Akumulimi nëpërmjet shpronësimit në arsimin e lartë

/Arlind Qori/

“…kapitali nuk mund të akumulohet pa ndihmën e organizatave jokapitaliste, as mundet, nga ana tjetër, ta tolerojë ekzistencën e tyre të vazhdueshme krahas vetes.” – shkruante Roza Luxemburg-u më 1913 në një paragraf të shumëkomentuar të “Akumulimit të kapitalit”. Ajo ishte e idesë se kapitali ka nevojë për një mjedis gjeografik dhe shoqëror jokapitalist rreth e rrotull tij, prej të cilit të përdorë burimet natyrore apo fuqinë punëtore fare të lirë për të kapërcyer krizat e herëpashershme. Brenda për brenda vendit investimi i kapitalit në sektorët e zakonshëm ekonomikë, për shkak të konkurrencës në rritje, do të sillte uljen deri në kufij të papranueshëm të normës së fitimit. Në këto kushte, eksportimi i kapitalit do t’u mundësonte firmave të shfrytëzonin burime natyrore, fuqi punëtore dhe tregje të virgjëra, çka do ta ringrinte normën e fitimit. Luxemburg-u shpjegonte kësisoj shtysën imperialiste të kapitalizmit i cili, kur të kapitalizonte krejt sipërfaqen e globit, do të shkatërronte mjedisin ku herë pas here gjente rrugëdalje për krizat e veta. Kontradikta e gëlltitjes dhe lënies jashtë njëkohësisht të mjedisit jokapitalist do të bënte që kapitalizmi të shpërthente së brendshmi. Pra suksesi i plotë i kapitalizmit do të shënonte edhe dështimin e tij përfundimtar.

Ka kaluar më se një shekull dhe kapitalizmi, pavarësisht qorrsokakëve të herëpashershëm, ia ka dalë të mbijetojë. Kjo i ka shtyrë shumë kritikë të kapitalizmit ta revizionojnë tezën e Luxemburg-ut, bash duke ruajtur logjikën e saj. Kapitalizmi ka nevojë t’i gëlltisë progresivisht dimensionet jokapitaliste, por, së paku në dekadat e fundit, ato nuk shtrihen vetëm horizontalisht në hapësirë, por edhe vertikalisht në thellësi të çdo shoqërie. Në katër dekadat e fundit, ngopja e sektorëve tradicionalë të kapitalizmit ka gjetur grykëderdhje jo vetëm duke eksportuar kapitalin drejt vendeve të periferisë (në kapitalizim e sipër), por edhe duke gëlltitur sektorë të marrëdhënieve shoqërore deri atëherë të huaj për logjikën e kapitalit si shëndetësia, arsimi, uji i pijshëm, pensionet etj.

Këtë të fundit, David Harvey e quan proces të akumulimit nëpërmjet shpronësimit, që do të thotë se njerëzve u hiqet kontrolli kolektiv mbi të mirat e përbashkëta, të cilat përmbyten nga logjika e mallit. Nga të mira të gëzueshme prej gjithkujt, falas ose me çmime të përballueshme, ato gardhohen, privatizohen, u imponohet çmim tregu etj. Kështu, prej konsumimit të tyre përjashtohen të gjithë ata që nuk mund të paguajnë dhe një pjesë e paguesve vendoset në vështirësi ekonomike të pamerituara.

***

Synimi i këtyre radhëve është analiza e procesit të akumulimit nëpërmjet shpronësimit në arsimin e lartë, si një nga sektorët më të rëndësishëm të investimit dhe akumulimit të kapitalit në Shqipërinë e viteve të fundit. Ky proces do të ndiqet në dy logjikat e tij: atë të shtysave strukturore dhe të koniunkturave historike. Logjika e parë u shkon tejpërtej rastësive historike si qeverisja e x apo y force politike, kurse e dyta i ep shtysat strukturore sipas situatës politike në vend nga një moment historik në tjetrin.

