aritmetik. Duke bërë kështu, ata rikrijojnë origjinat e vetë matematikës. Ne e bazojmë numërimin në sistemin decimal sepse kemi dhjetë gishta.

Sipas Leninit, “ky është materializmi: material që vepron mbi shqisat tona prodhon ndjesitë. Ndjesitë varen nga truri, nervat, retina etj., pra materia është primare. Ndjesia, mendimi, ndërgjegjja janë produktet më të larta të materies”. (Lenin, “Materializmi dhe kritika empirike”).

Njerëzit janë pjesë e natyrës dhe i zhvillojnë idetë e tyre në ndërveprim me pjesën tjetër të botës. Proceset mendore janë absolutisht të vërteta, por nuk janë diçka absolute, jashtë natyrës. Ato duhet të studiohen sipas rrethanave materiale dhe shoqërore nga të cilat lindin. “Fantazmat që formohen në trurin njerëzor,” – citon Marksi, “janë, medoemos, lartësime të proceseve materiale jetësore.” (Marks, “Ideologjia gjermane”). Më vonë ai e përmbyll: “morali, feja, metafizika, ideologjia dhe format e saj të ndërgjegjes, në këtë mënyrë nuk i përmbahen dukjes së pavarësisë. Këto kategori nuk kanë histori, nuk kanë zhvillim, por njerëz të cilët, duke zhvilluar prodhimin e tyre material dhe ndërveprimin material, zhvillojnë bashkë me to edhe ekzistencën e tyre reale, mendimin dhe produktet e mendimit të tyre. Jeta nuk përcaktohet nga ndërgjegjja, por ndërgjegjja nga jeta.”

Origjinat e materializmit

“Djepi i materializmit modern,” – shkruan Engelsi “që prej shekullit të shtatëmbëdhjetë e këtej është Anglia.” (Engels, “Socializmi: utopik dhe shkencor”). Në këtë kohë monarkia dhe aristokracia e vjetër feudale po sfidoheshin nga klasat e mesme të sapolindura. Bastioni i feudalizmit ishte Kisha Katolike Romake, e cila i jepte monarkisë dhe institucioneve feudale justifikimin hyjnor. Për këtë shkak, ky justifikim duhej të minohej para se feudalizmi të shkatërrohej. Borgjezia në ngritje sfidoi idetë e vjetra dhe konceptet hyjnore mbi të cilat ngrihej rendi i vjetër.

“Paralelisht me ngritjen e klasave të mesme ndodhi dhe një ringjallje e madhe e shkencës; astronomia, mekanika, fizika, anatomia, fiziologjia filluan të studiohen përsëri. Dhe borgjezisë, për zhvillimin e mënyrës së vet të prodhimit, i duhej një shkencë që konstaton vetitë fizike të objekteve natyrore dhe mënyrat e veprimit të forcave të natyrës. Deri më atëherë shkenca nuk ishte asgjë tjetër veçse shërbëtorja e Kishës, nuk i lejohej të kalonte caqet e përcaktuara nga besimi fetar dhe për këto arsye nuk mund të quhej shkencë. (Në shekullin e shtatëmbëdhjetë Galileoja provoi si të vërtetë teorinë e Kopernikut që Toka dhe planetet rrotullohen rreth Diellit. Profesorët e atëhershëm i përqeshën këto teori dhe përdorën forcën e Indeksit (të librave të ndaluar) dhe të Inkuizicionit kundër Galileos, për ta detyruar të rishikonte teorinë e tij). Shkenca u rebelua ndaj Kishës; borgjezia nuk mund të bënte pa shkencën, ndaj iu bashkua luftës.”

Në këtë kohë Francis Bacon-i (1561-1626) zhvilloi idetë e tij revolucionare të materializmit. Sipas tij, shqisat ishin të pagabueshme dhe burimi i të gjitha njohurive. Të gjitha shkencat u bazuan në eksperiencë dhe konsistonin në nënshtrimin e të dhënave ndaj metodave racionale të hulumtimit: induksioni, analiza, krahasimi, vrojtimi dhe eksperimenti. Megjithatë, duhet pritur Thomas Hobbes-i (1588-1679) për të vazhduar dhe zhvilluar në një sistem, materializmin e Bacon-it. Ai e kuptoi që idetë dhe konceptet ishin thjesht një reflektim i botës materiale dhe (siç e perifrazojnë Marksi dhe Engelsi) që “është e pamundur të ndash mendimin nga materiali që mendon”. (Marksi dhe Engelsi, “Familja e shenjtë”) Më vonë mendimtari anglez John Locke (1632-1704) e provoi me fakte materializmin.

