/Edward W. Said/
Si arab mendoj se është e një rëndësie madhore kuptimi i kësaj eksperiencë kolektive duke u marrë konkretisht me detajet e saj të tmerrshme: ky kuptim thekson humanizmin tonë dhe qartëson një herë e përgjithmonë që një katastrofë e atyre përmasave nuk duhet as të harrohet dhe as të përsëritet më.
Një këndvështrim të ngjashëm përballë vuajtjeve të hebrenjve e patën komentuesit arabë gjatë procesit kundër Adolf Eichmann-it të mbajtur në Izrael në vitet 1960. Në atë rast Izraeli përdori betejën gjyqësore për të nxjerrë në dritë plotësisht tmerret e gjenocidit nazist. Komentuesit e djathtë të falangave libaneze pohonin se e tërë ngjarja nuk ishte tjetër veçse propagandë e pabazë, por në vendet e tjera shtypi arab i kohës (në Egjipt dhe në shtypin libanez mainstream) u mor me çështjen Eichmann duke i kushtuar vëmendjen e duhur, si një ngjarje e tmerrshme që ndodhi në Gjermani gjatë luftës. Megjithatë, sipas një studimi të asaj kohe të zhvilluar nga Usama Makdisi, një historian i ri libanez që punon në Universitetin e Houston-it në Teksas, kronistët arabë që ndiqnin procesin dolën në përfundimin që, megjithëse ajo që u ishte bërë hebrenjve në Gjermani ishte në realitet një krim kundër njerëzimit, krimi i bërë nga Izraeli duke shpronësuar dhe dëbuar një popull të tërë nuk ishte as i ndryshëm dhe as më pak i rëndë. Sipas Makdisi-t nuk pati asnjë tentativë për të barazuar Holokaustin me katastrofën palestineze; thjesht, të gjykuara sipas të njëjtave parametra, Izraeli dhe Gjermania ishin të dyja fajtore për krime të urryeshme dhe shumë të mëdha. Përshtypja ime personale është se, gjatë betejave psikologjike të viteve 1960, procesi Eichmann i ka shërbyer anës arabe për të demaskuar mizoritë izraelite ndaj arabëve dhe jo dhe aq për të familjarizuar lexuesit arabë me detajet e eksperiencës së hebrenjve. Sidoqoftë, përjashto ndonjë intelektual të rrallë hebre – për shembull teologun hebreo-amerikan Marc Ellis apo Israel Shahak-un – reflektimet e mendimtarëve të sotëm hebrenj mbi historinë e kobshme të antisemitizmit dhe karakterit unik të vuajtjes hebraike kanë rezultuar të papërshtatshme. Sepse mes asaj që u ka ndodhur hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe katastrofës së popullit palestinez duhet vendosur një lidhje, por kjo lidhje nuk mund të krijohet vetëm me fjalë, apo si argument për të rrëzuar apo zvogëluar përmbajtjen e vërtetë si të Holokaustit, ashtu edhe të 1948-s. Këto nuk janë të identike mes tyre; as njëra dhe as tjetra nuk e justifikojnë dhunën që mbartin; dhe asnjëra prej tyre, në fund, nuk duhet minimizuar. Ka mjaftueshëm vuajtje dhe padrejtësi për të gjithë. Nëse, sidoqoftë, nuk bëjmë lidhjen që na mundëson të shohim që tragjedia e hebrenjve ka sjellë katastrofën palestineze – le të themi – nga “domosdoshmëria” (dhe jo thjesht nga vullneti), do të jetë e pamundur të arrijmë të bashkëjetojmë si bashkësi të vuajtura të izoluara dhe të ndara në mënyrë të pakomunikueshme. Nëse marrëveshja e Oslos ka dështuar, kjo ka ndodhur për shkak se bazohej mbi ndarjen, mbi një ndarje kirurgjike të popujve në entitete të veçuara, por të pabarabarta, në vend që të kuptonte se e vetmja mënyrë për të dalë përtej alternimit të vazhdueshëm të dhunës dhe çnjerëzimit qëndron në njohjen e universalitetit dhe integritetit të eksperiencës së tjetrit dhe në projektimin e përbashkët të një jete të përbashkët. Nuk arrij assesi të mos i konceptoj a) hebrenjtë e Izraelit si rezultati vendimtar dhe “vërtet” përfundimtar i Holokaustit dhe b) të mos kërkoj prej tyre njohjen e asaj që u kanë bërë palestinezëve gjatë dhe pas 1948-s. Kjo do të thotë se si palestinezë presim prej tyre vlerësimin dhe dëmshpërblimin pa minimizuar në asnjë mënyrë historinë e tyre të vuajtjes dhe gjenocidit. Kjo është e vetmja formë e njohjes së ndërsjellë e cila ia vlen të synohet, dhe fakti që qeveritë dhe liderët aktualë janë të paaftë të bëjnë një gjest të tillë dëshmon për varfërinë e shpirtit dhe imagjinatës që na ka prekur të gjithëve. Në këtë pikë hebrenjtë dhe palestinezët larg Palestinës historike mund të luajnë një rol