A ishte lëvizja studentore e viteve ‘60 në Evropë një fenomen global?

/Angeliki Mitropoulou/

Vitet ‘60 ishin ndryshe dhe dallonin nga vitet ‘40 dhe ‘50 për shkak të një serie transformimesh që nisën të materializoheshin duke krijuar një realitet tjetër. Stili dhe standardet e jetës nisën të rriten befas dhe një fenomen i ri i quajtur “konsumerizëm” filloi të kishte ndikim. Megjithatë, ndoshta tipari më dallues që e shënoi dhe përkufizoi atë dekadë ishin një seri protestash politike dhe konfrontimesh të dhunshme. Përgjithësisht, protagonistët e këtyre ngjarjeve ishin kryesisht studentë dhe të rinj.

1968 ishte viti më i rëndësishëm i të 60-ave sepse pati ndikim në brezat të tërë studentësh. Të rinjtë dhe veçanërisht studentët që deri atëherë nuk kishin treguar ndonjë farë interesi ndaj politikës dhe nuk u pëlqenin idetë radikale, filluan të angazhoheshin në lëvizjet protestuese duke i konsideruar autoritetet, dhe në veçanti policinë, si subjekte që përdornin forcë jolegjitime. Lëvizjet studentore në Perëndim mund të përshkruhen si aksione kolektive kundër absolutizmit dhe totalitarizmit, duke synuar nxitjen e barazisë në të gjitha nivelet.

Çfarë kanë të përbashkët Mary Quant-i[1], muzika pop, Beatles-at[2], twist-i[3], revolucioni seksual, nouveau realism-i[4] dhe Che Guevara? Të gjithë janë elemente, parulla, ideologji dhe personalitete që karakterizuan kulturën e të rinjve dhe gjeneratën e viteve ‘60, gjeneratë që mori pjesë në valën e lëvizjeve studentore në të gjithë botën.

Përmasat globale

Përpara se të diskutohet madhësia e lëvizjeve studentore, është e udhës  të jepet një shpjegim i shkurtër i termit “lëvizje studentore”. Një lëvizje studentore karakterizohet nga pjesëtarët e saj të qëndrueshëm si një aksion kolektiv me shqetësime të caktuara që ushtrohet nga një grup ose grupe studentësh në kundërshtim me sistemin ose sistemet ekzistuese pushtetore. Ky artikull është i bazuar në këtë përkufizim të lëvizjeve studentore sepse siç e tregon pjesa në vijim e esesë, pavarësisht nga vendi, studentët po protestonin kundër formave të caktuara të pushtetit.

Fenomeni i studentëve që bëheshin “rebelë” filloi të paraqitet ndërkombëtarisht për shumë arsye. Gjatë viteve ‘60 studentët protestues shkaktuan çrregullime serioze në shoqëri dhe tronditën sistemet politike anembanë botës, si për shembull në vende si Japonia, Franca, Meksika, Gjermania Perëndimore, Italia, Brazili, Çekosllovakia dhe SHBA. Pesëdhjetë e gjashtë shteteve dhe qeverive iu desh të përballeshin me mijëra studentë të rebeluar. Madje edhe vendet e Botës së Tretë u përballën me lëvizjet e formuara nga të rinjtë, si p.sh kastrizmi[5] dhe Revolucioni Kulturor maoist. Ç’është e vërteta, pas vdekjes së Che Guevara-s në fund të viteve ‘60, ai u bë simboli kryesor i të rinjve të revoltuar.

SHBA

Aktivizmi studentor në Amerikë nisi të rritej në mënyrë të konsiderueshme në vitet ‘60.  Në fakt kjo rritje ishte goditëse sepse ishte hera e parë që diçka e tillë ndodhte që nga viti 1930. Në shumë shtete filluan demonstrata dhe ndikimi i tyre ishte aq i fortë, saqë presidenti i vendit Lyndon Johnson vendosi të tërhiqet nga posti për shkak të politikave të tij lidhur me luftën në Vietnam.

