Akademia për çobanët dhe qeveritarët që pse s’i çan ujku

/Xhuliano Bregasi/

“Blegtorët e rrethit të Përmetit realizuan me sukses planin e prodhimit dhe dorëzimit të qumështit për periudhën 9-mujore… Këtë kronikë e përgatitëm në sektorin më malor të ekonomisë bujqësore të Ballabanit, në atë të Kajcës, blegtorët e të cilës planin vjetor të prodhimit të qumështit e kanë realizuar deri tani në masën 109%…”[1]

Kjo pjesë, e marrë nga një Revistë Televizive e vitit të largët 1986, nuk është shkëputur as për nostalgji për një kohë që nuk e kam jetuar, as për t’u mburrur që fshati im, Kajca, dikur paska bërë namin me prodhimin e qumështit dhe tejkalimin e planit. Qëllimi i publikimit të kësaj pjese është për të treguar se në zona të tilla malore, të larta e të largëta, mundësitë e aktivitetit ekonomik janë të pakta. Kryesisht blegtoria, më pak bujqësia, pemëtaria e përpunimi i qumështit, janë të vetmet forma mbijetese.

Për t’u kthyer te arsyeja që më nxiti të shkruaj këto rreshta, arsye që ka nxitur në gallatë gjithë rrjetet sociale. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka deklaruar në komision parlamentar se situata në sektorin e blegtorisë është vështirësuar. Arsyeja, sipas saj, është puna shumë e vështirë e blegtorit. Zgjidhja: hapja e një akademie dhe subvencionimi i blegtorëve për të vazhduar këtë profesion. Le të tentojmë të merremi seriozisht me situatën dhe jo me profkën e “akademisë”.

Ministrja ka të drejtë në konstatim. Situata në këtë sektor, veçanërisht vitin e fundit, është përkeqësuar ndjeshëm. I referohem këtu rastit të fshatit tim, por edhe pak më gjerë asaj që dikur ka qenë kooperativa e Kajcës, me fshatrat Pavar, Kajcë, Vinokash e Toshkëz. Në fillim të viteve ’90 kanë jetuar rreth 300 familje, ndërsa sot nuk bëhen as 50. Pa i hyrë këtu përbërjes familjare, që në shumicën dërrmuese sot janë pensionistë që thjesht kalojnë kohën në ajër të pastër.

Në këta katër fshatra blegtoria është aktiviteti ekonomik kryesor, ku mbarështohen rreth 1800 krerë bagëti të imëta. Vetëm vitin e fundit numri është ulur 500 krerë për shkak të pamundësisë së blegtorëve për t’u kujdesur më tej. Pra një rënie me më shumë se 20%. Kjo ka ndikuar në rritjen e çmimit për prodhimet e kësaj fushe, veçanërisht të mishit, i cili është rritur me thuajse 40% për shkak të mungesës në treg.

“Është punë shumë e vështirë!” – thotë ministrja me plot gojën. Dhe ka të drejtë prapë. Puna e blegtorit mund të jetë ndër më të rëndat. I lidhur, në kuptimin e plotë të fjalës, 24 orë të ditës. Mund t’i bjerë zalia nga vapa, por nuk shkëputet dot. Duhet të rrijë “gatitu” në shi, në dëborë e në acar. Duhet të rrijë roje gjithë ditën prej egërsirave, por edhe natën prej hajdutëve. Boshatisja në mënyrë të frikshme e këtyre fshatrave ka ndikuar në krahun e paktë të punës dhe moshën relativisht të lartë. Ky zanat kërkon shumë njerëz dhe sa më energjikë. Asnjë prej kushteve nuk përmbushet.

“Do të subvencionojmë zanatin – thotë ministrja – pra, jo thjesht krerët që mbarështojnë, por zanatin e bariut si zanat në vetvete”. Tallje me tellall! Këta teveqelër, përmes AZHBR-së, i vënë në garë blegtorët për një numër shumë të kufizuar subvencionesh vjetore. Dhe nuk i vënë as në kushte të barabarta e të qasshme me lehtësi, por përmes metodave që ua pamundësojnë përfitimin. Që të aplikosh, duhet të presësh gongun e qeverisë përmes e-albanias. Kushtet digjitale të qeverisë dinjitoze për vitin 2021, ndërsa mundësitë konkrete të blegtorëve akoma si më 1989. Kështu blegtorët nuk arrijnë dot të përfitojnë as atë subvencion qesharak që duhet ta merrnin pa asnjë kusht e peripeci.

Ministrja Krifca i bën për bukuri konstatimet, por qëllimisht nuk shkon drejt një analize serioze se si dhe përse ka arritur puna në këtë ditë. Rrjedhimisht edhe “zgjidhja” që propozon është qesharake, aq sa po “shkulin brinjët” gjithë njerëzit.  