Nuk mund ta nisim trajtesën mbi Shqipërinë pa thënë se ndryshe nga kapitali i fuqishëm i vendeve të qendrës, i cili ia del të ngopë me investime një pjesë të mirë të sektorëve të ekonomisë vendase, kapitali i vendeve të periferisë konkurron në një botë ku në shumë sektorë është i mposhtshëm kollaj. Rrjedhimisht, në Shqipëri nuk ka vend për sekuencën logjiko-historike: investim në bujqësi–industri–sektorë të ish-shërbimeve publike. Kapitali shqiptar e ka shumë të vështirë konkurrimin e kapitalit të huaj të mirësubvencionuar edhe në bujqësi, lere më në sektorët industrialë. Kjo e ka orientuar kah ata sektorë ku ka një avantazh të krahasuar që ia siguron pozita gjeografike dhe shoqërore monopoliste, siç kanë qenë historikisht industria nxjerrëse (mineralet, nafta etj.). Mirëpo në 10-15 vitet e fundit një sektor ku kapitali shqiptar ka përparësi konkurrueshmërie është ai i arsimit për arsyen e thjeshtë se, ndryshe nga kastravecët dhe televizorët të cilat shijojnë dhe hyjnë në përdorim njëlloj pavarësisht se ku prodhohen, shërbimet arsimore bazohen në gjuhë dhe gjuha vazhdon të mbetet kryesisht kombëtare. Përveç kësaj kostoja e lartë e ndjekjes së studimeve jashtë shtetit bën që pjesa më e madhe e studentëve të mos kenë alternativë tjetër veç institucioneve arsimore vendase. Këtyre faktorë u duhet shtuar edhe fakti se investimet në arsimin e lartë në Shqipëri kanë shkuar në degë universitare me kosto të ulët si për shembull shkencat humane, të cilat, në mungesë të laboratorëve, kanë nevojë vetëm për salla, karrige, tavolina, pedagogë dhe blerje kohe televizive.

Investimi në arsimin e lartë ka pasur avantazhin jo vetëm të mësymjes së një sektori deri vonë të virgjër nga pikëpamja e kapitalit, por edhe të një kërkese të pangopur konsumatore për certifikim universitar. Universitarizmi shqiptar lindi vonë, më 1957 me themelimin e Universitetit të Tiranës. Strukturimi i jetës universitare gjatë socializmit despotiko-burokratik ishte gjysmelitar, pavarësisht cipës ideologjike që mbështillte edhe fushat e shkencave johumane. Arsimimi i lartë shërbente kryesisht për të krijuar një trupë relativisht të vogël profesionistësh, që do të shoqëronin procesin e industrializimit gjysmak shqiptar dhe përforconin procesin e mobilitetit social. Ky i fundit realizohej duke mundësuar që në elitat e reja profesioniste të mbizotëronin njerëz me origjinë klasore prej të fundmëve të shoqërisë (familje fshatarësh të varfër), çka i shërbente sundimtarëve të kohës si për të forcuar legjitimitetin ideologjik, ashtu edhe për të fituar besnikërinë politike të të mirarsimuarve. Sidoqoftë mbetej i pakapërcyeshëm fakti se “inteligjencia” shqiptare mbetej mjaft e kufizuar numerikisht në një vend ku deri në fund të socializmit fshatarësia kapte 60% e popullsisë dhe në qytete punëtoria ishte klasa dominuese numerikisht.

Konsiderimi i arsimit të lartë si trampolinë në statusin shoqëror dhe nevoja për të shmangur fatin e punëtorit të krahut bëri që fill pas fillimviteve ’90 të shtohej ndjeshëm kërkesa për vazhdimin e studimeve universitare. Në vitet e para pati një rënie të fortë të kërkesës për fuqi punëtore të kualifikuar si pasojë e shkatërrimit të ndërmarrjeve industriale të vendit. Po dora-dorës –  me ndërtimin e një administrate qendrore e lokale të fryrë klientelisht, investimet në sektorë të rinj si bankat apo shtimi i konflikteve me natyrë pronësie që lypnin detashmente juristësh, për të mos përmendur fashën e punonjësve të organizatave jofitimprurëse – u rrit edhe kërkesa për certifikim universitar. Kjo kërkesë nuk mund të përballohej nga universitetet publike, që ishin konceptuar sipas një modeli gjysmelitar rekrutimi dhe diplomimi dhe të cilat nuk kishin kapacitete infrastrukturore për një dyndje të tillë. Mungesa e kapaciteteve u bë më e ndjeshme prej faktit që pikërisht atëherë kur u rrit kërkesa për arsim universitar, mbështetja financiare shtetërore për arsimin universitar u ul krahasuar me të shkuarën socialiste. Universitetet publike e rritën dalëngadalë rekrutueshmërinë e tyre, por jo në saje të mbështetjes financiare shtetërore, por të vendosjes së tarifave dhe rritjes së tyre të vitpasvitshme. Gjithsesi rritja e kërkesës për certifikim universitar ishte e një ritmi më të lartë se zgjerimi i rekrutueshmërisë së universiteteve publike.

