Bisedë me vajzën time mbi ekonominë (ii)

/Yanis Varoufakis/

Martesa e borxhit dhe fitimit

‘Ferri është aty ku jam.’ Kjo është përgjigja e demonit Mefistofel, kur shfaqet papritur para doktor Faustit, protagonistit të veprës së famshme të Christopher Marlowe-t, dhe Fausti e pyet nëse është gjendur papritur në ferr. “Kudo që të shkoj, unë jam ende në të,” shpjegon Mefistofeli. E di që ende nuk je hasur me përrallën e errët se si Fausti i shiti shpirtin Mefistofelit. Arsyeja që nuk ta kam treguar më parë nuk është për shkak të rrëfimit makabër dhe shqetësues. Në fund të fundit, përrallat e vëllezërve Grimm, të cilat tashmë i ke lexuar, janë shumë më të errëta. Arsyeja e vërtetë është se gjithçka në këtë përrallë ka të bëjë me një koncept thellësisht të papërshtatshëm për fëmijët: borxhin.

Ja çfarë ndodh në përrallën e Marlowe-t: Mefistofeli i qaset doktor Faustit me një propozim joshës. Faustit i ofrohen njëzet e katër vite pushtet absolut dhe kënaqësi të pakufishme në këmbim të shpirtit të tij. Ai vendos se njëzet e katër vite plotfuqi dhe lumturi janë të mjaftueshme; kur të mbarojë koha Mefistofeli mund të bëjë si të dojë me shpirtin e tij. Kështu Fausti pajtohet. Mefistofeli buzëqesh dhe i kërkon të nënshkruajë një kontratë, të cilën Fausti e nënshkruan me gjak në vend të bojës.

Njerëzit gjithmonë kanë krijuar borxhe. Kur një fqinj ndihmon një tjetër në një moment nevoje, ky i fundit shpreh falënderimet e tij, duke thënë: “Ta kam borxh.” Borxhin e tyre moral. Por solidariteti i tillë është i ndryshëm nga borxhi siç e kuptojmë sot në dy mënyra: së pari, për shkak të kontratës dhe së dyti për shkak të diçkaje që quhet interes. Një kontratë e kthen një marrëveshje joformale të tillë si “më ndihmo sot dhe unë do të të ndihmoj nesër” në një detyrim ligjor me kushte specifike që marrin formën e vlerave të këmbimit, shpesh por jo gjithmonë të shprehura në para. Brenda asaj kontrate, e njohur si marrëveshje kredie, më së shpeshti ndodh që kushdo që merr huan (debitori) përfundimisht do t’i paguajë personit që i jep huan (kreditorit) diçka shtesë përveç shlyerjes së vetë kredisë, zakonisht në vlerë paraje.

Kjo formë e veçantë fitimi që rrjedh nga dhënia e huas quhet interes. Pra këtu është ndryshimi: në kuadrin e solidaritetit, nxitja për të ndihmuar dikë është vlera përvojës që merr nga të bërit gjënë e duhur, shkëlqimi i brendshëm që ndjen kur ofrohesh për të ndihmuar, ashtu si kur ndihmove kapitenin Kostas me spirancën e tij të mbërthyer. Por në rastin e një marrëveshjeje kredie, të një kontrate ligjore, nxitja është të fitosh një mbivlerë në këmbim: të përfitosh nga pagesa e interesit.

Në rastin e doktor Faustit, Mefistofeli nuk ishte i interesuar për shkëmbime solidariteti. I sëmurë dhe i lodhur duke i tërhequr zvarrë në ferr njerëz që meritonin dënimin kundër vullnetit të tyre, demoni donte të kapte një çmim shumë më të madh: një person të denjë që zgjedh me vullnetin e tij mundimin e përjetshëm. Ai e bën këtë duke i dhënë borxh mjekut në një marrëveshje të kënaqshme dhe “të drejtë”.

Ndërsa ora marshon sekondë pas sekondës deri në mesnatë në fund të lumturisë së njëzet e katër viteve të Faustit, mjeku natyrisht zhytet thellë e më thellë në dëshpërim dhe keqardhje për kontratën që kishte nënshkruar, duke kuptuar “interesin” e tmerrshëm që duhet të paguajë. Historia e Faustit dhe borxhi i tij ndaj Mefistofelit është e rëndësishme sepse pasqyronte shqetësimet e njerëzve në një kohë kur shoqëritë po transformoheshin nga shoqëri me tregje në shoqëri tregu. Nuk është rastësi që Marlowe e shkroi dramën e tij në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, atëherë kur vlerat e shkëmbimit filluan, pak e nga pak, të mbizotërojnë mbi vlerat e eksperiencës. Në një histori që ilustron marrëdhënien midis zgjedhjes së lirë, një kontrate detyruese, borxhit dhe interesit, shfaqja pasqyron bukur motivin e fitimit në Evropën e hershme moderne dhe ankthin që shkaktoi.  