Studentët e Universitetit Berkeley të Kalifornisë (një nga institucionet arsimore me pjesëmarrjen më aktive në lëvizjet studentore të viteve ‘60) protestonin për të drejtën e tyre kushtetuese të fjalës së lirë dhe që t’i përdornin kampuset për diskutime politike. Si rrjedhojë, studentët në mbarë SHBA filluan të demonstronin duke refuzuar të mbeteshin “të heshtur” dhe të dëgjueshëm. Rasti i Universitetit Berkeley është një shembull shumë i mirë i kësaj pike kthese në sjelljen e përgjithshme të studentëve. Për më tepër, pas këtyre ngjarjeve u vu re se aktivizmi studentor u bë më intensiv në aspektin e numrit të incidenteve dhe shkallës së militantizmit.

Në përgjithësi, lëvizja studentore amerikane zuri fill në fillim të viteve 1960. Protestat u përshkallëzuan rreth vitit 1965 me luftën e Vietnamit duke arritur kulmin rreth vitit 1969.

EVROPË

Në përgjithësi, lëvizja studentore evropiane pati një drejtim pak më ndryshe për arsyen se, edhe pse arriti majat në të njëjtën periudhë, doli në shesh më vonë se në Amerikë. Në disa vende lëvizja ishte më serioze se në të tjerat. Protestat e Berkeley-t[6] patën një ndikim të jashtëzakonshëm në valën evropiane të demonstratave studentore, posaçërisht në Francë, Itali dhe Gjermaninë Perëndimore.

Francë

“Kur drejton gishtin nga hëna, IDIOTI shikon gishtin.” – Ky proverb kinez ishte shkruar në muret e  Konservatorit të Muzikës në Paris në maj të vitit 1968. Ndoshta nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar përmbysjen e atyre ditëve sesa të shohësh çfarë ishte shkruar në mure dhe parullat që protestuesit përdoren për të shprehur atë që donin. Në Francë shumica e universiteteve më të rëndësishme pushuan së funksionuari më 1968 për shkak të grevës së përgjithshme ku jo vetëm studentët, por edhe punëtorët, pjesëtarë të shumë komuniteteve dhe grupeve të ndryshme morën pjesë për t’iu kundërvënë sistemit politik. Disa autorë e kanë përkufizuar këtë ngjarje në mënyrë më poetike: “Revolucioni i Majit luftoi për të dukshmen (bukën) dhe të padukshmen (një rend të ri).”

Lëvizjet studentore në Francë ishin  të fuqishme dhe masive, por kishin edhe karakteristika të ndryshme. Përhapja e protestave ishte mjaft e habitshme dhe qe e vështirë të parashikohej se ato ngjarje do të shndërroheshin në një krizë nacionale. Fillimisht protestat që po zhvilloheshin në Paris ishin të një rëndësie të vogël në krahasim me ato në Berlin dhe Nju Jork në Universitetin Columbia. Kjo tregon se protesta të ngjashme po zhvilloheshin në shumë vende, jo vetëm në Evropë, edhe pse serioziteti i tyre mund të mos ishte i njëjtë. Situata në Paris u përshkallëzua shumë shpejt si rezultat i gabimeve të qeverisë, njëri prej të cilëve ishte mbyllja e Sorbonës[7]. Kështu, protestat u kthyen shpejt nga përleshje të disa studentëve me policinë në një valë të madhe të kundërshtimit të status-quo-së.

Gjermani Perëndimore, Danimarkë, Itali

Ndonëse sot mund të duket e çuditshme, studiuesit e kohës i shikonin të rinjtë e Gjermanisë Perëndimore dhe Danimarkës si konformistë. Megjithatë, protestat studentore ne Gjermani dhe Itali në fund të asaj dekade patën një ndikim të rëndësishëm tek universitarët e kohës dhe ato demonstrata ishin edhe më të dhunshme se ato që u zhvilluan në SHBA. Lëvizjet studentore në Gjermaninë Perëndimore konsideroheshin pjesë e një grupi më të madh të quajtur “lëvizja e re sociale” dhe ishin shumë më aktive në fund të dekadës.

Edhe në Itali lëvizja arriti të shtrihej në nivelet rinore të shoqërisë pas vitit 1969. Kjo nuk është karakteristikë vetëm për këto dy shtete, por edhe për disa të tjera. Megjithëse lëvizje të shumta të studentëve zunë fill në të njëjtën periudhë kohore, kjo nuk nënkuptonte që kishin intensitet shtrirjeje dhe përshkallëzim të njëjtë.

