Ç’është ekosocializmi?

/Michael Löwy/

Ç’është pra ekosocializmi? Është një rrymë e mendimit dhe veprimit ekologjik që përvetëson vlerat themelore të marksizmit, ndërkohë që flak tutje mbeturinën e tij produktiviste. Për ekosocialistët, logjika e fitimit të tregut dhe logjika e autoritarizmit burokratik brenda të ashtuquajturit “socializëm real” të kohëve të fundit, janë të papajtueshme me nevojën për të mbrojtur mjedisin natyror. Ndonëse kritikojnë ideologjinë e rrymave mbisunduese të lëvizjes punëtore, ekosocialistët e dinë se punëtorët dhe organizatat e tyre janë forcë e domosdoshme për një ndryshim radikal të sistemit, si dhe themelimin e një shoqërie të re, socialiste dhe ekologjike.

Ekosocializmi është zhvilluar më së shumti në tridhjetë [40] vitet e fundit falë punës të mendimtarëve si Raymond Williams, Rudolf Bahro (në shkrimet e tij të hershme) dhe Andre Gorz (gjithashtu në veprën e tij të hershme), si dhe falë kontributeve shumë të vyera të James O’Connor-it, Barry Commoner-it, John Bellamy Foster-it, Joel Kovel-it, Joan Martinez-Alier-it, Francisco Fernandez Buey-t, Jorge Riechmann-it (tre të fundit nga Spanja), Jean-Paul Deleage-it, Jean-Marie Harribey-t (Francë), Elmar Altvater-it, Frieder Otto Wolf-it (Gjermani) dhe shumë të tjerëve që botojnë në revista si Capitalism Nature Socialism dhe Ecologia Politica.

Kjo rrymë është larg të qenit homogjene. Megjithatë shumica e përfaqësuesve të tyre ndajnë disa tema të përbashkëta. Të larguar nga ideologjia produktiviste e progresit – në formën e tij kapitaliste dhe/ose burokratike – dhe në kundërshti me zgjerimin e pakufishëm të mënyrës së prodhimit dhe konsumit që shkatërron natyrën, ajo paraqet një përpjekje origjinale për të bashkuar idetë themelore të socializmit marksist me arritjet e kritikës ideologjike.

James O’Connor-i përkufizon si ekosocialiste teoritë dhe lëvizjet që përpiqen ta nënshtrojnë vlerën e këmbimit ndaj vlerës së përdorimit, duke organizuar prodhimin në funksion të nevojave shoqërore dhe kërkesave për mbrojtjen e mjedisit. Synimi i tyre, për një socializëm ekologjik, do të ishte një shoqëri ekologjike racionale e bazuar në kontrollin demokratik, barazinë shoqërore dhe mbizotërimin e vlerës së përdorimit. Unë do të shtoja se ky konceptim parakupton zotërimin kolektiv të mjeteve të prodhimit, planifikimin demokratik që i mundëson shoqërisë të përcaktojë qëllimet e investimit dhe prodhimit, si dhe një strukturë teknologjike të re të forcave prodhuese.

Arsyetimi ekosocialist shtrihet në dy argumente thelbësore:

  1. Mënyra aktuale e prodhimit dhe konsumit në vendet e zhvilluara kapitaliste – e cila bazohet në logjikën e akumulimit të pakufishëm (të kapitalit, fitimeve dhe mallrave), shpërdorimit të burimeve, konsumit të salltaneteve dhe shkatërrimit të përshpejtuar të mjedisit – nuk mund të shtrihet në të gjithë planetin pa shkaktuar një krizë të madhe ekologjike. Sipas përllogaritjeve të fundit, nëse konsumi i energjisë do të shtrihej kudo në botë sa mesatarja e SHBA, rezervat e njohura të naftës do të harxhoheshin për nëntëmbëdhjetë ditë. Kështu, ky sistem bazohet domosdoshmërisht në mbajtjen dhe thellimin e pabarazive të dukshme mes Veriut dhe Jugut.
  2. Cilido qoftë shkaku, vazhdimi i “progresit” kapitalist dhe zgjerimi i qytetërimit të mbështetur në ekonominë tregut – madje edhe në formën e tashme brutalisht të padrejtë në të cilën shumica e botës konsumon më pak – kërcënon drejtpërdrejt në afatmesëm (një parashikim i saktë do të ishte me risk) vetë mbijetesën e llojit njerëzor. Mbrojtja e mjedisit natyror është kështu një imperativ për njerëzit.

Racionaliteti i kufizuar nga tregu kapitalist, me llogarinë e tij dritëshkurtër të fitimit dhe humbjes, qëndron në kontradiktën e brendshme të racionalitetit ekologjik, i cili merr në konsideratë shtrirjen e cikleve natyrore. Nuk është çështja për të përballur kapitalistët e “këqij” ekovrastarë me kapitalistët e “mirë” të gjelbër; sistemi në vetvete – bazuar në konkurrencën e pamëshirshme, kërkesat për fitim dhe garën për fitim të shpejtë – është shkatërruesi i balancës natyrore. I ashtuquajturi kapitalizëm i gjelbër nuk është asgjë më tepër se një marifet reklamues, një etiketë me qëllimin e shitjes së mallit, ose – në rastet më të mira – një nismë lokale e barazvlefshme me një pikë ujë në shkretëtirën e ashpër kapitaliste.

