Medea, kjo grua revolucionare

/Klodi Leka/

Zbritja e “Medeas” së Euripidit në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një nga risitë më të kënaqshme kulturore në Tiranën dramatike të smogut, injorancës dhe vënies në pikëpyetje të vetë Teatrit Kombëtar që, ashtu si Biblioteka Kombëtare, rrezikon të flaket në qoshkat e qytetit.

Me regji të Dimitris Mylonas-it dhe aktrim të divave të teatrit  Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani, kjo vepër ka dyndur drejt teatrit këto ditë me dhjetëra qytetarë dhe të rinj të dhënë pas jetës kulturore. Shfaqja, në përgjithësi, është e arrirë, paçka se prologu i Rozës ka nevojë për më tepër pika dhe presje, kori i grave të Korintit, d.m.th. i aktoreve të reja, për klithma më të kontrolluara, ndërsa kostumografia për më tepër eksperimentim, ngaqë desh ngatërruam Medean me Hamletin, të cilët i loz mrekullisht martirja Luiza Xhuvani.

Megjithatë, motiv i këtij shkrimthi “eksperimental” nuk është vetë shfaqja, por personazhi kryesor i saj: Medea, gruaja që vazhdon të tmerrojë mendjet racionale me bëmat e saj, të cilat jo rrallë e paraqesin si një grua kriminele, që urrejtja i verboi arsyen, aq sa të vriste me duart e veta të dy fëmijët e pafajshëm. Kjo grua e tmerrshme, me të cilën jam njohur që në gjimnaz, gjithnjë më ka trembur, por edhe më ka magjepsur me radikalitetin e saj. Ka bërë të kem frikë prej shpagimit të seksit tjetër, por edhe ta adhuroj për bukurinë e tij. Përtej racionalitetit të bllokuar nga aroma e gjakut, pasioni për ta shkatërruar gjer në themel ngrehinën e një bote të padrejtë është akti që e bën revolucionare Medean.

Medea, pavarësisht kohës kur është shkruar, mbetet vepër thellësisht feministe. Që në nisje! Ajo, e mbyllur në dhomat e nusërisë ku vuan gjer në shpërfytyrim, s’ka kujt t’i flasë. Dheu i babait të tradhtuar është larg, tepër larg. Sundimtari vendos ta degdisë në syrgjyn, i shoqi fle në shtretër tjerë, shërbëtorja plakë humb fillin e arsyes e lemerisur nga krenaria e lënduar e padrones, ndërsa shërbëtori i të shoqit ruan fëmijët. Prandaj, ajo mblidhet rreth grave të Korintit, subjekteve pa autoritet, të vetmet që mund t’ia kuptojnë gjer në thelb dhimbjen, së cilave u hap zemrën me ligjërimin epik: “Më mirë të ishim burra dhe ta shikonim vdekjen në sy gjatë betejës, se gra që vyshken në shtëpi.” Medea, bashkë me gratë e tjera, betohet për drejtësi dhe nuk vonon ta vendosë. Mospranimi i fatit të gruas është revolta e saj e parë.

“Mjaft llomotite kundër autoriteteve!” – i egërsohet i shoqi, Jasoni, kur zbret ta takojë – “Mjaft e mallkove mbretin!” Ky është rebelimi i dytë. Medea nuk mjaftohet me shfryrjet kundër bashkëshortit bukëshkalë, por e zmadhon rrethin e qitjes, fajtorët e fatit te saj, fut në të mbretin dhe të bijën, e politizon atë çka sot mund të konsiderohet një divorc i thjeshtë. Mbreti i trembet Medeas. I trembet pasionit të asaj gruaje që për dashurinë arriti të shkelte mbi gjakun e saj; e tash, në humbje, nuk mund të kursejë askënd. Për këtë arsye, bashkë me xhelatët, mbreti shkon t’i njoftojë me ashpërsi përzënien nga qyteti. E përkundër portretizimit si grua e çmendur nga lotët, Medea nuk e sfidon atë, por përulet, bën hesap, organizohet, me guximin e jo logjikën që i hap rrugë veprimit, shfrytëzon me dredhi mediokritetin e mbretit dhe dëshirat e gruas rivale, për t’iu falur të dyve dhe tërë mbretërisë një vdekje të llahtarshme. Ajo ia pret kokën pushtetit siç s’mundi ta bënte askush. Pra, një grua!