Shkolla materialiste e filozofisë më vonë kaloi nga Anglia në Francë, për t’u marrë dhe zhvilluar nga Rene Descartes-in (1596-1650) dhe ndjekësit e tij. Këta materialistë francezë nuk e kufizonin veten në kritikën ndaj fesë, por e shtrinë atë në të gjitha institucionet dhe idetë. Ata i sfiduan këto ide në emër të Arsyes dhe i dhanë municion borgjezisë që po zhvillohej në luftën e tyre ndaj monarkut. Lindja e Revolucionit Borgjez Francez të 1789-93 u bazua në filozofinë materialiste si sistem idesh dhe besimesh. Ndryshe nga Revolucioni Anglez i mesit të shekullit XVII, ai Francez e shkatërroi krejtësisht rendin e vjetër feudal. Siç e theksoi Engelsi më vonë: “E dimë tani që kjo mbretëri e Arsyes ishte mbretëria ideale e borgjezisë” (Engels, “Anti-Dyring”)

Gjithsesi, defekti i këtij materializmi që nga Bacon-i e tutje ishte këndvështrimi mekanik dhe i ngurtë i natyrës. Jo pa arsye, shkolla angleze e filozofisë materialiste lulëzoi në shekullinXVIII, kur Isak Njutoni bëri që mekanika të shihej si shkenca më e zhvilluar dhe e rëndësishme. Sipas Engelsit: “Kufizimi i këtij lloj materializmi qëndronte në paaftësinë e tij për ta kuptuar universin si proces, si lëndë që i nënshtrohet zhvillimit historik të pandalshëm.” (Engels, “Ludvig Fojerbah dhe fundi i filozofisë klasike gjermane”)

Revolucioni Francez kishte një ndikim të thellë në botën e civilizuar, ashtu si Revolucioni Rus i 1917. Ai revolucionarizoi mendimin në çdo fushë: politikë, filozofi, shkencë dhe art. Zhvillimi i këtyre ideve të lindura nga revolucioni demokratiko-borgjez u shtri edhe në shkencat natyrore, gjeologji, botanikë, kimi, si dhe ekonomi politike.

Në këtë periudhë filloi kritika ndaj qasjes mekanike të materialistëve. Një filozof gjerman, Immanuel Kant (1724-1804), bëri thyerjen e parë nga metodat e vjetra mekanike kur zbuloi se Toka dhe sistemi diellor nuk kishin ekzistuar gjithmonë. E njëjta gjë u aplikua edhe në gjeografi, gjeologji, te flora dhe fauna etj.

Kjo ide revolucionare e Kantit u zhvillua nga një tjetër mendimtar brilant gjerman, George Hegel (1770-1831). Hegeli ishte një filozof idealist që besonte se bota mund të shpjegohej si një manifestim apo reflektim i “Mendjes Universale” ose “Idesë”, për shembull, duke marrë formën e Zotit. (Hegel, “Shkenca e logjikës”)

Hegeli e shikonte botën jo si një pjesëmarrës aktiv në shoqëri dhe historinë njerëzore, por si filozof, duke soditur ngjarjet nga larg. Ai e vendosi veten si etalon matës të botës, e interpretonte historinë bazuar në paragjykimet e tij dhe e shihte botën si botë të mendimeve, si një Botë Ideale. Kështu që për Hegelin, problemet dhe kontradiktat shtroheshin jo në terma realë, por në mbretërinë e mendimit dhe, për pasojë, duhej ta gjenin zgjidhjen vetëm nëpërmjet mendimit. Sipas tij, kontradiktat shoqërore në vend që ta gjenin zgjidhjen nga veprimet e njerëzve, nga luftërat e klasave, duhej ta gjenin atë në kokën e filozofit, në Idenë Absolute.

Pavarësisht kësaj, Hegeli i njihte kufizimet e këndvështrimit të vjetër mekanik. Ai zbuloi gjithashtu pamjaftueshmërinë e logjikës formale dhe i vuri qëllim vetes të krijonte një këndvështrim të ri për botën që të mund të shpjegonte kontradiktat e ndryshimit dhe lëvizjes.

Edhe pse Hegeli rizbuloi dhe analizoi ligjet e lëvizjes dhe ndryshimit, idealizmi i tij bënte që të gjitha këto ai t’i vendoste brenda kokës së tij. Ishte lufta dhe kritika e hegelianëve të rinj, të kryesuar nga Ludvig Fojerbahu (1804-1872) që e korrektuan dhe ringritën filozofinë. Gjithsesi, edhe Fojerbahu “që gjysmën e kishte materialiste dhe gjysmën idealiste” (Engels, “Fojerbahu, rrënjët e filozofisë socialiste”) nuk mund ta nxirrte plotësisht hegelizmit nga këndvështrimi idealist. Për këtë duhej të prisnim Marksin dhe Engelsin, të cilën mundën ta shpëtonin metodën dialektike nga guaska e saj mistike. Dialektika hegeliane u përzje me materializmin modern për të prodhuar njohurinë revolucionare të quajtur materializmi dialektik.

Ç’është dialektika?

Kemi parë deri më tani se materializmi modern është konceptimi që materia (lënda) është parësore dhe se mendja apo idetë janë produkte të trurit. Po ç’është mendimi dialektik apo vetë dialektika?