konstruktiv i cili është i pamundur të luhet nga ata që janë brenda dhe jetojnë nën presionin e përditshëm të pushtimit dhe përplasjes dialektike. Dialogu duhet të zhvillohet në nivelin që tregova, jo bazuar mbi çështjet lodhëse të strategjisë dhe taktikave politike. Duke marrë në konsideratë vijat e përgjithshme të filozofisë hebraike nga Buber-i te Levinas-i dhe duke vënë re që në to është pothuajse tërësisht inekzistente reflektimi mbi dimensionet etike të çështjes palestineze, e kupton se sa punë mbetet për t’u bërë. Duhet aspiruar kësisoj drejt një ideje të bashkëjetesës që respekton “dallimet” mes hebreut dhe palestinezit, por që – megjithëse të dallueshëm e të ndryshëm – respekton edhe historinë e përbashkët të luftës dhe mbijetesës që i lidh. Nuk mund të ketë imperativ etik dhe moral më të lartë se diskutimi dhe dialogu mbi këtë temë. Duhet ta pranojmë eksperiencën e hebrenjve, tmerrin dhe frikën që ajo mbart; por duhet të kërkojmë që eksperienca jonë të ketë po aq vëmendje, ose ndoshta që të vlerësohet në kuadrin e një realiteti historik të ndryshuar. Kush është ai që, me ndërgjegje, mendon të barazojë një shfarosje të përgjithshme me një shpronësim të përgjithshëm?! Do të ishte çmenduri edhe tentativa. Megjithatë ato janë lidhura – gjë që është tërësisht tjetër – në luftën për Palestinën, e cila ka qenë kaq e ashpër dhe ku elementët e së cilës kanë qenë kaq të papajtueshëm mes tyre.
Jam i vetëdijshëm se ndërkohë që toka palestineze vazhdon të zaptohet, ndërkohë që shtëpitë tona shembën, ndërkohë që ekzistenca jonë e përditshme vazhdon të poshtërohet dhe Izraeli e mbështetësit e shumtë në Evropë e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të na mbajnë në robëri, të flasësh për agonitë e shkuara të hebrenjve mund të duket një sjellje e paturpshme. Unë nuk e pranoj idenë që duke marrë tokën tonë sionizmi të shëlbojë historinë e hebrenjve dhe askush nuk do të arrijë kurrë t’më shtyjë ta pranoj si të nevojshëm shpronësimin e tërë popullit palestinez. Mundem nga ana tjetër të pranoj që shtrembërimet e Holokaustit kanë krijuar në viktimat e tij shtrembërime të cilat sot shihen në viktimat e vetë sionizmit, palestinezët. Të kuptohet se çfarë u ndodhi hebrenjve të Evropës gjatë nazizmit do të thotë të kuptohet se çfarë ka universale në eksperiencën njerëzore në rrethana katastrofike. Do të thotë dhembshuri, simpati njerëzore, përbuzje absolute e idesë që mund të vritet një qenie njerëzore për arsye etnike, fetare apo nacionaliste. Flas për mirëkuptimin dhe për dhembshurinë të cilat nuk pranojnë kushte: ato ndihen dhe pikë, pavarësisht nga çdo kalkulim politik. Megjithatë, nëse ndërgjegjja e arabëve do të bënte përparime në këtë drejtim, do të duhej që po aq të prirë kah mirëkuptimi dhe dhembshuria të tregoheshin edhe izraelitët dhe mbështetësit e tyre, të cilët kanë shprehur lloj-lloj mohimi dhe papërgjegjësinë sa herë ka qenë fjala për të diskutuar mbi rolin qendror të luajtur nga Izraeli në plaçkitjen e popullit palestinez. Dhe kjo është e turpshme. Është e papranueshme të thuhet thjesht (sikundër bëjnë shumë sionistë progresistë) që duhet të harrojmë të shkuarën dhe të ecim përpara në synimin për të ndërtuar dy shtete të ndara. Kjo është një fyerje si për kujtesën hebraike të Holokaustit, ashtu edhe për palestinezët, të cilët vazhdojnë të shpronësohen nga Izraeli. E vërteta është se eksperienca e hebrenjve dhe ajo e palestinezëve janë historikisht, madje organikisht, të lidhura: t’i ndash do të thotë të falsifikosh atë që ka autentike secila prej tyre. Sado e vështirë mund të jetë, duhet të mendojmë bashkërisht për historitë tona, nëse duam që të ketë një të ardhme të përbashkët. E një e ardhme e tillë duhet të përfshijë, së bashku, arabë dhe hebrenj, pa përjashtime, pa skema të bazuara mbi refuzimin dhe që synojnë të përjashtojnë njërën palë apo tjetrën, teorikisht apo politikisht. Pjesa e mbetur do të jetë shumë më e thjeshtë.
E përktheu Alfred Bushi
Shkruar me 5 nëntor 1997, shkëputur nga libri i autorit Fine del processo di pace, Palestina e Israele dopo Oslo, 2002.
Imazhi: IsraelPalestinePeace