Pse vërshimi i kapitalit nuk ka ndjekur në mënyrë proporcionale të gjitha nivelet e arsimit? Kjo është diktuar nga fakti se infrastruktura e arsimit parauniversitar është konceptuar qysh herët si masive dhe kapilare në territor. Po ashtu qeveritë vazhdojnë ta kenë detyrim kushtetues sigurimin falas të arsimimit parauniversitar të popullsisë, duke i mpakur kësisoj incentivat e kapitalit për të investuar në to. Për më tepër që, krahasuar me socializmin, rritja e kërkesës për arsim universitar është shoqëruar me rënien domethënëse të numrit të nxënësve në sistemin parauniversitar.

Arsyeve të mësipërme për zgjerimin e kërkesës (dhe ofertës) për arsim universitar i duhet shtuar mënyra se si qeveritë kanë nxitur rritjen e numrit të të arsimuarve dhe shtimin e viteve të studimit për të fshehur papunësinë strukturore. Sa më shumë të rinj në shkolla dhe sa më gjatë të rrinë aty, aq më e ulët rezulton papunësia. Kjo prirje globale – që ka sjellë inflacionimin e diplomave dhe rritjen fiktive të niveleve të studimit, pasi shumica e punëve të kualifikuara nuk kanë nevojë për master e doktoraturë – në Shqipëri është reflektuar në trajtë edhe më të përçudnuar. Te ne, partitë janë përpjekur ta fryjnë ofertën arsimore për arsye elektorale imediate. Mirëpo si administrata klienteliste, ashtu edhe sektorët që kërkojnë punonjës të kualifikuar përmbajnë shumë më pak mundësi punësimi se numri i studentëve të diplomuar vit pas viti. Në mungesë të planifikimit publik (të pakuptimtë në kapitalizëm), studentët shtyhen t’i ndjekin studimet universitare për ta gjetur veten, pas sa e sa shpenzimeve për të studiuar e jetuar 3-5 vjet në qytetet kryesore, të papunë ose të nënpunësuar. Pritshmëritë e tyre të larta bien në kontrast të thellë me llojin e punës së ofruar (për shumë syresh alternativa më e afërt është puna në call center), kushtet e saj dhe pagën, çka shton nivelin e tjetërsimit shoqëror.

Të gjitha këto shtysa strukturore do të mbeteshin mundësi në letër sikur të mos shoqëroheshin nga politika konkrete, qeveri pas qeverie, që së paku prej vitit 1999 kanë mbështetur akumulimin nëpërmjet shpronësimit në arsimin e lartë. Kjo mbështetje shtrihet në tri faza. Në fazën e parë 1999-2013, që kalon mespërmes qeverisjeve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, shënohen lejimi ligjor dhe masivizimi i arsimit universitar privat. Ligji i vitit 1999 lejoi për herë të parë hapjen e universiteteve private në Shqipëri, duke ia hequr shtetit dhe shoqërisë monopolin e një sektori kaq të ndjeshëm veprimtarie shoqërore. Fill më pas nisi licencimi i universiteteve të para private. Numri i tyre u shtua ethshëm pas vitit 2005. Gjatë 2005-2013, qeveria e Partisë Demokratike mori një sërë masash mbështetëse për arsimin universitar privat. U akordoi pronarëve të disave syresh ndërtesa publike me qira simbolike ose shiti për pesë pare gjë resurse të rëndësishme infrastrukturore, hoqi tatimin mbi vlerën e shtuar për to etj. Hap pas hapi vazhdoi procesi i rritjes së tarifave të universiteteve publike, në disa degë të të cilave në 10 vite kemi pasur gjashtë ose shtatëfishim të tyre. Autori i këtyre radhëve kujton se si kur ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Sociale gjatë viteve 2000-2004 tarifa mesatare vjetore ka qenë rreth 6000-7000 lekë (të reja), kurse prej vitit 2014 e këtej studentët e tij paguajnë 40.000 lekë (të reja) në vit.