“Dialektika nuk është asgjë më shumë se shkenca e ligjeve të përgjithshme të lëvizjes dhe zhvillimit të natyrës, shoqërisë njerëzore dhe mendimit.” (Engels, “Anti-Dyring”)

Metoda dialektike e mendimit kishte ekzistuar shumë më parë se Marksi dhe Engelsi ta zhvillonin atë në mënyrë shkencore si një mjet për kuptimin e evolucionit të shoqërisë njerëzore.

Grekët e lashtë kanë nxjerrë disa mendimtarë dialektikë të mëdhenj si Platoni, Zenoni dhe Aristoteli. Që prej viteve 500 p.e.s. Herakliti zhvilloi idenë se “çdo gjë është dhe nuk është, sepse çdo gjë është në vërshim, në rrjedhje, ndryshon vazhdimisht, krijohet dhe zhduket”. (Cituar nga Trocki, ABC-ja e materializmit dialektik”) dhe më pas: “çdo gjë rrjedh, ndryshon, është e pamundur që të lahesh dy herë në të njëjtin lumë”. (Cituar nga Platoni, “Kratilusi”) Kjo deklaratë përmban konceptin thelbësor të dialektikës që çdo gjë në natyrë është në një gjendje vazhdimisht të ndryshueshme dhe se ky ndryshim shpërfaqet përmes një serie kontradiktash.

“Mendimi bazë që çdo gjë në botë nuk duhet kuptuar si një sistem kompleks gjërash të bëra gati, por si një sistem kompleks procesesh, në të cilën gjërat në dukje të qëndrueshme, jo më pak se imazhi i tyre në kokën tonë, konceptet, kalojnë nëpër një ndryshim të pandërprerë krijimi dhe zhdukjeje.”

“Për filozofinë dialektike asgjë nuk është përfundimtare, absolute, e shenjtë. Ajo zbulon karakterin tranzitor të çdo gjëje: asgjë nuk mund të qëndrojë para saj përveç procesit të pandërprerë të krijimit dhe shkatërrimit, një ngjitje e pafund nga poshtë-lart. Dhe filozofia dialektike nuk është asgjë më tepër se reflektimi i këtij procesi në trurin që mendon.” (Engelsi, “Ludvig Fojerbahu dhe fundi i filozofisë klasike gjermane”)

Dialektika dhe metafizika

Filozofët e lashtë grekë i paraprinë në mënyrë brilante zhvillimit të dialektikës, po ashtu si shkencave të tjetra. Por ata nuk mundën ta çonin deri në përfundimin logjik për shkak të zhvillimit të ulët të mjeteve të prodhimit dhe të mungesës së informacionit të saktë të mënyrës së si funksionon universi. Idetë e tyre kanë dhënë një panoramë të përgjithshme pak a shumë të saktë, por gjithsesi ishin në formën e hamendjeve nga frymëzimi i çastit dhe jo të teorive të punuara në mënyre shkencore. Që të mund të avanconte mendimi njerëzor, ishte e domosdoshme të lihej mënjanë kjo metodë e vjetër e të kuptuarit të përgjithshëm të universit dhe të vihej fokusi në detyrat më të vogla dhe të rëndomta të mbledhjes, kategorizimit dhe klasifikimit të fakteve individuale, të eksperimentimit të teorive të ndryshme me anë të eksperimentit, etj.

Kjo qasje empirike, eksperimentale dhe faktike i dha një shtysë shumë të madhe mendimit njerëzor dhe shkencës. Të kuptuarit e funksionimit të natyrës tashmë mund të bëhej në mënyrë shkencore, duke analizuar secilin problem të veçantë dhe duke testuar përfundimet. Por përgjatë këtij procesi humbi aftësia e vjetër për t’i lidhur problemet më njëra-tjetrën, për t’u marrë me to në lëvizjen e tyre, jo në statikën e tyre, në jetën e jo në vdekjen e tyre. Mënyra e ngushtë dhe empirike e të menduarit që filloi të dominonte u quajt qasja “metafizikë”. Ajo e dominon ende shkencën dhe filozofinë moderne kapitaliste. Në politikë ajo pasqyrohet në pragmatizmin e famshëm të Harold Wilson-it (“nëse funksionon, domethënë që është e drejtë”) dhe në referimin e vazhdueshëm ndaj fakteve.

Por faktet nuk përzgjidhen vetvetiu. Ato përzgjidhen nga individët. Rregullat dhe radha në të cilën shërbehen dhe përfundimet që nxirren prej tyre varen nga pikëpamjet e formuara që më parë të këtyre individëve. Kështu referimi i “fakteve”, të cilat supozohet të japin përshtypjen e paanshmërisë së shkencës, zakonisht janë thjesht një perde që mbulon paragjykimet e folësit (përzgjedhësit të fakteve).

Dialektika, nga ana tjetër, nuk merret vetëm me faktet, por me lidhjen e fakteve me njëra-tjetrën, për shembull me proceset, jo vetëm me idetë e izoluara, por me ligjet e përgjithshme, jo me partikularen, por me të përgjithshmen.

