/Arlind Qori/
Mund të jemi vetëm ne të tre, kushedi edhe me shumë, ama me siguri jo edhe aq, sidomos nëse numërojmë popullin e popullndikuesit opozitarë, që na lidhet mendimi në një nyje: unë, Berisha dhe Marksi (po të qe gjallë) mendojmë se ngjashmëritë midis të dytit dhe të tretit nuk shkojnë përtej katërgermëshit të emrit (Sali-Karl). Kësisoj, të gjithë ata që presin të lexojnë për ngjashmëritë midis profetit të kuq dhe sekretarit mizor të PPSH-së, i cili si komunist i pakorrigjueshëm, i pashpirt dhe i pafe, eglendiset dhe i dalin jargë tek sheh si rivdesin urie viktimat e tij të djeshme, boll i lodhën sytë me kaq: s’do jetë fare e vështirë të gjejnë me ç’t’i ngacmojnë përfytyrimet e tyre politike. S’janë të paktë ata të cilët kanë njëzet vjet që ankohen se Berisha u ka vjedhur partinë dhe duan ta gjejnë atë kudo qoftë në të kundërt të tij.
Këtu flitet për tjetërçka, e më saktë, për pretendimin e përsëritur të Berishës se programi ekonomik i Partisë Socialiste, ose i Edi Ramës mirëfilli për të, është marksist. Ah se harrova: po ashtu ftohen ta lënë këtu leximin ata që presin se në rreshtat në vijim do të argumentohet se PS-ja s’ka fare të bëjë me Marksin, se e ka nxjerrë nga selia që në 1996 bashkë me Servet Pëllumbin dhe se tash është në rrugën e drejtë (të tretë quhej dikur nga ata që merrnin poza vipash e që tash nderohen vetëm për detyrim protokollar). Që PS-ja s’ka të bëjë me Marksin, ngjashëm me paraardhësen e saj PPSH, nuk i bën nder PS-së, por eshtrave të Marksit në Highgate të Londrës. Mirëpo kjo përbën tjetër temë.
Akuza e Berishës për marksizmin e PS-së, e cila një herë mori edhe formë gjysmëkërcënimi (Marksi s’ka për të shëtitur më kurrë rrugëve dhe qyteteve të Shqipërisë!) për gjithkënd që mendon se kushedi rrugës populli mund të ndryshojë mendje dhe ta rimendojë të shkretin Karl, mund të bazoheshin kushedi te qëndrimi ndaj privatizimeve, por zor se kjo pi shumë ujë. Në fund të fundit, pavarësisht dykuptimësive me gjysmë zëri të ndonjë përfaqësuesi opozitar, deri më tash pozicioni i artikuluar i PS-së nuk ka të bëjë me prapësimin e privatizimeve, por thjesht me rishikimin e atyre që kanë probleme ligjore. Të tilla premtime, edhe kur thuhen me zë maçist si ai i Berishës në 2005 (kujto Albtelecom-in), nuk para mbahen, e jo më kur thuhen si nëpër dhëmbë dhe me nga një të kollitur e vënie dore para gojës. Madje s’do kish fort kuptimi të flitej edhe pragmatikisht, që PS-ja nuk e bën, se duhet parë rast pas rasti se ç’ja vlen e ç’nuk ja vlen të privatizohet, pasi nuk jemi më në fillim të viteve 90 kur pothuajse e gjithë prona i takonte shtetit, por në një situatë kur numërohen me një frymë ç’nuk është privatizuar ende: një pjesë e shkollave (përveç atyre që u kthehen pronarëve), spitaleve, rrugëve, hidrocentraleve, ndonjë kapanon ushtarak dhe zyrat e pushtetarëve. Kuptohet që përveç të fundmeve, të tjerat enkas keqdrejtohen: Ashtu shiten më lehtë! Megjithëse edhe sikur PS-ja të kërkonte rishtetëzimin e tyre brenda kuadrit të ekonomisë kapitaliste zor se do t’i qasej Marksit, se gëlojnë idhtarët e kapitalizmit me fytyrë njeriu prej Keynes-it te Stiglitz-i që e konsiderojnë këtë rrugën më të mirë për mirëqenie në kapitalizëm dhe për pasojë për kapitalizëm të përjetshëm.