Faza e dytë, më agresive në logjikën e akumulimit nëpërmjet shpronësimit, shënohet më 2013, kur qeveria e sapoformuar e Partisë Socialiste nisi procesin e hartimit të ligjit të ri të arsimit të lartë. Nëse ligji dhe praktikat e mëparshme qeveritare kishin favorizuar universitetet private, pa ndërhyrë shumë në strukturën dhe mënyrën e funksionimit të universiteteve publike (hiq rritjet e tarifave), ligji i ri, i miratuar më 2015, logjikën komerciale të universiteteve private orvatet ta shtrijë edhe në universitetet publike. Duke i vendosur universitetet publike në të njëjtën platformë konkurrimi për fonde shtetërore me universitetet private, ligji i arsimit të lartë kërkon të sjellë këto pasoja: 1. Të mbështesë financiarisht universitetet private duke ulur artificialisht tarifat e studimit në to. 2. Të rrisë tarifat në universitetet publike, si rrjedhojë e reduktimit të mbështetjes financiare për to. 3. T’i shtyjë universitetet publike drejt komercializimit, pra strukturimit si ndërmarrje private në kërkim të fondeve mbijetuese. Njëlloj si privatët, edhe universitetet publike pritet të harxhojnë gjithnjë e më shumë kohë e para për reklama, promocione, të angazhohen në spekulime financiare etj.; me një fjalë, të zhbëjnë dimensionet kritike dhe mirëfilli shkencore të tyre. 4. Të rrisë numrin e studentëve në universitetet private dhe ta zvogëlojë atë në universitetet publike. 5. Të zhbëjë dalëngadalë dallimin midis universiteteve publike dhe private, duke i shtyrë të gjitha drejt atyre që në gjuhë oruelliane quhen “universitete publike të pavarura”, trajta të kamufluara të universiteteve private fitimprurëse. 6. Të bëjë të mundur tërheqjen e ngadaltë të shtetit nga financimi i arsimit të lartë, i cili do të mbetet në duart e universiteteve; më saktë, të studentëve të tyre dhe akrobacive komerciale të administratës.

Pa u kryer ende faza e dytë, më 2016 qeveria socialiste nisi fazën e tretë të akumulimit nëpërmjet shpronësimit. Bëhet fjalë për skemën e shumëdebatuar të aplikimit dhe regjistrimit të studentëve në universitete. Për herë të parë në të u futën edhe universitetet private. Anësia dhe kompleksiteti i skemës bëri që vjet qindra, në mos mijëra, studentë të regjistroheshin pa dëshirë në universitetet private, duke u siguruar këtyre të fundit kërkesën e nevojshme për mbijetesë ose ekspansion ekonomik. Arsyet e përfshirjes së universiteteve private në të njëjtën skemë nuk duhen kërkuar vetëm në përfitimet imediate (numër studentësh/para), por edhe në përmirësimin e imazhit të tyre, që në afatgjatë do t’u sigurojë kërkesë studentore. Pavarësisht reklamës intensive të universiteteve private, në Shqipëri ekziston një perceptim publik i gjerë (pse jo, edhe i saktë) se universitetet private vlejnë sa për të blerë në mënyrë të ligjshme një diplomë. Duke i futur në të njëjtën skemë me universitetet publike, qeveria po i zbeh diferencat në perceptim midis tyre.