Të menduarit dialektik qëndron në krahasim me metafizikën si filmi me fotografinë. Nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por e plotësojnë atë. Gjithsesi, qasja më e plotë dhe e vërtetë reflektohet në film.

Për qëllimet e përditshme dhe llogaritë e thjeshta mjafton mendimi metafizik ose “common sense”. Por ka kufizimet e veta dhe aplikimi i të menduarit metafizik përtej këtyre kufizimeve e kthen të vërtetën në të kundërtën e saj. Kufizimet kryesore të kësaj mënyre të menduari janë paaftësia e saj për të konceptuar lëvizjen e zhvillimit dhe mohimi i kontradiktave. Gjithsesi, lëvizja dhe ndryshimi nënkuptojnë kontradiktë.

“Për atë që mendon në mënyrë metafizike, gjërat dhe refleksionet e tyre mendore, idetë, janë të izoluara, duhet të merren në konsideratë njëra pas tjetrës dhe veçmas nga njëra-tjetra, janë objekte investigimi, të pandryshueshme, të ngurta, të dhëna njëherë e mirë. Ai mendon sipas një antiteze absolutisht të papajtueshme … Për të, diçka ose ekziston ose jo: diçka nuk mund të jetë në të njëjtën kohë vetvetja dhe diçka tjetër. Pozitivja dhe negativja e përjashtojnë në mënyrë absolute njëra-tjetrën: shkaku dhe pasoja qëndrojnë në antitezë të papajtueshme me njëra-tjetrën.” (Engels, “Socializmi: utopik dhe shkencor”)

Për qëllimet e përditshme, për shembull, është e mundur të themi me siguri nëse një njeri, bimë apo kafshë është e gjallë apo e vdekur. Por në të vërtetë, siç na tregojnë edhe çështjet ligjore mbi abortin dhe të drejtën e fetusit për të jetuar, kjo pyetje nuk është kaq e thjeshtë të marrë përgjigje. Në cilën pikë fillon saktësisht jeta e njeriut? Në cilën pikë mbaron saktësisht? As vdekja nuk është një ngjarje e thjeshtë, por një proces i zgjatur, siç e kuptonte dhe Herakliti: “E njëjta gjë është e gjallë dhe e vdekur, në gjumë dhe zgjuar, e re dhe e vjetër; secila ndryshon vend dhe kthehet në të kundërtën e saj. Ne lahemi dhe nuk lahemi në të njëjtin lumë, ne jemi dhe nuk jemi.”

Në veprën “ABC-ja e materializmit dialektik” Trocki e përkufizon dialektikën si “një shkencë e formave të të menduarit që nuk kufizohen nga problemet e jetës së përditshme, por që tenton të kuptojë proceset më të komplikuara”.

Ai i krahason dialektikën dhe logjikën formale (metafizikën) me matematikën e lartë dhe të ulët. Aristoteli ishte i pari që zhvilloi ligjet e logjikës formale dhe sistemi i tij i logjikës është pranuar nga mendimi metafizik si metoda e vetme e të menduarit shkencor.

“Logjika aristoteliane e silogjizmit të thjeshtë është pranuar si aksiomë për një shumëllojshmëri aktivitetesh praktike dhe përgjithësimesh elementare. Postulati fillon me propozimin që “A”=“A”. Por në të vërtetë “A” nuk është e barabartë me “A”. Dikush mund të kundërshtojë, çështja nuk është në masën apo formën e shkronjës, meqenëse ato janë thjesht simbole, siç është për shembull një paund sheqer. Por kundërshtimi nuk arrin ta kapë thelbin, sepse një paund sheqer nuk është asnjëherë i barabartë me një paund sheqer. Një peshorë shume më e saktë do na tregonte ndryshimin. Dikush mund të kundërshtonte përsëri, por një paund sheqer është i barabartë me vetveten. As kjo nuk është e vërtetë. Çdo trup apo lëndë ndryshon në mënyrë të pandalshme masën, peshën, ngjyrën etj. Nuk janë kurrë të barabarta me vetveten. Një sofist do shprehej se një paund sheqer është i barabartë me vetveten në çdo moment të dhënë. Por përveç vlerës së dyshimtë praktike të kësaj aksiome, ajo nuk i bën dot ballë as kritikës teorike. Si mund ta konceptojmë fjalën “moment” (një abstraksion tërësisht matematik), kur kjo fjalë nuk na përcakton kohën? Gjithçka ekziston në kohë: vetë ekzistenca është një proces i pandalshëm transformimi, për pasojë koha është një element themelor i ekzistencës. Kështu që aksioma “A” është e barabartë me vetveten nëse nuk ndryshon, do të thotë është e barabartë me vetveten nëse nuk ekziston.

