Pjesë e problemit, jo zgjidhja e shumëpritur
/Redi Muçi/
Problemi i punësimit të të rinjve në përgjithësi, por edhe i të diplomuarve në veçanti, ngelet mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare, ku nga të dhënat e INSTAT-it rezulton se grupmosha me papunësinë më të lartë në vend, me 27%, është ajo 15-29 vjeç. Jo pak herë është përmendur nga qeveritarët se një ndër arsyet kryesore është se arsimi nuk është i orientuar mjaftueshëm sipas tregut. “Punë ka, por s’ka profesionistë.” – siç u shpreh kryeministri. Ngjarjet e fundit, megjithatë, me valën e përmbytjeve në mbarë vendin, të bëjnë të mendosh për të kundërtën – se në fakt arsimi prej vitesh është i orientuar dhe i kushtëzuar prej tregut më shumë se ç’duan ta pranojnë qeveritarët.
Shumëkush mund të priste që nga përmbytjet – tashmë aq të përvitshme sa bakllavaja në dhjetor – të shihte mobilizimin e grupeve të ekspertëve të fushës së hidroteknikës, të shoqëruar nga një numër i madh studentësh të etur për eksperiencë, që do ndërmerrnin inspektimin e gjithë rrjetit të dëmtuar të kolektorëve, kanaleve të drenimit, hidrovorëve, argjinaturave lumore etj., si dhe do të evidentonin problematikën për t’i sugjeruar qeverisë masa konkrete që situata të mos përsëritet më. Në vend të saj, në ekrane u shfaqën politikanë të mbathur me çizme duke shpërndarë “pako”, të ngrysur në fytyrë nën shiun që i lagte pamëshirshëm (sepse çuditërisht atypari nuk gjendej as edhe një ombrellë e vetme). Kjo situatë shtron pyetjen pse? Një arsye është fakti se me reformën e vitit 2006 institutet kërkimore-shkencore përgjegjëse për projektimin e rrjetit të rregullimit dhe shfrytëzimit të ujit u shkrinë me vendim qeverie. Një tjetër, se bllokimi dhe dalja jashtë përdorimit e këtij rrjeti ka ardhur si pasojë e urbanizimit kaotik dhe e lejeve për ndërtime në zona nga pushtetarë lokalë e vendorë. Sidoqoftë, pushtetarëve nuk u intereson të ngrenë problematika të tilla sepse do të duhej më pas t’u jepnin zgjidhje që kërkojnë investime të mëdha nga shteti për rehabilitimin e rrjetit, shpërnguljen e disa prej banorëve nga zonat e rrezikshme etj.
Në këto kushte, a është për t’u çuditur pse prej vitesh, ndër studentët që regjistrohen në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ata me mesatare me të lartë gjimnazi dhe në masë dërrmuese (rreth 70%) zgjedhin të studiojnë në degën e Ndërtimit në vend të Hidroteknikës? Kjo, për më tepër, në një kohë kur kurrikulat e Hidroteknikës i përfshijnë njohuritë e Ndërtimit, por zgjerohen edhe më tej në lëmin e hidroteknikës. Është posaçërisht oferta në treg ajo që i shtyn studentët të zgjedhin degën që ofron mundësi më të shumta në të ardhmen e tyre profesionale. Në këto 27 vjet, industria e betonizimit të qendrave urbane ka lulëzuar si rrallëkund tjetër, duke krijuar një treg të gjerë për profesionistë të projektimit dhe zbatimit të ndërtesave shumëkatëshe. Veprat hidroteknike, nga ana tjetër, të varura në masën më të madhe nga investimet e shtetit, kanë qenë joekzistuese. E njëjta situatë mund të vihet re edhe në degën e Mjedisit. Mungesa e zbatimit të normativave mjedisore me ndërhyrjet flagrante në zona që mbajnë statusin “park kombëtar” (së fundmi në lumin e Valbonës dhe parashikohen ndërtime në lumin e Vjosës dhe lagunën e Karavastasë), por sidomos mungesa e financimit të projekteve mjedisore – qoftë nga universiteti, shteti apo aktorë të tjerë – ka bërë që kjo degë të mos jetë ndër të preferuarat në zgjedhjen e studentëve. Ndërkohë që i gjithë fokusi i financimeve të BE-së për arsimin (si programet Horizon 2020 apo Maria Skodowska) është i orientuar posaçërisht drejt kërkuesve të rinj në fushën e teknologjive për ripërtëritjen ambientale, energjinë e rinovueshme, zvogëlimin e impaktit mjedisor etj. Problemi është se fare pak prej kërkuesve të rinj në vendin tonë vijnë nga fusha e mjedisit, dhe më pak akoma kanë pasur eksperiencë të mëparshme në përfshirjen nëpër projekte mirëfilli kërkimore-shkencore.