Japoni

Shumë vende, përveç atyre që përmendëm, u përballën me valët e protestave studentore dhe Japonia nuk bënte përjashtim. Gjatë fundit të viteve ‘60 studentët në Japoni protestuan ashpër kundër shtetit, ushtrisë dhe industrialistëve. Lëvizjet japoneze shquheshin për shkallën e lartë e militantizmit, çka solli pakënaqësi publike dhe mbështetje të ulët nga grupet e tjera. Megjithatë, ata patën një ndikim të fortë sepse nënvizuan nevojën për arsim dhe universitet më funksional. Studentët vunë në pikëpyetje hierarkinë mbizotëruese, elitën akademike, status-quo-në, korrupsionin moral të punonjësve në universitetet japoneze dhe funksionimin e Ministrisë së Arsimit. Përfundimi që mund të nxirret është se studentët japonezë ishin thellësisht të zhgënjyer dhe të frustruar nga çdo aspekt me universitetet e tyre dhe se u përqendruan në modifikimin urgjent të politikave arsimore.

Përfundim

Pak njerëz mund të mohojnë se ngjarjet që u zhvilluan gjatë “long sixties” ishin domethënëse, sepse ato simbolizuan një revolucion që pati ndikim dhe ndryshoi jetën e përditshme të miliona njerëzve. Për më tepër, këto ngjarje karakterizohen se patën një reputacion historik imponues. 1968 ishte vit që tronditi botën.

Ndoshta nuk ka pasur një koordinim midis universiteteve të botës, por kjo nuk do të thotë se lëvizjet nuk kishin karakter global. Evropa Perëndimore nuk ishte vendi i vetëm që u desh të përballej fillimisht me qindra e më vonë me miliona studentë, të cilët po përpiqeshin të dëshmonin se dëshironin një jetë dhe të ardhme më të mirë. Ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka që të protestonin kundër formave të pushtetit të cilat ishin pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve. Studentët anembanë botës kishin shqetësime të përbashkëta, zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme me status-quo-në dhe vlerat e përbashkëta, si ndjenjat kundër luftës, të cilat i shtynë të demonstrojnë.

“E ndaluara ndalohet!”, “Pushtet imagjinatës!”, “Bëhu realist, kërko të pamundurën!” – ishin disa nga grafitet e shkruara në muret parisiene në vitin 1968, por domethënia e tyre përfaqëson qëllimet e studentëve dhe të rinjve në mbarë botën. Në fund të fundit, edhe nëse nuk ka një pajtueshmëri të plotë për ato ditë të viteve 1960 apo nëse lëvizja studentore në Evropën Perëndimore ishte një fenomen global apo jo, është e sigurt se njerëzit e asaj kohe luftuan për një qëllim përfundimtar: Një jetë më të mirë për të gjithë. Çdo gjë tjetër është e hapur për debat.

E përktheu Dardan Konjufca

Marrë nga: E-International Relations Students

Shënime të përkthyesit:

[1] Dizajnere e famshme e modës. Inkurajoi të rinjtë të vishen për kënaqësinë e tyre dhe ta trajtonin modën si një lojë.

[2] Grup i muzikës rok i formuar më 1960 në qytetin e Liverpulit. Influencoi shumë të rinj e të reja të kohës. Njëri nga anëtarët e grupit, John Lennon-i, i ndikuar nga protestat e vitit 1968, shkroi tekstin e këngës “Revolution”.

[3] Lloj kërcimi i frymëzuar nga muzika rock and roll. Nga viti 1959 deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë u bë një mani në të gjithë botën, duke gëzuar popullaritet të madh dhe duke nxjerrë zjarr nga kritikët të cilët mendonin se ishte shumë provokativ.

[4] Lëvizje artistike e themeluar në vitin 1960 nga kritiku i artit Pierre Restany dhe piktori Yves Klein.

[5] I themeluar nga udhëheqësi socialist i Kubës Fidel Castro.

[6] Berkeley University në Kaliforni.

[7] Ndërtesë në lagjen latine në Paris, selia historike e Universitetit të Parisit.

Imazhi: Global Impressions

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.