Në pamje të parë duket sikur këto “hollësi” janë të padobishme. Në të vërtetë ato kanë një domethënie vendimtare. Aksioma “A është e barabartë me A” nga njëra anë duket se është pikënisja për të gjitha njohuritë tona, kurse nga ana tjetër pikënisja për të gjitha gabimet në njohuritë tona. Kjo aksiomë mund të përdoret vetëm brenda limiteve të caktuara. Kur ndryshimet sasiore brenda A janë të papërfillshme, atëherë ne mund të supozojmë që “A është e barabartë me A”. Kjo është mënyra se si për shembull shitësi dhe blerësi quajnë të pandryshueshëm një paund sheqer! Ose temperaturën e Diellit. Ose deri para pak kohësh fuqinë blerëse të dollarit. Por ndryshimet sasiore jashtë disa kufijve të caktuar bëhen ndryshime sasiore. Një paund sheqer nën veprimin e ujit apo të vajgurit nuk është më një paund sheqer. Të përcaktosh momentin e duhur, pikën kritike kur ndryshimet sasiore bëhen ndryshime cilësore, është një nga detyrat më të rëndësishme dhe të vështira në të gjitha fushat e njohurisë, përfshirë edhe sociologjinë.” (Trocki, “ABC-ja e materializmit dialektik”)

Hegeli

Metoda e vjetër dialektike e të arsyetuarit, e cila nuk përdorej më që prej mesjetës, u ringjall në fillim të shekullit XIX nga filozofi i madh gjerman G.W.F. Hegel (1770-1831). Hegeli, një nga mendjet më enciklopedike të kohërave të tij, ia nënshtroi format e logjikës formale një kritike të detajuar duke shfaqur kufizimet dhe njëanshmërinë e tyre. Hegeli prodhoi analizën e parë të detajuar të ligjeve të dialektikës, të cilat i shërbyen më pas Marksit dhe Engelsit për të zhvilluar teorinë e tyre të materializmit dialektik. Lenini e përkufizoi dialektikën hegeliane si “doktrina më gjithëpërfshirëse, më e saktë dhe më e thellë e zhvillimit”. Në krahasim me këtë, çdo formulë tjetër ishte “e njëanshme dhe e dobët në përmbajtje, e pasaktë në analizën e rrugës së vërtetë të zhvillimit të natyrës dhe shoqërisë”. (Lenin, “Karl Marks”)

Pikëpamja e Hegelit ishte ajo e një “zhvillimi që në dukje përsërit fazat që tashmë kanë kaluar, por i përsërit në një mënyrë ndryshe; një zhvillim, si të thuash, në spirale dhe jo në vijë të drejtë; një zhvillim më anë të hopeve, katastrofave, revolucioneve, thyerjeve në vazhdimësi, transformimeve të sasisë në cilësi; shtysat e brendshme të zhvillimit, të dhëna nga kontradiktat dhe konfliktet e forcave të ndryshme që veprojnë mbi të njëjtin trup, ose brenda një fenomeni të dhënë, ose brenda një shoqërie: lidhja e ndërvarësisë e secilës anë të secilit fenomen (ndërkohë që historia shpërfaq gjithmonë fenomene të reja), kjo ndërvarësi prodhon një proces universal, uniform, ligje të lëvizjes; këto janë disa nga karakteristikat e dialektikës si një doktrinë më e pasur e zhvillimit”. (Lenin, “Karl Marks”)

Hegeli e shtroi problemin në mënyrë brilante, por nuk arriti të gjejë një zgjidhje për shkak të paragjykimeve të tij idealiste. Ishte, sipas fjalëve të Engelsit, “një dështim kolosal”. Pavarësisht anës së saj mistike, filozofia e Hegelit shpjegoi ligjet më të rëndësishme të dialektikës: Sasia dhe cilësia, ndërlidhjen e të kundërtave dhe mohimin e mohimit.

Sasia dhe cilësia

“Pavarësisht gradualitetit, tranzicioni nga një formë e lëvizjes në një tjetër gjithmonë mbetet një hov, një ndryshim vendimtar”. (Engels, “Anti-Dyring”)

Ideja e ndryshimit dhe evolucionit është tashmë përgjithësisht e pranuar, por format me anë të së cilave ky ndryshim ndodh në natyrë dhe shoqëri janë shpjeguar vetëm nga dialektika marksiste. Paragjykimi i evolucionit si një zhvillim i paqtë, i butë dhe i pandërprerë është i njëanshëm dhe i pasaktë. Në politikë kjo njihet si teoria e ndryshimit shoqëror gradual dhe është baza teorike e reformizmit.

Hegeli zhvilloi idenë e “vijës nyjore të marrëdhënieve – sipas të cilës, në një nyje të kësaj vije, rritja apo pakësimi sasior i lë vendin një hovi cilësor: për shembull mund të marrim temperaturën e ujit, ku pika e vlimit dhe pika e ngrirjes janë nyje në të cilat një gjendje e re e lëndës merr formë dhe ku, për pasojë, ndryshimi në sasi i lë vendin ndryshimit në cilësi”. (Engels, “Anti-Dyring”)

Kështu, në shembullin e cituar, transformimi i ujit në avull apo akull nuk ndodh me anë të vlimit apo ngrirjes graduale, por në temperatura të caktuara (0°C, 100°C). Efekti kumulativ në ndryshimin e shpejtësive të lëvizjes së molekulave eventualisht prodhon një gjendje të re lëndore.

