/Nikola Buharin, Evgeni Preobrazhenski/
Shfrytëzimi i fuqisë prodhuese
…Lind pyetja: për ç’arsye kapitalisti punëson punëtorët? Të gjithë e dinë që arsyeja nuk është aspak dëshira e pronarit të fabrikës për të ushqyer punëtorët e tij, por që të mbledhë fitim nga ata. Për hir të fitimit, pronari ndërton fabrikën; për hir të fitimit, angazhon punëtorët; për hir të fitimit, ai kërkon ku paguhen çmimet më të larta. Fitimi është motivi i të gjitha përllogaritjeve; Këtu, për më tepër, ne shquajmë një karakteristikë interesante të shoqërisë kapitaliste. Sepse shoqëria nuk i prodhon vetë gjërat të cilat janë të nevojshme; në vend të kësaj, klasa kapitaliste detyron punëtorët të prodhojnë ato gjëra që do të paguhen më shumë, ato gjëra nga të cilat kapitalisti nxjerr fitimin më të madh. Uiski, për shembull, është një substancë e dëmshme, dhe likerët alkoolikë përgjithësisht duhet të prodhohen vetëm për qëllime teknike dhe për përdorimin e tyre në mjekësi. Por kudo në botë kapitalistët prodhojnë alkool me të gjithë fuqinë e tyre. Pse? Sepse të dendësh njerëzit me pije është jashtëzakonisht fitimprurëse.
Tani duhet ta bëjmë absolutisht të qartë si del fitimi. Për këtë arsye ne duhet ta ekzaminojmë në detaj çështjen. Kapitalisti merr fitimin në formën e parasë kur ai shet mallra të prodhuara në fabrikën e tij. Sa para merr për këtë? Varet nga çmimi. Pyetja tjetër është: Si vendoset çmimi, apo pse një produkt arrin një çmim më të lartë dhe tjetra një çmim të ulët? Është e thjeshtë për ta kuptuar që në çdo degë të prodhimit futen makineri të reja dhe puna ushtrohet në mënyrë më të favorshme (ose, siç thotë shprehja, është më produktive) atëherë çmimi i produktit bie. Nëse, nga njëra anë, prodhimi është i vështirë, nëse sasia e të mirave të prodhuara është e vogël, nëse puna nuk ushtrohet në mënyrë të favorshme ose është relarivisht joproduktive, çmimi i mallit rritet.
Në qoftë se shoqëria duhet të shpenzojë mesatarisht më tepër punë për të prodhuar një produkt, çmimi i këtij produkti është i lartë; nëse mesatarisht kërkohet më pak punë, çmimi i produktit është më i ulët. Duke supozuar që eficienca mesatare e manifakturës (do të thotë, kur makineritë dhe veglat nuk janë as më të mirat dhe as më të këqijat), sasia e punës shoqërore të kërkuar për prodhimin e mallit vendos edhe vlerën e këtij malli. Ne vëmë re që çmimi varet nga vlera. Në fakt, ndonjëherë çmimi është më i lartë se vlera dhe ndonjëherë më i ulët, por për ta thjeshtuar ne pretendojmë që janë një dhe e vetme.
Duhet t’i kthehemi asaj që thamë lidhur me punëtorët e punësuar. Punësimi është shitja e një malli autentik , që quhet fuqi prodhuese. Sapo fuqia prodhuese u bë mall, ajo që zbatohet te mallrat zbatohet edhe te fuqia prodhuese. Kur kapitalisti punëson njerëz, i pari i paguan të dytit çmimin e fuqisë së tij prodhuese (ose, më thjesht, vlerën e fuqisë së prodhimit). Por si vendoset për këtë vlerë? Ne pamë që vlera e produkteve varet nga sasia e punës së ushtruar për t’i prodhuar. E njëjta gjë vlen edhe për fuqinë prodhuese.
Po çfarë nënkuptojmë me prodhim të fuqisë prodhuese? Fuqia prodhuese nuk prodhohet në fabrikë, si pëlhurat, bojërat apo makineritë. Si do ta shpjegojmë atëherë? Për ta kuptuar thjesht na duhet të shohim jetën bashkëkohore në kapitalizëm. Le të supozojmë që punëtorët kanë mbaruar turnin. Ata janë të lodhur, e gjithë fuqia e tyre vitale është përdorur, nuk punojnë dot më. Fuqia e tyre prodhuese është shteruar. Çfarë nevojitet për ta rimëkëmbur? Ushqim, pushim, gjumë dhe rrjedhimisht fuqia do të rimëkëmbet. Më pas do të rishfaqet kapaciteti për punë; më vonë ata do të kenë fuqi për punë nga e para. Kjo do të thotë që ushqimi, veshja dhe strehimi – me një fjalë, konsumimi i nevojshëm i punëtorit – ndikojnë në prodhimin e fuqisë së tij prodhuese. Përbërës shtesë duhet të konsiderohen shpenzimet për trajnime kur nevojitet që punëtori të ketë disa aftësi, e kështu me radhë .
Çdo gjë që klasa punëtore konsumon për të rimëkëmbur fuqinë prodhuese, ka vlerë. Prandaj vlerat e produkteve të konsumuara dhe investimit për trajnime formojnë vlerën e fuqisë prodhuese. Produkte të ndryshme kanë vlera të ndryshme. Në të njëjtën mënyrë, çdolloj fuqie prodhuese ka vlerën e saj. Fuqia prodhuese e një radhitësi ka një vlerë, fuqia prodhuese e një punëtori të patrajnuar ka një vlerë tjetër.