Nga mënyra e jetesës zengjinët e PS-së janë të tjetërbotë nga i vetëproletarizuarit i mendjes Marks, që kur s’i binte bretku së konspektuari, analizuari e kritikuari vandakë librash në bibliotekën e Muzeut Britanik, rilexonte Homerin e Shekspirin apo shëtiste marrëzisht parqeve. Në rini ëndërronte revolucionin dhe merrte pjesë në të, por më pas, në mërgatën britanike, i shkruante Engelsit mbi lajmet se ndoshta revolucioni po plaste në Kontinent: Po këta nuk presin dot sa të mbaroj Kapitalin?! Se ç’kuptim ka të revoltohesh pa ditur të bësh revolucion, dhe si mund të bësh revolucion që zgjat përtej orgazmës së fitores dhe burokratizimit mizor së të nesërmes pa e hartëzuar teorikisht të sotmen e të nesërmen?! Po Rama, apo më keq Berisha…? Të tjetërbotë!
Po ashtu, t’u referohesh grupeve shoqërore me të cilat takohet Rama lart e poshtë zor se del gjë. Në rast se Marksi s’u lodh së kryefoluri për të mjerët e kësaj bote, dhe dialektikisht edhe shpëtimin e saj, proletarët (bërja mish e idealizmit gjerman do t’i quante Lukacs-i), Rama edhe shoqatën e amatorëve të curling-ut ka për borxh të takojë e të artikulojë, veç për punëtorët s’flet kurrë. Mund të jesh biznes i madh, të cilit i premtohet se realisht do taksohet më pak nëse hiqet taksa e korrupsionit, i vogël që taksat do të të ulen, mësues që s’do përdoresh më mitingjeve si bari i deleve të vogla duartrokitëse, bujk që të premtohet subvencion etj, ama punëtor s’mundesh me qenë kurrë. Nëse flitet tërthorazi për ty, në kuadër të uljes së papunësisë, interesi yt shihet te mbështetja që shteti i jep pronarit, që fitimin e munguar të mos të ta përplasë fytyrës ty me ulje page, zhdukje të ndonjë mbetjeje investimi në sigurinë në punë apo hedhje në rrugë, por ta marrë në forma subvencionesh e të tjera mbështetjesh. Nëse të duket sikur aty në minierë, punishte, dhëmbë për dhëmbë me dhimbjen, kokuljen, armiku s’është veç shteti, por një shtet që i shërben pronarit, dhe lufta nuk është vetëm kundër korrupsionit, por është luftë klasash, atëherë thyej qafën te partia e sekretarit të vjetër të PPSH-së, se mbase ai për nostalgji ndjen ende mëshirë për ju(!!!)
Meqenëse të marrit në konsideratë të ndonjë distance në politikë të jashtme (antiimperializëm, mbështetje të të drejtës për vetëvendojse të popujve, rezistencë globale ndaj kapitalizmit global etj) do bënte për të qeshur edhe vetë Berishën, që s’para vuan nga imagjinata krijuese, mbetet të diskutojmë veç punën e taksimit. Sigurisht që këtu dallimi është i shprehur më dukshëm. Në fund fare, pas vitesh të përtejme ku s’mungonin rastet që taksa e sheshtë të shitej si propozim autentik socialist, por që Berisha ua kish vjedhur, ama si hajdut dhe i paaftë që është s’di ta zbatojë siç duhet, tashmë PS-ja flet hapur dhe fort për taksim progresiv. Nga këndvështrimi i pikësynimit përfundimtar, taksim, madje edhe rishpërndarës, dhe shoqëri marksiste nuk shkojnë bashkë, pasi aty ku prona do të kontrollohej barazisht dhe kolektivisht nuk ke kujt t’i marrësh për t’ia dhënë tjetërkujt. Kush ka bërë pak hyrje në ekonomi në gjimnaz e di që taksimi progresiv i takon një mbrojtësi po aq të flaktë të kapitalizmit sa edhe neoliberalët, Keynes-it, i cili dallon brenda suazës kapitaliste me të parët në receta, por jo në qëllim. Asaj çka i druhej Keynes-i dikur, e pastaj kejnesianë të tjerë nga Galbraith-i te Stiglitz-i, ishte se kapitalizmi i shfrenuar, duke rrënuar masivisht popullin konsumator, sharronte degën mbi të cilën ishte ulur. Pra nëse për një moment do ta klasifikonim programin e PS-së si kejnesian; pavarësisht se