/Kristjan Zoto/
U bë një muaj që Shqipëria e ka ndaluar jetën normale dhe populli është vetizoluar. Rrugët janë boshatisur, njerëzit ndjehen në ankth për të ardhmen sepse ajo që do të pasojë është ende e panjohur. Punët do të ndryshojnë, por askush nuk e parashikon dot se si.
Javët e para shprehja e pakënaqësisë u derdh në protesta spontane nga komuniteti rom, më të varfrit e të diskriminuarit në ven. Për shumë prej tyre ndalim i lëvizjes do të thotë bllokim i aktivitetit të tyre mbledhës të lëndëve të riciklueshme. Për pasojë ata nuk kishin të ardhura për drita, uji, qira e ushqim.
Më pas filluan ta pësonin punëtorët e call center-ave dhe fasonerive, të cilët pas rasteve të para me Covid-19 janë detyruar të vetizolohen duke iu dhënë leje të detyruar të papaguar. Por kishte edhe nga ata që vazhduan punën për disa ditë derisa plotësuan normën apo mbaruan porositë e lëna përgjysmë, pastaj u detyruan të nënshkruajnë “pushime të parakohshme” derisa të normalizohet situata.
Të tretët që po e ndjejnë krizën këto ditë janë familjet e vetëpunësuara, të cilat nxirrnin shpenzimet e ditës dhe arrinin të kursenin diçka, por sot, mbas një muaj vetizolimi, këto kursime janë drejt mbarimit.
Të vetmit që duken të sigurt tani për tani janë punonjësit e sektorit publik, por edhe ata jo për shumë gjatë sepse falimentimet e mundshme dhe papunësia në rritje do të thotë më pak të ardhura për buxhetin e shtetit dhe më pak shpenzime për rrogat e tyre.
Tani vijmë te masat që ka marrë qeveria deri tani. Në këtë një muaj vetëm kryeministri ka bërë 407 postime në rrjetet sociale dhe është shfaqur 47 orë drejtpërdrejt në video. Deri tani asnjë konferencë për shtyp me gazetarët, qoftë edhe për t’i dhënë pak seriozitet të rremë shtetit që e ka bërë telef me tendera e PPP.
Nëse i hedhim një sy përmbajtjes së këtyre postimeve dhe 47 orëve xhirime të kryeministrit, do të kuptojmë se ato janë kryesisht urdhra. P.sh. ai merr rolin e ministrit të Brendshëm kur flet për rendin e qetësinë publike, të ministrit të Shëndetësisë kur flet se si luftohet virusi, ministrit të Arsimit që shpjegon mësimin on line, të Turizmit që na tregon se si do të ringrihemi, të Mbrojtjes që tregon për armikun e padukshëm që po na sulmon, të Ekonomisë ku flet për shifra e tregon se sa ndihmë i takon secilit apo të Drejtësisë që shqipton masat me burgim për shkelësit e karantinës. Në fund, për t’i përmbledhur të gjitha dhe dhënë një dozë paternalizmi, ai bën “babain” e këtij populli të vuajtur e hallemadh.
Ndalemi pak këtu. Kur e gjithë shoqëria po shkon drejt një krize ekonomike, Rama po përpiqet të shfaqet si “babai” ynë, që do kujdeset për ne sado trazovaçë e të pabindur të jemi. Përveçse një qasje e tillë është fyese për qytetarët e rritur, nuk duhet harruar se ka qenë pikërisht ky kryeministër që i ftonte biznesmenët e huaj për të shfrytëzuar krahun e punës në Shqipëri sipas tekave, sepse këtu nuk kishte sindikata. Atje ku ka, së bashku me oligarkët, ai kontribuon në shtypjen e tyre, siç bëri për muaj me radhë me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Po ai, bashkë me Ilir Beqajn, i dhanë paratë e shëndetësisë me koncesion miqve të tyre si artizani që jetonte në Itali dhe fitoi 100 milionë dollarë për sterilizimin e veglave të operacioneve, apo si kafeneja “Evita” me tre tavolina në Berat që fitoi tenderin e hemodializës prej 86 milionë eurosh. Ka qenë po Rama që, bashkë me Erion Veliajn, shembi shtëpitë e romëve për të liruar truall për ndërtimet e oligarkëve, duke na e shitur si të mirë publike. Po ai që paratë publike do t’i ndajë me Çilët e diplomoreve private. Për të mos harruar se ai është përgjegjësi kryesor i mbushjes së administratës me militantë partie, duke u treguar të rinjve rrugën e emigrimit. Deri sot Edi Rama ka qenë “babai” i të pasurve, që me dhunë dhe arrogancë ua ka marrë të varfërve për t’ua dhënë Samirit, Shefqetit e sërës së tyre.
Sot, i detyruar nga rrethanat, duhet të ngrejë pak zërin sa për sy e faqe ndaj oligarkëve të vendit: lakmia po rrezikon themelet e oligarkisë si sistem, duke kërcënuar interesat e tyre afatgjata. Nëse ata marrin sot gjithçka po kërkojnë, në vend do të pllakoste uria dhe revolta. Siç shkruan Nazim Hikmeti: “Ecën ushtria e të uriturve, ecën për t’u ngopur me bukë, ecën me këmbët mbytur në gjak.” Edi Rama duket se e di këtë. Prandaj, si peshkatari i vjetër kur i ngec filli i peshkimit, e lëshon për t’u liruar pak, që pastaj ta mbledhë lehtë pa e këputur.
Imazhi: Medium
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)