T’i kthehemi fabrikës. Kapitalisti blen lëndën e parë: naftë, makineri, vajra dhe gjëra të tjera të nevojshme; më pas blen fuqi prodhuese, “angazhon duart”. Ai paguan parà për çdo gjë. Fillon procesi i prodhimit. Punëtorët punojnë, rrotat lëvizin, nafta digjet, vajrat përdoren, ndërtesa e fabrikës konsumohet, fuqia prodhuese përdoret. Si rezultat, prej fabrikës del një produkt i ri. Produkti, si të gjitha produktet e tjera, ka vlerë. Çfarë është kjo vlerë? Së pari, produkti ka përthithur në vetvete vlerën e mjeteve të prodhimit të përdorura. Së dyti ka kaluar te produkti puna e punëtorëve. Nëse punëtoret janë 30 vetë dhe në prodhimin e mallit secili punon 30 orë, atëherë aty do të shpenzohej e gjitha në orët e punës. E gjithë vlera e produktit do të përbëhej nga vlera e materialeve të shfrytëzuara (le të supozojmë që vlera e tyre është e barazvlefshme me këto orë ), së bashku me vlerën e re të shtuar nga punëtorët me punën e tyre, të quajtura orë pune. Totali është 600+900=1500 orë pune.
Por sa i kushtoi produkti kapitalistit? Për materialet e papërpunuara ai pagoi plotësisht ; domethënë, ai pagoi një pjesë të parave që i korrespondon vlerës së orëve të punës. Por çfarë pagoi për fuqinë prodhuese? A pagoi për të gjithë orët e punës? Këtu gjendet çelësi i problemit. Sipas hipotezës sonë, ai ka paguar vlerën e plotë të fuqisë prodhuese për ditët e punës. Nëse 30 punëtorë kanë punuar 30 orë, tre ditë për 10 orë në ditë, pronari i fabrikës duhet t’i ketë paguar atë sasi vlere që ishte e nevojshme për rikuperimin e fuqisë gjatë këtyre ditëve. Sa do të ishte sasia? Përgjigjja është e thjeshtë: rikuperimi i fuqisë së prodhimit është një gjë, kurse sasia që mund të shpenzojë është diçka tjetër. Unë mund të punoj 10 orë në ditë. Për të siguruar mjaftueshmëri në ushqim, veshje, etj. . . nevojat e mia ditore janë një sasi produktesh vlera totale e të cilave është e barabartë me 5 orë. Kjo është për të thënë se unë mund të punoj më shumë se ç’më nevojitet për të rikuperuar fuqitë. Në shembullin tonë, punëtori konsumon, le të themi, në formën e ushqimit, veshjeve etj…, gjatë tre ditëve, produkte me vlerë sa 4.50 të orëve të punës ; por ato furnizojnë orë pune. Për kapitalistin mbeten 450 orë; këto formojnë burimin e fitimit. Në fakt, produkti i ka kushtuar kapitalistit, siç kemi parë, 600+450=1050, por ai e shet për vlerën e 600+900=1500 orë ; 450 orë janë mbivlera e krijuar nga fuqia e prodhimit. Rezulton se për gjysmën e kohës së punës punëtori punon të kthejë atë që ai përdor për vete; por gjatë gjysmës tjetër të ditës së punës ai punon vetëm për kapitalistin.
Le të marrim shoqërinë në tërësi. Ajo çfarë bën individualisht pronari i fabrikës ose punëtori ka pak rëndësi për ne. Me rëndësi është struktura e makinerisë së madhe e cila mban emrin shoqëri kapitaliste. Klasa kapitaliste punëson klasën punëtore, kjo e fundit është gjigande numerikisht. Në miliona fabrika, në miniera dhe gurore, në pyje dhe fusha, qindra miliona punëtorë punojnë si milingona. Kapitali paguan rrogën, vlerën e fuqisë prodhuese, me të cilën e ripërtërijnë këtë fuqi prodhuese për t’i shërbyer kapitalit. Me punën e vet, klasa punëtore nuk paguan vetëm rrogën e saj, por krijon të ardhura shtesë për klasat e larta, krijon mbivlerën. Nëpër një mijë rrëke, kjo mbivlerë rrjedh në xhepat e klasës sunduese. Një pjesë i shkon vetë kapitalistit, në formën e fitimit të sipërmarrësit; një pjesë i shkon pronarit të tokës; një pjesë hyn në arkat e shtetit kapitalist në formën e taksave; pjesët e tjera u shkojnë tregtarëve, shitësve, shpenzohen në kisha dhe bordello,mbështesin aktorë, artistë, shkrimtarë borgjezë e kështu me radhë. Me mbivlerën jetojnë të gjithë parazitët e krijuar nga sistemi kapitalist.
Një pjesë e mbivlerës, sidoqoftë, përdoret çdoherë nga kapitalistët. Ata i shtojnë kapitalit dhe e rrisin. Zgjerojnë sipërmarrjet e tyre. Angazhojnë më shumë punëtorë. Instalojnë makineri më të mira. Rritja e numrit të punëtorëve rrit akoma dhe më shumë cilësinë e mbivlerës. Sipërmarrja kapitaliste rritet gjithnjë e më tepër. Kështu me çdo revolucion të kohës, kapitali marshon përpara duke grumbulluar mbivlerë. Duke shtrydhur mbivlerën nga klasa punëtore, duke shfrytëzuar punëtorët, kapitali vazhdon të rritet.
E përktheu Redi Koçiaj
Marrë nga Enciklopedia në internet e marksizmit
Imazhi: Max Lieberman