Shembuj të tillë mund të merren nga të gjitha fushat e jetës dhe shkencës (për shembull pika kur shtimi i kripës e kthen një gjellë të shijshme në të pangrënshme etj.)

Ligji i ndryshimit nga sasia në cilësi dhe anasjelltas është i një rëndësie të madhe jo vetëm në shkencë (ku, si shumë ligje të tjera dialektike, përdoret nga shkencëtarët pa qenë të ndërgjegjshëm që është dialektik), por mbi të gjitha edhe në analizën e historisë, shoqërisë dhe lëvizjeve të klasës punëtore.

Ndërfutja e të kundërtave

Metafizika përpiqet të eliminojë kontradiktat nga mendimi dhe revolucionin nga evolucioni, si dhe të provojë se të gjitha idetë dhe forcat kundërshtuese janë përjashtuese me njëra-tjetrën. Gjithsesi, “nga një vështrim më i afërt ne kuptojmë se dy polet e antitezës, pozitivja dhe negativja, janë të pandashme po aq sa janë edhe kundërshtuese dhe, pavarësisht gjithë kundërshtisë, ato janë të ndërfutura. Po ashtu kuptojmë se shkaku dhe pasoja, edhe pse dy gjëra të ndryshme sa u përket rasteve individuale, sapo këto raste individuale i konsiderojmë në lidhje me universin si tërësi, ato ndërlidhen, ndryshojnë vazhdimisht vend, çka është pasojë këtu dhe tani do të jetë shkak atje apo në një kohë tjetër dhe e anasjellta”. (Engels, “Anti-Dyring”)

Dialektika është shkenca e marrëdhënieve dhe ndërlidhjeve, në kontrast me metafizikën që i trajton fenomenet si të ndara dhe të izoluara. Dialektika kërkon të zbulojë fijet e panumërta, tranzicionet, shkaqet dhe efektet që bëjnë universin të funksionojë. Detyra e parë e një analize dialektike është të gjejë “lidhjet objektive të të gjitha aspekteve dhe forcave që ndikojnë një fenomen”. (Lenin, parathënie dhe hyrje në konspektin e librit të Hegelit “Shkenca e Logjikës”).

Dialektika i qaset një fenomeni të dhënë nga aspekti i zhvillimit, lëvizjes dhe jetës së tij, si lind dhe shuhet; po ashtu merr në konsideratë edhe forcat e brendshme kontradiktore.

Lëvizja është karakteristika kryesore e ekzistencës së universit material. Energjia dhe masa janë të pandashme. Zhvillimi dhe ndryshimi marrin formë përmes kontradiktave të brendshme. Kështu, analiza dialektike fillon duke zbuluar në mënyrë empirike kontradiktat e brendshme që i japin jetë zhvillimit dhe ndryshimit.

Kështu, edhe progresi i njohurisë dhe shkencës nuk niset nga mohimi i teorive të pasakta. Të gjitha teoritë janë relative, duke kapur nga një anë të realitetit. Fillimisht teoritë marrin një rol dhe aplikim universal. Janë “të vërteta”. Më pas gjenden mangësi, nuk janë më të aplikueshme në çdo rast, gjenden përjashtime nga rregulli. Këto duhen shpjeguar dhe teori të reja marrin formë duke u bazuar në mangësitë e të vjetrave. Por teoritë e reja nuk e mohojnë të vjetrën, por e integrojnë në një formë tjetër.

Ne mund t’i përjashtojmë kontradiktat vetëm nëse i shohim objektet dhe fenomenet si pa jetë, metafizikisht. Por sapo marrim në konsideratë lëvizjen dhe ndryshimin, ndërlidhjen dhe ndërveprimin me objektet dhe fenomenet e tjera, ne arrijmë të shohim një sërë kontradiktash.

Lëvizja në vetvete është kontradikta e të qenit në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë.

Jeta, po ashtu, është kontradikta e “të qenit në të njëjtin moment vetvetja dhe diçka tjetër”. (Engels, “Anti-Dyring”)

Qeniet e gjalla thithin vazhdimisht substanca nga mjedisi (për shembull ushqim), i asimilojnë ato dhe në të njëjtën kohë pjesë të tjera të trupit kalben. Transformime të vazhdueshme shohim edhe në natyrë, për shembull një shkëmb gërryhet vazhdimisht nga presioni i elementeve të tjera. Pra çdo gjë është në të njëjtën kohë vetvetja dhe diçka tjetër. Kështu, dëshira për të eliminuar kontradiktat është dëshira për të eliminuar realitetin.