Në vende si Shqipëria, sidoqoftë, shteti nuk operon vetëm si përfaqësues i përgjithshëm i kapitalit, por është i zhytur në divergjencat e interesave brendakapitaliste. Këtu nuk mund të pritet që qeveria të mbështesë akumulimin nëpërmjet shpronësimit në arsimin e lartë pa favorizuar, brendapërbrenda sektorit të arsimit të lartë privat, disa aktorë në kurriz të të tjerëve. Në periferi është më e kollajtë që kapitalizmi të ndërthuret me praktika neopatrimonializmi. Kështu, kompleksiteti i sistemit të aplikim/regjistrimit, ku studentëve u duhet të zgjedhin 10 alternativa universitetesh private dhe publike, me të drejtë riaplikimi vetëm njëherë, bën që midis universiteteve private të favorizohen jo ato që kanë çmim më të lirë, siç ka ndodhur deri vonë, por ato që kanë kapacitete më të mëdha mediatizuese. Rrjedhimisht konsorciumet universitaro-mediatike, ose ato që kanë traditë më të gjatë investimi reklamor dhe bashkëveprimi klientelist me qeverinë, kanë përparësi ndaj universiteteve të tjera private, duke rrezikuar mbylljen e këtyre të fundit, pavarësisht zgjerimit të sferës universitare private.

Ndërthurja ekonomiko-politike nuk mund të përparonte shumë sikur të mos shoqërohej me dimensionin ideologjik të akumulimit përmes shpronësimit. Si rëndom në të tilla raste, universitetet private dhe partnerët e tyre në qeveri kanë shpenzuar mund e para për të anatemuar jo vetëm mënyrën e funksionimit të universiteteve publike, por edhe idenë e universitarizmit publik. Për të parën ka vend për një kritikë shumë më të thellë dhe të ndershme nga ç’vjen prej privatëve dhe qeverisë. Për shembull, është theksuar me të drejtë korruptimi i një pjese të trupës pedagogjike, por kjo është paraqitur si të ishte e metë strukturore e universitarizmit publik dhe jo i degjenerimit të tij në struktura gjysmëfeudale në dorë të burokracisë, të lidhur kokë e këmbë me qeveritë dhe, në disa raste, edhe me pronarët e universiteteve private. Është pretenduar se rritja e tarifave do të sjellë përmirësim të cilësisë universitare, pa kuptuar se vlen e kundërta: sa më të ulëta tarifat, aq më shumë të rinj mund të garojnë për të kryer studimet universitare, për pasojë edhe më e lartë cilësia e studentëve. Edhe papunësia e madhe e të diplomuarve i është atribuuar mospërputhjes imagjinare të programeve universitare me tregun e punës, pa kryer asnjë studim se çfarë punësh të kualifikuara kërkon tregu, si zgjerohet gama e profesioneve të kërkuara dhe numri i punonjësve potencialë. Të gjitha këto kanë të bëjnë me modelin e zhvillimit dhe, në instancë të fundit, me raportet klasore në shoqëri – çështje këto shumë më të mëdha se kufijtë e universitetit. Ky i fundit mund ta ndihmonte shoqërinë pikërisht duke menduar për sa më sipër, por për diçka të tillë i duhet liria kritike dhe demokracia e brendshme, veti këto që qeveria po bën çmos t’ia heqë.

Ideologjia nuk ndalet këtu. Ajo ka nevojë për reklamimin e parajsës përkundruall. Në çdo sezon regjistrimesh, mediat, sidomos televizionet, pushtohen nga zulma pronarësh, administratorësh e profesorësh me shtatë tuje akademike. Këta të fundit, duke shkelur normat elementare të etikës akademike të përkushtimit ndaj të vërtetës dhe mendimit kritik, shesin kredencialet e tyre akademike për ta bërë të bardhën të zezë, traun qime e qimen tra. Muajt e tjerë, përmes strategjive të mirëmenduara të marketingut, rrogëtarët e pronarëve të universiteteve private mësyjnë studiot televizive, ku tjerrin fjalë andej-këndej, ama gjithmonë vigjilentë t’i bëjnë hyzmetin interesave të pronarit.

Identifikimi i tyre me qeverinë në vend se t’u prishë punë si qendra propagande, i ndihmon universitetet private që të përcjellin në mënyrë implicite mesazhin se “i kanë punët mirë me zotët e vendit”. Në një vend ku partia në pushtet ka në dorë jo vetëm punësimin klientelist në administratën shtetërore, por edhe rekomandimin në bizneset satelite të saj, universiteteve private u jepet mundësia të joshin studentë me premtimin e punësimit të sigurt.