Gjendja nuk është fort e ndryshme në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, i cili prej vitesh nuk tërheq më kontingjentin më të përgatitur të studentëve. Kjo pavarësisht eksperiencës së gjatë dhe traditës në përgatitjen dhe formimin e inxhinierëve me cilësi të njohur ndërkombëtarisht, pavarësisht punës kolosale për njohjen dhe hartografimin e çdo pëllëmbe të territorit shqiptar dhe zbulimin e mineraleve të nëntokës, pavarësisht edhe faktit se nëntoka e Shqipërisë është e pasur me minerale të çmuara dhe burime të konsiderueshme nafte dhe gazi. Meqenëse shfrytëzimi i tyre, në shkelje të të gjitha kritereve, i është lënë në dorë kompanive të huaja (të cilat janë të pajisura me stafin e tyre të specialistëve) ose bandave lokale, tregu i punësimit për inxhinierët e rinj është shumë i kufizuar. Të tilla janë edhe ekspeditat, burimet financiare e njerëzore në këtë fakultet. Tregtarizimi i arsimit në përgjithësi – që u kthye në ligj me reformën e re – nuk është ogur i mirë për këtë fakultet e për të ngjashmit me të.
Kështu, Fakulteti i Shkencave Sociale po priret gjithnjë e më tepër të ofrojë degë studimi që lidhen me “politikat e integrimit”, “etika në institucione dhe lidership”, “europianizimi i administratës shqiptare” e arançata të kësaj natyre, por gjithnjë e më pak lëndë të thellimit të mendimit kritik, filozofik e politik. Dega e Albanologjisë, gjithashtu, e ka humbur prestigjin e dikurshëm, e rrethuar nga deti i të rinjve që vijnë nga gjimnazet të paaftë për të shkruar një fjali të plotë pa gabime drejtshkrimore apo gramatikore.
Ndërkohë që prej vitesh diskutohet fakti që në fakultetet e Ekonomikut dhe Juridikut ka dyndje studentësh. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të ëndrrës “amerikano-shqiptare” për t’u bërë biznesmenë e pushtetarë, por edhe sepse diploma e ekonomistit dhe e juristit siguron një vend pune në shumë sektorë të ndryshëm. Në mungesë të instituteve të dikurshme, grupet e ekspertëve të fushave të ndryshme janë zëvendësuar në administratën shtetërore me nëpunës të nivelit të ulët. Për më tepër, çdo biznes ri, çdo zyrë noteriale, çdo bankë e re që hapet ka nevojë për këto profesione. Por dyndja e studentëve në këto degë ka bërë që konkurrenca në treg të jetë e lartë, e për pasojë një pjesë e mirë e tyre, por edhe e të diplomuarve në degë të tjera, të përfundojnë të punësuar në call center-a.
Ndryshe nga sa pretendohet prej qeveritarëve që vijnë e ikin, problemi me punësimin e të rinjve nuk zgjidhet me orientimin e universitetit drejt tregut. Problemi lind pikërisht aty; në orientimin që ka marrë arsimi kah një treg kaotik, informal dhe që s’ka nevojë për ekspertizë profesionale të kualifikuar për të siguruar fitime. Orientimi i ekonomisë dhe zhvillimit drejt betonizimit infrastrukturor të zonave urbane, tregut të shërbimeve dhe marketingut, ka bërë që pjesa dërrmuese e studentëve të zgjedhë degë që, edhe pse ofrojnë mundësi më të mira punësimi, e tejngopin tregun me prurje të rinjsh që kërkojnë punësim. Nga ana tjetër, ky trend “zhvillimi”, që e ka bërë më të pajetueshme hapësirën urbane, është i paaftë t’u bëjë ballë sfidave të reja mjedisore dhe problemeve kronike të përmbytjeve, ka krijuar një shoqëri të spektaklit që është më e varfër kulturalisht dhe më e vakët në konceptim e thellim kritik, ka krijuar xhepa ekstravagance e xhepa skamjeje të tejskajshme, me fëmijë biznesmenësh që nxjerrin shëtitje makinat luksoze e fëmijë minatorësh që i ngjiten malit për të gërmuar prej tij mineralin e kromit. Nuk është arsimi që duhet të orientohet nga tregu, por është tregu që nëpërmjet politikave të qeverisjes duhet të orientohet kah nevojat që ka shoqëria në tërësi, e të cilat mund të zgjidhen – jo me dekrete qeveritare – por me përfshirjen dhe angazhimin e profesionistëve specialistë të fushave të larmishme.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).