Mohimi i mohimit

Engelsi e karakterizon mohimin e mohimit si një “ligj të përgjithshëm dhe për këtë arsye shumë të rëndësishëm të zhvillimit të natyrës, historisë dhe mendimit; një ligj i cili zë vend në botën e kafshëve dhe bimëve, në gjeologji, në matematikë, në histori dhe filozofi”. (Engels, “Anti-Dyring”)

Ky ligj, funksioni i të cilit ishte vëzhguar në natyrë shumë kohë para se të shkruhej në letër, u elaborua qartësisht nga Hegeli, i cili jep një numër të madh shembujsh konkretë të cilët Engelsi i përsërit tek “Anti-Dyringu”.

Ligji i mohimit të mohimit e shpjegon natyrën e zhvillimit përmes një serie kontradiktash, të cilat duket sikur e anulojnë dhe kundërshtojnë një fakt, teori apo formë të mëparshme ekzistence, vetëm për t’u kundërshtuar më pas nga një fakt apo teori tjetër. Në këtë mënyrë, ndryshimi dhe zhvillimi lëvizin në një seri të pandërprerë mohimesh.

Gjithsesi, mohimi në sensin dialektik nuk shënjon një shkatërrim apo anulim total të gjendjes së mëparshme, por më saktë një tejkalim dhe në të njëjtën kohë një konservim të kësaj gjendjeje. Në këtë kuptim, mohimi është një akt sa pozitiv aq edhe negativ.

Hegeli jep një shembull të thjeshtë në librin e tij “Fenomenologjia e shpirtit”: “Gonxhja zhduket kur çel lulja dhe mund të themi që e dyta ka mohuar të parën, në të njëjtën mënyrë si mund të themi që fryti ka mohuar lulen si forma më e lartë e ekzistencës së bimës. Këto faza nuk mund të diferencohen, ato plotësojnë njëra-tjetrën në kuptimin e të qenit të pakrahasueshme. Por aktiviteti i pandërprerë i natyrës i bën ato të jenë momente të të njëjtit unitet organik, ku ato nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por ku njëra është po aq e nevojshme se tjetra.”

Në këtë proces vetëmohimi, zhdukjes së formave të caktuara dhe lindjes së formave të tjera, vihet re një rregull: përsëritja e formave, ngjarjeve dhe teorive të shkuara. Kështu, pra, “historia përsërit vetveten”. Historianët reaksionarë në këtë mënyrë janë munduar të provojnë që historia është një rreth vicioz i pakuptimtë përsëritjesh, një cikël që nuk mbaron kurrë.

Dialektika, në të kundërt, vëren brenda këtyre përsëritjeve një zhvillim nga poshtë lart, një evolucion në të cilin të njëjtat forma mund të përsërisin veten, por në një nivel më të lartë, të pasuruara nga zhvillimet e mëparshme.

Kjo mund të shihet qartë në procesin e zhvillimit të mendimit njerëzor. Hegeli tregoi se si filozofia zhvillohet përmes një serie kontradiktash; një shkollë mendimi mohon tjetrën, por në të njëjtën kohë e përthith të vjetrën në sistemin e vet të mendimit.

E njëjta gjë ndodh edhe me zhvillimin e shkencës. Alkimistët e mesjetës motivoheshin nga kërkimi për “gurin filozofik” i cili mund të kthente metalet në ar. Për shkak të nivelit të ulët të forcave prodhuese dhe mungesës së një teknike shkencore, këto përpjekje të para për shndërrim të elementeve ishin një fantazi utopike. Gjithsesi, në këtë proces përpjekjesh të kota, alkimistët në të vërtetë zbuluan një sërë faktesh të vlefshme rreth kimikateve dhe aparatit eksperimental të cilat më vonë u bënë baza e kimisë moderne.

Me ngritjen e kapitalizmit, industrisë dhe teknikës, kimia u bë një shkencë që mohoi nocionet e mëparshme të shndërrimit të elementeve. Por ato çfarë ishin të vlefshme dhe shkencore në zbulimet e alkimistëve u ruajtën dhe u përbrendësuan në kiminë e re.

Shekulli XX ka parë revolucionarizimin e shkencës dhe me anë të fizikës nukleare një element mund të transformohet në një tjetër. Në fakt është teorikisht e mundur të kthehet plumbi në ar, por ky proces thjesht është shumë i kushtueshëm për t’u justifikuar ekonomikisht. Pra ky proces i veçantë ka mbyllur një cikël të plotë:

Shndërrim i elementeve b) jo shndërrim i elementeve c) shndërrim i elementeve

Por përsëritja është vetëm në dukje. Në të vërtetë shkenca moderne, e cila në një farë kuptimi i është kthyer idesë së alkimistëve, ka përbrendësuar të gjitha zbulimet e mëdha të shekujve të mëparshëm. Pra çdo gjeneratë qëndron në shpatullat e paraardhësve. Idetë të cilat ishin më parë të mohuara rishfaqen, por në një nivel më të lartë, të pasuruara nga eksperiencat dhe zbulimet e mëparshme.