Vështirësitë e përmendura më lart janë objektive të këtij profesioni. Janë njësoj në Kajcë, njësoj në Myzeqe, njësoj në Greqi e njësoj Zelandën e Re. Dallimi është te lehtësirat dhe mundësitë që krijon shteti për t’i mpakur këto vështirësi dhe për të mos i lënë blegtorët të mallkojnë veten. Kjo lidhet pashmangshmërisht me situatën ku ndodhet fshati sot.

Në vitin 2016, kur Edi Rama e shndërroi gjithë Shqipërinë në plantacion hashashi, gjatë muajve të verës zhvilloi një takim në Sukë, ish-komunë atypari. Njëri prej fshatarëve të pranishëm në takim pati disa kërkesa bazike: “Duam një copë rrugë që të kemi mundësi të shkojmë e të vijmë në qytet, duam një ambulancë që të mos vdesin po na pickoi ndonjë grerëz dhe një shkollë fillore për kalamajtë”. “Je në metro ti apo ke pirë ndonjë gjë këtej vërdallë?!” – iu përgjigj karagjozçe kryeministri, duke bërë shakatorin për parcelat aty pranë dhe duke ironizuar athua se fshatari kishte kërkuar ndërtimin e ndonjë teleferiku për të shkuar në Rodenj[2].

Këtë analizë të thjeshtë, me vetëm tre pika/kërkesa si konkluzion, nuk mund ta bënte askush më mirë sesa një fshatar që e pëson çdo moment në përditshmërinë e tij. Këtë analizë duhet të bënte edhe ministrja, qeveria dhe gjithë maskarenjtë që tallen me këta njerëz prej 30 vjetësh.

Nga të katër fshatrat, ambulancë fizikisht ka vetëm Kajca. 10 metër katror, dhe këtë u desh të vinte ta ndërtonte një fondacion arab nga ana e anës. Rruga mund të përshkohet vetëm me makina 4×4. Faturimi i tyre shkon rreth 2000 lekë të reja për vetëm 7 kilometra, çka e rrit tmerrësisht shumë koston e produkteve, le pastaj që mos të rëntë një punë apo një hall. Fati i shkollës fillore, nëse do të hapet ose jo vitin pasues, më shumë ngjan sikur vendoset përmes lojës “tek a çift”.

Në këto kushte, për çfarë i duhet akademia G. moshatarit dhe bashkëfshatarit tim që ka 15 vjet që merret me blegtori dhe ka njohuri për këtë fushë më shumë se gjithë ministrat të marrë së bashku?! Atij i duhej shkolla për fëmijën që po plotëson moshën, se çerdhja dhe kopshti janë harruar prej 30 vjetësh në këto zona, ndaj u detyrua të linte tufën, të mblidhte plaçkat e të shkonte në qytet.

K., moshatari im nga Vinokashi, ka mbi 25 vjet që merret me këtë zanat. Që fëmijë. Nuk është thjesht blegtor, por edhe ustai i vetëm i mbetur në atë zonë. Është edhe shofer, që merr porositë kur bie rasti të lëvizë poshtë e lart dhe e përdor makinën si ambulancë po u sëmur njeri. Ama deri në vjeshtë, se pastaj fillojnë shirat dhe makina zor se ngjitet përpjetë. Me njohuritë që ka për zanatin e blegtorit, do të ishte më i përshtatshëm në vendin e znj. Krifca, por ja që edhe ai po bën plaçkat gati të lërë fshatin dhe zanatin, se nuk sheh asnjë të ardhme aty për shkak të kushteve të lartpërmendura. Do të vijë në Tiranë e do të vrasë veten si gjithë ne të tjerët…

Po E., moshatar dhe bashkëfshatar tjetër imi, që po ashtu po i bëhen fëmijët për shkollë dhe nuk ka as ku të shkojë, ç’të bëjë.

Këto janë vetëm disa nga problemet e vërteta që kanë blegtorët sot, që nuk lidhen veç me këtë si zanat, por në tërësi me fshatin që është lënë në ditë të hallit. Çështja mund të zgjidhet vetëm duke i shkuar në thelb problemit dhe duke u përballur me të. Dhe këtë sigurisht që nuk mundet ta bëjë as kjo qeveri, as ajo që ishte para kësaj, as ajo që do të vijë pas kësaj nëse do të jetë nga e njëjta shpurë maskarenjsh që na kanë pirë gjakun dhe vrarë shpresën këta 30 vjet.

“Çobanët mbi gjeneralë” është kënga e famshme labe që flet për luftën e Vlorës dhe rezistencën e lavdishme të “opingës”, fshatarësisë, ndaj Italisë pushtuese. Le të shpresojmë që do të këndohet edhe ndonjë këngë “çobanët mbi qeveritarë”.


[1] https://www.youtube.com/watch?v=dlRU5oEv16Q&ab_channel=eRrall%C4%93 .

[2] Emri i fshatit nga ishte.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.