momentalisht nuk e meriton përderisa edhe për elementin më të qartë shprehen ende paqartësish, pa thënë se sa dhe si do të shpërndahet progresiviteti i taksës (se ekziston mundësia teorike që segmenti të ketë gjatësi dy njësish, nga 9 në 11%), pa përmendur këtu të papërmendurat apo haptazi të kundërshtuarat ide të rishtetëzimit të burimeve natyrore dhe përpunimit të tyre, shpenzimet masive në arsimin, shëndetësinë, shërbimet dhe infrastrukturën publike, zhdukjen e papunësisë jo thjesht duke subvencionuar sektorin privat, por duke hapur vende pune në sektorë të rëndësishëm publikë etj; pra nëse pavarësisht këtyre çkejnsianizmave, do ta konsideronim PS-në protokejnesiane, në horizont nuk do fanitej Marksi, por një nga mbrojtësit më të thekur të kapitalizmit; ai që mendon në një farë mënyre njëlloj si Marksi (për të cilin shteti herë pas here fiton autonomi relative nga kapitalistët konkretë duke mos i përfillur interesat e tyre të atypëratyshme, por duke parë interesin afatgjatë të kapitalit – 18 Brymeri i Lui Bonapartit), por për motive të diametralisht të kundërta nga Marksi: se të lënë në grykësinë e tyre, kapitalistët nuk rrënojnë veç popullin, por edhe të ardhmen e tyre dhe të sistemit në tërësi, pra kapitalizmit, që për kejnesianët vazhdon të mbetet e vetmja pjatë në tryezë. Dhe në këtë kontekst, pavarësisht Berishës, merr kuptim shprehja e Keynes-it, dhe me gjasë e përshtatshme edhe për Ramën: “Mund të ndikohem nga ajo çka më duket e drejtë dhe e arsyeshme; ama lufta e klasave do të më gjejë në anën e borgjezisë së edukuar.” – (Essays in Persuasion)
Po ashtu nëse shihet ndonjë përputhje e rastësishme midis aksh paragrafi të Marksit dhe karakterit rishpërndarës të kapitalizmit kejnesian, si çdo rastësi, ajo nuk ka kuptim përtej habisë së të ngazëllyerit të cilit i duket se zbuloi rrotën. Herë pas here, për arsye të luftës konkrete të punëtorëve që s’synonin vetëm luftën finale, por edhe fitimin e ndonjë çape bukë më shumë përmes organizimit sindikal, Marksi fliste për nevojën e përmirësimit të kushteve të punës dhe pagës së punëtorit brenda sistemit, por edhe kjo nuk arrihej si dorëzani e shtetit, por si fitore lufte sindikale, dhe mbi të gjitha, synim nuk ishte riprodhimi i kapitalizmit, por zgjerimi i mundësive shoqërore apo kulturore të emancipimit punëtor për revolucion. Nga ana tjetër, qëndrime që sot vulgarisht konsiderohen marksiste janë ose të keqkuptuara ose të shumëburimore. P.sh. rastësia mund t’i vendoste në një pozitë socialistët revolucionarë me konservatorët në Britani, sa kohë këta të fundit, të kërcënuar ekonomikisht nga borgjezia sipërmarrëse, ngrinin komisione kontrolli në parlament për të vëzhguar dhe ndëshkuar sipërmarrësit që tejshfrytëzonin fëmijët minierave (shih F.Engels – Gjendja e klasës punëtore në Angli); apo edhe neoliberalët dhe Marksin kur ky i fundit në analizën e Komunës së Parisit shkruante: “Komuna parullën e revolucioneve borgjeze – qeveri me pak shpenzime – e bëri realitet, duke zhdukur dy kapitujt më të mëdhenj të shpenzimeve: ushtrinë e përhershme dhe nëpunësit.” Nga ana tjetër, qëndrime në dukje themelisht marksiste si rishpërndarja e tokës fshatarëve privatisht zor se kanë të bëjnë me Marksin. Të djathtët tradicionalë, për të mos thënë reaksionarë, ende s’ia harrojnë PD-së ligjin 7501 dhe nuk lënë cep pa shfryrë se në fund fare Berisha mbetet komunist sa kohë e miratoi apo nuk e shfuqizon atë. Pikë së pari, pretendimi i pronësisë së zotëve të fjetur feudalë mbi tokën bujqësore është kundërshtuar më ashpër se nga kushdo tjetër…e dini nga kush? Nga