Historianët sipërfaqësorë kanë shkruar se Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga vrasja e Dukës Ferdinand në Sarajevë. Për një marksist kjo ngjarje është thjesht një aksident historik, në kuptimin që ajo thjesht shërbeu si pretekst për fillimin e luftës, një katalizator i konfliktit botëror që atëbotë ishte i pashmangshëm për shkak të kontradiktave ekonomike, politike dhe ushtarake të imperializmit. Edhe sikur vrasësi të mos kishte qëlluar në shenjë apo Duka Ferdinand të mos kishte lindur kurrë, lufta do të zhvillohej me anë të një preteksti tjetër diplomatik. Domosdoshmëria do ta kishte shprehur veten me anë të një aksidenti tjetër.

Gjithçka që ekziston, ekziston për shkak të domosdoshmërisë. Por po ashtu çdo gjë që ekziston është e destinuar të marrë fund dhe të transformohet në diçka tjetër. Kështu, çfarëështë e nevojshme në një kohë dhe vend bëhet e panevojshme në një kohë apo vend tjetër. Kjo është e vërtetë, si për qeniet e gjalla, po ashtu dhe për shoqëritë.

Çdo lloj shoqërie njerëzore ekziston sepse ka qenë e domosdoshme në kohën kur ka lindur: “Asnjë sistem shoqëror nuk  zhduket përpara se të ketë arritur kulmin e zhvillimit të forcave te veta prodhuese. Po ashtu, marrëdhëniet e reja dhe më të larta të prodhimit nuk shfaqen pa u pjekur në shoqërinë e vjetër kushtet materiale që bëjnë të mundur ekzistencën e saj. Kështu, pra, njerëzimi merr përsipër aq probleme sa mund të zgjidhë, duke qenë se problemi shfaqet vetëm kur kushtet materiale për zgjidhjen e tij ekzistojnë ose të paktën janë duke u formuar”. (Marks, “Kritikë e ekonomisë politike”)

Skllavëria, në kohën kur lindi, ishte një hap i madh përpara krahasuar me barbarizmin. Ishte një fazë e nevojshme në zhvillimin e forcave prodhuese, kulturës dhe shoqërisë njerëzore. Siç ka thënë Hegeli: “Njerëzimi nuk është çliruar nga skllavëria, por me anë të skllavërisë”. (Hegel, “Filozofia e historisë”)

Po ashtu edhe kapitalizmi fillimisht ishte një nevojë dhe fazë progresive në historinë e shoqërisë njerëzore. Por njëlloj si skllavëria, komunizmi primitiv dhe feudalizmi, edhe kapitalizmi ka kohë që ka reshtur së qeni domosdoshmëri dhe sistem social progresiv. Ai është themeluar mbi kontradiktat e thella brenda vetes dhe është i destinuar të tejkalohet nga forcat e socializmit, të përfaqësuara nga proletariati i ri. Pronësia private mbi mjetet e prodhimit dhe shtetet kombe, karakteristikat kryesore të shoqërisë kapitaliste, të cilat fillimisht shënjuan një hap të madh përpara, tani u shërbejnë vetëm minimit të forcave prodhuese dhe regresit njerëzor.

Kapitalizmi është tashmë një sistem shoqëror i degjeneruar, i cili duhet të tejkalohet dhe zëvendësohet nga e kundërta e tij, socializmi, nëse duam që kultura njerëzore të mbijetojë. Marksizmi është determinist, por jo fatalist, sepse zgjidhja e kontradiktave në shoqëri mund të bëhet nga njerëzit që luftojnë me ndërgjegje për transformimin e shoqërisë.

Filozofia marksiste është në thelb një thirrje për veprim: “Filozofët e kanë shpjeguar botën, por çështja është që ta ndryshosh atë.” (Marks, “Teza mbi Fojerbahun”)

Fitorja e socializmit do të shënojë një fazë të re cilësore të historisë së njerëzimit. Për të qenë më të saktë do të shënojë fundin e parahistorisë dhe fillimin e historisë së vërtetë.

Në anën tjetër, socializmi shënon kthimin në formën më të hershme të shoqërisë njerëzore, komunizmin primitiv, por në një nivel më të lartë, i cili qëndron mbi shpatullat e mijëra viteve shoqërie klasore. Ekonomia e bollëkut do të bëhet e mundur nga aplikimi i planifikimit socialist në industrinë, shkencën dhe teknikën e ngritur nga kapitalizmi në shkallë globale. Kjo do të bëjë të parëndësishme dhe të pavend ndarjen e punës, diferencën midis punës mendore dhe fizike, midis fshatit dhe qytetit, luftën barbare klasore dhe do të bëjë të mundur që njerëzimi të paktën t’i përdorë burimet e veta për të “pushtuar” natyrën. Ose për të përdorur shprehjen e famshme të Engelsit: “Hovi i njerëzimit nga fusha e domosdoshmërisë në fushën e lirisë”. (Marks dhe Engels, “Kapitali III”)

Vijon

E përktheu Hajdi Bengu

Marrë nga faqja In Defence of Marxism

Imazhi: Diego Rivera

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.