Ah, ajo puthja e Jasonit tek e tërheq me forcë nga vetja në fund të fjalimit ngashëryes mbi varfërinë, rropatjet e syrgjynit, armiqtë, mungesa e strehës dhe të ardhmes së ndritur për ta, për të cilat ish i domosdoshëm ai kompromis i ndyrë, martesa e tij me të bijën e mbretit! Oh, ai çast sentimental pajtimi, i rënies në kompromis dhe kthimit në gjendjen e zakonshme të gjërave!  Të jem i sinqertë, gati sa nuk me shkrehu në lot në mes të teatrit. Refuzimi i Medeas, që në puthje e sipër largohet duke ia kafshuar buzët me dhunë, është rebelimi i tretë. Ajo e refuzon logjikën llogaritare të së shoqit, që tradhtia e shtratit bashkëshortor i duket diçka, kurse pushteti gjithçka. Për Medean, shtrati bashkëshortor është më i shtrenjtë se çdo pushtet,  për të cilin kish’ bërë theror gjithë ç’kish pasur të shenjtë. Këtu, dashuria është e kundërta e korruptimit dhe e kundërta e dëshirës për sundimin e të tjerëve.

Akti i fundit i rebelimit është vrasja makabre e fëmijëve. Ky akt shpjegohet rëndomë si qasje egoiste e gruas që do ta godasë të shoqin në pikën e tij më të dobët dhe ky shpjegim merret për shterues. Ama ka edhe disa hipoteza tjera të mundshme. Askush nuk ankohet, për shembull, për internimin e fëmijëve bashkë me të ëmën në rrugët e syrgjynit; apo për shqetësimin mizor dhe çuditërisht entuziast të Jasonit kur thotë se nuk ka për t’u munguar asgjë në atë kalvar vuajtjeje e poshtërimi. Prandaj Medea, që e ka provuar në lëkurën e vet shijen e këtij fati të kobshëm, vendos t’i japë fund dhimbjes. Hipotezë kjo që gjithsesi bie poshtë, ngaqë verdikti për fëmijët ndryshoi, çka nuk e ndaloi mëmën ta shpinte shpagimin gjer në fund, që me të drejtë mund të interpretohet si egoizëm. Ama, më duket se vrasja e fëmijëve është akti më vendimtar  i saj, në kuptimin e shkëputjes, kapërcimit apo thyerjes se pakthyeshme. Pohim ky skandaloz nëse vështrohet në pozita humaniste e josimbolike, e pse jo strukturale.

Me therjen e fëmijëve Medea bën atë që nuk mund ta bëjë asnjë grua e ngecur në kurthin e një martese të dështuar, shto këtu gratë e tjera të letërsisë, të historisë, si dhe mamatë tona. Fëmija është ajo krijesa shpesh e bekuar e po aq shpesh e mallkuar ku shumica e njerëzve dhe brezave përgjatë gjithë historisë kanë flijuar rininë dhe lirinë për t’i investuar më pas tek ta si cikël i kotë konformimi. Si gratë e djeshme, ashtu edhe gratë e sotme, që sikurse  Medea gjakatare s’kanë zë dhe shtëpi ku të kthehen, vijojnë të vuajnë, të dhunohen e të durojnë  për hir të fëmijëve. Kjo e formon Medean si personazh magjepsës letrar që mbetet gjithnjë aktual dhe gjithmonë potencial, në kuptimin e kryengritjes. Dinjiteti i saj është mbi gjithçka dhe këdo. Edhe mbi fëmijët, e lëre më burrin, mbretin e mbretërinë. Fëmijët, gjithashtu, janë lidhja e saj me botën e të shkuarës të cilën do ta shkatërrojë dhe do ta konservojë si melankoli, si më e larta formë e ndjenjës njerëzore, qe do atëherë kur s’ka, ngaqë jeta, siç belbëzon e brit në mbyllje të dramës, “është e gjatë dhe njeriu ka mjaftueshëm lot për të vuajtur”.

Imazhi: Stage and Cinema

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.