kriptokomunistë të regjur si Adam Smithi apo David Rikardoja, për të cilët renta e tokës, që vendosej sipas tekave të pronarëve (ish-feudalëve), dhe që ndryshe nga burimet e tjera ishte e kufizuar dhe e pariprodhueshme apo e zgjerueshme, përbënte pengesë serioze për zhvillimin e kapitalizmit. Prandaj ata propozonin që toka bujqësore të shtetëzohej dhe t’u jepej investuesve më të shkathët. Nëse i referohemi rishpërndarjes leniniste sipas parimit “toka i takon atij që e punon”, edhe këtu kemi të bëjmë më tepër me një lëshim të detyruar praktik që bolshevikët duhej t’i bënin fshatarësisë së patokë, tokë të cilën me t’iu dhënë rasti e shtetëzuan (kinse shoqërizuan). Kujt s’i mbushet mendja të lexojë kritikat e ashpra që marksistë të thekur si Rosa Luxemburg-u i drejtojnë Leninit, për të cilën toka bujqësore njëlloj si burimet e tjera ekonomike duheshin shoqërizuar (jo thjesht shtetëzuar). Kësisoj, në këtë turlilloj arsyesh teorike, ideologjike, ekonomike etj, as Berisha nuk del sekretar besnik i partisë së Marksit, dhe as Rama pinjoll i bllokmenëve që varnin (dykuptimësia e foljes var kësaj radhe sqaron) mureve portretin e mjekërgjatit.
Në vulgatën e një pjese të republikanëve amerikanë, Obama konsiderohet jo thjesht marksist, por komunist gjakpirës, leninist, maoist, madje edhe hitlerian. Për propagandues interneti të lartësive intelektuale të Donald Trump-it, Obama është sinteza e internacional-socialistit Marks dhe nacional-socialistit Hitler. (Eh sa qejf kanë liberalët ta theksojnë gjysmën emërore socialiste të nazizmit, pak rëndësi ka se kërkohet imagjinatë donaldtrampiane për ta bërë lidhjen mes tyre!) Po në fund të fundit, ç’mund të pritet nga fundamentalistë që mendojnë se çdo e vërtetë dhe çdo gjë me vlerë për t’i lodhur sytë në lexim gjendet në bibël?! Për t’u kthyer tek Berisha, zor se ndokush do ta akuzonte seriozisht se është homolog i Bushit të fundit në intelekt apo njohuri, megjithëse në fushë të Marksit mbase ka qenë detyrim i nënzëshëm partie për të mos e lexuar dhe për të mos e marrë vesh. (Nëse do të hamendësojmë se leximet marksiste të sekretarit të partisë ndiqnin të njëjtin ritëm me ato të Sekretarit të parë, atëherë vërtet s’ka lexuar dhe kuptuar gjë. Në veprat më vetëpretenduese teorike të Enver Hoxhës, si p.sh. Imperializmi dhe revolucioni apo Eurokomunizmi është antikomunizëm, bie lehtë në sy se citimet nga Stalini janë të plota, sidomos për organizmin e partisë, nga Lenini po ashtu, por jo nga ato të mundimshmet dhe seriozet teorikisht si Fletoret filozofike apo Materializmi dhe empiriokriticizmi, ndërsa nga Marksi citon mjaft rrallë, dhe atëherë kur citon, i referohet vetëm Manifestit komunist, që është vepër popullarizuese idesh dhe mjaft e përciptë krahasuar me të tjerat, dhe po të botohej komercialisht sot, fare lehtë mund të titullohej Idiot’s Guide to…Communism). Pavarësisht këtyre, “e vërteta” strukturore e akuzës së Berishës ndaj Ramës si marksist nuk qëndron thjesht te fitimi i ndonjë vote të trembur nga kooperativat, por te ndërtimi i Tjetrit djallëzor (Marksit si emri që shënjon çdo formë mendimi dhe veprimi emancipues antisistemor) si e kundërta absolute e gjendjes së situatës. Madje dy fytyrat historike të kapitalizmit, ai fundamentalisti dhe ai me fytyrë njeriu, pavarësisht se gjenden brenda së njëjtës barkë të shpuar e të pashshpueshme, e hedhin njëri-tjetrin herës pas here në guvën e të keqes absolute, e fantazmës që tremb se shemb, e fantazmës që sillet nëpër Evropë, fantazmës heretike me emrin Marks.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.