/Noam Chomsky/
Intervistë me Valentina Nicolì-n
Shtetet e Bashkuara po marrin flakë. Në qytete të ndryshme është shpallur gjendja e ndalimqarkullimit; revoltat nëpër rrugë nuk duket sikur po bien, madje ato po përfshijnë gjithnjë e më shumë popullsinë e bardhë; ushtria është gati të ndërhyjë. Ndërkaq fjalët dhe veprimet e qeverisë, të Trump-it në veçanti (dalja e tij e fundit në rrjetet sociale – “Law and Order” – duket si titulli i një telefilmi), nuk duken si fjalë pajtimi me një shoqëri të dëshpëruar tashmë nga emergjenca shëndetësore, papunësia dhe pabarazitë.
Për të kuptuar se sa të lashta janë rrënjët e revoltave që po zënë sot faqet e gazetave të të gjithë botës i kemi shtruar disa pyetje profesor Naom Chomsky-t, njërit prej ekspertëve botërorë më të shquar të politikës dhe shoqërisë amerikane.
Protestat për vrasjen e George Floyd-it janë shndërruar në revoltë, e cila po përhapet nga Mineapolisi në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë Pentagoni i ka bërë thirrje policisë ushtarake të qëndrojë në gatishmëri për të ndërhyrë. Profesor Chomsky, çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara? A ka diçka më të thellë pas protestave kundër racizmit dhe abuzimit me pushtetin nga ana e policisë së bardhë?
Po, janë 400 vjet shtypje brutale. Fillimisht kemi sistemin skllavopronar më të dhunshëm të historisë, që përbënte bazën e rritjes ekonomike dhe begatisë së Shtetet e Bashkuara (dhe Anglisë). Pas kësaj faze vijnë dhjetë vitet e lirisë në të cilat popullsia zezake ka mundur të jetë pjesë reale e shoqërisë dhe këtë e ka arritur me shumë sukses. Më pas kemi lindjen e paktit mes Veriut dhe Jugut, i cili u jep faktikisht shteteve të Jugut autoritetin për të bërë ç’të donin. Çka bënë ishte kriminalizimi i jetës së zezakëve, duke krijuar një “skllavopronari me një emër tjetër”, sikundër shkruan titulli i një prej librave më të rëndësishëm mbi këtë çështje (Dauglas A. Blackmore, Slavery by other name: The Re-Enslavement of Black Americans from the Civil War to World War II, Anchor Books, 2008). Kjo periudhë zgjati afërsisht deri në Luftën e Dytë Botërore, kur lindi nevoja për të gjetur krahë pune. Nis kësisoj një periudhë relativisht e lirë, ndonëse e vështirësuar nga ligje racore aq ekstremiste sa as nazistët e asaj kohe nuk i merrnin në konsideratë dhe nga ligje federale që përcaktonin veçimin racor në politikat strehuese të subvencionuara nga qeveria në periudhën e pasluftës. Për më tepër, gjatë atyre viteve zezakët (dhe gratë) ishin të përjashtuar nga edukimi universitar falas që u garantohej veteranëve. Më pas kemi lindjen një vale të re kriminalizimi të jetës së zezakëve, e cila është gjerësisht e dokumentuar. Për sa i përket racizmit, ai vazhdon të ekzistojë ende sot, ndonëse është më pak i përhapur se dikur. E kur shfaqet, si në rastin e Floyd-it, shpërthejnë protestat, pjesë e të cilave janë edhe një pjesë e mirë e të bardhëve. Kjo do të thotë se në disa sektorë të popullsisë janë bërë hapa përpara në kapërcimin e kësaj plage të tmerrshme.
A mendoni që pandemia ka pasur ndikim te protestat? A ka shërbyer ajo në nxjerrjen akoma më shumë në dritë të pabarazive dhe problemeve të drejtësisë sociale që ka vendi? Apo ka bërë të mundur shpërthimin e tenxheres me presion që vlonte prej kohësh?
Pandemia natyrisht ka theksuar disa prej këtyre problemeve. Përqindja e vdekshmërisë nga Covid-19 mes zezakëve, për shembull, është tre herë më e lartë se ajo mes të bardhëve. Trump-i, ligësia e të cilit nuk ka kufij, ka përfituar nga emergjenca shëndetësore për të pakësuar rregullimet që synojnë uljen e ndotjes së ajrit, e cila sjell pasoja shkatërrimtare mbi sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes që lidhen me këtë pandemi. Vetë shtypi ekonomik vlerëson se për shkak të këtyre zgjedhjeve do të mund të vdesin dhjetëra mijëra persona, kryesisht mes komunitetit të zezakëve, pozita ekonomike e të cilëve u lejon të jetojnë vetëm në zonat më të ndotura ( “How Trump’s EPA is making Covid-19 more deadly”, Bloomberg, maj 2020). Mënyra se si këto fakte do të ndikojnë opinionin publik do të varet nga sa ato do të fshihen nga apologjia raciste.