Prandaj historia e Faustit dhe Mefistofelit nuk është përrallë. Ajo shënon një moment të dhimbshëm në historinë njerëzore, kur borxhi dhe fitimi bashkohen. Le të shohim si ndodhi.

Përmbysja e Madhe

Në epokën e feudalizmit, prodhimi i një teprice – i cili, siç e pamë në kapitullin 1, është parakusht për ekzistencën e një ekonomie të çdo lloji – shkonte në mënyrë specifike si vijon:

PRODHIMI → SHPËRNDARJA → BORXHI–KREDIA

Domethënë, bujkrobërit e parë punuan tokën dhe prodhonin mallra (PRODHIM). Pastaj feudali dërgoi sherifin e tij për t’i nxjerrë hisen, me forcë nëse do të ishte e nevojshme (SHPËRNDARJE). Më në fund, pasi shijoi atë që kishte marrë, feudali shiti çdo mall që kishte mbetur për para, çka i mundësoi të blinte të tjera mallra, të paguante për shërbimet dhe të jepte hua (BORXH-KREDI). Po sapo toka dhe puna u shndërruan në mallra, ndodhi Përmbysja e Madhe: në vend që shpërndarja e tepricës të vinte pas prodhimit, shpërndarja filloi përpara prodhimit. Si ishte e mundur kjo?

Kujtojmë se në Angli bujkrobërit u përzunë nga toka dhe u zëvendësuan me dele. Më pas, ish-bujkrobërit merrnin me qira tokën nga pronarët e tokave dhe mbikëqyrnin prodhimin e leshit dhe të korrave që mund të shiteshin për fitim, në mënyrë që ata të mund t’i paguanin qiranë pronarit të tokës dhe pagat atyre pak punëtorëve që punësonin. Me fjalë të tjera, ish-bujkrobërit organizuan procesin e prodhimit si sipërmarrësit e vegjël, marrjen me qira të parcelave nga pronarët e tokave dhe punësimin e krahut të bujkrobërve të tjerë pa tokë.

Po për të vënë në lëvizje këtë proces, sipërmarrësve të rinj të shkallës së vogël u duheshin disa para për të filluar – për të dhënë pagat, për të marrë fara dhe sigurisht për t’i paguar qiranë pronarit të tokës – përpara se të kishin prodhuar ndonjë mall. Meqenëse ish-fshatari i kthyer në sipërmarrës nuk kishte asnjëherë para të mjaftueshme për të paguar për të gjitha këto përpara se të shiteshin të korrat, ai duhej të merrte hua.

Kush ia dha paratë hua? Shpeshherë vetë feudali, ose peshkaqenët huadhënës vendas, që më pas i ngarkonin me interes. Në çdo rast, borxhi ishte i pari. Dhe meqenëse borxhi ishte i pari, shuma e parave që u jepeshin punëtorëve si pagë, shuma e qirasë që i paguhej zotërisë, shuma që duhej paguar për lëndët e para dhe mjetet u përcaktuan dhe përpara se të fillonte prodhimi. Shpërndarja e fitimit të sipërmarrësit ishte vendosur kohë më parë – në fakt, i vetmi person që nuk e dinte se me sa do të përfundonte, pasi të gjithë të tjerët të paguheshin, ishte vetë sipërmarrësi.

Shkurtimisht, shpërndarja tani i parapriu prodhimit. Kështu ndodhi Përmbysja e Madhe, duke e kthyer borxhin në faktor parësor dhe lubrifikantin thelbësor të procesit të prodhimit. Kështu fitimi u bë qëllim në vetvete – sepse pa të klasa e re sipërmarrëse nuk mund të mbijetonte. Mendoni pak! Në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore e cila reduktonte prodhimin, ata jo vetëm që do të vdisnin nga uria, por do të përfundonin me borxhe të papagueshme. Me afrimin e skadimit të marrëveshjes së tyre të huas, ata zhyten thellë e më thellë në dëshpërim. Në pamundësi për të shlyer kreditë dhe interesat, ata do të përfundonin skllevër të detyrimeve të tyre të borxhit.

Ashtu si doktor Fausti!

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga vepra e autorit “Talking to my daughter about the economy”

Imazhi: Yannis Kolesidis

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.