Kundër fetishizimit të mallit dhe konkretizimit të automizimit të ekonomisë të sjella nga neoliberalizmi, sfida e së ardhmes për ekosocilaistët është realizimi i një “ekonomie morale”. Kjo ekonomi morale duhet të ekzistojë në kuptimin e termit të përdorur nga E. P. Thompson-i, domethënë një politikë ekonomike jomonetare e bazuar në kritere që qëndrojnë jashtë ekonomisë. Me fjalë të tjera, ajo duhet të ribrendësojë ekonominë në ekologji, shoqëri dhe politikë.

Reformat e pjesshme janë tërësisht të pamjaftueshme; çka nevojitet është zëvendësimi i mikroracionalitetit të fitimit me një makroracionalitet social dhe ekologjik, i cili kërkon një ndryshim të real qytetërimi. Kjo është e pamundur pa një riorientim të thellë të teknologjisë që synon zëvendësimin e burimeve të tashme energjetike me ato jondotëse dhe të rinovueshme, si energjia nga era dhe dielli. Çështja e parë që shtrohet është ajo e kontrollit të mjeteve të prodhimit, veçanërisht vendimeve për investimet dhe ndryshimet teknologjike, të cilat duhet t’u merren bankave dhe sipërmarrjeve kapitaliste në mënyrë që t’i shërbejnë të mirës së përbashkët të shoqërisë. Duhet pranuar gjithashtu se ndryshimi radikal shtrihet jo vetëm në prodhim, por edhe në konsum. Megjithatë, problemi i qytetërimit borgjez/industrial nuk është – siç e vlerësojnë shpesh ekologjistët – konsumi “i tepërt” i popullsisë. As zgjidhja nuk qëndron te “kufizimi” i përgjithshëm i konsumit. Ajo që duhet vendosur në pikëpyetje është mënyra mbizotëruese e konsumit, që bazohet te salltanetet, shpërdorimi, tjetërsimi komercial dhe një obsesion për akumulim.  

Një ekonomi që shkon drejt socializmit, e “rishtënë” (siç do të shprehej Karl Polanyi) në mjedisin shoqëror dhe natyror, do të themelohej në zgjedhjet demokratike të prioriteteve dhe investimeve nga vetë popullsia, jo “nga ligjet e tregut” apo një byro politike e gjithëditur. Planifikimi demokratik, lokal, kombëtar dhe herët a vonë edhe ndërkombëtar do të përcaktonte:

  • çfarë produktesh do të mbështeten financiarisht, madje edhe të shpërndahen falas;
  • çfarë opsionesh energjetike do të ndiqen, edhe nëse nuk janë, në fillim, më fitimprurëset;
  • si të riorganizohet sistemi i transportit në përputhje me kritere sociale dhe ekologjike; dhe
  • çfarë masash do të merren për të riparuar, sa më shpejt të jetë e mundur, dëmet e jashtëzakonshme mjedisore që kemi trashëguar nga kapitalizmi. Dhe kështu me radhë…  

Ky tranzicion do të sillte jo vetëm një mënyrë të re prodhimi dhe një shoqëri barazimtare demokratike, por edhe një mënyrë alternative jetese, një qytetërim të ri ekosocialist përtej mbretërisë së parasë, përtej zakoneve të konsumit të prodhuar artificialisht prej reklamave dhe përtej prodhimit ë pakufishëm të mallrave, si makinat private që janë të dëmshme për mjedisin. Utopi? Në kuptimin e tij etimologjik (“askund”), sigurisht. Megjithatë nëse nuk besojmë, si Hegeli, se “çdo gjë që është reale është racionale dhe se çdo gjë racionale është reale”, si mundet të mendojmë një racionalitet substancial pa iu drejtuar utopive? Utopia është absolutisht e domosdoshme për ndryshime shoqërore, nëse mbështetet në kontradikta që hasen në realitet dhe në lëvizje shoqërore reale. Kjo është e vërtetë për ekosocializmin, i cili propozon një aleancë mes “të kuqve” dhe “të gjelbërve” – jo në kuptimin e ngushtë që përdorin politikanët në partitë socialdemokrate dhe të gjelbra, por në një kuptim më të gjerë, midis lëvizjes punëtore dhe lëvizjes ekologjike – dhe lëvizjeve të solidaritetit me të shtypurit dhe të shfrytëzuarit e Jugut.  

Kjo aleancë kërkon që ekologjia të heqë dorë nga çdo prirje antihumaniste natyrore dhe të braktisë pretendimet e saj për të zëvendësuar kritikën e ekonomisë politike. Në anën tjetër marksizmi duhet ta tejkalojë produktivizmin e tij, duke e zëvendësuar skemën mekaniciste të kundërshtisë midis forcave të prodhimit dhe marrëdhënieve të prodhimit me idenë, mjaft më pjellore, se forcat prodhuese në sistemin kapitalist bëhen forca shkatërrimtare. Mund të marrim për shembull industrinë e armatimeve apo degë të ndryshme të industrisë që janë shkatërruese për shëndetin e njeriut dhe mjedisit natyror.

E përktheu Jani Marka

Shkëputur nga libri i autorit Ecosocialism, 2015, faqe 19-22.

Imazhi: Reddit

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.