Profesor, a ka rrethana, si ato që kemi parë këto ditë në Shtetet e Bashkuara, në të cilat dhuna nga ana e një popullsie të dëshpëruar mund jetë e justifikuar?
Me siguri mund të kuptohet. E vërteta është se eksperienca na mëson se ajo nuk është zgjedhje e mençur: zakonisht i vetmi rezultat që prodhon është rritja e mbështetjes së opinionit publik ndaj një shtypjeje edhe më të dhunshme të protestave.
Një nga reagimet e para të Trump-it ndaj protestave ka qenë një tweet i hequr më pas: “Kur nisin plaçkitjet, nisin edhe të shtënat.” A mund të na shpjegoni përse kjo frazë ka pasur një ndikim kaq të fortë mbi shoqërinë amerikane? A mendoni se “mëkati fillestar që ende sot kërcënon kombin tonë” (siç ka thënë Biden-i) rëndohet sot nga ekzistenca Trump-it? A ka ndikuar retorika e tij e ndezur në rritjen që ka në sondazhe, të cilat, së paku sot, nxjerrin Biden-in në avantazh?
Në atë tweet Trump-i po citonte frazën e thënë pesëdhjetë vjet më parë nga komandanti i policisë së Florida-s (Walter E. Headley, kryepolici i Majemit) për të shpjeguar si do të kishte reaguar ai ndaj protestave antiraciste. Kuptimi i shprehjes së Trump-it ishte i qartë, mirëpo, pas reagimeve të indinjuara, ai gënjeu duke shpjeguar se donte të thoshte se do të jenë “plaçkitësit” ata që do të hapin zjarr. Sigurisht Trump-i ka bërë gjithçka për ta përhapur këtë “njollë”, duke iu drejtuar supremacistëve të bardhë që janë pjesë e bazës së tij elektorale. Është e vështirë, sidoqoftë, të parashikohet se sa i thellë do të jetë ndikimi i tij mbi popullsinë.
Ç’mendoni për reagimet e liberalëve? Çka po ndodh këtyre ditëve a mund t’u mësojë atyre si dhe vetë Biden-it ndonjë gjë?
Sigurisht do të duhej të ndodhte kështu. Mbetet për t’u parë a do të mësojnë gjë konkretisht.
Ju i jeni referuar “kriminalizmit të jetës së zezakëve”, fenomen për të cilin flisni shpesh në librat tuaj. A mund të na shpjegoni evolucionin dhe mënyrën se si kjo vazhdon të veprojë në shoqërinë dhe ekonominë amerikane?
Autorësia e kësaj fraze nuk është imja. Ajo përdoret shpesh në studimet mbi shoqërinë amerikane. Në ish-shtetet skllavopronare të fundit të shekullit XIX bëhej fjalë për një politikë të paramenduar. Nëse një zezak rrinte në këmbë në rrugë, mund të ndalohej për rrugaçëri, t’i vihej një gjobë të cilën nuk do ta paguante e kështu të përfundonte në burg. Me të përfunduar aty, do ta vinin në dispozicion të sipërmarrjeve si punëtor ideal: i disiplinuar, asnjë protestë, kosto pothuajse zero. Kjo strategji ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në revolucionin industrial të asaj periudhe, si edhe në agrobiznes. Vala e dytë e kriminalzimit merr hov me Ronald Reagan-in. Më 1980, kur ai merr presidencën, përqindja e burgosjeve ishte në mesataren evropiane. Që atëherë kjo përqindje ka pësuar një rritje të fortë, duke dalë shumë më lart mbi mesataren evropiane. Burgosjet përfshijnë në mënyrë shpërpjesëtimore zezakët. Kjo është pjesërisht rezultat i luftës kundër drogës dhe pjesërisht për shkak të kriminalitetit më të lartë mes zezakëve. E dhëna e fundit theksohet shpesh nga apologjitë raciste, por pa ngritur pyetjen përse ky kriminalitet është më i lartë mes zezakëve. Në realitet kjo është tipike e komuniteteve të shtypura, mirëpo rasti i personave me ngjyrë është pa dyshim më i rëndi.
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga gazeta Il Manifesto
Imazhi: Win McNamee|Getty Images