Në funksion të reklamës është edhe mizëria e aktiviteteve “akademike” të universiteteve private – gjithnjë të mbipasqyruara mediatikisht. Aty prezantohet një libër, këtu mbahet një konferencë, ca më tutje një vip mban ligjëratë, më tej akoma pompohet një klub intelektualësh. Të gjitha këto, në mungesën e komunikimit intensiv akademik dhe vitalitetit të mendimit kritik, shndërrohen në aktivitete monologjike ku pjesëmarrësit flasin vetëm me njëri-tjetrin dhe si njëri-tjetri, nën vëzhgimin e pamungueshëm të pronarit. Aty ku flet vetëm sasia, çdo qokë, koktej apo eglendisje akademike futet në thesin e aktiviteteve dhe shërben për të treguar cilësinë e institucionit, si të ishte luftë like-sh në Facebook.

Nga ana tjetër, duke bërë analogji të pavenda me sistemin arsimor amerikan, universitetet private, të pamundura për të joshur të varfrit me tarifat e tyre të larta, krijojnë për veten imazhin e një vendi cool, ku pinjollët e të pasurve dhe të skalioneve të para të shtresës së mesme mund të studiojnë e dëfrehen pa praninë bezdisëse të të varfërve.

***

Si gjithkund nëpër botë, edhe në Shqipëri procesi i akumulimit nëpërmjet shpronësimit nuk ka kaluar pa rezistencën e atyre që humbin prej tij. Në vitin 2011 lindën filizat e rezistencës me lëvizjen studentore “Universiteti në Rrezik”. Më 2014 disa prej aktivistëve me përvojë të saj themeluan “Lëvizjen Për Universitetin”, prania e të cilës në mjediset universitare, rrugë dhe sferën e komunikimit publik nxiti edhe vatra të tjera rezistence në universitete dhe shoqëri. Ndonëse ligji i arsimit të lartë u miratua, rezistenca i la gjurmët e saj duke e frenuar disi qeverinë. Pas vitit akademik 2014-2015, qeveria nuk ka guxuar t’i rrisë më tarifat universitare. Ashtu sikundër skema e financimit të universiteteve private është shtyrë për pak më vonë.

Pse ka ndodhur kështu? Sepse, siç thotë Wolfgang Streeck-u, qeveritë u përgjigjen dy “popujve” njëkohësisht: popullit të tregut (Marktvolk) dhe popullit të shtetit (Staatvolk). Të parët janë zotëruesit e mëdhenj të kapitalit, sa të dobët numerikisht aq edhe të fuqishëm në ndikimin ose blerjen e mbështetjes qeveritare. Ama, hiq rastet e diktaturave të hapura, qeveritë e fitojnë legjitimitetin e tyre përmes zgjedhjeve. Për pasojë duhet t’u përgjigjen disi edhe kërkesave të popullit (të shtetit). Kjo vlen, ndonëse më pak, edhe për vende si Shqipëria ku një pjesë e votave blihet ose rrëmbehet. Meqë rezistenca ndaj ligjit të arsimit të lartë e fitoi betejën ideologjike me qeverinë, duke e bërë popullore idenë se esenca e ligjit të arsimit të lartë ishte financimi shtetëror i universiteteve private, qeverisë i është dashur që vitet e fundit t’i kundërvihet rezistencës duke u fshehur pas lëshimeve taktike dhe dredhimeve propagandistike. Porse fitorja e vetme e Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit i jep mundësi qeverisë të rrisë ritmin e akumulimit përmes shpronësimit dhe të ketë më pak nevojë të fshihet pas lëshimeve dhe dredhimeve. Mund të arrijë puna deri aty sa, tërësisht e pavarur nga Staatvolk-u, kryeministri të imitojë publikisht “më-do-trapizmin” e pronarëve të diplomoreve private. Çka lyp që rezistenca t’u përshtatet kushteve të reja të luftës politike në organizim, ide dhe komunikim publik.

Imazhi: The Matrix

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.