Ç’bëhet me punëtorët?

/Hajdi Bengu/

Një student shqiptar jo rrallë punon gjatë kohës që kryen studimet. Pra është i dypunësuar, sepse vetë koha që supozohet që do t’i marrë studimi është e konsiderueshme e, për rrjedhojë, ky aktivitet është i barazvlefshëm me punën. Që këtu ai vihet përballë dilemës nëse duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi punës apo studimit? Të tashmes apo të ardhmes? Pasi del nga universiteti supozohet të gjejë një vend pune në profesionin për të cilin ka studiuar. Por kjo rrallë ndodh. Në fakt ai do të ishte me fat po të mund të mbante punën aktuale. Lidhja studim-punë ekziston, edhe pse në logjikë të përmbysur, çka bën që punëtori dhe studenti mishërohen në të njëjtin person.

Për të hedhur pak dritë sado të zbehtë në marrëdhënien e punëtorit të sotëm shqiptar me punën do paraqes këtu disa diçka nga eksperienca personale. Këto muajt e fundit kam punuar si intervistues terreni për një studim mbi kushtet e punës dhe jetesës së punëtorëve shqiptarë. Kjo ishte një mundësi për të parë nga afër se si jeton dhe punon një punëtor, për të hyrë në realitetin e tyre të përditshëm, për të ndjerë çfarë ndjejnë ata: dhimbjen, lodhjen, frikën, pasigurinë, monotoninë, shqetësimin. Pakënaqësitë rreth punës janë të shumta:

 

Pagat qesharake

Shumë punëtorë i konsiderojnë të ardhurat e tyre personale të pamjaftueshme. Një numër akoma më i madh shprehen se paga është e vetmja e ardhur që ata kanë dhe ndjejnë pasiguri ekonomike nëse i heqin nga puna.“Zor se e shtyjmë muajin me këtë pagë qesharake. Shpeshherë detyrohemi të marrim borxh. Imagjino po të më heqin nga puna, as nuk dua ta mendoj! Problemi është se për një kohë të gjatë nuk do mundesh të gjesh punë tjetër.” – shprehet një punëtore fasonerie.

 

Frika nga papunësia dhe nga punëdhënësi

Një prej shqetësimeve më të mëdha që mund të ndjesh gjatë intervistimit të punëtorëve ishte frika nga punëdhënësi, nga mundësia që kishte ky i fundit për t’i hequr nga puna e për t’i hedhur në radhët e gjata të papunësisë. Struktura e pyetësorit ishte e tillë që të na mundësonte të kuptonin nëse të drejtat e punëtorëve shkeleshin nga punëdhënësi apo nëse ata trajtoheshin në mënyrë të jashtëligjshme prej këtij të fundit. Duke pasur parasysh këtë, është e kuptueshme dhe e justifikueshme frika. Shumë prej përgjigjeve të tyre ishin të pasakta dhe ata binin në kontradiktë me veten duke u munduar edhe të thoshin të vërtetën, edhe të shpreheshin në favor të punëdhënësit. Ky është treguesi më flagrant i marrëdhënies së nënshtrimit në të cilën gjendet punëtori. Gjatë dy-tre muajve të intervistave në terren ishin të përditshme episodet për ta ilustruar frikën, por unë po zgjedh të tregoj atë që më duket më përmbajtësori:

Gjatë pushimit të drekës, disa punëtorë dalin jashtë fasonerisë ku po punonin dhe fillojnë të hanë ushqimin e marrë me vete. U afrohem dyve syresh dhe u kërkoj t’i marr nga një intervistë secilit. Fillimisht hezituan, por në fund njëri prej tyre më thotë: “Shiko djalë, me gjithë qejf do të ta jepja një intervistë në kushte të tjera, por jemi në kapitalizëm dhe që të dy e dimë mirë si funksionon. Me këtë punë mbaj familjen, prandaj mos më pyet më shumë”.

 

Kushtet e mjerueshme të punës

Është pak të thuash se mjedisi dhe kushtet e punës janë të papërshtatshme. Duke filluar që nga call center-at në të cilat mungojnë kutitë e ndihmës së shpejtë, zjarrfikëset apo shkallës e emergjencës (edhe pse këto biznese aktivitetin e tyre e ushtrojnë kryesisht në kryeqytet ku kontrolli është më i shpeshtë). Nëpër fasoneri, ku punon një pjesë e madhe e popullsisë, kushtet janë akoma më të këqija. Lëndët kimike që ndihmojnë në procesin e përpunimit të produkteve ndihen në të gjithë ambientin e punës. Punëtoret që operojnë drejtpërdrejt me këto elemente shprehen se i kanë pajisur me doreza dhe maska mbrojtëse, por i udhëzojnë që, për ta përshpejtuar procesin, të mos i vënë. Ndërsa situata më e pashpresë dhe më e mjerueshme duket në minierat e Bulqizës. Aty brenda, qindra metra nën tokë nuk bëhet fjalë për kushte pune, por për mbijetesë. Për të nxjerrë jetesën në qytetin më të varfër të vendit, minatorët rrezikojnë përditë jetën në miniera të pasigurta dhe të palicensuara. Rastet e vdekjeve janë të shumta e shpeshherë nuk raportohen nga mediat. Ardhja e helikopterit disa herë në javë për të aksidentuarit në punë nuk përbën më lajm në qytezën e mjerimit.

 

Sindikatat fiktive

Këto shqetësime dhe pakënaqësi që përmenda më sipër janë padyshim vetëm një pjesë e vogël e llumit në të cilin detyrohen të notojnë çdo ditë gratë e fasonerive dhe fabrikave të ndryshme, minatorët e nëntokës bulqizake, studentët e call center-ave, punëtorët e ndërtimit etj. Orare të zgjatura, pushime të pakta, kontrata fiktive dhe të jashtëligjshme, mosrespektim i Kodit të Punës dhe të drejtave të punëtorëve janë shqetësime të tjera. Mungesa e sindikatave ndihet kudo. Shumë prej punëtorëve janë të painformuar për ekzistencën e tyre. Edhe minatorët e Bulqizës, të cilët kanë sindikatën më të fuqishme, nuk besojnë më në të. Shkak për pafuqinë e sindikatave duket se është korruptimi politik i drejtuesve të tyre dhe papunësia në rritje.

Duke pasur parasysh politikat neoliberale që janë implementuar në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit dhe po vazhdojnë të implementohen, këto përgjigje të punëtorëve nuk janë të papritura. Shumë nene të Kodit të Punës janë ndryshuar duke i dhënë përparësi të frikshme punëdhënësit në kurriz të punëtorëve. Lehtësirat që shteti u kanë krijuar bizneseve të mëdha rëndojnë drejtpërdrejt mbi punëtorët. Mungesa e kontrollit shtetëror ndaj këtyre bizneseve nuk është pasojë e korrupsionit apo paaftësisë, por pjesë e pandashme e politikave neoliberale, një prej të cilave është dhe reforma në arsimin e lartë.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.